Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Si të sillesh para një sprove

Rregulli i parë:  Ndërgjegjësimi se ky është ligji i ndryshimit dhe i transformimit. Është Zoti Ai që ka caktuar dy të kundërtat. Kur diçka shkon deri në skajin e saj, shndërrohet në diçka të kundërt. Nata, pasi e përshkon të gjithë ciklin e saj, pasohet nga agimi. Ky është një ligj funksional që nuk ndalon asnjëherë. Dita, pasi e përshkon të gjithë ciklin e vet, pasohet nga errësira dhe nata. Secili prej tyre, ka kohën e vet. Kjo përfshin orët, ditët, muajt, vitet, stinët, kohën e pjekjes së bereqetit, vjeljen, shëndetin, sëmundjen, pushtetin, pasurinë, varfërinë, lehtësimin, vështirësitë, gëzimin, mërzinë, bashkimin, ndarjen, dashurin, urrejtjen, lartësimin dhe poshtërimin, shtimin dhe pakësimin, triumfin dhe humbjen, suksesin dhe dështimin etj... Të tillë e ka dashur Zoti këtë botë. Ligji i Tij është i tillë që asnjë gjendje nuk është e përhershme dhe e pandryshueshme.

Nga ky ligj dhe kjo urtësi hyjnore, mësojmë që edhe vuajtja, ashtu si lumturia dhe gëzimi, ka fundin e saj. Nga fukarallëku njeriu kalon në mirëqenie, nga vështirësitë në lehtësim. Nëse nuk do të ishte kështu, do të kishte të meta në ligjet e Zotit, gjë e cila është e pamundur.

Rregulli i dytë: Fatkeqësitë fillojnë të mëdha dhe reduktohen në mënyrë të përshkallëzuar. Po, trauma fillestare është shumë e rëndë, por me kalimin e kohës vërejmë që ajo fanitet dhe tkurret, njëlloj si plaga, e cila fillimisht hapet dhe rrjedh gjak, por pastaj fillon e mbyllet derisa të shërohet. Prandaj dhe prej njeriut kërkohet durim dhe maturi në goditjen e parë, pasi aty fitohet dhe sevapi dhe shpërblimi. Në goditjen dhe momentet e para të traumës, njeriu nuk mund të fitojë gjë tjetër përveç durimit. Është durimi ai që i dallon njerëzit.

Kujtdo që i ka rënë në kokë ndonjë fatkeqësi, s’ka përse të besojë se nuk do të dalë më prej saj. Dhimbja dhe trauma e kësaj fatkeqësie fillon e fanitet shumë shpejt. Ajo i ngjan mikut i cili vjen, qëndron pak dhe largohet të nesërmen. Është prej urtësisë dhe bujarisë së Zotit që u jep robërve të Tij aftësinë për ta përballuar dhe për të bashkëjetuar me sfidat dhe sprovat, edhe pse kjo është e vështirë. Fatkeqësitë nuk janë për ta shkatërruar njeriun, ashtu siç e shuan vdekja, por shërbejnë si pastrim, testim, sprovim dhe shlyerje të gjynaheve.

Rregulli i tretë: Po të mos ishin fatkeqësitë nuk do e njihnim vlerën e begative, shijen e rehatisë, mirësinë e shëndetit... Njeriu e vlerëson maksimalisht begatinë, në raste sprovash. Nëse nuk do të ishte sprovuar, nuk do e vlerësonte të mirën e Zotit, madje do të vuante nga mërzia dhe monotonia. Ditën që ai përballet me sfida dhe sprova, ai zgjohet dhe kujton ditët e bukura të rehatisë, momentet e gëzuara dhe i vlerëson ato maksimalisht, duke falënderuar Zotin për gjithçka.

Nëse njeriu nuk do të përjetonte probleme, jeta e tij do të kaplohej nga stresi, shqetësimet dhe monotonia. Ndryshimi i gjendjes, pasohet nga kënaqësi të cilën e përjetojnë vetëm njerëzit e sprovuar.

I shëndetshmi nuk e njeh vlerën e shëndetit derisa të sëmuret, i liri e vlerëson lirinë vetëm kur e humbet atë, i ngopuri nuk e shijon ushqimin derisa ta marrë uria, njeriu nuk e shijon ujin veçse pasi ta marrë etja.

Rregulli i katërt: Ajo që i lehtëson sprovat është se çdo ditë që kalon, ato lehtësohen dhe afrohen me zgjidhjen përfundimtare. Koha e sprovës është e kufizuar në një afat të caktuar, lëvizja e akrepave të orës tregojnë afrimin e zgjidhjes,sado e gjatë të jetë nata nuk i shpëton dot ditës.

Tregohet se Jahja ibnu Halid Bermerkij, i shkroi kalifit Harun Reshid nga burgu këto fjalë:”Dije se çdo orë që kalon më lehtëson dënimin tim dhe të ngarkon ty me përgjegjësi dhe të pakëson begatitë e tua, derisa të dalim para Zotit të madh, unë dhe ti.”

Këto janë fjalë që tregojnë pjekurinë dhe arsyen e fortë të personit që i ka shkruar. Ai që është në hall, çdo lindje e re e diellit, e afron me perëndimin e hallit.

Rregulli i pestë: Zoti zgjdhe dhe cakton çfarë të dojë dhe gjithçka që bën e bën me urtësi dhe dije absolute. Çfarëdo që i ndodh myslimanit, e mirë apo e keqe, është në favorin e tij. Madje, Ibnu Tejmije shkon edhe më tej, duke pohuar se edhe gjynahet janë në favorin e njeriut, nëse pendohet, bën istigfar dhe i thyhet zemra. E nëse gjithçka që i ndodh njeriut është në favorin e tij, s’ka përse të ikë prej atyre që i ndodhin në jetë. Përderisa kjo nuk është zgjedhja e njeriut, por e Zotit të njeriut, atëherë njeriu duhet ti dorëzohet dhe ta pranojë. E mirë nuk është ajo që mendojnë njerëzit se është e mirë, ashtu siç e keqja nuk është ajo që mendojnë njerëzit si të keqe. Përndryshe, i bie që njeriu të dijë gajbin, të fshehtën që e di veç Zoti.