Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Sistemoje jetën tënde 5

42 pyetjet sistemuese të jetës tënde

(pjesa e pestë)

31. Si ta zhvilloj shëndetin dhe fizikun tim?

Koment:

Folëm për aspektin e adhurimit, atë ideor, për aspektin e raporteve dhe ndjenjave, si dhe për disa mjete dhe mekanizma në shërbim të këtyre çështjeve.

Tani do të flasim për një tjetër aspekt, do të flasim për aspektin fizik dhe shëndetësor, pra si ta zhvilloj shëndetin dhe fizikun tim.

Sigurisht që mosha e njeriut është e kufizuar nga disa minuta, deri në 60, 80 apo 100 vjet, por “Kur atyre u vjen afati i tyre final (i vdekjes), ata nuk vonohen për asnjë çast dhe as nxitohen”. (Araf: 34). Nga vitet që përmendëm, mosha mesatare përllogaritet të jetë 60 vjet, të cilat mund të jenë në kushte optimale shëndetësore dhe fizike, por mund të jenë me sëmundje dhe trup të drobitur.

Sigurisht, që teksa unë jam i preokupuar me rolet dhe punët e mia, duhet medoemos të mendoj dhe orientoj diçka prej këtyre roleve dhe punëve në dobi të unit tim, shëndetit dhe fizikut tim, pra të kujdesem për shëndetin tim.

Realiteti është, se ky aspekt njerëzor zhvillohet dhe përparon falë dy gjërave:

E para: ushqimi i saktë;

E dyta: sporti.

 

Pra pyete veten vazhdimisht, nëse kë një sistem tëndin të të ushqyerit dhe nëse merresh me aktivitet sportiv. Prej këtu vjen përgjigja shëruese, nëse situata jote shëndetësore është në rregull apo jo.

Në bashkërendim me këtë, vendosi vetes një program zhvillues të këtij aspekti, me qëllim që ta avancosh veten në të. Më pas nëse arrin në një nivel të caktuar, pyete veten sesi mund të avancosh drejt një niveli edhe më të kënaqshëm në këtë aspekt.

32. Si ta zhvilloj gjendjen time financiare?

Koment:

Tani le të kalojmë tek aspekti financiar, tek situata jote financiare, gjendja jote sa i përket parave. Si janë kapacitetet e tua në këtë aspekt?

Shumica e njerëzve i vënë paratë e tyre përmes një rruge fikse, nënkuptoj trashëgiminë. Disa të tjerë e mbulojnë aspektin e tyre financiar përmes një profesioni fiks, duke jetuar në një mënyrë të tillë, që në fund të muajit kanë gjithmonë probleme.

Pyetja që shtrohet është: A është e mundur, që njeriu ta përmirësojë situatën e tij monetare, financiare?

Sigurisht që përgjigja është PO, por këtë përmirësim mund ta arrijë vetëm ai njeri, që ideon, programon, planifikon dhe sistemon.

Teksa njeriu mundohet të avancojë në aspektin e tij monetar, shpesh ndodh që kjo gjë të ndikojë negativisht tek ai në aspektet e tjera të rëndësishme të tij, si në atë familjar, të besimit etj; prandaj ajo që theksojmë me të madhe këtu është, se gjithmonë duhet mbajtur parasysh BALANCIMI.

Disa njerëz thonë, se koha i dikton ato. Ajo është tepër e ngushtë, prandaj ata nuk munden ta përmirësojnë situatën e tyre ekonomike... Por më lejoni t’ju them, se kjo nuk qëndron.

Njeriu i ka të gjitha kapacitetet e duhuar që ta balancojë, sistemojë dhe planifikojë jetën e tij, në një formë të tillë që të ketë arritje të shquara dhe të dalluara, arritje me produktivitet të lartë. Gjithë çfarë duhet, është të mendosh mbi një projekt të caktuar, i cili ndoshta mund të të marrë kohë.

Për shembull një lëmi ku mund të mendosh, është sesi të përfitosh nga energjitë dhe paratë e të tjerëve, duke u bërë pjesë e një projekti, ku të tjerët kanë paratë, por nuk kanë eksperincën dhe kohën, ndërsa ti i ke të dy këto komponentë të rëndësishëm, pra eksperincën edhe kohën. Kurse nëse ti ke disa mangësi në eksperiencat dhe teknikat që të duhen në këtë projekt, atëherë shko dhe mësoi ato, me shpresë se përmes tyre do të të hapet një derë, që s’ka qenë e hapur për ty më parë.

