Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Te perkujtosh Zotin

Që të kalojmë një jetë sa më të lumtur, ne kemi nevojë të kemi lidhje të forta me hyjnoren, me Zotin dhe me Krijuesin tonë. Ne kemi nevojë ta adhurojmë Atë dhe t’i lutemi të na ndihmojë.
Një studiues perëndimor në fushën e sociologjisë (Abraham Maslou), gjatë viteve gjashtëdhjetë, i fokusoi studimet e tij te lumturia. Në fund, ai nxori teorinë e tij, të cilën e titulloi piramida e lumturisë. Piramida përbëhej nga një hierarki me nevojat më jetësore të njeriut. Në shkallën e parë të piramidës, ai shënoi nevojat fiziologjike të njeriut si të ngrënit, të pirët, frymëmarrja, gjumi, veshmbathja etj... Në shkallën e dytë, ai vendosi nevojën për siguri, të jetës, punës, familjes, shëndetit etj... Në shkallën e tretë të piramidës, ai shënoi nevojën për të qenë i suksesshëm. Në shkallën e katërt dhe të fundit, ai shënoi nevojën për t’u ndjerë i vlerësuar dhe i realizuar.
Teoria e tij përmbysi shumë teori të tjera dhe bëri shumë bujë ato vite. Duke dëgjuar dhe lexuar mbi teorinë e Maslou, një nga biznesmenët e asaj kohe, vajti tek ai dhe i tha: “Unë e kam mësuar dhe praktikuar teorinë tënde, por vazhdoj të mos jem i lumtur. Unë i kam plotësuar të gjithë nevojat e theksuara në piramidën tuaj, por ndihem i vuajtur dhe i mjeruar. Sociologu ia ktheu se ky mund të ishte një përjashtim dhe se çdo teori ka përjashtime. Biznesmeni ia ktheu se njihte mbi njëzet biznesmenë të tjerë, gjendja e të cilëve ishte më e rënduar se gjendja e tij, pra nuk bëhej fjalë për një rast përjashtues. Sociologu i studioi të gjitha rastet e biznesmenëve dhe zbuloi se situata ishte ashtu siç ia kishte përshkruar biznesmeni i parë. Gjithashtu ai u prezantua me njerëz të tjerë në varfëri të skajshme, por që ndiheshin të lumtur. Ndërkohë që të tjerë kishin mbërritur majën e piramidës dhe nuk ndiheshin të lumtur. Maslou, iu kthye dhe njëherë studimeve të tij rreth piramidës së lumturisë dhe në fund, ai shtoi dhe një nevojë të cilën e vendosi në majë, nevojat e shpirtit. Ai zbuloi se katër nevojat e mëparshme ishin materiale dhe se për të arritur lumturinë, duhej harmonizuar mes nevojave materiale dhe atyre shpirtërore.
Nëse ne i përmbushim të gjitha nevojat tona, i plotësojmë të gjashtë elementët paraardhës të lumturisë, por neglizhojmë nevojat e shpirtit, nuk mund të jetojmë të lumtur.
Në këtë temë, do të flasim dhe do të fokusohemi në ritualin e përkujtimit të Zotit. Të përkujtosh Zotin e lartësuar, është një nga ritualet më të lehta, që nuk të harxhojnë kohë e mund dhe që janë më të dashurat për Zotin. Ai është ritual të cilin Zotin e ka ligjëruar për lumturinë tonë. Ai është një adhurim që depërton në zemrat dhe shpirtrat tanë.
Të përmendësh Zotin, nuk kërkon një kohë të caktuar, siç kërkojnë adhurimet dhe ritualet e tjera si agjërimi, namazi, zekati etj… Ai nuk kërkon as një qëndrim të caktuar siç kërkohet gjatë namazit. Ai nuk kërkon as pastrim fizik të trupit, siç ndodh me abdesin para namazit. Për të përkujtuar Zotin, nuk kërkohet as edhe një vend siç kërkon haxhi. Këtë ritual, mund ta praktikosh teksa i jep makinës, me apo pa abdes, teksa je shtrirë për të fjetur, në kuzhinë, në trafik, nga burrat apo gratë në çfarëdo gjendjeje, në kohë pune apo pushimi etj... Me gjithë lehtësirat që e karakterizojnë praktikimin e këtij rituali, ai gëzon një status të veçantë dhe sevapi është shumë i madh. Ai është një ndër ritualet që i falin zemrës stabilitet, qetësi dhe prehje. Zoti thotë lidhur me këtë:
“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”. (Rad, 28)
Nëse je i shqetësuar dhe ke halle, ulu dhe përkujtoje Zotin për një gjysmë ore. Nëse je në prag të provimeve dhe ke frikë, ulu dhe përkujtoje Zotin. Nëse je i stresuar dhe i shqetësuar për çështjen e martesës, përkujtoje Zotin sa më shpesh. Të përkujtosh Zotin, është një ilaç hyjnor, që shërben për të qetësuar zemrën nga shqetësimet e përditshme.
“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”. (Rad, 28)
Sa herë të ndihesh i shqetësuar, i stresuar dhe i frikësuar, përkujto Zotin. Provoje për çerek apo gjysmë ore dhe do të shohësh mrekullinë hyjnore.
 
