Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Forca e vullnetit

Që nga kjo temë, kemi hyrë në elementin e pestë të lumturisë, të cilin e kemi titulluar “Vullnet i çeliktë” dhe e kemi ngjyrosur me të verdhë, ngjyrën e floririt dhe të diellit. A ke vullnet të fortë? A je i paepur? A ke aftësi rigjeneruese?
Ky element do të përbëhet nga tre tema, ku e para është mbi vullnetin, e dyta mbi durimin dhe e treta mbi aftësitë rigjeneruese. Nëse njëra nga këto të tre çalon, lumturia është e pamundur të arrihet.
Shumë të rinj dhe të reja më shkruajnë mbi problemet e tyre të shumta, të cilat bëhen hendek i pakapërcyeshëm në rrugën e tyre të suksesit.
Për të gjithë ata njerëz të cilët janë zhytur në borxhe, për të gjithë ata që preokupimet dhe brengat veç u shtohen, për të gjithë ata që hallet vetëm u akumulohen etj… unë do t’u dhuroj një nga pishtarët profetikë, me të cilin do t’u ndriçohet rruga drejt suksesit. Në fakt, ky pishtar profetik, përbëhet nga një lutje për të cilën Profeti (a.s.) thotë: “Kush e citon çdo mëngjes dhe darkë, Zoti do t’ia largojë preokupimet e shqetësimet dhe do t’ia shlyejë borxhin.”
Sekreti i kësaj lutjeje, qëndron në faktin se sa më shpesh të citohet, aq më shumë e shton dhe e forcon vullnetin, derisa t’u japësh fund shqetësimeve dhe preokupimeve. Mos i merr fjalët e profetit Muhamed (a.s.) si disa citate, por merri si sinjalistikë që të ndriçon udhën drejt suksesit dhe jetës së lumtur. Vetë Zoti e pohon që me shpalljen e Kuranit dhe ardhjen e profetit Muhamed (a.s.), njerëzimit i ka ardhur një dritë.
Zoti thotë në Kuranin famëlartë: “Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani).” (Maide, 15)
Sakaq, në një ajet tjetër u drejtohet besimtarëve me fjalët: “O ju që besuat, ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Hadid, 28)
Zoti u drejtohet besimtarëve që besimin tek i dërguari i Zotit mos e kenë sipërfaqësor dhe vetëm me fjalë, por të kenë besim që shpërthen energjitë e fshehura, besim që stimulon vullnetin e çeliktë. Vetëm kështu mund të përfitoni nga drita profetike, e cila u ndriçon udhët e kësaj bote.
Transmeton imam Muslimi se Ebu Umame ka thënë: “Ndodhesha në xhami në një kohë që nuk shërbente për namaz. Profeti (a.s.) hyri në xhami dhe kur konstatoi prezencën time, më pyeti me habi: “O Ebu Umame! ç’të ka sjellë në xhami në këtë kohë?!”
Unë u përgjigja: “O i dërguari i Allahut! Kam halle e preokupime dhe jam i mbytur në borxhe.”
Profeti (a.s.) më thotë: “O Ebu Umame! A të të mësoj disa fjalë, nëse i citon ato, Zoti ta largon preokupimin, t’i heq hallet dhe t’i shlyen borxhet?” Me këtë, sikur Profeti (a.s.) kërkon të testojë vullnetin e Ebu Umames.
Ebu Umame u përgjigj: “Po, o i dërguari i Allahut.” Atëherë, Profeti (a.s.) i tha: “O Ebu Umame! Sa herë të gdhihesh dhe të ngrysesh thuaj: “O Allah! Unë kërkoj të më mbrosh nga hallet dhe shqetësimet, nga plogështia dhe dembelizmi, nga frika dhe koprracia, nga zhytja në borxhe dhe nëpërkëmbja e njerëzve.”
Në këtë lutje, Profeti (a.s.) na mëson që të kërkojmë ndihmën e Zotit për hallet e të kaluarës dhe shqetësimet për të ardhmen. Plogështia dhe dembelizmi janë pengesa dhe barriera që thyejnë vullnetin. Frika dhe koprracia simbolizojnë pasivitetin dhe të qenët negativ në jetë. Ndërkohë që borxhet dhe zgjedha e njerëzve, përbëjnë pengesat e jashtme.
Nëse e citon këtë lutje çdo mëngjes dhe mbrëmje, me besimin se ajo është një recetë profetike që të pajis me fuqi dhe energji, do të ndihesh sikur brof në çast dhe i zgjidh problemet.
