Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Nga Sami Frasheri

Çdo ditë e jetës sate është një faqe e biografisë sate, kujdesu ta shkruash mirë,sepse një faqe e keqe ndyn gjithë librin.

Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

Zgjuarësia është një dritë hyjnore, ndriçimi i së cilës ndrit jo vetëm sipërfaqen e sendeve, por edhe brendinë e tyre.

Më i forti i njearëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

Ajo që qeveris botën nuk është as forca, as ligji, por është mirësjellja dhe edukata.

Bota është një shesh i ekspozuar shiut dhe erës; ai që në këtë shesh e ruan dritën e përpjekjes e të kuptimit dhe nuk e shuan, është filozof i vërtetë.

S’ka njeri të pafajshëm në botë; i mënçuri nuk i thotë djalit mos gabo, por e këshillon të gabojë sa më pak.

Nuk i takon gjë dhëmbit të skiles që qëndron e mbyllur në strofkun e vet.

Njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri nga koka, jo nga këmbët.

Miqësia është si drita e shkrepëtimës; sa më i errët të jetë vendi, aq më shumë ndriçon.

Rruga e jetës është drejtësia, mos u ndaj nga rruga për të hyrë nëpër rrugica.

Njeriu mentar nuk flet për veten e tij dhe për punë që i përkasin atij vetë.

Kush ve interesat e përgjithshme mbi të tijat, është njeri me të vërtetë.

Jeta e njeriut është një pe i dredhur nga lumturia dhe fatkeqësia. Po të ishte dredhur vetëm nga fatkeqësia, do të ishte këputur shpejt, po të ishte përbërë vetëm nga lumturia, do të ishte tepër i ashpër dhe nuk do të hynte në punë.

Gabimi i atij që punon me dëshirë dhe endje, është më i mirë se të qëlluarit e atij që punon pa dashur.

Grada e qytetërisë dhe e moralit të një populli kuptohet nga këngët dhe lojërat e tij.

E vërteta është një lloj ujë i nxehtë që del nga toka, i cili shkrin dëborërat dhe akujt që ka përqark, i bën për vete dhe shtohet duke shkuar dhe sado që mund të ngrijë duke u ftohur ajri, pa kaluar shumë kohë prapë bëhet siç ka qenë (ujë i rrjedhshëm).

Gjithësecili dëshiron t’i shohë njerëzit e mëdhenj, por më mirë është të shohësh veprat e tyre, d.m.th. të shohësh ata vetë, sepse idetë e tyre s’kuptohen nga fytyrat e tyre, por dallohen nga veprat e tyre.

Kush nuk merret vesh me vëllanë, s’merret vesh fare me bashkëqytetarët e tij.

Njeriu të mos ketë frikë nga ligji, të ketë turp nga bota, të ketë frikë nga ndërgjegjeja e tij.

Mendojmë se njeriu vdes dhe shkon, mirëpo të vdekurit janë ata që edukojnë fëmijët tanë, që na mësojnë dituritë dhe shkencat, kur marrim në dorë një libër dhe e lexojmë në vetmi në një çip dhe, sipas rastit, ata na bëjnë të qeshim apo të qajmë.

Ai që pranon këshilla, është më i madh se ai që jep, sepse, sa lehtë është të japësh këshilla aq rëndë është t’i pranosh.

Dyshimi është gur argjendari i së vërtetës, kush dyshon në marrëdhëniet e
përditshme, s’gabon asnjëherë, kush dyshon në veprimet e veta, bëhet filozof.

Një kokërr gruri nuk e mbush dot hambarin, por ndihmon kokrrat e tjera që e kanë mbushur.

Ai që i përgjigjet me ligësi mirësisë sate, bëhet mjet për të bërë të njohur mirësinë tënde dhe ligësinë e vet.

Forca e mendimit hy në punë më shumë se tehu i shpatës; prandaj ruaje atë dhe mbaje gati për ta përdorur në kohën e duhur.

Shkalla e parë e marrëzisë është të kujtosh se je i mençur.

Njeriu ka nevojë për arsim ashtu si bima për ujë. Ashtu sikundër që thahet pema kur është e njomë, po nuk u vadit, edhe njeriu thahet shpirtërisht po nuk u edukua qysh në fëmijëri (vogëli), sepse nuk i mbetet gjë për t’i shërbyer njerëzimit.

Njeriu nuk është i përjetshëm, le të përpiqet të jetë e pavdekshme ajo që do të thotë dhe ajo që do të bëjë.

Gjërat që numërohen të shenjta, si mendja, njohuria dhe dituria, nga shkaku i lakmisë për famë e madhështi, s’mund t’u qëndrojnë disa dëshirave të kota, ndërsa dashuria mund çdo gjë. Dashuria duron varfërinë, nevojën, urinë, mundimin, poshtërimin - çdo gjë. Dashuria e ndryshon skëterën në parajsë. Në qoftë se kërkohet një shenjë e botës shpirtërore në botën lëndore, ajo shenjë është dashuria.

Fjalët dhe punët e njerëzve të mëdhenj nuk janë sipas vendit e kohës së tyre, ata mund t’i përshtaten çdo kohe dhe çdo vendi.

Kush bazohet në forcën, bie për tokë po sa të thyhet forca, por ai që bazohet në drejtësinë, është i mbështetur në një godinë të fortë që nuk shembet kurrë.

Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij - morali i përgjithshëm.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free