Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Mrekullia sociale tek gjidhënia.

Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:"Kur t’i lini gratë të lira dhe ato të kenë plotësuar kohën e pritjes, mos i pengoni ato që të martohen përsëri me burrat e tyre, nëse merren vesh me të mirë. Kështu këshillohet çdokush prej jush që beson Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo është më e ndershme dhe më e virtytshme. Allahu di, kurse ju nuk dini." (Bekare, 232)

 

Gjatë kohës që pregatitesha për këtë temë – për mrekullitë sociale në gjidhënien natyrale – më ra në dorë një studim shumë i mirë për këtë temë. Përmbajtja e studimit ishte shumë e dobishme. Në të thuhej se nëna, gjatë kohës që e ushqen me qumështin e saj foshnjen, e puth në duar, këmbë, bark ose shpinë, merr nga trupi i fëmës disa lloje mikrobesh. Këto mikrobe, kalojnë nga goja e saj në stomak. E habitshme është se qumështi që prodhon nëna, përmban trupa që luftojnë mikrobet tek foshnja. Përzierja e ushqimit të nënës me mikrobet që merr nga fëmija, prodhojnë trupa mbrojtës të cilët gjenden në qumështin e nënës.

 

Vallë kush e bën gjithë këtë? A nuk është Zoti dhe Krijuesi i gjithçkaje?

 

Zoti i drejtohet Musait a.s dhe i thotë:"që të rritesh nën Syrin (kujdesin) Tim." (Taha, 39)

 

Çdo fëmijë që lind, është nën kujdesin dhe mbrojtjen e Zotit të madhëruar. Nëse ne si prindër do i respektonim urdhërat dhe porositë e Zotit, bereqetin do e shihnim të konkretizuar tek fëmijët tanë.

 

Dr. Zaglul Nexhar:"Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:"Nënat le t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet, për ata që duan t’ia plotësojnë dhënien e gjirit." (Bekare, 233)

 

Vallë përse përcaktohet periudha e ushqimit të fëmijës me qumësht gjiri vetëm për dy vite?

 

Shkenca moderne ka zbuluar se cipa e brendshme e stomakut të foshnjes, nuk është plotësisht e aftë për tretjen e ushqimit, veçse pas dy viteve të para. Nëse cipa e brendshme nuk është e gatshme, atëherë çfarëdo lloj qumështi apo ushqimi tjetër – përveç atij të nënës – arrin në gjak dhe shkakton formimin e disa trupave të cilat janë të dëmshëm. Këto trupa shkatërrojnë qelizat e insulinës në pankreas. Këto qeliza njihen me emrin beta dhe janë ato që merren me prodhimin e insulinës. Ato ndihmojnë trupin në tretjen e lëndëve sheqerore.

 

Kurani fisnik këshillon nënat që t'i ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht gjiri për dy vite të plotë. Qumështi i gjirit kur arrin në gjak nuk ndryshon asgjë dhe nuk shkakton asnjë dëm në trupin e foshnjes.

 

Qumështi i lopës apo çfarëdo ushqimi tjetër, përmban proteina të ndryshme nga ato të qumështit të nënës, dhe shkakton formimin e trupave të huaj, të cilët shkatërrojnë qelizat e insulinës në mëlçi. Sëmundjet e shkaktuara nga kjo, janë të lodhshme dhe dërmuese për të rriturit, e jo më për një foshnje.

 

Duke pasur parasysh këto pasoja, Zoti i këshillon nënat dhe prindërit që periudha e ushqimit të foshnjeve me qumësht gjiri, të jetë për dy vite. Kjo nuk është obligative, por është më e mira për shëndetin e foshnjeve. Nëse prindërit e ushqejnë fëmijën me fruta para se të mbushë dy vjeç dhe shohin që ai nuk i vjell dhe nuk i shkaktojnë dhimbje, nuk prish punë që të ushqehet edhe me gjëra të tjera. Ky është tregues që pjesa e brendshme e stomakut është përshtatur për tretjen e ushqimeve të ndryshme.

 

Qumështi i lopës, nuk është i dëmshëm për fëmijën pasi të ketë mbushur dy vjeç, ndërkohë që më parë po."

 

 

 

Prof. Xhasim El-mutava:"Natyra e jetës moderne që jetojmë, na është imponuar edhe me shumë gjëra negative. Këtu hyn edhe pamundësia e foshnjeve për t'u ushqyer për dy vite me qumështin e gjirit të nënës. Sot, nëna është e detyruar të dalë në punë dhe t'a lërë foshnjen që ka për gjiri në çerdhe ose tek prindërit.