Problemi i shumë njerëzve prej nesh, është se gjithmonë justifikohemi me gjendjen e nderë dhe situatën e papërshtatshme. Të gjithë problemet tona ia atribuojmë kushteve dhe rrethanave ku ndodhemi. Nëse pyet një student përse nuk mëson, të përgjigjet se si ai që mëson dhe ai që nuk mëson, janë të papunë. Nëse pyet një punonjës përse nuk e kryen detyrën siç duhet, të përgjigjet se puna e tij nuk vlerësohet pasi në atë sektor, vendet e punës mbahen sipas tarafllëkut dhe jo sipas meritave. Nëse pyet një bashkëshorte përse nuk e mban veten, të përgjigjet se i shoqi i saj nuk do t’ia dijë nëse e mban veten apo jo. Nëse pyet një mysliman për gjendjen e umetit, menjëherë të përgjigjet se situata është e tillë. Nëse i kujton Malajzinë, të përgjigjet aty për aty se atje kanë qenë kushtet e favorshme.
 Pra, ne ia vëmë fajin për gjithçka kushteve dhe situatës në të cilën jetojmë, ndërkohë që vetë ne nuk kemi faj për asgjë. Ne i jemi dorëzuar aktualitetit që na është imponuar dhe presim të ndodhin mrekulli. Nëse jemi të thyer dhe të pashpresë në këtë nivel, si mund të pretendojmë të jetojmë të lumtur! Një ndjesi e tillë lind veçse dëshpërim, vuajtje dhe plogështi.
 
Mendimi i psikologëve
Sipas psikologëve, tre janë faktorët që e kontrollojnë jetën e sjelljet tona dhe se të gjithë njerëzit janë pre e këtyre tre faktorëve. Të gjitha reagimet tona në jetë, u referohen pikërisht këtyre tre faktorëve, të cilët janë: faktori gjenetik, faktori edukativ dhe faktori mjedisor. Lidhur me faktorin gjenetik, nëse gjyshi i tij ka qenë koprrac, dhe nipi i tij del i tillë. Kjo ka të bëjë me gjenet që i kanë të përbashkëta. Nëse nipi është horr dhe batakçi, kjo ndodh sepse horrllëku dhe batakçillëku gjendet në gjenet e tyre familjare.
Faktori edukativ, është shumë i rëndësishëm, pasi nëse dikush rrihet me të shoqen, kjo do të thotë se ka parë babanë e tij të rrahë nënën. Mënyra si sillet me të shoqen, është një reagim normal i faktorit edukativ të tij.
Faktori i tretë, ai i mjedisit dhe i ambientit, ka të bëjë me shoqërinë ku jeton njeriu. Përderisa ndodhej në mjedisin familjar, ai nuk dinte çfarë janë fjalët banale. Por tani që kalon pjesën më të madhe të kohës me shokët, ai jo vetëm që i ka mësuar, por i përdor me shoqërinë këto fjalë. A nuk e shohim një fenomen të tillë në ndeshjet e futbollit ku tifozët shahen me njëri-tjetrin?
Më parë, filani nuk e dinte çfarë ishte ryshfeti, Por meqë gjithçka në sektorin ku punon funksionon në bazë të ryshfetit, edhe ai ra pre e ambientit.
Kjo që pohojnë psikologët, është shumë e rrezikshme nëse e lidhim me fenë. Nëse ne kontrollohemi nga këta tre faktorë, në përzgjedhjen e të cilëve ne nuk kemi aspak dorë, si do të na kërkojë llogari Zoti për gjëra që nuk i kemi zgjedhur ne vetë?! Çfarë faji kam unë që në gjenet tona familjare ekzistojnë gjene batakçillëku, koprracie etj...?!
Vallë sa të vërteta janë pohimet e mësipërme të psikologëve? A është e vërtetë që çdo reagim i yni u referohet tre faktorëve të lartpërmendur? E çfarë llogarie do të më kërkojë Zoti, ndërkohë që unë jam pre e tre faktorëve të mësipërm?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve që shtrohen, themi: Pohimet e psikologëve janë të vërteta, por nuk duhet të harrojmë se Zoti na ka pajisur me energji dhe aftësi me të cilat ne përballemi me tre faktorët e lartpërmendur. Detyra jote është që këto aftësi dhe energji, t’i përdorësh që të triumfosh ndaj tre faktorëve që ndikojnë në vendimmarrjet e tua.