Sevapi dhe mirësitë
Zoti thotë në Kuran: “ Prandaj, më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj” (Bekare, 152)
Zoti thotë në një hadith kudsij: “Unë jam te mendimi i robit për Mua dhe jam me të kur më kujton. Nëse më kujton në veten e tij, do ta kujtoj në veten Time. Nëse më kujton në ndonjë kuvend, do ta kujtoj në një kuvend më të mirë.”
Nëse në këto çaste thua: “La ilahe il-lallah, subhanalla, elhamdulilah” menjëherë kujtohesh dhe nga Zoti i lartësuar. Nëse je pranë familjes dhe të gjithë bashkë (tani në këto çaste) e kujtoni Zotin, po në ato çaste u kujton Zoti mes banorëve të qiellit.
“Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë – jo me zë të lartë.” (Araf, 205)
“Atij që shmanget nga përkujtimi i të Gjithëmëshirshmit, Ne do t’ia caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm. “ (Zuhruf, 36)
Ka njerëz që pohojnë se shejtani i tyre është shumë i fuqishëm dhe i tërheq në gjëra të ndaluara. Për ta mposhtur shejtanin, përkujtojeni Zotin sa më shpesh, gjë e cila ia dobëson fuqitë.
“Kushdo që i kthen shpinën përkujtimit Tim, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” (Taha, 124)
 “O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut.” (Munafikun, 9)
Fundi i të gjitha riteve fetare, kërkohet të jetë përkujtimi i Zotit të lartësuar. Zoti thotë në Kuran: “Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër!” (Bekare, 200)
Lidhur me namazin, Zoti thotë: “Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë.” (Nisa, 103)
Namazi i xhumasë: “Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” (Xhumua, 10)
Madje, Zoti e ka bërë përkujtimin e Tij, objektiv të namazit, ku thotë: “Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!” ” (Taha, 14)
Namazi në vetvete është i gjithi përkujtim, leximi i Kuranit është dhikër, rukuja është dhikër, po kështu  sexhdja, qëndrimi ulur etj...
Me qëllim që përkujtimi të ndikojë dhe të ketë efektin e kërkuar, ai duhet bërë sa më shpesh. Kjo, me qëllim që çdo qelizë nga qelizat e trupit të gjejë paqen dhe prehjen e kërkuar. Pra, dhikri nuk bëhet një herë e dy, por sa më shpesh sipas mundësisë. Nëse ndodhesh duke ngarë makinën, është një rast i volitshëm të kujtosh Zotin sa më shpesh. Nëse ti o motër ndodhesh në kuzhinë duke gatuar, sa herë të sillesh lart e poshtë, kujtoje Zotin sa më shumë. Gjatë rrugës për në universitet, mos u merr me gjë tjetër, por përkujto Zotin.
“Përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Ahzab, 35)
“O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” (Ahzab, 41-42)
“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun. “ (Ahzab, 21)
“Për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë” (Al Imran, 191)
Duke e perceptuar rëndësinë e përkujtimit të Zotit, Musai (a.s.) u lut:
“(Musai) tha: “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim, lehtësoma punën time, dhe zgjidhma nyjën e gjuhës sime, që ata të kuptojnë fjalën time! Më jep një ndihmës nga familja ime, Harunin, vëllanë tim! Ma rrit fuqinë nëpërmjet atij dhe bëma ortak në punën time, që të thurim shumë lavde për Ty e të të përmendim Ty vazhdimisht!” (Taha, 25-34)
Që përkujtimi i Zotit të japë efektet e tij, duhet të bëhet sa më shpesh. Kjo është e ngjashme me recetën e ilaçeve që na jep mjeku, ku ne duhet të pimë disa tableta në ditë dhe për një kohë të caktuar, derisa të shërohemi. Prandaj, nëse dëshiron të largosh trishtimin e stresin, përkujtoje Zotin sa më shpesh.
Kur tregon tiparet dhe cilësitë e mynafikëve, Zoti thekson se ata nuk e kujtojnë Zotin, përveçse rrallë.
Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak. (Nisa, 142)
Përmendja e Zotit bëhet në çdo kohë dhe në çdo situatë. Nëse puna ta kërkon të udhëtosh shumë me makinë, mbaj një palë tespihe në makinë dhe me të nisur rrugën, mbaji në njërën dorë dhe fillo përkujto Zotin. Në vend që të shfrysh gjatë pritjes në trafik, përse të mos përkujtosh Zotin dhe të ndihesh i paqtë dhe i qetë?
“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”. (Rad, 28)
Ndërprite leximin për pak çaste dhe përkujtoje Zotin. Mos harro se në këto çaste vetë Zoti të kujton ty.
Ashtu siç kemi caktuar vaktet e ngrënies, le të caktojmë dhe vaktet e përkujtimit të Zotit. E përse jo, përderisa ky ritual na fal qetësi dhe prehje?
 