 

Nëse do të mendonim sipas llogjikës ekonomike, shoqërore dhe edukative, si foshnja ashtu dhe nëna, janë të humbur dhe të dëmtuar nga një jetë e tillë.

 

Për llogari të punës dhe aktivitetit të përditshëm, ne humbasim fëmijët dhe çojmë dëm edukimin e tyre. Për llogari të tregut të punës neglizhojmë shëndetin e fëmijëve tanë dhe edukimin e tyre.

 

Ne nuk jemi kundër punës së femrës, por jemi kundër asaj që jetën t'a menaxhojmë në rrugë të gabuar. Ne jemi kundër asaj që të humbasim dhe të çojmë dëm fëmijët, edukimin dhe psikologjinë e tyre.

 

Edhe dizenjimi i shtëpive tona është shumë i mbyllur. Gjelbërimi mungon dhe hapësirat janë shumë të kufizuara. Shtëpitë arabe, më parë ishin të gjera, me oborr të madh, ku dielli depërtonte brenda, duke ndriçuar çdo cep. Në disa shtëpi, kishte edhe shatërvanë në oborr, me qëllim që të krijohej një ambjent sa më natyral. E gjithë kjo ndikon drejtpërdrejt në psikologjinë dhe shëndetin e njeriut.

 

Para disa ditësh, një nga të afërmit e mi bëri disa analiza. Doktori i tha se kishte mungesë të vitaminës D dhe për këtë duhej të marrë vitamina D gjatë gjithë jetës. Kur e pyeti mbi faktorin që e shkaktonte mungesën e kësaj vitamine, doktori i tha:"Qëndrimi brenda në shtëpi, dhe mos ekspozimi ndaj rezeve të diellit.

 

Shumicën e kohës ne e kalojmë në ambjente të mbyllura, para kompjuterit ose televizionit, duke mos marrë rezet e duhura të diellit. Ne nuk shohim as ajër të pastër, as gjelbërim dhe as ujë të freskët.

 

Sot, hotelet më të shtrenjta – ato me shtatë yje – janë ndërtuar në shktretëtirë. Kjo, me qëllim që njeriut t'i jepet mundësia t'a ndjejë diellin dhe ajrin e freskët. Ne sot kemi nevojë t'i kthehemi natyrales. Po ashtu, islami kërkon që nëna të ulet me fëmijët e saj, t'i ushqejë me qumështin e gjirit kur janë të vegjël dhe të përkujdeset për edukimin e tyre.

 

 

 

Dr. Zaglul Nexhar:"Ajo që sapo thatë ju është e vërtetë. Të ushqyerit e fëmijëve me qumësht lope, dhie apo qumësht pluhur e dëmton rëndë shëndetin e fëmijëve. Kjo, pasi aparati i tij tretës është i pazhvilluar mirë. Disa enë gjaku të stomakut janë të zbuluara dhe e thithin qumështin, duke qarkulluar bashkë me gjakun. Duke qenë se qumështi industrial është i huaj për trupin dhe për vetitë e trashëguara nga prindërit e tij, shkakton formimin e disa trupave të huaj. Këto trupa shkaktojnë sëmundje dhe dëmtojnë rëndë shëndetin e foshnjeve. E gjitha kjo, për shkak të qumështit industrial.

 

Nëse do i përmbaheshim urdhërave do të kishim fëmijë të shëndetshëm dhe pakomplekse psikologjikë, të cilët ia vështirësojnë bashkëjetesën me të tjerët në paqe. Edhe pse nuk është vërtetuar shkencërisht, disa përbërës të qumështit të lopës apo qumështit artificial, mund të ndikojnë në psikologjinë e fëmijës duke e bërë atë më nevrik, të ndjeshëm dhe inatçor.

 

 

 

Prof. Xhasim El-mutava:"Kurani fisnik është mrekulli i gjithi, ashtu siç janë edhe hadithet dhe thëniet e profetit Muhamed a.s.

 

Prej nesh kërkohet që t'i kushtojmë më shumë vëmendje mrekullisë së ushqimit të fëmijës me qumështin e nënës. Përveç dobive të qumështit të nënës, mrekulli më vete është edhe periudha e ushqimit me qumësht gjiri e caktuar nga Kurani, e cila është dy vite. Për një fëmijë që ushqehet me qumështin e nënës së tij për dy vite, jeton i ngjitur me të dhe ndjen aromën e saj, është një trajnim i veçantë për vitet e ardhshme të jetës.