Këtu lypset t’ju kujtoj një gjë tepër të rëndësishme: puna për të tjerët e lidh njeriun dhe në krahun tjetër i jep atij vetëm disa të ardhura tepër të kufizuara. Prandaj njeriu duhet të mendojë gjithmonë përtej të qenit punëtor i tjetrit, duhet të mendojë për biznesin apo projektin e tij privat. Për ta realizuar këtë, merr edhe pesë vjet po t`u deshën, por e rëndësishmja është që gjithmonë të mundohesh të kesh investimin tënd privat personal, me qëllim në fund të fundit të jesh ti ai, që e ke në dorë veten tënde, të jesh ti vetë padroni i kapitalit tënd. Përpiqu të mendosh në këtë trajtë dhe me lejen e Allahut do të arrish atje ku synon. Merr kohën e mjaftueshme dhe planifiko, por në fund duhet medoemos t’i përmirësosh rrethanat e tua ekonomiko-financiare, derisa të arrish në një situatë, në të cilën të ndjehesh i qetë dhe komfort.

Sigurisht, ne muslimanët, me lejen e Allahut, dynjanë nuk e kemi në zemrat tona, por është ligji i Zotit, që për çdo punë dhe për çdo çështje, njeriu ka nevojë për para, për kohë, prandaj duhet të planifikosh sesi ta sistemosh kohën tënde dhe sesi ta përmirësosh, madje si ta perfeksionosh situatën tënde ekonomiko-financiare.

33. Si të vendos një plan praktik, të fiksuar në kohë, i cili më ndihmon në zbatimin e projekteve përmirësuese, përsa i përket aspektit tim ekonomiko-financiar? 

Koment:

Lypset të mendojmë me frymë novatore, të ideojmë mbi disa projekte, duke u menduar dhe duke i shkruar ato në detaje, si dhe duke u konsultuar për këto me profesionistët e profilit. Ajo që për ty mund të duket si rrugë pa krye, për kompetentët mund të jetë thjesht një ABC.

34. Cilat janë defektet dhe problemet e mia, që më pengojnë të arrij të zhvillohem në aspektet që u përmendën më lart?

Koment:

Kemi biseduar mbi shumë gjëra, teksa në aspektin praktik folëm mbi rolet e larmishme të njeriut, rolin e besimit, mendimit, raporteve, shëndetit, financës...

Dikush mund të thotë, se ai i dëshiron që të gjitha këto, por nuk mundet?

Prandaj dhe unë të kërkoj, që ta pyesesh veten, se cilat janë të metat ose mangësitë, që të privojnë të arrish zhvillimin dhe progresin në çdonjërin prej këtyre roleve, në të cilat ti mendon se nuk mundesh të ecësh përpara dhe zhvillohesh.

Njerëzit e suksesshëm kanë përgjigje të qarta mbi pyetjen në fjalë. Dikush prej tyre thotë, se në vitin e ardhshëm dua të jem kështu e kështu, në këtë e këtë aspekt. Këtë aspekt e provova, por nuk pata sukses, ndaj duhet t’i ribëj llogaritë dhe planet. Në këtë aspekt nuk jam aty ku duhet.... e kështu me radhë...

Kurse njerëzit e rëndomtë thonë: Nuk e dimë se ku kemi qenë, ku duam të shkojmë dhe se si të shkojmë. Dikush tjetër mohon, që regresi i tij dhe katandisja ku ka rënë, të jetë për fajin e tij, madje ai mohon të ketë të meta...

Kësisoj na duhet të mendojmë: Si mund të arrij tek ajo ambicie që aspiroj?

Për këtë na duhet të mbajmë në mend një rregull bazë të Sheriatiti-Ligjit të Zotit: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një kombi derisa ata ta ndryshojnë vetveten e tyre” (Rrad: 11).

Ata që i bëjnë shanset e tyre, janë vetë njerëzit. Ata që i japin formë transformimit të kërkuar duhet të jemi ne vetë. Nuk duhet të mos presim që transformimi të na vijë apo të ndodhë nga jashtë, pasi kjo gjë ndodh shumë rrallë. Ne vetë duhet të mendojmë në lidhje me projektet tona, kohët tona, raportet tona. Duhet të jemi ne ata, që bisedojmë sesi të krijojmë institucione të shëndosha dhe nëse jemi në një institucion të caktuar, ne jemi ata që duhet të ideojmë, sesi ta zhvillojmë atë. Nëse unë jam në një institucion dhe nuk di se si ta përparoj atë, atëherë më del si detyrë të marr njohuri në teknikën e strukturimit të institucioneve, të mësoj teknikat e planifikimit strategjik, shndërrimit të ideve në projekte, ndërtimit të punës institucionale. Të gjitha këto teknika mund të mësohen.

