Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Historia e profetit Isa

Ndërkohë që dy profetët Zekeria dhe Jahja a.s u vranë, jetonte një profet i tretë, i cili sapo ishte dërguar si i tillë, profeti Isa a.s. Kur u vra Jahja dhe Zekeria a.s, profeti Isa a.s sapo i kishte kaluar të tridhjetat.

Ai njihet ndryshe dhe me emrin Mesi. Këtë ai e mori për shkak të udhëtimeve të shumta. Ai nuk kishte shtëpi dhe vend të tijin. Gjithashtu, thuhet se u quajt Mesi, për shkak se kur lindi, nëna e tij e leu me vaj.

Lidhur me lindjen e tij, thotë Zoti në Kuran:

"Dhe trego (o Muhamed) në Libër për Merjemen, kur u tërhoq nga familja e saj në një vend në lindje, duke e fshehur veten nga ata.  – ajo jetonte në lindje të Jerusalemit, larg syve të njerëzve. Ajo nuk lejonte askënd ta vizitojë dhe nuk vizitonte askënd. Të afërmit ia dërgonin ushqimin pranë derës dhe ajo e merrte më pas, ashtu siç merrte furnizim edhe nga vetë Zoti. Vetëm Zekeria a.s kishte të drejtë ta vizitojë. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, asaj i shfaqet Xhibrili a.s në dhomën ku ishte izoluar dhe adhuronte Zotin - Ne i dërguam Shpirtin Tonë, i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë. – ishte një njeri i hijshëm dhe pa asnjë të metë - Ajo i tha:“Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut. – nëse beson dhe i frikësohesh Zotit, mos më prek me dorë - Ai tha: “Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.”Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!” Iu përgjigj: “Kështu është! Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë’. Dhe kjo është punë e kryer.” (Merjem, 16-21)

Sipas transmetimeve të sakta, Xhibrili a.s i fryu Merjemes tek e çara e jakës nga pjesa e kraharorit, frymë e cila i depërtoi brenda dhe në çast ajo mbeti shtatzënë.

"Ajo mbeti me barrë." (Merjem, 22)

Merjemja a.s vazhdoi e mbyllur në faltoren e saj, larg syve të njerëzve, derisa filloi të ndjejë se ka ardhur koha të lindë. Atëherë ajo doli nga faltorja dhe eci një distancë të konsiderueshme, derisa mbërriti në Betlehem.

"..u tërhoq me të në një vend të largët." (Merjem, 22)

Pak para se të mbërrijë në Betlehem, asaj i fillojnë dhimbjen e lindjes. Ajo qëndron dhe mbështetet tek një trung i tharë palme aty pranë. Thotë Zoti në Kuran duke përshkruar këtë moment:"Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një palme." – Merjemeje a.s ishte shumë e frikësuar për këtë që po i ndodhte. Vallë si do të kthehej tek njerëzit e saj me një fëmijë?! Çfarë do të thoshin njerëzit kur ta shihnin? Fjalët e mëposhtme, tregojnë më qartë frikën e saj nga skandali që mund t'i ndodhte - Ajo tha: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!” (Merjem, 23)

Në një moment, ajo dëgjon një zë që e thërret nga poshtë. Disa mendojnë se ai zë ishte i djalit të saj të porsalindur Isait a.s. Kurse disa të tjerë mendojnë se ishte zëri i Xhibrilit a.s i cili buronte nga nëntoka.

"Një zë e thirri nga poshtë: “Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje!" (Merjem, 24)

Me të hedhur shikimin poshtë, ajo dalloi një burim uji. Edhe kjo ishte një mrekulli që Zoti ia jepte për ta qetësuar. Një mrekulli tjetër në ato çaste ishte dhe vetë trungu i palmës, i cili siç thamë ishte i tharë, pa gjethe dhe fruta.

"Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta! Ha, pi dhe qetësohu. " (Merjem, 25-26)

Me ta shkundur trungun e palmës, menjëherë filluan të bien hurma (arabe) të freskëta. Këto mrekulli e qetësuan Merjemen a.s, pasi u sigurua se gjithçka që po i ndodhte ishte sipas një plani hyjnor. Zëri e urdhëroi që të mos flasë kur të kthehet tek njerëzit e saj, por me shenja t'ju tregojë se agjëron.

"Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj:“Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” (Merjem, 26)

Pasi u çlodh dhe u qetësua, ajo u kthye tek njerëzit e saj me foshnjen në krahë.

"Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme! O motra e Harunit!” (Merjem, 27-28)

Thuhet që Merjemeja a.s kishte një vëlla me emrin Harun, për këtë ata e thirrën si motra e Harunit. Kjo ceket dhe në një hadith të saktë, kur profeti Muhamed a.s dërgon një nga shokët e tij tek të krishterët e Nexhranit. Ndër të tjera, ai u lexoi edhe ajetet e lartpërmendura. Kur të krishterët i dëgjuan, i thanë:"Si thonë se Merjemeja ka qenë motra e Harunit, ndërkohë që Haruni ka jetuar në kohën e Musait?!" Sahabi kur u kthye tek Profeti a.s, ia përcolli këtë pyetje. Ai u përgjigj:"Po a nuk e dinin se njerëzit e asaj kohe u vinin fëmijëve emrat e profetëve të mëparshëm?!" Pra, Haruni nuk ishte profeti, vëllai i Musait a.s.

Një mendim tjetër lidhur me këtë, është se ashtu si Haruni a.s shquhej për adhurimin e shumtë, edhe Merjemeja a.s shquhej për diçka të tillë. Prej këtu, njerëzit e quanin motra e Harunit a.s.

"Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur." (Merjem, 28)

Si është e mundur që ti vajza e dy prindërve të ndershëm, të bësh një vepër të tillë?! Merjemeja a.s nuk u ktheu përgjigje, por u bënte me shenjë drejt djalit që mbante në krahë.

"Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: “Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?” (Merjem, 29)

Njerëzit i kuptuan shenjat e saj, por nuk kuptonin si mund të flasin me një foshnje të porsalindur. Atëherë ndodh mrekullia tjetër, ku Isai a.s i porsalindur flet. Të gjithë njerëzit filluan të dëgjojnë gojëhapur.

"Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 30-33)

Allahu i lartësuar komenton më poshtë lidhur me këto fjalë:

"Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë. Allahu nuk ka mbetur të marrë dikë për bir. Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo bëhet. (Isai tha): “Vërtet, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është udha e drejtë”." (Merjem, 34-36)

E tillë ishte lindja e profetit Isa a.s, i cili ishte vetëm profet dhe i dërguar i Zotit dhe asgjë më shumë. Duke u përgjigjur pretendimeve të krishterëve se Isai a.s ishte bir i Zotit, Zoti thotë në Kuran:"Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!”, sepse vetë Mesihu ka thënë: “O bijtë e Izraelit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës. Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej Trinisë!” Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm. Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë! Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë. Që të dy, hanin ushqim.  – Kësisoj nuk mund të jetë zot, pasi Zoti i vërtetë nuk ka nevojë të ushqehet - Shiko si ua shpjegojmë atyre shpalljet tona dhe shih si largohen nga e Vërteta! Thuaju (o Muhamed): “Si mundet vallë, që ju adhuroni në vend të Allahut, atë që nuk është në gjendje t’ju sjellë as dëm e as dobi, ndërkohë që Allahu dëgjon dhe di çdo gjë?!” (Maide, 72-76)

"Thuaj: “Çdo lavd e falënderim i përket Allahut, i Cili nuk ka bir, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës” dhe madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë Tij!” (Isra, 111)

Zoti i vërtetë nuk ka nevojë për ndihmës dhe ortakë. Një ndër suret ku të krishterëve u jepet përgjigje mbi natyrën e vërtetë të Zotit – kësisoj hedh poshtë dhe pretendimet e tyre mbi trininë – është surja Ihlas. Thotë Zoti në këtë sure:

"Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (Ihlas, 1-4)

Në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu, transmetohet se i dërguari i Allahut a.s, citon një thënie të shenjtë të Zotit:"Më ofendoi biri i Ademit dhe nuk kishte përse ta bëjë këtë. Ai pretendon se Unë kam fëmijë, ndërkohë që Unë jam i Vetmi të cilit i përgjërohet çdo krijesë për ndihmë. Unë as kam lindur dhe as nuk jam lindur prej kujt dhe askush nuk është i barabartë me Mua."

Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu:"Askush nuk është më i durueshëm për një akuzë që ka dëgjuar, seç është Zoti. Atij i atribuojnë fëmijë, kurse Ai vazhdon t'i furnizojë dhe t'u falë shëndet."

Edhe pse foshnja ai porsalindur u foli, ata nuk e besuan, madje e akuzuan për marrëdhënie jashtëmartesore. Që atëherë dhe deri ditët e sotme, hebrenjtë e konsiderojnë Merjemen a.s si grua të përdalë. Ndërkohë që Isain a.s e quajtën djalin e një gruaje të përdalë. Thotë Zoti i lartësuar mbi këtë fakt:

"(I mallkuam ata) për shkak të mosbesimit të tyre (ndaj Isait a.s.), për shkak të shpifjeve të mëdha që thanë kundër Merjemes." (Nisa, 156)

Nuk ka asgjë për t'u habitur nëse Zoti krijon dikë pa baba, ndërkohë që ka krijuar më parë Ademin a.s pa baba dhe pa nënë. Këtë e përmend vetë Zoti në Kuran ku thotë:"Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” - dhe ai u bë." (Al Imran, 59)

Ekuivalente me këtë shpifje, është pretendimi i të krishterëve se Isai a.s ishte biri i Zotit.

"Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir”. Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar, ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit. Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht. Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij." (Merjem, 88-95)

Ai që ka krijuar qiejt dhe tokën në formën më të përsosur, mos e ka të pamundur të krijojë një njeri me nënë dhe pa baba?!

"Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë, ndërkohë që nuk ka bashkëshorte?! Ai ka krijuar çdo gjë dhe është i Dijshëm për çdo gjë." (Maide, 101)

"Thuaju (o Muhamed): “Sikur i Gjithëmëshirshmi të kishte bir, Unë do të isha i pari që do ta adhuroja atë!" (Zuhruf, 81)

Zoti i lartësuar e mohon kategorikisht mundësinë e të pasurit fëmijë. Ai deklaron se sikur Isai a.s të ishte djali i Tij, Ai do të ishte i pari që do e adhuronte atë.

 

Isai a.s mes Benu Israilëve

Isai a.s u rrit në Betlehem dhe që i ri shquhej për dije dhe urtësi. Për herë të parë, ai foli kur ishte i porsalindur, pastaj do të heshtë. Vetëm pasi të mbushë moshën e përshtatshme, ai do të fillojë të flasë sërish.

Me kalimin e viteve, Benu Israilët filluan ta shohin me dyshim Isain a.s. Shumë prej tyre filluan të përhapin fjalë se shkatërrimi i Benu Israilëve do të vijë pikërisht nga duart e këtij djaloshi.

Nëna e tij, e ndërgjegjshme për marifetet e popullit të saj, e mbronte siç mbron një nënë fëmijën e saj. Shpesh herë, ajo e nxirrte jashtë qytetit për ta mbajtur sa më larg njerëzve. Për siguri të jetës së birit të saj, ajo e la Betlehemin dhe u vendos në Jeruzalem, mbi një kodër ku kishte ujë dhe fruta për ushqim. Thotë Zoti në Kuran:"Ne e bëmë birin e Merjemes dhe nënën e tij mrekulli për njerëzimin dhe i strehuam rrëzë një kodre të qetë me burime uji." (Muminun, 50)

 

Isai a.s profet

Isai a.s nuk u obligua me misionin e pejgamberit veçse pasi mbushi tridhjetë vitet. Në këtë moshë, Zoti i lartësuar i shpalli Ungjillin dhe e zgjodhi profet. Atëherë ai filloi t'i ftojë njerëzit në adhurimin e një Zoti të vetëm.

"Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut." (Maide, 46)

Të gjithë interpretuesit e Kuranit janë të mendimit se Isait a.s iu shpall Ungjilli vetëm pasi kishte mbushur të tridhjetat.

Bashkë me Ungjillin, Isait a.s iu dhanë dhe disa mrekulli, si fakte se ishte i dërguari i Zotit tek Benu Israilët.

"dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e Izraelit" (Al Imran, 49)

Të gjithë profetët, dërgoheshin tek popujt e tyre. Vetëm profeti Muhamed a.s u dërgua për mbarë njerëzimin, madje edhe për xhindet. Siç thamë, Zoti e pajisi me disa mrekulli që faktonin profecinë e tij. Thotë Zoti në Kuran:

"...dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e Izraelit (të cilëve do t’u thotë): “Ju kam sjellë prova nga Zoti juaj (që vërtetojnë Profecinë time): bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të e me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrit e lindur dhe të lebrosurit dhe i ngjall të vdekurit me lejen e Allahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë ruani në shtëpitë tuaja. Sigurisht që te të gjitha këto ka prova për ju, nëse jeni besimtarë të vërtetë." (Al Imran, 49)

Isai a.s ishte i aftë që një statujë zogu prej balte t'i jepte jetë me lejen dhe vullnetin e Zotit. Po ashtu, ai mund t'i kthente shikimin një personi që kishte lindur i verbër. Ai shëronte lebrosët me një të prekur, sikur të mos kishin qenë të sëmurë. Veç këtyre mrekullive, Isai a.s dinte se çfarë kishte gatuar secili në shtëpinë e tij dhe çfarë ushqimesh kishin magazinuar. Mrekullia më e madhe që posedonte Isai a.s, ishte ngjallja e të vdekurve. Gjatë jetës së tij, ai ngjalli katër të vdekur.

"Dhe (kam ardhur te ju) për t’ju vërtetuar Teuratin, që është para meje dhe që t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. – Zoti ua kishte ndaluar disa ushqime Benu Israilëve si ndëshkim. Tashmë ishte koha që ky ndëshkim të anulohej - Ju kam sjellë një provë nga Zoti juaj, prandaj kijeni frikë Allahun dhe bindmuni! Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, andaj adhurojeni Atë. Kjo është rruga e drejtë!” (Al Imran, 50-51)

Megjithë këto mrekulli, Benu Israilët nuk e besonin si profet dhe të dërguar të Zotit dhe vazhdonin në kokëfortësinë e tyre. E çfarë mund të kërkonin më shumë se kaq si provë?!

"Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: “Kush janë ndihmuesit e mi në rrugën e Allahut?” nxënësit (e tij) u përgjigjën: “Ne jemi ndihmuesit e (fesë së) Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij)." (Al Imran, 52)

Ishin pikërisht nxënësit dhe shoqëruesit e Isait a.s ata që i premtuan ndihmë dhe mbështetje.

"O besimtarë, bëhuni ndihmësit e Allahut, ashtu siç u tha dishepujve Isai, i biri i Merjemes: “Kush janë ndihmësit e mi për çështjen e Allahut?” Dishepujt u përgjigjën: “Ne jemi ndihmësit e Allahut! Kështu, një pjesë nga bijtë e Izraelit e besoi, kurse pjesa tjetër e mohoi. Prandaj Ne i forcuam besimtarët kundër armikut të tyre dhe ata dolën ngadhënjimtarë.” (Saf, 14)

Numri i nxënësve dhe dishepujve të Isait a.s që e besuan ndërkohë që gjithë njerëzit e përgënjeshtruan, ishte dymbëdhjetë. Më vonë, siç ceket dhe në ajet, Zoti e bëri të triumfojë fenë e krishterë mbi atë hebraike.

Kurse disa interpretues të Kuranit thonë:"Pas Isait a.s, njerëzit u ndanë në tre grupe. Një grup thanë se Mesia ishte vetë Zoti. Një grup thanë se ai ishte biri i Zotit dhe grupi i tretë besuan se ishte profet dhe i dërguar i Zotit. Tek grupi i tretë hynin monoteistët e krishterë dhe atyre iu bashkëngjit umeti i Muhamed Mustafasë a.s. Ngadhënjimi që ceket në fund të ajetit të mësipërm është ngadhënjimi i umetit të Muhamedit a.s."