Hadithet profetike
Transmeton Ebu Musa El-Eshari, se Profeti (a.s.) ka thënë: “Shembulli i atij që e përkujton Zotin dhe i atij që nuk e kujton, është si shembulli i të gjallit dhe i të vdekurit.” (Buhariu)
Në këtë rast, me jetë nënkuptohet jeta e zemrës.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Shembulli i shtëpisë ku kujtohet Zoti dhe i shtëpisë ku nuk kujtohet, është si shembulli i një të gjalli dhe i një të vdekuri.” (Buhari)
Transmeton Abdullah ibnu Mesudi se një njeri shkoi te Profeti (a.s.) dhe i tha: “O i dërguari i Zotit, detyrat e fesë janë shtuar dhe më duken të rënda. Më trego mbi diçka që të kapem pas saj.” Profeti (a.s.) i tha: “Ta kesh gjuhën gjithmonë të zënë me përmendjen e Zotit.” (Tirmidhij)
Transmeton Muadh ibnu Xhebeli: “E kam pyetur të dërguarin e Zotit (a.s.): “Cilat janë veprat më të mira?”
Ai u përgjigj: “Të vdesësh me gojën e njomë nga përkujtimi i Zotit.” (Ibnu Hibban)
Nëse ditën që ndërron jetë, e ke pasur gjuhën të zënë dhe të njomë me përkujtimin e Zotit, ky është tregues që e gjithë jeta jote ka qenë e tillë.
Një ditë Profeti (a.s.) u tha shokëve: "A t’ju tregoj se çfarë është më e mirë nga veprat tuaja, që është më e pastër dhe që ka shpërblimin më të madh, që është më e mirë se të japësh flori apo argjend sadaka, që është më mirë se të luftosh me armiqtë në rrugë të Zotit?” Sahabët i thanë: “Cila është ajo vepër, o i dërguari i Zotit?” Ai u tha: "Përkujtimi i Allahut.” (Tirmidhij)
“Nuk ka familje që ulen të kujtojnë Zotin, veçse i përfshin mëshira e Zotit, i rrethojnë melekët, u jepet prehja dhe i kujton Zoti me banorët e qiellit.
Nëse në këto çaste, ti, gruaja jote dhe fëmijët, uleni dhe përkujtoni Zotin, u përfshin mëshira e Zotit, mblidhen melekët në shtëpinë tuaj, u jepet prehje dhe qetësi, në vend të shamatës dhe zënkave dhe në fund, vetë Zoti u kujton mes banorëve të qiellit. E çfarë sevapi më të madh mund të kërkojë njeriu? Përse të mos e përkujtojmë Zotin bashkë me familjet tona?
Thotë Zoti në një hadith kudsij: “Unë jam me robin Tim, përderisa më kujton dhe lëviz buzët duke përmendur emrin Tim.”
Në një hadith tjetër kudsij, Zoti thotë: “Robi im i vërtetë, është ai që kur përballet me diçka të frikshme, më kujton Mua.”
Një ditë teksa Sulejmani (a.s.) po ecte me ushtrinë e tij kaloi pranë një bujku, i cili kur e pa tha: “Mbretëria e Sulejmanit është bërë madhështore!” Sulejmani e vështroi dhe i tha: “O njeri, një herë të thuash “Subhanallah” është më e vlefshme sesa pasuria e Sulejmanit, pasi gjithçka që i është dhënë Sulejmanit zhduket një ditë, kurse ajo fjalë përjetësohet.”
Pas vdekjes së Profetit (a.s.), një ditë Ebu Hurejre shkon në treg dhe u thotë tregtarëve: “O njerëz! Shpejt për te xhamia e të dërguarit të Zotit, pasi po ndahet trashëgimia e tij!”
Kur tregtarët mbërritën në xhami, gjetën vetëm disa njerëz që kujtonin Zotin. Ata iu drejtuan Ebu Hurejres dhe i thanë: “Nuk shohim asgjë tjetër, veçse disa njerëz që përkujtojnë Zotin.” Ebu Hurejre ua ktheu: “Kjo është trashëgimia e të dërguarit të Zotit.”
Si ta përkujtoj Zotin dhe çfarë të them?
1- Fjala: “Estagfirullah“ (Të kërkoj falje o Zot). Vetë Profeti (a.s.) thoshte “Estagfirullah” njëqind herë në ditë. Të përsëritësh njëqind herë “Estagfirullah” nuk të merr më shumë se tre minuta kohë. Mbaj gjithmonë një palë tespihe në xhep, ose në makinë, që të ta kujtojnë dhe të mos e harrosh.
Profeti (a.s.) ka thënë në një hadith: "Kush thotë “Estagfirullah” në mënyrë të vazhdueshme, Zoti do t’u japë zgjidhje problemeve të tij, do t’ia heqë hallet dhe do ta furnizojë nga se kupton.” Kjo do të thotë që të garantohet jeta e lumtur, aq shumë e kërkuar dhe e dëshiruar prej nesh.
 
