Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Dashuria, çelësi i çdo dere të kyçur.

Me fqinjën time shumë vite më të madhe se unë, më lidh një miqësi e ngushtë, saqë ndonjëherë më duket si nëna ime. Edhe pse ajo është e moshuar dhe e shtyrë në moshë, ka një shpirt rinor të admirueshëm. Kurrë nuk i ndahet buzëqeshja nga fytyra, goja i nxjerr veç fjalë të ëmbla, fytyra i rrezaton dhe sytë i shkëlqejnë dritë. Ky fakt, më shtyu një ditë ta pyes mbi sekretin e këtij shpirti rinor, optimist dhe të dashur. Pasi më dhuroi një buzëqeshje miqësore, e cila buronte nga dëlirësia e zemrës së saj, ajo shtoi:”A më premton se nuk do ia tregosh kujt tjetër nëse të rrëfehem?”
Pasi ia dhashë fjalën se askush tjetër nuk do e mësojë, ajo filloi të më rrëfejë rreth jetës së saj.
“Para pesëdhjetë e kusur vitesh, sapo kisha lënë pas fëmijërinë dhe ndodhesha në ditët e para të adoleshencës time, siç e quani ju sot. Një ditë, teksa gjendesha në dhomën time duke luajtur me një vajzë fqinje, vjen nëna dhe më thotë se më kërkon babai për të biseduar diçka. Babai ka qenë burrë me autoritet dhe rrallë herë ndodhte që të bisedonte me ne fëmijët. Urdhrat dhe kërkesat e tij, na mbërrinin nëpërmjet nënës. Kështu, unë i kërkova ndjesë shoqes time dhe me vrap vajta tek dhoma ku qëndronte babai. Me të hyrë brenda, ai më kërkoi të vishem me rroba të përshtatshme, pasi kishin ardhur miq në shtëpi. Burrat që ishin në dhomën e miqve ishin daja im, vëllai im i madh dhe një burrë të cilin nuk e njihja, por me të cilin lidha kurorë atë ditë. Nuk kishte vend për pyetje dhe kundërshtime. Unë ula kokën dhe iu binda vullnetit të babait. Disa ditë më vonë, e pashë veten në familjen e tim shoqi. Ky kishte qenë fati im. Atje, e pashë veten thjesht një shërbëtore e bindur e tim shoqi. Peshën e rëndë që mbanin supet e mia të brishta, e lehtësonte disi dashuria që ndjeja për tim shoq. Por problemi më i madh ishte nëna e burrit, e cila nuk linte rast pa më kritikuar. Çfarëdo të bëja dhe sido ta bëja, nuk do i pëlqente. Ndoshta kishte të drejtë, pasi asokohe me të vërtetë që nuk dija si ti bëj punët e shtëpisë. Sa herë jam munduar t’ia ndryshoj mendjen dhe opinionin që kishte krijuar për mua, por ishte e pamundur. Atëherë fillova ti ankohem tim shoqi për mënyrën si më trajtonte nëna e tij, por as ai s’kishte ç’të bëjë, veçse më thoshte se është nëna e tij dhe se ishte detyra ime ta duroj. Tensionimi i marrëdhënieve mes nesh veç thellohej. E gjendur në pikë të hallit, fillova të orvatem ti shpëtoj pushtetit të saj, herë me fjalë, herë duke vepruar të kundërtën e asaj që urdhëronte. Tashmë ishin konsumuar të gjithë mundësitë për normalizim të marrëdhënieve dypalëshe. Sa herë që ia qaja hallin nënës time, ajo më këshillonte të jem e duruar, saqë fillova ta urrej dhe fjalën durim. Sakaq me babanë e kisha të pamundur ta hapja një bisedë të tillë. Nuk dija ç’të bëj që ti shpëtoj atij ankthi të tmerrshëm.
Një ditë ndodhesha me nënën time në Pazar, ditë të tilla ishin tepër të rralla. Një moment, shfrytëzova angazhimin e nënës për blerjen e disa gjërave dhe unë vetë vajta tek një farmaci barnash popullore. Farmacisti më njihte që kur kisha qenë e vogël. Atij ia qava problemin që kisha me vjehrrën dhe i kërkova të më jepte një helm që t’ia fus në ushqim. Pasi u mendua pak, farmacisti më tha:”A më premton se kjo do të mbetet sekret mes nesh dhe se do veprosh sipas këshillës time?” Unë i thashë:”Po, patjetër.”