Edhe pse besuan në profecinë e Isait a.s, dishepujt kishin pasiguri dhe ishin të lëkundur. "dhe se si kur i urdhërova dishepujt: “Besomëni Mua dhe të Dërguarit Tim!” - ata u përgjigjën: “Ne besojmë, prandaj dëshmo se Ty të jemi dorëzuar!” (Maide, 111)

Edhe pse ishin besimtarë dhe e dëshmonin këtë para Isait a.s, ata vazhdonin të lëkundur, gjë e cila duket në kërkesën e çuditshme që i drejtuan Isait a.s. Thotë Zoti në Kuran:

"Kujto kur dishepujt thanë: “O Isa, i biri i Merjemes, a mundet Zoti yt të na zbresë një sofër prej qielli?” Ai tha: “Kini frikë Allahun, nëse jeni besimtarë të vërtetë!” – A akoma vazhdoni në mosbesim?! -“Ne dëshirojmë të hamë nga ajo – thanë ata –, me qëllim që të na qetësohen zemrat dhe ta dimë se na ke thënë të vërtetën dhe për atë të jemi dëshmitarë”. – Në një hadith, thuhet se Isai a.s u vesh me rroba leshi dhe iu përgjërua Zotit që ta zbresë këtë sofër sipas kërkesës së dishepujve - “O Allah, o Zoti ynë! – tha Isai, i biri i Merjemes – Zbritna një sofër nga qielli, që të jetë festë për ne, për të parin dhe të fundmin tonë dhe të jetë mrekulli prej Teje dhe na jep mirësi, se Ti je Dhuruesi më i mirë!”Allahu u përgjigj: “Unë do t’jua zbres sofrën. Por cilindo nga ju që nuk beson pas kësaj, do ta dënoj ashtu siç nuk kam dënuar askënd në botë”. (Maide, 111-116)

Zoti i paralajmëroi, se nëse sofra do të zbriste nga qielli dhe do kishte njerëz që nuk do të besonin dhe do të lëkundeshin, - ashtu siç kishte ngjarë më parë me popullin e Salihut – këta njerëz do të ndëshkoheshin si askush tjetër më parë. Kështu, sofra e kërkuar zbriti nga xheneti siç e kërkuan. Ajo u vendos mbi tokë dhe dishepujt hëngrën nga ushqimet e saj. Kjo bëri që të qëndrojnë në besim dhe të mos përgënjeshtrojnë. Vetëm njëri prej tyre do e tradhtojë Isain a.s, siç do ta shohim më pas.

Duke qenë se njerëzit i shihnin dhe i transmetonin mrekullitë e Isait a.s, murgjërit hebrenj u frikësuan se mos feja e tyre shuhet dhe vendin e saj e zë feja e Isait a.s. Ata do të humbnin njëkohësisht si pushtetin fetar, ashtu dhe atë politik. Kështu, ata thurën një komplot kundër Isait a.s, vajtën tek mbreti romak i asaj zone dhe filluan t'i flasin mbi Isain a.s. Ata i thanë se Isai a.s pretendon se është mbreti i çifutëve dhe se synon fronin e tij mbretëror. I frikësuar nga humbja e pushtetit, mbreti urdhëroi ushtarët ta gjenin Isain a.s ku të ishte dhe ta kryqëzonin. Asokohe ishte traditë që kushdo që dënohej me vdekje, mbërthehej me gozhda mbi një kryq dhe lihej të vdesë. Gozhdët i viheshin në dy duart, në kraharor dhe në dy këmbët. I dënuari vdiste brenda dy ditësh nga dita e kryqëzimit.

Diçka e tillë ndodhte tre vite pasi Zoti e kishte dërguar si profet tek hebrenjtë.

 

Ngritja e Isait a.s në qiell

Rrëfenjat izraelite lidhur me ngritjen e Isait a.s në qiell janë të panumërta. Nga transmetimet e sakta lidhur me këtë çështje, nuk kam gjetur veçse një transmetim Nesaiut sipas kritereve të imam Muslimit. Të gjithë rrëfenjat izraelite unë nuk i kam marrë për bazë, pasi është e vështirë të dallosh të vërtetën nga e shtrembëta. Lidhur me këtë çështje, jam mjaftuar me atë që transmeton Abdullah Ibnu Abasi i cili thotë:"Kur deshi Zoti ta ngrejë Isain në qiell, ai qëndroi mes dishepujve të tij në shtëpi, numri i të cilëve ishte dymbëdhjetë. Ai hyri mes tyre me flokët që i kullonin ujë dhe u tha:"Është njëri prej jush, që do të më përgënjeshtrojë dymbëdhjetë herë, pasi ka besuar." Pas pak u tha:"Cili prej jush pranon të marrë imazhin tim dhe të vritet në vendin tim? Ai që do e bëjë këtë, do të jetë përbri meje (në xhenet)." Në çast brofën më i riu ndër dishepujt, por Isai a.s e uli dhe nuk e pranoi për shkak të moshës. Isai a.s u drejtohet sërish dishepujve me fjalët:"Kush prej jush pranon të flijohet në vendin tim?" Të gjithë heshtën, përveç djaloshit të ri i cili tha:"Unë." Isai a.s i tha:"Ti do të jesh atëherë." dhe në çast djaloshit iu dha pamja e Isait a.s. Isai a.s u ngrit në qiell nëpërmjet baxhës së tavanit, ndërkohë që dishepujt e ndiqnin me sy. Kur erdhën ushtarët e mbretit, morën djaloshin që kishte pamjen e Isait a.s, e vranë dhe pastaj e kryqëzuan."