Po kështu, nëse ti je personazh i një institucioni të suksesshëm, por nuk je më i miri në këtë lëmi, atëherë të duhet të mësosh sesi ta udhëheqësh marketingun në arenën tënde.

Pra ajo që duhet bërë për t’u përmirësuar, është të pyesësh veten tënde, se çfarë të mungon? A të mungojnë vërtet vetëm paratë, apo të mungon koha, apo raportet, apo teknikat dhe kualifikimet, apo dijenia? Çfarë të pengon, për të arritur aspiratat e tua?

Kujto: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një kombi derisa ata ta ndryshojnë vetveten e tyre” (Rrad: 11).

Ky është një ligj hyjnor prej ligjeve universale, është ligji që Allahu i Madhëruar ka vënë për njerëzit. Situata përreth teje nuk ka për të ndryshuar, derisa të ndryshosh vetveten. Përpiqu dhe medito se ku janë mangësitë dhe dobësitë e tua dhe bazuar mbi këtë, përpiqu ta ndërtosh veten në lëmenjtë e duhur.

Nëse ajo që të mungon është paraja, atëherë pyete vetveten se si të arrish tek ajo?

Në këtë kornizë mua më vjen ndërmend një histori e lezetshme. Në një intervistë që u bë me një milioner, Një person kishte qenë shumë i varfër dhe kishte jetuar në një nga vendet më të varfra të Amerikës. Më pas ky njeri ishte bërë milioner. Këtë person e intervistuan dhe gjatë intervistës i drejtojnë pyetjen: “Si arrite të bëhesh milioner?” Ai u përgjigj: “Kam bërë dy gjëra, të cilat kushdo që i bën, bëhet milioner. E Para: unë vendosa të bëhem milioner, jo me vendim të ftohtë, por me një vendim të prerë dhe serioz. Së dyti unë u përpoqa të bëhem milioner... pastaj sërish u përpoqa dhe sërish u përpoqa, derisa u bëra milioner.

Kurrsesi nuk mjafton që njeriu të ketë objektiva ambicioze, por duhet që vazhdimisht të përpiqet për të arritur objektivat e tij.

Prej anekdotave që qarkullojnë në shkencën e administrimit është historia e Kruzosë, një person që shpëtoi nga një anije e mbytur, pasi tufani e tundi anijen e tij nga deshi. Ai e gjen veten në një ishull të pabanuar dhe që nuk ishte në linjën e udhëtimeve detare. Ai mendoi sesi ta shpëtonte veten e tij dhe doli në përfundimin, se i duhej të ndërtonte një anije. Ai filloi të grumbullojë sendet përkatëse, të presë pemë dhe t`i bëjë dërrasa, derisa arriti ta bënte anijen. Një lodhje e papërshkrueshme, por më së fundi arriti që pas shumë e shumë kohësh të ndërtojë një anije të madhe dhe të lartë. Ai u tregua i kujdesshëm, që këtë anije ta ndërtonte në breg të detit, por duke qenë se ai nuk mund të punonte ngjitur me bregun e detit, anijen e tij e ndërtoi rreth 100 metra larg bregut. Pasi e ndërtoi atë, ai u përpoq që ta lëvizte, por pa rezultat, ajo ishte tepër e rëndë, ndaj dhe vijoi për muaj të tërë në përpjekjen e tij për ta lëvizur anijen, por nuk mundi. Kjo gjë e bëri të qante me të madhe...

Mesazhi këtu është: “Nuk mjafton që personi të ketë një objektiv apo qëllim, nuk mjafton të kesh një aspiratë për të cilën punon, por pikë së pari duhet të dish rrugën sesi të arrish tek objektivi yt. Nuk mjafton të ideosh, ta ëndërrosh dhe ndërtosh anijen, por duhet të dish sesi ta fusësh atë në det, sesi ta vësh atë në lëvizje. Ashtu siç objektivi është i rëndësishëm, gjithashtu mekanizmat e arritjes tek objektivi janë po aq të rëndësishme.

Pra nëse ti ke ndonjë anomali apo mangësi, që të pengon të realizosh atë që po synon, atëherë fillo dhe mendo mbi këto mangësi dhe të meta. Sigurisht e meta më e madhe është, që njeriu të humbasë besimin tek Allahu i Madhëruar dhe të mos mbështetet tek Ai. Gjithashtu nga të metat kryesore konsiderohet fakti, që njeriu të mos ketë objektiva dhe ambicie të qarta; prej të metave është që personi të mos posedojë një zell apo dëshirë serioze. Këto të meta janë padyshim të meta themelore.