Një nga këto aftësi dhe energji me të cilat na ka pajisur Zoti, është pikërisht vullneti. Shumë njerëz nuk e trazojnë këtë fuqi që bën mrekulli. Shumica e njerëzve përdorin vetëm 30 % të vullnetit të tyre.
Përveç vullnetit, Zoti na ka pajisur me besim dhe logjikë, të cilat na ndihmojnë kundër tre faktorëve.
Imagjinoji problemet, hallet dhe vështirësitë e tua si një rreth i madh. Mandej, imagjino aftësitë dhe energjitë e tua si një rreth i vogël. Ndërkohë, imagjinoje veten si një pikë në mesin e rrethit të vogël. Përderisa nuk i shfrytëzon aftësitë dhe kapacitetet e tua, rrethi i madh do të ushtrojë presion mbi rrethin e vogël, duke e zvogëluar. Që t’i përballosh shigjetat që hidhen nga rrethi i madh, kalo në pozicion sulmi dhe jo mbrojtjeje. Lësho ti shigjeta, duke shfrytëzuar kapacitetet e tua. Lëshoji shigjetat e vullnetit, të besimit te Zoti dhe të kapaciteteve intelektuale. Vetëm kështu do të mund të triumfosh mbi problemet, rrethanat dhe tre faktorët e lartpërmendur. Pa dyshimin më të vogël që Zoti është i drejtë dhe Ditën e Kiametit do të na kërkojë llogari nëse kapacitetet tona i kemi përdorur për të triumfuar ndaj vështirësive dhe problemeve. Kjo shprehet në suren Shems, ku Zoti thotë:
“Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (Shems, 7-10)
Mos prano që kapacitetet e tua t’i mbash të ndrydhura dhe të pashfrytëzuara. Ulu me veten, merr një letër dhe një laps dhe shënoji aftësitë dhe kapacitetet. Përse t’u dorëzohesh rrethanave? Përse e prangos veten me vargonj pasiviteti dhe plogështie?
Tregohet se pronari i një kopshti zoologjik, zë një elefant në xhungël dhe e sjell në kopshtin e tij, për të kënaqur vizitorët e shumtë. Duke qenë se ishte mësuar me jetën e egër, elefanti ishte i papërmbajtur fillimisht. Punonjësit i lidhën një gjyle të rëndë hekuri për këmbe, me qëllim që të mos harbonte. Sa herë që rrekej të lëvizte, hekurat e mbërthyera për këmbe dhe gjylja e rëndë, e bënin të hiqte dorë menjëherë nga ideja. Pas një farë kohe, elefanti mësohet me gjylen e hekurt dhe tashmë nuk bënte asnjë tentativë për të lëvizur. Vullneti i tij ishte shuar përfundimit. Duke e vërejtur këtë, pronari i kopshtit urdhëron që në vend të gjyles së hekurit, t’i vihet një gjyle druri, e lehtë. Megjithatë, elefanti nuk bëri asnjë tentativë qoftë dhe për provë, të lëvizë, pasi ishte mësuar se gjyleje ishte e rëndë dhe e pamundur ta lëvizte. Një fëmijë i vogël që kishte ardhur të vizitonte kafshët, e sheh elefantin e lidhur pas sferës së drurit dhe i pyet punonjësit si është e mundur që ai nuk largohet. Ata iu përgjigjën se shkaku që elefanti nuk largohej dhe nuk harbonte, ishte se ai nuk e dinte që sfera ishte e lehtë dhe prej druri. Në trurin e elefantit është ngulitur ideja se e ka të pamundur të lëvizë nga vendi.
Rasti i elefantit tonë, është i ngjashëm me jetën dhe përvojën e shumë njerëzve. Shumë prej nesh, i kanë lidhur këmbët me gjyle, të cilat i mendojnë si të rënda dhe penguese të suksesit tonë. Vallë sa ngjashmëri ke me këtë elefant ti, o vëlla dhe oj motër?
Provojeni t’i thyeni vargonjtë që ju mbajnë të lidhur! Provojini ta tërhiqni dhe ta shkërmoqni gjylen! Ajo nuk është aspak e rëndë, madje mund të tërhiqet dhe të thyhet shpejt.
Ashtu siç ishte lidhur elefanti në kopshtin zoologjik, shumë prej nesh janë të lidhur në familjet e tyre, të tjerë në shoqërinë ku jetojnë dhe në umetin e tyre. Mos e mendo zhvillimin e këtij umeti si një gjyle të palëvizshme, pasi nuk është gjë tjetër veçse një sferë dërrase e lehtë.
Gjithçka ka të bëjë me vullnetin. Në çastin që vendos të çlirohesh nga vargonjtë, do të ndihesh si me krahë.
