Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Shakatë

 Një person pyeti Sufjan ibën Ujejnen, Allahu e mëshiroftë, se a është shakaja e ndaluar, kurse ai u përgjigj: “Jo, nuk është e ndaluar, është sunet, sidomos për atë që di si ta përdorë dhe në vendin e duhur.” Umeti ynë sot, edhe pse ka nevojë për shtimin e dashurisë mes njëri-tjetrit dhe të largojë mërzinë, realisht është zhytur shumë në argëtime, dëfrime dhe shaka, saqë ato mbizotërojnë në të gjitha bisedat. Kështu koha kalon kot, pa ndonjë dobi, jeta harxhohet dhe regjistrat tek Allahu mbushen plot tallje dhe zbavitje. Disa dijetarë të jurisprudencës islame e kanë konsideruar shakanë si parakusht për të pasur shoqërim të mirë me njerëzit dhe kriter të burrërisë, por gjithnjë duke zbatuar normat e shakasë të parapara me ligjin islam. Më poshtë kemi paraqitur disa prej këtyre rregullave: 1. Shakaja nuk duhet të përmbajë diçka që është tallje ndaj fesë apo tallje ndaj Sunetit të Resulullahut alejhi selam, siç ndodh shpesh, kur bëhet tallje me mjekrën, me shaminë, me shkurtimin e pantallonave etj. 2. Shakaja nuk duhet të përmbajë gënjeshtra dhe gjëra të dyshimta, por duhet të jetë e vërtetë. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mjerë për atë njeri që flet gënjeshtra vetëm që t’i kënaqë të tjerët, mjerë për të!” (Ebu Davudi) 3. Me anë të shakasë nuk duhet synuar frikësimi i dikujt apo trembja e tij, sidomos kur shakatari është i fuqishëm ose ka në dorë ndonjë hekur, armë, etj., ose shfrytëzon errësirën vetëm që ta frikësojë sa më shumë personin tjetër. Ibën ebi Lejla tregon se ka dëgjuar një ngjarje nga shokët e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem. Kur njëherë ishin në rrugëtim dhe po pushonin në një vend, disa prej tyre kishin fjetur, kurse disa të tjerë shkuan dhe ia lëvizën një litar që një person mbante në gjumë dhe e trembën. Papritmas reagoi Pejgamberi sallallahu alejhi ue selem me fjalët e tij kërcënuese: “Nuk i lejohet muslimanit ta frikësojë muslimanin.” (Ebu Davud 5004) 4. Shakaja nuk duhet të përmbajë tallje dhe nënçmim të dikujt, ngase Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos i zbulo vëllait tënd ndonjë të metë, se Allahu ndoshta atë e mëshiron dhe ty të sprovon.” (Albani e ka bërë hadithin të saktë.) 5. Kujdes nga teprimi me shakatë, siç veprojnë disa persona që gjithë jetën e kalojnë duke bërë shaka. Një gjë e tillë cenon seriozitetin me të cilin duhet të vishet personaliteti i besimtarit. Shakatë janë vetëm relaksim për njeriun në vazhdimësinë e seriozitetit në veprimtarinë e tij. Umer ibën Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Largohuni nga shakatë sepse ato janë marrëzira që ndjellin armiqësi dhe inatosje.” Ai kishte për qëllim shakatë e ndaluara. 6. Gjatë shakasë duhet të respektohet pozita e njerëzve. Disa bëjnë shaka me të gjithë njerëzit pa dallim, por kjo nuk është në rregull sepse dijetarët dhe të moshuarit duhen respektuar. Duhet të njihet personaliteti i atij më të cilin bëhet shaka, ashtu siç nuk lejohet shakaja me mendjelehtin dhe budallanë apo me personin e panjohur. 7. Duhen evituar të gjitha format e përgojimit gjatë shakasë. 8. Zgjedhja e kohës së përshtatshme për të bërë shaka. Ishte pyetur Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se a qeshnin ndonjëherë shokët e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem. Ai u përgjigj: “Po, qeshnin, ndërsa besimi në zemrat e tyre ishte si kodrat.” Ty nuk të mbetet tjetër vetëm se të ndjekësh rrugën e këtyre kolosëve, të cilët ishin kalorës gjatë ditës dhe adhurues gjatë natës.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free