Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Suksesi

Shpesh herë na rastisë të përballemi me vështirësi të natyrave të ndryshme dhe na atakojnë pikërisht atëherë kur gjendemi të dobët përpara sprovave që sjellë jeta. Por përse të gjendemi të dobët?!

E tillë është jeta, sprovat asnjëherë nuk pushojnë së ardhuri dhe së shfaquri, në ndërkohë mbrojtja më e mirë do të kishte me qenë të përballurit me to në mënyrën e duhur dhe më të mirë të mundur. Variabla këto, që aludojnë të ju sjellin deri te suksesi, për të mos ju lënë të zhyteni në dështim. Është e njëjta sikur të rrezikoheni të përmbyteni në baltën e gjallë, duke e pasur mundësinë të kapeni në degën e një peme, që papritur e vëreni se e keni fare pranë, kapuni, varuni në të.., mos e mendoni gjatë, është e vetmja rrugë që ju shpëton nga ajo përmbytje, ju nxjerrë nga humbja, ju çliron nga dogma dhe kur të gjitha këto të mbesin prapa jush, atëherë do e gjeni veten fitimtarë, triumfues dhe të shpëtuar. Me një fjalë ndjeheni "të suksesshëm", subjekt ky që të gjithë e dëshirojnë dhe e pretendojnë, ashtu siç një klub i futbollit e dëshiron fitoren dhe pozicionimin në vendin e parë të tabelës.


            E ditur qoftë, që suksesi nuk vjen vet. Edhe po ta presim tërë jetën, duke menduar se fati do të na sjellë suksesin.., si do të përfundojmë?!

            (Këtë po që e them me bindje të thellë) Të zhgënjyer, po, po.., pikërisht kështu do të përfundojmë, të zhgënjyer, qoftë me jetën, qoftë me familjen, qoftë me njerëzit e tjerë të rrethit shoqëror dhe, papritmas fillojmë e i kritikojmë të tjerët, i fajësojmë të tjerët, sikur ata të jenë përgjegjës pse ne jemi të dështuar, e ç'është më e keqja tashmë të zhgënjyer edhe me vetveten.

 Sociologu amerikan W.G.Samner, ishte ndër përkrahësit e doktrinës që pohonte mbijetesën e më të adoptuarve në shoqëri. "Ata që kanë pasur sukses, këtë e kanë merituar, ndërsa ata që nuk kanë pasur, kanë merituar të dështojnë", kështu thoshte ai.

Por përse në të vërtetë ndodhë kjo?! Përse disa fitojnë më shumë se sa duhet, ndërsa të tjerët jetojnë në mjerim duke pritur lëmoshë?! Përse disa kanë famë dhe janë të dëshiruar në shoqëri, ndërsa të tjerët janë të vetëm dhe askujt nuk i bëhet vonë për ata?! Përse, përse, përse dhe shumë përse të tjerë?!!!


Këto janë disa pyetje, përgjigjet e të cilave janë shumë të kërkuara, po aq sa janë filozofike dhe enigmatike në të njëjtën kohë. Askush nuk mundet të jap përgjigje konkrete për këto pyetje, them konkrete pasi që shumë njerëz janë orvatur të japin përgjigje, por që në kundërvështrimin tim nuk kanë qenë konkretuozë, nga ana tjetër, sa ka prej tyre aq ka edhe mendime, jo rrallë herë edhe të kundërta. Sido që të jetë, nuk dua të bëhem llomotitës i pavlerë në lidhje me këtë, duke e ditur që "përse-ja" nuk ka të mbaruar, edhe sikur të jepen njëqind përgjigje prapë do të ketë një "përse" për t'u parashtruar, e si të jetë konkrete?!!! (Shihni ç'po kërkoj...! Më mirë t'i kthehem temës dhe të mos futem në rrugë pa kthim). E filozofisë është t'i bëjë këto pyetje, përgjigjet e të cilave të çojnë drejt zgjidhjes.