Ushtarët arrestuan dhe dishepujt, të cilët pranuan se ishin shokët dhe dishepujt e Isait a.s, përveç njërit që e mohoi këtë fakt. Ushtarët e lanë të lirë këtë person, por lajmet ishin të sigurta se edhe ai ishte dishepull i Isait a.s. Atëherë e arrestuan përsëri dhe ai u betua se nuk ishte dishepull i Isait a.s. Dëshmitarët vinin e shkonin me dëshmi se ai ishte dishepulli i Isait a.s. Kur dëgjoi për këtë, ai u arratis. Sa herë që e kapnin dhe hetonin, ai e mohonte faktin se kishte qenë dishepull. Kjo vazhdoi dymbëdhjetë herë.

Më vonë, hebrenjtë iu frikësuan trazirave që mund të ndodhnin nëse do të vazhdonin me persekutimin e të gjithë atyre që i kishin besuar Isait a.s, prandaj i lanë të qetë, me kusht që të mos e propagandojnë fenë. Kështu, dishepujt u detyruan të propagandojnë në fshehtësi. Krishterimi vazhdoi të përhapej në fshehtësi për dyqind e dyzet vite me radhë.

Krishterimi triumfoi vetëm kur u përqafua nga Kostandini, perandori romak. Ai u bë i krishterë, por arriti të fusë shumë paganizma të trashëguara nga feja e tij e parë. Për dyqind e dyzet vite, të krishterët jetuan në monoteizëm të pastër. Ishte Konstandini ai që e përzjeu krishterimin me paganizma dhe ishte ai që i zgjidhte murgjërit dhe peshkopët sipas interesit. Që atëherë krishterimi filloi devijimin.

Thotë Abdullah ibnu Abasi:"Të krishterët u ndanë në tre grupe: Njëri grup tha:"Mes nesh ishte vetë Zoti, i cili qëndroi sa deshi dhe u ngjit në qiell. – këta njihen si Jakobinjtë – Grupi i dytë thanë:"Mes nesh ishte biri i Zotit, i cili qëndroi sa deshi dhe u ngjit në qiell – Këta janë Nestorianët, të cilët përfaqësojnë shumicën e të krishterëve – Grupi i tretë thanë:"Mes nesh ishte robi i Zotit dhe i dërguari i Tij. Ai qëndroi sa deshi dhe pastaj Zoti e ngriti në qiell. – Këta janë myslimanët."

Edhe sot e kësaj dite, ekziston një sekt i krishterë të cilët quhen Unitarian, të cilët besojnë se Isai a.s (Jezusi) ishte profet dhe i dërguar i Zotit. Ata kanë kishat e tyre dhe Ungjillin i cili nuk përmban paganizma. Ky ungjill njihet me emrin Ungjilli i Barnapas. Gjatë qëndrimit tim në Amerikë, i kam parë vetë unitarianët dhe kishat e tyre. Veçse duhet të theksoj se numri i tyre është shumë i vogël.