2 - “Subhanallah” Lidhur me këtë Profeti (a.s.) thotë: "A e ka të pamundur ndonjëri prej jush të fitojë çdo ditë njëmijë të mira dhe t’i fshihen njëmijë të këqija?” Si, o i dërguari i Allahut?! – e pyetëm ne. Ai na tha: “Të thotë njëqind herë “Subhanallah” i shkruhen një mijë të mira ose i fshihen një mijë të këqija”
Kjo fjalë nga vetë kuptimi i saj tregon që ka shpërblim të madh. Kuptimi i saj është: “Larg çdo të mete je Ti, o Zot.”
3- “Subhanallahi ve bi hamdihi” Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush thotë çdo ditë “Subhanallahi ve bi hamdihi” një qind herë, i falen gjynahet edhe sikur të jenë si shkuma e detit.”
Çdo natë, kur të shtrihesh për të fjetur, nxirri tespihet që i mban nën jastëk dhe thuaj me vete: “Tani do t’i fshij të gjitha gjynahet që kam vepruar sot” dhe menjëherë fillo të kujtosh Zotin me fjalët: “Subhanallahi ve bi hamdihi”. Kjo nuk të merr më shumë se tre minuta, para se të flesh.
 
4 - “Elhamdu Lilah” Profeti (a.s.) ka thënë: “Çdo rob që e falënderon Zotin, është detyrë e Zotit që t’i japë një mirësi tjetër.”
Nëse do që të mirat të të shtohen, thuaj sa më shpesh “Elhamdulilah”. Kyçi që i ruan mirësitë dhe begatitë të mos largohen, është falënderimi dhe mirënjohja.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Fjala “elhamdu lilah” e mbush peshoren e veprave të mira."
Sa herë të udhëtosh me familjen me makinë, të gjithë bashkërisht filloni të falënderoni Zotin për të mirat që u ka dhënë. A ka gjë më të bukur, sesa burri, gruaja dhe fëmijët e tyre të falënderojnë Zotin bashkërisht? A e imagjinoni dot sa e lumtur do të ishte një familje e tillë? A e imagjinoni dot se çfarë dashurie rrënjoset mes një çifti, të cilët e përkujtojnë Zotin çdo ditë bashkërisht? A është e mundur që ata të zihen dhe të ngrenë zërat sepse gjella ka pak kripë më shumë se normalja?
 
5 - “La Ilahe Ilallah” që do të thotë “Nuk e meriton të adhurohet gjë tjetër si Allahu”.         Profeti (a.s.) ka thënë: "Gjëja më e mirë që kam thënë unë dhe profetët para meje është fjala “La ilahe ilallah.”
Sa më shpesh të citohet kjo fjalë, aq më shumë depërton te njeriu, duke djegur çdo qelizë mendjemadhësie dhe zilie. Ajo e pastron njeriun nga sëmundjet e zemrës.
 
Me zemër apo me gojë?
Shpeshherë, njerëzit pyesin: “Si ta përkujtoj Zotin, vetëm me zemër, apo dhe me gjuhë?” Patjetër që më mirë është që përkujtimi të bëhet si me zemër, ashtu dhe me gjuhë. Nëse nuk e ndjen përkujtimin e Zotit, sa më shumë ta përkujtosh, do të fillosh ta ndjesh më shumë. Pra, edhe nëse nuk e ke vëmendjen të përqendruar tek dhikri, nuk prish punë. Pas pak kohe, do të shohësh që zemra pak e nga pak do të fokusohet më shumë në ato që thua.
“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”. (Rad, 28)
Përkujtimi i Zotit është ilaç, por jo në formë tabletash apo shurupi. Ai është një ilaç që sa më shpesh të citohet me gojë, aq më shumë e ndjen qetësinë që të fal Zoti i lartësuar.
 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free