Mandej, farmacisti hyri në një dhomë dhe që andej doli me një kuti në dorë. Duke ma drejtuar kutinë, më tha:”Kjo është ajo për të cilën ke nevojë. Çdo ditë, vendosi pak nga kjo lëndë në ushqim. Helmi do të depërtojë në trupin e vjehrrës tënde në mënyrë të përshkallëzuar dhe jo menjëherë. Ajo nuk duhet të vdesë përnjëherë, pasi kështu të gjithë do të dyshonin tek ti. Kështu do të detyrohesh ta pranosh fajin e për rrjedhojë do të demaskohem dhe unë, duke humbur gjithçka që kam ndërtuar me djersë. Prandaj, duhet të bësh kujdes që askush mos dyshojë tek ti. Për këtë, duhet të sillesh sa më mirë me vjehrrën tënde gjatë kësaj kohe, sikur të ishte nëna jote e vërtetë, madje sikur të ishte mbretëreshë në mundsh.”
Unë e falënderova farmacistin me gjithë zemër dhe u largova për në shtëpi. Isha e vendosur që do të zbatoja një për një këshillat e tij, me qëllim që vjehrra të vdesë dhe askush të mos dyshojë tek unë. Shejtani e kishte bërë punën e tij duke më bindur ta heq qafe personin që ma kishte nxirë jetën.
Ditët kalonin njëra pas tjetrës, muajt njëri pas tjetrit, ndërkohë që unë isha bërë shumë e dashur për vjehrrën. Askush tjetër nuk guxonte ti shërbejë vjehrrës time “të dashur” pasi më duhej ti vendos helmin në pjatën e saj. Kaluan gjashtë muaj dhe vjehrra ime jo që nuk vdiq, por dukej si mos mirë. 
Gjatë atyre muajve, kishin ndryshuar shumë gjëra mes nesh. Unë e kisha mbytur me falënderime dhe mirënjohje për gjithçka që kishte bërë për mua. Në çdo çast, unë manifestoja një bindje të verbër për gjithçka që më kërkonte ajo, gjë e cila ia kishte ndryshuar opinionin për mua. Tashmë ajo më trajtonte ndryshe, më donte më shumë se vajzën e vet dhe asnjëherë nuk dilte veçse me mua. Sa herë që më prezantonte me ndonjë të afërm, thoshte se kjo – për mua – ishte nusja më e mirë që një nënë mund të uronte për djalin e saj. Pak e nga pak, urrejtja dhe mllefi u mposhtën dhe u thyen nga dashuria e ndërsjellë. Tashmë pjatën e ushqimit ia ofroja pa lëndën helmuese. Por frika se mos sasia e helmit që i kisha dhënë më parë mund të ndikonte negativisht në shëndetin e saj, më pushtoi zemrën. Prandaj vajta tek farmacisti dhe i kërkova ndihmë që t’ia nxirrnim sërish helmin që i kishim dhënë, pasi më trajtonte si të isha vajza e saj. Përgjigja e farmacistit ishte shokuese, ishte si një gotë ujë e ftohtë në pikë të vapës. “Mos u shqetëso bija ime! Lënda që të dhashë nuk ishte veçse një qetësues për dhimbjet e pleqërisë. Helmi i vërtetë ishte në këndvështrimin tënd. Ti nuk e kishe pranuar si nënë dhe ajo u shndërrua në një armik. Sakaq, kur e trajtove me dashuri dhe butësi, ajo ta ktheu me të njëjtën monedhë. Kështu u largua helmi nga mendja dhe zemra jote. Vetëm me dashuri mund të hiqen helmet e jetës.”
Morali:
Motër e dashur dhe bashkëshorte e shtrenjtë! Sillu me njerëzit ashtu siç dëshiron të sillen ata me ty, sidomos me nënën e bashkëshortit! Ajo është nëna e personit që dashuron dhe me të cilin ke lidhur jetën. Nëse e dashuron bashkëshortin, duhet të duash dhe njerëzit që ai do dhe të gjithë ata që kanë lënë gjurmë në jetën e tij. Mos harro se nëna e tij është ajo që e solli në jetë bashkëshortin tënd. Kushdo që i do njerëzit, do të duhet prej tyre. Zoti dëshiron ti ndryshojë njerëzit e tjerë, nëpërmjet nesh. Mos harro, se një ditë edhe ti do ta shohësh veten vjehërr, prandaj mbill mirësinë ta korrësh atë! Kurrë mos e harro ajetin:”“Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Fussilet, 34)