 
Kurani stimulon vullnetin
Në Kuran, gjendet një sure e plotë mbi përvojën e një personi. Ai u gjend papritur në një shoqëri dhe rrethana sfiduese, megjithatë triumfoi ndaj të gjitha problemeve dhe vështirësive. Ai njeri është profeti Jusuf (a.s.), historia e plotë e të cilit rrëfehet në suren me të njëjtin emër. Urrejtja, mllefi dhe neveria e vëllezërve, bënë që Jusufin dymbëdhjetë vjeçar ta hedhin dhe ta braktisin në një pus të thellë, në shkretëtirën e thatë. Një ndodhi e tillë tragjike, mund të bëhej shkak për komplekse të thella në personalitetin e Jusufit (a.s.), komplekse të cilat do të vazhdonin për gjithë jetën. Por me anë të besimit në Zot, ai arriti të triumfonte ndaj këtyre komplekseve. Thjesht, ai nuk u dorëzua.
Pasi arrin të dalë nga pusi, Jusufi (a.s.) shitet si skllav në Egjipt. Disa vite më vonë, ai burgoset me një akuzë të rëndë për çështje nderi. Në burg ai qëndron për nëntë vite dhe kur del që andej, ishte mbi të tridhjetat.
Nëse kjo do t’i ndodhte ndonjërit prej nesh, do të humbiste shpresat dhe do t’i dukej sikur jeta e tij mori fund. Ndërkohë që për Jusufin (a.s.), jeta sapo kishte filluar. Ai shpëton një rajon të tërë nga zia e bukës dhe bëhet ministër i financave. Edhe pse kishte qenë skllav në shtëpinë e Azizit, ai nuk kishte qëndruar duarkryq. Ai kishte mësuar prej padronit të tij administrimin e ekonomisë dhe të çështjeve administrative. Edhe pse ndodhej në burg, ai u kap fort pas besimit në Zot dhe i këshillonte të burgosurit e tjerë të mos adhuronin, veçse një Zot të vetëm.
Ai kishte bërë një ndërthurje mes vullnetit, besimit dhe aftësive. Pasi të përfundosh leximin e kësaj teme, ulu i vetëm në dhomë dhe lexoje sërish suren Jusuf me këtë këndvështrim të ri. Jusufi (a.s.) ka vdekur dy tre mijë vite para profetit Muhamed (a.s.) dhe Zoti e ka përjetësuar historinë e tij në Kuran, pasi ajo ofron model të mirë. Zoti e ka rrëfyer këtë sure në Kuran, që të thotë se shpërblimi i atij që bën vepra të mira, nuk shkon dëm.
“Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ua humb shpërblimin punëmirëve”. (Jusuf, 90)
Habab ibnu Eret ishte skllav i një gruaje nga kurejshët. Meqë ai kishte pranuar Islamin, padronia e tij nuk linte torturë pa e provuar që ai të braktiste Islamin. Shpeshherë, ajo vendoste gurë në zjarr derisa nxeheshin fort dhe me mashë ia hidhte Hababit mbi shpinë. Në një gjendje të tillë, Hababi shkon një ditë te Profeti (a.s.) dhe i thotë: “Përse nuk lutesh për ne?! Përse nuk kërkon ndihmë për ne?!” Profeti (a.s.) u zemërua dhe siç ishte i ulur, brofi në këmbë dhe tha: “O Habab! Popujve para jush, ua ndanin mishin nga kockat me sharrë, megjithatë nuk e braktisnin fenë. Për Zotin o Habab! Zoti do ta çojë gjer në fund këtë çështje, por ju nxitoni.”
Me këto fjalë, Profeti (a.s.) stimulonte vullnetin e tij dhe të myslimanëve të tjerë.
Trajnerët sportivë, për të stimuluar vullnetin dhe për të zbuluar talente, marrin të rinj, të cilët i stërvitin fizikisht, por edhe moralisht. Si fillim i pyesin – për shembull – sa pompa mund të bëjnë. Shumë prej tyre thonë: “Pesëdhjetë.” Dhe trajneri u kërkon që t’i bëjnë pesëdhjetë. Me të përfunduar pesëdhjetë, të rinjtë shemben përtokë të rraskapitur. Trajneri u kërkon të bëjnë dhe dhjetë të tjera dhe ata e realizojnë. Menjëherë, trajneri u kërkon dhe dhjetë të dyta dhe ata i bëjnë. Kur u kërkon dhjetë të tretat, sportistët e rinj arrijnë vetëm pesë. Pra, nga pesëdhjetë që mendonin se ishte maksimumi që mund të arrinin, duke i stimuluar, arritën shtatëdhjetë e pesë.
