Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Me djersen e ballit

Tregohet se një burrë pasanik, kishte vetëm një djalë, të cilin e ëma e kishte rritur me përkëdheli dhe llastime, duke i plotësuar çdo tekë. Tashmë djali i tyre kishte hedhur shtat dhe ishte në moshën e rinisë, por që nuk dinte të kapë punë me dorë. Nuk dinte gjë tjetër veçse të qëndrojë me orë të tëra rrugëve, dëfrime dhe kënaqësi, të cilat i plotësonte falë të hollave që i jepte e ëma, sigurisht fshehurazi dhe pa dijen e të atit.

Një mëngjes të bukur, i ati e thirri të birin e tij dhe i tha:”O bir! Tashmë je rritur dhe po bëhesh burrë. Je i fuqishëm dhe që tani, mund të mbështetesh në forcat e tua, duke e siguruar jetesën me djersën e ballit tënd.”

Djali ia ktheu paksa i revoltuar:”Po unë nuk di të bëj asnjë punë more baba?!”

I ati i tha:”Mund të mësosh. Shko në qytet dhe puno çfarë të mundesh! Por, mos u kthe në shtëpi para se të kesh fituar një napolon floriri, të cilin dua të ma sjellësh mua në shtëpi.”

Doli djali nga shtëpia dhe akoma pa kaluar pragun e derës, e kapi e ëma për krahu dhe pasi i la në dorë një napolon floriri, i tha:”Shko në qytet, bridh nga të duash dhe kur të kthehesh, jepja babait këtë napolon! I thuaj se e fitove me mundin dhe djersën tënde të ballit!”

Djali u largua dhe brodhi gjitha rrugët e qytetit, hëngri e piu dhe pasdite u kthye në shtëpi, me napolonin e floririt në dorë.

Me të hyrë brenda, përshëndeti dhe duke i zgjatur napolonin e floririt të atit, i tha:”Ja ku e ke baba. E fitova me mundin dhe djersën time. Merre!”

I ati e mori napolonin në dorë, e vërejti mirë e mirë, mandej e hodhi në zjarrin e oxhakut, duke i thënë:”Nuk është napoloni që të kërkova të fitosh. Do të shkosh nesër sërish në qytet dhe të më sjellësh një napolon floriri tjetër!”

Djali heshti, uli kokën dhe nuk reagoi fare.

Të nesërmen në mëngjes, djali doli për tu nisur në qytet, për të fituar napolonin. Me të vënë këmbën tek pragu i derës, e kapi e ëma për krahu dhe duke i lënë napolonin në dorë, i tha:”Mos u kthe shpejt në shtëpi! Rri ndonjë natë nga shokët e tu, pastaj kthehu dhe thuaj se ke punuar e je lodhur!”

U largua djali dhe qëndroi tre ditë pa u kthyer, ditë të cilat i kaloi me shoqërinë duke bërë qejf. Pas tre ditë, u kthye në shtëpi dhe i zgjati napolonin e floririt të atit duke i thënë:”Jam këputur duke punuar baba, më ka rënë bretku dhe më kanë shkuar djersët lum derisa e fitova këtë napolon floriri. Urdhëro merre!”

E mori i ati, e pa dhe e hodhi në zjarrin e oxhakut, duke i thënë:”Nuk është ky napoloni që të kërkova more bir, shko më sill një tjetër!”

Djali uli kokën dhe nuk foli fare.

Mëngjesin e ditës së tretë, para se nëna e tij të zgjohej nga gjumi, djali la shtëpinë dhe u largua drejt qytetit. Për një muaj të plotë, asnjëri nga familjarët nuk e pa dhe nuk dëgjoi rreth tij.

Pas një muaji, u kthye në shtëpi me një napolon floriri në dorë, të cilin e shtrëngonte fort që të mos i bjerë dhe ti humbasë. Ndihej i lodhur dhe i rraskapitur nga puna e rëndë që kishte bërë për të fituar atë napolon floriri. Mundi kishte qenë i madh dhe djersët i kishin rrjedhur çurg.

Me të mbërritur, i përshëndeti prindërit dhe menjëherë nxori napolonin dhe ia zgjati të atit, të cilit i tha duke buzëqeshur:”Baba, betohem se ky napolon floriri është fituar nga mundi dhe djersa e ballit tim. Jam lodhur shumë derisa e fitova. Merre!”

Pa folur fare, babai e mori në dorë napolonin e floririt, e pa mirë e mirë dhe u mat ta hedhë sërish në zjarr.

Por, këtë herë i biri iu vërsul, ia kapi dorën dhe nuk e lejoi ta hedhë, duke i thënë:”Baba, kam vuajtur të zitë e ullirit për atë napolon. Nuk të lejoj ta hedhësh në zjarr sa hap e mbyll sytë.”

Këtu, i ati qeshi me të madhe dhe pasi e përqafoi të birin, i tha:”Tani je bërë burrë i vërtetë dhe mund të mbështetesh në forcat e tua bir. Tani jam i bindur që ky napolon floriri është fituar nga mundi dhe djersa jote. Tani ti nuk lejove që fati i këtij floriri të ketë fatin e dy të tjerëve më parë, sepse këtë e ke fituar me djersën tënde, kurse dy të parët jo.”

Kujt i vjen paraja pa u lodhur, e shpenzon pa u qederosur.