Unë do të mundohem të përgjigjem, në një mënyrë të tillë, që më tepër përkon të jetë një formë e të këshilluarit apo të udhëzuarit.E para.., - Besimi në vetvete -

Sikur të mos ndjeheni komod me veten tuaj (ashtu si jeni) dhe të mos i besoni vetes, mos pritni t'i besoni askujt dhe askush nuk do t'ju besoj juve. Gjithmonë do të jeni të dobët, të padobishëm dhe të paaftë në syrin e të tjerëve. Thjeshtë, vetëbesimi është virtyt mbi të cilin ndërtohet karakteri njerëzor, është diçka që vërehet, qoftë në dukjen apo të shprehurit tuaj. Andaj sa i përket kësaj çështjeje, duhet të ngulitemi me të dyja këmbët, me vendosmëri që së pari të kemi vetëbesim. Besoni ose jo, në momentin që arrijmë diçka të tillë, vetëm sa kemi bërë një hap drejt suksesit. Të jetë vetëbesimi, e të tjerat jemi të sigurt që i arrijmë, sepse ne besojmë dhe mjafton të besoni. Mos keni frikë të thoni "dua të jem i suksesshëm"


E dyta.., - Guximi dhe vendosmëria -

 Kurrë nuk do të bënit asgjë, sikur të mos e merrni guximin për t'a menduar dhe, prapë nuk do të bënit asgjë, sikur të mos vendosnit t'a bëni atë që keni guxuar t'a mendoni. Kështu që duhet të jeni të guximshëm dhe të vendosur në të njëjtën kohë.

            Unë jam një përkrahës i teorisë së të bërit plane. Bëni plane dhe mos t'ju duket vetja i marrë, shkruani në një letër ato çka pretendoni dhe synoni për të arritur. Edhe do të realizoni ëndrrat tuaja! A ju duket e pamundur?! Jo s'ka pse ju duket ashtu. Ne po flasim tashmë për hapin e dytë, për t'a bërë këtë duhet t'a kemi kaluar të parin e që ishte "vetëbesimi", pra qenka e mundur, sepse ne besojmë dhe ashtu do të bëhet.


 E treta.., - Sjellja e mirë -

Për të qenë dikushi dhe ai i suksesshmi, duhet gëzuar dashurinë dhe respektin e të tjerëve. Nuk bën të jeni egoist, të vrazhdë dhe jo të sjellshëm. Kështu vetëm sa e largoni dhe e kundërta nuk e tërhiqni askënd, si të tillë nuk do të mundeni të jeni të suksesshëm, sado që keni vetëbesim, guxim apo vendosmëri. Pra, ajo çka tani kërkohet është altruizmi (të qenurit të afërt dhe bashkëpunues) këto shkojnë në mënyrë zinxhirore, prandaj edhe mënyra e sjelljes ndikon në të arriturit e suksesit.

  Pasi t'a keni bërë edhe hapin e tretë (pra të sjellurit mirë) do të fitoni dashurinë dhe respektin e të tjerëve, qoftë të rrethit familjar apo shoqëror, të cilët më pas, do të jenë indikatorë të rëndësishëm, në të arriturit e suksesit të cilin kaq shumë e pretendoni.


E katërta.., - Të insistuarit -

 As edhe një herë të vetme mos pushoni së insistuari. Vetëm insistimi ju mundëson konkretizimin e synimit tuaj. Ky është hapi i katërt, tashmë jeni një njeri me vetëbesim, jeni të guximshëm e të vendosur dhe gëzoni një përkrahje (dashuri, respekt) të cilën e keni fituar nga të sjellurit mirë me rrethin, krejt çka mbetet është të insistuarit, në atë që me të vërtetë doni. Edhe nëse nuk e arrijmë me të parën, apo të dytën, ndoshta "e treta është e vërteta".


E pesta.., pasi të keni bërë hapin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, ashtu si thashë unë, të pestin do t'a bëni vet.

Të dashur lexues, juve ju mbetet që t'a mendoni cila do të kishte me qenë alternativa e radhës, që do t'i pasonte këtyre katër hapave fillestarë për në rrugëtimin e gjatë, destinacioni i të cilit quhet SUKSES.


(Autori është gazetarë në revistën "Horizonti i Diturisë")