Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Vetetima

Një autobus i mbushur me udhëtarë po udhëtonte qetësisht drejt destinacionit. Ndërkohë, moti pëson ndryshim dhe fillon të bjerë shi, i shoqëruar nga erëra të forta, bubullima e vetëtima. Udhëtarët vënë re se vetëtimat dukeshin sikur vijnë e i afrohen autobusit, për tu larguar më pas më tej. Pasi kaloi pak kohë në këtë gjendje, shoferi i autobusit hapi krah dhe ndaloi mjetin disa metra larg një peme.
Ai u kthye nga pasagjerët dhe u tha:”Më dëgjoni me kujdes! Me ne këtu në autobus është një person të cilin e kërkon vdekja medoemos. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të shumë vetëtimave që na kanë kaluar shumë pranë. Kam frikë se për shkak të atij personi po rrezikohet një autobus i tërë me njerëz. Prandaj dua që secili nga ne, një e nga një, të zbresë nga autobusi, të shkojë tek pema përballë, ta prekë me dorë dhe të kthehet sërish. Personin të cilin e kërkon vdekja do e godasë rrufeja mu tek pema, ndërkohë që të tjerët do të shpëtojnë! Kjo është zgjidhja e vetme për këtë tmerr dhe panik ku ndodhemi! Po ju, çfarë mendoni?!”
Të gjithë kishin frikë, por në fund pranuan.
Personi i parë që ishte ulur në sedijen pas shoferit u detyrua të ngrihej dhe të nisej drejt pemës.
Gjithë frikë ai hidhte hapat drejt pemës së vdekjes. Zemra i rrihte fort sa më shumë që i afrohej asaj peme.
Ndodhej një hap larg pemës, duart i dridheshin, zemra gati sa nuk i dilte vendit dhe frymëmarrjen e kishte shumë të shpeshtë. Nuk donte t’ia dijë për shiun dhe erën.
Zgjati dorën dhe preku pemën i pushtuar nga frika, por asgjë nuk ndodhi. Buzëqeshi dhe gjithë gëzim rendi drejt autobusit.
E njëjta gjë ndodhi dhe me udhëtarët e tjerë, njëri pas tjetrit, derisa i erdhi radha personit që qëndronte në fund të autobusit.
Të gjithë i ngulën sytë gjithë inat, sikur i hakërreheshin për faktin se kishte qenë ai që kishte rrezikuar jetën e gjithë të tjerëve. Të gjithë sikur donin ti thoshin:”Çfarë paske bërë more delenxhi?! Kujt i ke hyrë në hak kaq shumë?!”
Sakaq udhëtarin në fjalë e mbërtheu paniku dhe nuk donte të zbresë. Por vështrimet gjithë inat dhe gatishmëria e pasagjerëve të tjerë për t’iu hedhur në fyt, e detyruan të ngrihet dhe me hapa të ngadaltë të zbresë nga autobusi. Ai u nis drejt pemës ndërkohë që i dukej se zemra do i dalë vendit nga frika.
Në mendje i vinin familjarët, të cilët do të qanin ndarjen e tij nga jeta, por edhe fundin e tij tragjik. Kushedi sa në turp do të ndiheshin.
Iu afrua pemës dhe e preku me duart që nuk i kontrollonte.
Në çast, një bubullimë e madhe e shoqëruar nga një vetëtimë verbuese mbuluan vendin.
Ktheu kokën dhe pa autobusin të përfshirë nga flakët.
Po, vetëtima kishte goditur gjithë autobusin, duke u marrë jetën të gjithë pasagjerëve me shoferin brenda.
Vetëtima nuk e kishte goditur më parë autobusin për shkak se brenda tij kishte qenë ky njeri, të cilin nuk e kërkonte vdekja. Ai duhej të dilte jashtë autobusit, e më pas vetëtima do të bënte të sajën.
Morali:
Herë pas here ne mundohemi që arritjet dhe sukseset t’ia faturojmë vetes, ndërkohë që ato mund ti përkaksin një personi që na ka qëndruar përkrah! Ne mund të fajësojmë të tjerët për dështimet, vuajtjet dhe vështirësitë, ndërkohë që mund të jemi vetë ne shkaku kryesor! Mos e përçmo askënd, pasi mund të jetë një person i dashur nga Zoti ndërkohë që ti mund të jesh një person i urryer dhe i lig!

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free