Mundet që nga të metat të jetë edhe mos posedimi i parave, kohës apo raporteve njerëzore, ose pasja mangësi në disa kapacitete dhe aftësi të caktuara, ose mund të kesh të meta të tjera në varësi të rrethanave të tua specifike.   

35. Si t’i kuroj dhe kapërcej këto probleme? 

Pa koment:

36. Unë kam një sërë rolesh në jetë. E pra çfarë mund të bëj unë, që performanca ime të jetë gjithnjë e më mirë në gjithë sa vijon:

(Ndoshta  disa artikuj nuk përputhen me ty)

- Prindërit

- Bashkëshorti/ja

- Fëmijët

- Punonjësit

- Shefi apo drejtori im

- Shokët dhe fqinjët

- Roli im intelektual

- Roli im politik

- Roli im shoqëror

- Roli im kontribuues

- Aspekti ekonomiko-financiar

- ___________________________

- ___________________________

- ___________________________

Koment:

Kemi folur për gjëra të shumta, përmes të cilave përcaktuam lëmenjtë, në të cilët medoemos na duhet të kemi objektiva. U futëm në hollësi rreh kuptimit dhe perceptimit të unit njerëzor, aspekteve ku ne duhet të përmirësohemi dhe zhvillohemi.

Tani na lejoni që këtë që thamë, ta përmbledhim në formën e një plani praktik, në trajtën e roleve të përcaktuara.

Le ta fillojmë pra aspektin praktik të kësaj trajtese pikërisht me këtë pyetje, me pyetjen 36, ku do bëjmë fjalë rreth roleve tona në jetë.

Gjithsecili ka rolet e veta në këtë jetë. Le të përpiqemi të përcaktojmë, se cilat janë këto role dhe të përcaktojmë objektiva apo synime për to.

Nëse ti je një prind, atëherë ti ke rolin tënd kundrejt fëmijëve të tu; nëse je bashkëshort, atëherë ti ke rolin tënd kundrejt bashkëshortes tënde, nëse je fëmija i dikujt, atëherë ti ke rolin tënd kundrejt prindërve të tu... E kështu me radhë, nëse ti je një shef, shok, fqinj etj, që të gjitha këto janë role, që ti ke në jetë dhe për çdonjërin prej tyre duhet që ti medoemos të kesh objektiva dhe këtyre objektivave duhet t`u japësh medoemos prioritet sipas rëndësisë së rolit që ato u takojnë.

Prioriteti është sekreti, pasi jo të gjitha rolet janë si dhëmbët e krehrit, të njëllojtë. Kështu, roli që unë kam kundrejt prindit tim, nuk është si roli që kam kundrejt shoqërisë apo fqinjësisë sime. Nuk ka dyshim, se roli im kundrejt prindërve është më i rëndësishëm se ai kundrejt shoqërisë dhe fqinjëve.

Kësisoj paskemi të bëjmë me role përkatëse, disa prej të cilëve janë me primare se të tjerët. Kur ne folëm për aspektin financiar dhe thamë se duhet medoemos që njeriu ta përmirësojë situatën e tij monetare, i mëshuam faktit, se një gjë e tillë është e kërkuar, por gjithsesi ne e përmendëm dhe e ritheksojmë, se nuk është aspak korrekte që ky objektiv apo rol të jetë në kurriz të roleve të tjera.

Njeri i pjekur është ai person, i cili i realizon objektivat e tij, pa harruar rolet e tjera që ka. Kështu jetoi Profeti a.s. Nëse mediton në jetëshkrimin e tij të praruar dhe të ndershëm, do gjesh në të modelin e njeriut unik dhe të kompletuar. I Dërguari i Allahut ishte kryetar shteti, gjykatës, opinionist, prind, bashkëshort, adhurues, shkencëtar etj etj. Lëvduar qoftë Allahu, sa balancim i mrekullueshëm është balancimi i roleve të tij në jetë, ndaj dhe ky është shembulli model, të cilin e kemi për detyrë që ta ndjekim: “Për ju tek i Dërguari i Allahut ka qenë modeli i përsosur” (Ahzab: 21).

Ndërsa personi, i cili ia jep të gjithë kohën profesionit të tij apo kompanisë së tij, padyshim që e ka humbur ekuilibrin dhe e ka prishur balancën.

(Dok. Tarik Suejdeni thotë:) Më kujtohet njëherë, se kam qenë në Haxh me një djalosh të mirë, i cili më thoshte se familjarët e tij ia dërgonin ushqimin në punë, sepse ai vijonte të punonte deri në nëntë të darkës. Unë i thashë: “Po familjarët e tu?” Ai më tha: “Atyre ua kam dhënë të enjten dhe të premten”.