 

Një nga miqtë e mi të moshuar tashmë – pasi është gjysh -, kur vajta t'a vizitoj dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, e  gjeta në Qabe bashkë me fëmijët dhe nipërit. Ai më tregoi se që prej tridhejtë e gjashtë vitesh, i mblidhte fëmijët dhe nipërit dhe kalonin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit në atë vend të bekuar.

 

Kur unë e pyeta mbi shkakun përse e bënte këtë, më tha:"Kjo është edukatë më vete. Duke qëndruar për dhjetë ditë bashkë në Qabe, kjo do i bëjë t'a duan këtë vend, ashtu siç do të duan njëri-tjetrin."

 

Veç kësaj, ai ua kishte lënë amanet që edhe pas vdekjes së tij, të mos e harronin një traditë të tillë.

 

Fëmija e ka të nevojshme edukimin që në ditët e tij të para, ku hyn dhe ushqimi me qumështin e gjirit. Ai ka nevojë për dikë që t'a udhëzojë dhe orientojë drejt më të mirës.

 

Fëmija e fillon jetën e tij mbi tokë, me përqafimet, qumështin e  gjirit dhe përkëdheljet e nënës. Më pas vazhdon me edukimin dhe përkujdesjen. Ai vazhdon nga një përkujdesje në tjetrën, derisa të kalojë në përkujdesjen përfundimtare të Zotit, në namaz, agjërim, vepra të mira etj...

 

Duke edukuar fëmijët tanë, ne lëmë gjurmët tona në këtë jetë. Nëna ka munddësinë t'i ofrojë fëmijës së saj një edukatë të mirë, duke e ushqyer me qumështin e saj, duke e edukuar me metodat më bashkëkohore dhe të dobishme, duke e mbrojtur nga rreziqet etj...

 

 

 

Dr. Zaglul Nexhar:"Gjatë dy viteve të para, shumë nga organet e fëmijës nuk janë zhvilluar siç duhet. P.sh, dy veshkat nuk janë formuar plotësisht. Gjatë kësaj kohe fëmija nuk mund të hajë mish të gatuar dhe gjëra që han i rrituri, pasi këto ushqime rrezikojnë shëndetin e tij.

 

Prandaj, është më mirë dhe më e dobishme për fëmijën që të ushqehet me qumështin e gjirit të nënës së tij, derisa të mbushë dy vjeç. Kur prindërit e kuptojnë që fëmija është i gatshëm të ushqehet dhe me disa lloje frutash dhe zarzavatesh pa u rrezikuar shëndeti i tij, mund t'a bëjnë këtë."

 

 

 

Prof. Xhasim El-mutava:"Një kriminel, kur u çua për t'u ekzekutuar, u pyet nëse kishte ndonjë dëshirë për t'ia plotësuar. Ai kërkoi t'i sillnin nënën pasi dëshironte të ndahej me të. Kur ia sollën nënën dhe u përqafua me të, kërkoi dhe diçka tjetër. Ai kërkoi që të puthë gjuhën e nënës. Kur e lejuan dhe këtë, ai në vend që t'a puthë ia kafshoi dhe ia këputi nënës gjuhën. Kur e pyetën përse ia këputi gjuhën, ai u tha:"Sepse ajo gjuhë nuk më ka ndaluar nga veprat e turpshme dhe të liga kur isha i vogël. Kështu, u bëra kriminel."

 

 

 

Dr. Zaglul Nexhar:"Është mrekulli e Kuranit që thekson se ushqimi me qumështin e nënës duhet të zgjasë për dy vite. Ashtu siç përmend se shtatzania dhe ushqimi me qumshtin e gjirit zgjat për tridhjetë muaj. Është fakt shkencor që shtatzania që zgjat gjashtë muaj rrezikohet të dështojë. Më parë, mendohej se është e pamundur të lindë fëmija më pak se nëntë muaj. Kurani e përmend një fakt të tillë, ashtu siç edhe shkenca. Nëse një fëmijë lind gjashtëmuajsh dhe për të tregohet kujdesi i duhur mjekësor, mund të jetojë.

 

Duke qenë se Kurani thotë se ushqimi me gji dhe shtatzania zgjasin tridhjetë muaj, ky është tregues se Kurani e ka përmendur se shtatzania më e shkurtër është ajo gjashtë muaj."

 

 

 

Prof. Xhasim El-mutava:"Prezenca e nënës është thelbësore në jetën e fëmijës dhe është shkolla ku ai edukohet. Sa më shumë t'i kushtojë rëndësi edukimit të fëmijëve, aq më të ndershëm dhe të aftë do të bëhen ato.

 

Institucioni i gjidhënies, është një shkollë nga e cila fëmija del i mirëedukuar dhe i ndershëm.

 

Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!