Thotë Abdullah ibnu Abasi:"Dy grupet e para triumfuan mbi grupin e tretë dhe e mbytën zërin e tyre. Zëri i drejtë i islamit vazhdoi i mbytur, derisa Zoti dërgoi Muhamedin a.s. Ky është dhe interpretimi i ajetit:"Prandaj Ne i forcuam besimtarët kundër armikut të tyre dhe ata dolën ngadhënjimtarë.” (Saf, 14)

Thotë Zoti i lartësuar:"dhe për fjalët e tyre: “Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut”. Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, - pasi menduan se e vranë Isain a.s, u zbulua se njëri nga dishepujt mungonte. Ata thanë:"Nëse kemi vrarë Isain, ku është filan dishepull? Dhe nëse kemi vrarë dishepullin, ku është vetë Isai? - me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë. por, Allahu e ka ngritur pranë Vetes. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm." (Nisa, 158-159)

 

Ngritja në qiell e profetit Isa a.s, është shenjë e Ditës së Kiametit

Një ndodhi të tillë të pazakontë, Zoti i lartësuar e ka shënjestruar si sinjal i afrimit të Ditës së Kiametit. Thotë Zoti në Kuran mbi këtë fakt:"Në të vërtetë, Isai është shenjë e Orës (së Kiametit), në ardhjen e të cilës mos dyshoni kurrsesi. Pra, ndiqmëni mua, kjo është rruga e drejtë!" (Zuhruf, 61)

Kështu u ngrit në qielli profeti Isa a.s, i cili vazhdon të jetë i gjallë dhe vetëm pak kohë para se të ndodhë Kiameti do të kthehet sërish në tokë. Ai do të kthehet për të vrarë Dexhallin. Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi dhe Ebu Daudi:"Profetët janë vëllezër të një babai, i përkasin një feje dhe kanë nëna të ndryshme. Unë jam njeriu më i afërt me Isain birin e Merjemes, sepse mes tij dhe meje nuk ka asnjë profet tjetër. Ai do të kthehet dhe nëse e shihni, besojeni. Ai është as i gjatë dhe as i shkurtër, me fytyrë të bardhë që anon nga e skuqura, flokët i duken sikur i kullojnë ujë, edhe pse nuk i ka të lagura. Ai do të zbresë tek minarja e bardhë e xhamisë në Damask. Ai do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin, anulon taksat, shfuqizon të gjithë fetë përveç islamit. Në kohën e tij, Zoti do vrasë dhe Dexhallin. Toka do të përfshihet nga drejtësia, saqë devetë do të kullosin me luanët, lopët me tigrat dhe delet me ujqërit, kurse fëmijët do të luajnë me gjarpërinjtë pa e dëmtuar njëri-tjetrin. Ai do të qëndrojë në tokë për dyzet ditë, pastaj do të vdesë."

Siç thamë, Isai a.s nuk ka vdekur, por jeton i gjallë në qiell. Ai do të vdesë pas zbritjes në kohën e Dexhallit. Do të jenë myslimanët ata që do i falin xhenazen dhe do e varrosin.

"Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 33)

 

Isai a.s Ditën e Gjykimit

Ditën kur të gjithë njerëzit do të ringjallen, Zoti i lartësuar do i kërkojë Isait a.s sqarim mbi faktin që njerëzit e konsideronin atë si bir të Zotit. Kjo ceket në Kuran, ku Zoti i lartësuar thotë:

"Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut”?! Isai do të thotë: “Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat. Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë." (Maide, 116-117)

O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu - Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai. Pra, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij! Dhe mos thoni: “Tre zota”! Hiqni dorë, se është më mirë për ju! Allahu është vetëm një Zot - qoftë lavdëruar Ai! Ai është tepër i lartësuar për të pasur fëmijë. E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu mjafton për rregullimin e gjithësisë. Mesihu nuk do ta përbuzte kurrë që të ishte rob i Allahut, as edhe engjëjt më të afërm. Ata që e shpërfillin dhe e nënçmojnë me arrogancë adhurimin ndaj Tij, Allahu do t’i sjellë të gjithë para Vetes." (Nisa, 171-172)

Profeti Isa a.s ishte profet i nderuar, i cili u pasua nga profeti dhe i dërguari më i mirë i Zotit, nga vula e profetëve, Muhamed Mustafaja a.s.

E lusim Zotin ta pranojë këtë mund dhe ta shënojë në regjistrin e veprave tona të mira! E lusim Zotin që të ndjekim gjurmët e profetëve në ftesë, vepra, devocion dhe përkushtim! Paqa e Zotit qoftë mbi profetin Muhamed, profetët e tjerë dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre! Amin!!!

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free