Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Aftësia e kufizuar, termi që paragjykon

Nga DENIS KAPLLANI

hpesh dëgjojmë nga individë dhe institucione të artikulojnë termin “persona me aftësi të kufizuara” dhe gjëja e parë që më vjen ndër mend kur e dëgjoj këtë term diskriminues, i cili përpiqet të identifikojë si “të paaftë” të verbrit, invalidët, paraplegjikët, personat që nuk dëgjojnë e nuk flasin, është nëse “normalët” janë të gjithë të aftë. Pra, a janë vërtet “normalët” të aftë apo, thënë ndryshe, me aftësi të pakufizuara? Unë e kam të pamundur të gjej një aftësi njerëzore të pakufizuar.

 Le t’i shohim me radhë kategoritë e të ashtuquajturve “persona me aftësi të kufizuara” (PAK).

 

Dihet se të verbrit nuk mund të shikojnë. Por a mund të shohin “normalët” në errësirë? A mund të shohin në distancë prej dhjetëra kilometrash? A munden të shohin përtej mureve? A munden të shohin mbrapa pa e kthyer kokën? Përgjigjja është jo. Pra, edhe te “normalët” aftësia për të parë qenka e kufizuar.

 Paraplegjikët dhe tetraplegjikët kanë paraliza të gjymtyrëve të poshtme dhe për shkak të saj nuk mund të ecin. Po a mund të ecin “normalët” në një mur me pjerrtësi 90 gradë? A mund të ecin me shpejtësi 1000 km në orë? A mund të ecin me javë të tëra pa ndaluar? A mund të ecin mbi ujë? Përgjigjja është sërish jo. Pra, aftësia për të ecur qenka e kufizuar edhe për “normalët”.

 A mund të dëgjojnë “normalët” çfarë thotë një njeri që ndodhet me kilometra larg? A mund të dëgjojnë çfarë thonë 10 njerëz njëherësh? A mund të dëgjojnë tingujt me valë të ulëta? A mund të flasin 100 fjalë në sekondë? Sërish përgjigjja është jo. Pra, aftësia e të dëgjuarit dhe të folurit është e kufizuar edhe për “normalët”.

 Pra, të parit, të ecurit, të dëgjuarit, të folurit janë të kufizuara dhe te njerëzit “normalët”, edhe pse jo në të njëjtën masë që janë te të verbrit, te para- dhe tetraplegjikët, ata që nuk dëgjojnë e flasin. Në këtë prizëm, nuk ka pse paragjykohen këta njerëz përderisa të gjithë njerëzit janë me aftësi të kufizuara në njëfarë mënyre.

 Le të përqendrohemi tashmë te fjala “aftësi”. Për mua “aftësi” do të thotë të dish të bësh diçka, si për shembull, të shkruash, lexosh etj. Po a është vërtet shikimi, dëgjimi, e folura, ecja aftësi në vetvete? Unë mendoj se jo. Për mua shqisat dhe gjymtyrët janë thjesht instrumente, që ne i përdorim për të shprehur aftësitë tona, për të realizuar qëllimet tona. Unë jam verbuar në moshën 14-vjeçare. Sapo kisha mbaruar shkollën 8-vjeçare dhe sigurisht që dija të lexoja e të shkruaja. Pse unë sot nuk mundkam të shkruaj e të lexoj? Sepse nuk shikoj. Pra, unë nuk kam mjetin që më lejon të shpreh aftësitë e mia në lexim e shkrim. Siç thashë, “aftësi” do të thotë të dish të bësh diçka. Po vërtet të verbrit nuk dinë të shikojnë? Vërtet paraplegjikët nuk dinë të ecin, edhe pse mund të kenë qenë kampion atletike? Vërtet personat që s’mund të dëgjojnë e flasin nuk dinë të dëgjojnë dhe flasin? Sigurisht që po, por ata thjesht nuk munden. Nuk është aftësi në vetvete të shohësh, por të kuptosh atë që sheh. Nuk është aftësi e folura në vetvete, por ajo që thua, mënyra si e thua, elokuenca, intonacioni etj. Nuk është aftësi thjesht të dëgjosh, por të kuptosh atë që dëgjon. Të gjithë ata që s’kanë defekte organike mund të shohin, të dëgjojnë, të ecin etj. Është çështje mundësish. Për ta konkretizuar po jap një shembull:

 
Kemi 2 persona A dhe B, që bëjnë kursin e patentës. Të dy kalojnë provimin teorik dhe praktik dhe marrin dëshminë e aftësisë për të drejtuar mjete (patentën). Personi A nuk disponon automjet, ndërsa personi B po. A është e drejtë që personin A, që s’ka automjet, ta quajmë të paaftë për të drejtuar automjet, ndërsa personin B, që ka automjet, ta quajmë të aftë? Sigurisht që jo. Personi e ka aftësinë për të drejtuar mjetin, por i mungon instrumenti për të shprehur atë aftësi. Me të njëjtën logjikë mendoj se nuk është e drejtë t’i quajmë të verbrit, para- dhe tetraplegjikët, pra personat që nuk dëgjojnë e flasin, persona me aftësi të kufizuar, sepse ata thjesht nuk kanë mundësinë apo instrumentet për të shprehur aftësitë e tyre. Përveç absurditetit të këtij termi, ajo që më shqetëson më tepër është impakti që ka ky term te publiku i gjerë. Ky term i bën njerëzit të mendojnë se këta persona janë të dobët, të brishtë dhe të paditur, të pakomunikueshëm, asocialë. Të ashtuquajturit “normalë” i përqeshin kur këta kërkojnë të punësohen, u thonë “si mund të punosh kur je i paaftë”, i shpallur kështu nga komisioni mjekësor. Edhe pse këta persona mund ta kryejnë shumë mirë një punë, si të shkolluar e trajtuar, barrierat që ngre ky term nuk i lejojnë të punojnë. Për më tepër, shpesh në vend të “person me aftësi të kufizuar” përdoret termi “i paaftë”, për fat të keq, edhe në legjislacionin shqiptar. Termi “person me aftësi të kufizuar” ka ndikimin e tij negativ dhe te vetë personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët e tyre. Duke dëgjuar kaq shpesh këtë term, ata brendësojnë paragjykimet, ndihen të plogësht, të brishtë, inferior, u bie motivimi, vetëvlerësimi dhe shpresa për të ndryshuar gjendjen e tyre. Impakti negativ i këtij termi reflektohet dhe në përkujdesjen e ekzagjeruar që u jepet nga familjarët ose persona të tjerë të afërt dhe për gjëra që ata mund t’i bëjnë shumë kollaj vetë. Fakti që ata ndihmohen për këto gjëra i bën të mendojnë se nuk janë të aftë t’i bëjnë vetë dhe në këtë mënyrë rritet varësia ndaj të tjerëve. Mendoj se termi “persona me aftësi të kufizuara” është një nga arsyet pse shoqëria jonë është kaq paragjykuese ndaj këtyre personave. Për ta përfunduar, për shkak të imazhit negativ që krijon, paragjykimit dhe diskriminimit që ngjall, mendoj se ky term shkel të drejtat dhe liritë e njeriut, ku nga më të rëndësishmet është respekti ndaj dinjitetit njerëzor. Termi “person me aftësi të kufizuar” e shkel me të dyja këmbët dinjitetin njerëzor. Në vend të tij mund të përdoret termi “persona me nevoja të veçanta”, që ka filluar të përdoret nga profesionistët e shërbimeve psikosociale. Këta persona duhen mbështetur, inkurajuar dhe jo paragjykuar e diskriminuar.