Lumturia e secilit prej nesh qëndron tek vetvetja, te zemra e gjithsecilit. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Në trupin e njeriut është një organ i cili nëse është në rregull, i gjithë trupi do të jetë në rregull dhe nëse ky organ është i prishur, i gjithë trupi do të jetë i prishur. Ky organ është zemra.”
Kjo nuk është e kufizuar vetëm në çështjet morale dhe ato të besimit, por përfshin dhe vullnetin. Nëse arrin të marrësh një vendim me veten tënde se mund të jesh i suksesshëm, do ta realizosh atë.
Njeriu përbëhet nga vetëdija dhe pavetëdija. Me anë të vetëdijes, njeriu merr vendime çdo orë e çast. Ndërkohë, pavetëdija është e tillë që beson gjithçka që beson dhe njeriu. Nëse ti beson se mund të dalësh i pari në gjithë gjimnazin, pavetëdija të pajis me energji dhe fuqi, me anë të të cilave arrin të dalësh i pari. Një rol të rëndësishëm luan duaja dhe lutja. Sa më shumë të lutesh për diçka, do të thotë se ti e beson se mund të realizohet, kështu, pavetëdija të furnizon me energji dhe vullnet.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Besimtari i fuqishëm, është më i mirë dhe më i dashur te Zoti, se besimtari i dobët.”
Fuqia në këtë rast nuk është vetëm te muskujt, por edhe te shpirti dhe vullneti. A je i fuqishëm ti, o vëlla, apo u je dorëzuar rrethanave dhe situatës? Nëse i je dorëzuar situatës, dije se je i dobët.
Të gjithëve atyre që më shkruajnë dhe më pohojnë se ndihen të pashpresë, të dëshpëruar dhe të braktisur, unë u them ta ndryshojnë këtë opinion për veten e tyre.
Pjesa plotësuese e hadithit të mësipërm është:
“Kushtoju vëmendje gjërave që të sjellin dobi, kërko ndihmën e Zotit dhe mos e lësho veten! Nëse zhgënjehesh nga rezultatet, mos thuaj: “Sikur ta kisha bërë kështu, do kishte ndodhur ashtu, sepse fjala “sikur” hap portën e shejtanit. Prandaj thuaj: “Caktimi i Zotit dhe Ai bën ç’të dojë.”
Një urtësi kineze e vjetër, tregon mbi një prind dhe fëmijën e tij. Teksa prindi po shihte i mrekulluar hartën e botës, fëmija e tërhiqte nga rrobat, duke i tërhequr dhe vëmendjen. Në një çast, ai nevrikoset dhe e bën copash hartën. Pas pak, pasi qetësohet konstaton se kishte grisur hartën e cila i nevojitej. Si ndëshkim për fëmijën që u bë shkak, ai i kërkon t’ia ngjisë hartën siç ishte më parë, edhe pse dukej e pamundur. Fëmija i merr copat e hartës, shkon në një dhomë tjetër dhe pas disa minutash kthehet me hartën e ngjitur. I habitur, babai e pyet si e kishte ngjitur aq mirë. Djali iu përgjigj se në anën tjetër të hartës, ishte pikturuar fytyra e një njeriu: “T’i rregulloja pjesët e hartës siç kishin qenë e kisha të pamundur, por të rregulloja pjesët e fytyrës të një njeriu, e kisha krejt të kollajtë. Me të vendosur copat në vendin e duhur, u formua fytyra e plotë e një njeriu. Kur e përmbysa fletën, pashë që edhe harta e botës ishte rregulluar tashmë.
Sikur të formonim dhe të edukonim një njeri siç duhet, kemi edukuar dhe formuar tërë njerëzimin. A nuk kanë qenë individë të gjithë ata që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë njerëzore?! Vullneti është një vendim që merret me veten tënde. Sipas vullnetit tënd, vjen dhe ndihma e Zotit. Këtë e pohon dijetari mysliman, Ibnul Kajjim, i cili thotë: “Sipas nijetit të robit, vendosmërisë, vullnetit dhe dëshirës, vjen dhe suksesi e ndihma e Zotit. Ndihma e Zotit dhe përkrahja e Tij, u jepet njerëzve sipas vullnetit, vendosmërisë, nijetit dhe dëshirës së tyre.”
Kurrë mos harro se Zoti nuk ua humbet mundin bamirësve.
 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free