Padyshim që një person i tillë e ka humbur balancimin, pasi i ka lënë në harresë rolet e tij të tjera. Sigurisht ai ka arritur disa ambicie dhe objektiva të mëdha, por këto i ka arritur në kurriz dhe dëm të roleve të tij të tjera themelore e jetike.

Kurrsesi nuk është korrekte, që objektivat dhe ambiciet e mia të më bëjnë që të harroj bashkëshorten, fëmijët, prindërit dhe vëllezërit e mi. Një jetë e tillë nuk e përmban sensin e duhur të moralit dhe nuk ka vlerë. Ambicia nuk duhet t’i anulojë rolet. Po, ti ke ambicie, ke objektiva, por gjithashtu duhet që ti të kesh prioritete, duhet të kesh një sistem, përmes të cilit më së paku të performosh nivelin minimal të çdo detyre, të çdo roli prej roleve të tua themelore jetike.

Normalisht, që sa i përket njeriut, i cili përballet me përhapjen e një ideje apo kërkon të ketë ndikim politik, në këtë rast do jetë e pranishme një trysni tek familjarët dhe fëmijët e tij, por atyre u duhet të bëjnë durim dhe ta ndihmojnë. Shembull për këtë kemi bashkëshortet e Profetit a.s. dhe vajzat e tij r.a., të cilat e ndihmonin atë në rolet e tij mbarë-humane.

Pra kemi të bëjmë me njerëz, që kanë ndikim dhe influencë të madhe në shoqëri, në politikën dhe ideologjinë e saj, dhe që në fakt janë të pakët në numër. Prandaj këta personalitete duhen ndihmuar, duke u mjaftuar me praninë e pakët të tyre në sferën familjare në shërbim të interesit personal. Për më tepër ata duhen ndihmuar, që të gjenden më së shumti në shërbimin të interesit të përgjithshëm. Gjithsesi edhe këta personalitete nuk duhet të harrojnë dhe neglizhojnë rolet e tyre themelore jetike.

Disa bashkëshorte dhe disa fëmijë duan, që detyra kryesore e bashkëshortit/prindit të jetë dedikimi i tij i tërësishëm vetëm me ta dhe neglizhenca e të gjithë roleve të tjera...

Pra duhet të ekzekutojmë dhe performojmë më së paku kufirin minimal në çdonjërin prej roleve tona themelore. Në këtë kontekst pyetja që shtrohet është:

Cili është ky kufi minimal në çdonjërin prej roleve tona themelore?

Shkurtimisht, kufiri minimal është kufiri ligjor islam. Nëse personi bie nën të, atëherë ai ka rënë në mëkat. Personi duhet ta pyesë veten e tij mbi çdonjërin prej roleve të tij, një e nga një: Nëse unë bëj kështu e kështu në këtë rol, a është kjo e mjaftueshme? Përgjigja është pozitive, nëse personi me lënien e kësaj mjaftueshmërie zbret në mëkat.

Disa prej këtyre roleve që u përmendën në fillim të trajtimit të kësaj pyetje, jo domosdoshmërish gjejnë përputhje me specifikat e tua individuale. Unë të lashë edhe disa rreshta bosh, që në to të shkruash disa role të tjera, që i shikon themelore për personin tënd.

Në këtë vazhdë lypset që të shkruash, se cili është kufiri minimal ku duhet të arrish në raportet e tua me prindërit e tu. Nëse je i martuar, atëherë ti ke rolin tënd kundrejt bashkëshortes, po kështu nëse je prind, atëherë ti ke rolin tënd kundrejt fëmijëve...

Nëse je shef apo drejtor, cilat janë rolet e tua në këtë kuadër? Cilat janë rolet dhe detyrimet e tua kundrejt shokëve dhe fqinjëve të tu? Nëse je i ditur, je profesor, ideator, intelektual, i kulturuar, cili është kufiri minimal, të cilit të duhet t’i përmbahesh në këtë lëmi? Nëse je prej atyre që i përkasin arenës politike, shkruaj, çfarë dëshiron të arrish në këtë lëmi. Po kështu në lëmin shoqëror, atë të kontributit, financimit të familjes; shkruaj një sërë përgjigjesh. Sigurisht që kjo gjë ka nevojë për kohë. Prandaj këtyre përgjigjeve mund tu japësh pa problem gjysmë ore apo edhe një orë, por ajo që kërkohet, është të mendosh dhe të përgjigjesh...


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free