Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Muhamedi a.s

I tërë falenderimi i takon Allahut, Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin më të zgjedhur, mbi Pejgamberin tonë Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij, pastaj:

Benu Israilët u përçanë. Bënë ndryshime në akiden dhe sheriatin e tyre, kështuqë e vërteta u fshi dhe u shfaqë e kota, u përhapë zullumi dhe e keqja.

Ummeti kishte nevojë për një fe e cila do përkrahte të vërteten, ta fshinte të kotën dhe t'i udhëzojë njerëzit në rrugën e drejtë.

 

Atëherë, Allahu i Madhëruar dërgoi Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem, siç thotë Allahu i Lartësuar: " Ne nuk të shpallëm ty për tjetër Kur'anin, vetëm që t'u sqarosh atyre atë për çka u përçanë, e (ta zbritëm) që të jetë udhëzim e mëshirë për njerëzit që besojnë " (en-Nahl:64).

Të gjithë Pejgamberët Allahu i Lartësuar i dërgoi për të thirrur në adhurimin e Allahut Një, për t'i nxjerrur njerëzit nga errësirat në dritë. I pari i tyre ishte Nuhi alejhis selam e i fundit Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Thotë Allahu azze ve xhel-le: " Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t'u thonë: "Adhuroni vetëm All-llahun, e largonu tagutëve (adhurimit të tyre)!" (en-Nahl: 36)

Pejgamberi i fundit është Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, pas tij nuk ka Pejgamber. Allahu subhanehu ve teala thotë: " Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i All-llahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve " (el-Ahzab: 40).

Çdo Pejgamber dërgohej vetëm tek populli i tij, ndërsa Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem Allahu e dërgoi tek të gjithë njerëzit, siç thotë Allahu subahenu ve teala: " Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë " (Sebe': 28).

Allahu subhanehu ve teala të Dërguarit të Tij i ka zbritur Kur'anin me të cilin udhëzon njerëzit dhe me urdhërin e Zotit të tyre i nxjerr ata nga errësirat në dritë, Allahu subhanehu ve teala thotë: " (ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty që me urdhërin e Zotit t'i nxjerrësh njerëzit prej errësirave në dritë; (t'i nxjerrësh prej errësirës) në rrugë të Fuqiplotit, të Falënderuarit " (Ibrahim: 1).

I Dërguari i Allahut Muhammed bin Abdullah bin Abdul Mutalib el-Hashimij el-Kureshij ka lindur në Mekke vitin e elefantit, vit në të cilin ata kishin ardhur për ta rrënuar Qaben e Allahu subhanehu ve teala i shkatrroi ata. Babai i tij vdiq duke e lënë atë në barkën e nënës së tij. Kur lindi Muhammedi, atij i dha gji Halimeja nga fisi Saad. Pastaj së bashku me nënën e tij Amina bintu Vehb vizitoi dajët e tij në Medine, e duke u kthyer për në Mekke i vdes nëna në vendin e quajtur Ebva e ai kishte gjashtë vite. Nën përkujdesje e mori gjyshi i tij Abdul Mutalib e kur vdiq ai Muhammedi kishte tetë vite, e pas tij për të kujdeset xhaxhai i tij Ebu Talib i cili e ruante, e nderonte dhe e mbrojti për më shumë se dyzet vite. Ebu Talibi vdiq dhe nuk  besoi  në fenë e Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem nga frika se mos e akuzojnë kurejshet se ka ndrruar fenë e baballarëve.

Në vegjëlin e tij, Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ua ruante delet banorëve të Mekkes, pastaj shkon në Sham për tregtinë e Hadixhës bint Huvejlid dhe tregtia pati sukses e Hadixhen e mahniti morali, besnikëria dhe amaneti tij, andaj Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u martua me të duke qënë në moshën njezët e pesë vjeçare kurse ajo në moshën dyzet vjeçare dhe nuk u martua me ndonjë tjetër derisa ajo vdiq.

Allahu subhanehu ve teala e mbiu Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem një bimë të mirë, e rriti me një edukatë të mirë e të plotë dhe e mësoi saqë ishte më i miri ndër popullin e tij në pamje dhe moral, me edukatën e tij ua kalonte të gjithëve, poashtu ishte i butë dhe i drejtë në fjalë dhe mbante amanetin, derisa populli i tij e qujatën "el-Emin" Besniku.

Pastaj iu dashurua vetmia, vetmohej në shpellën Hira me ditë dhe netë dukë adhuruar Zotin e tij dhe duke e lutur Atë. Gjithmonë urrente idhujt, alkoolin dhe punët e fëlliqura, atyre siu kishte afruar asnjëherë në jetën e tij.

Kur Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem mbushi tridhjetë e pesë vjet, mori pjesë së bashku me kurejshët në ndërtimin e Qabës të cilën e kishin rrënuar ujërat. Pasiqë u grindën për vënien e gurit të zi, atë e bënë gjykatës në atë çështje. Ai kërkoi një rrobë, e vuri gurin në të, pastaj urdhëroi prijësit e fiseve që ta kapnin rrobën për skajet e saj dhe së bashku e ngritën atë e pastaj Muhammedi e mori atë dhe e vendosi në vendin e tij dhe në të u ndërtua. Të gjihtë ishin të kënaqur dhe grindja mbaroi.

Populli i injorancës kishin disa cilësi të lavdëruara si: bujaria, zbatimi i pemtimit dhe trimëria. Kishte mbetur tek ta diç nga feja e Ibrahimit alejhis selam si: respektimi i Qabës, tavvafi rreth saj, Haxhi, Umreja, dhurimi i kurbanave, e në anën tjetër kishin disa cilësi të ulëta si: prostitucioni, pirja e alkoolit, ngrënia e kamatës, mbytja e vajzave, padrejtësia dhe adhurimi i idhujve.

I pari që ndërroi fenë e Ibrahimit dhe ftoi në adhurimin e idhujve ishte Amër bin Luhaj el-Khuzaij. Ai solli këta idhuj në Mekke dhe jashtë saj dhe i ftoi njerëzit t'i adhurojnë ato, prej tyre: Vedd, Suva, Jeguth, Jeuka dhe Nesr.

Pas kësaj, arabët morën idhuj të tjerë, si: idhulli i quajtur Menat në Kadid, Lati ishte në Taif, Uzza në Vadi Nakhle (lugina e hurmave), Hubel brenda Qabës, dhe idhuj përreth Qabës dhe nëpër shtëpitë e tyre. Njerëzit gjykoheshin tek falltorët dhe magjistarët.

Pasiqë shirku dhe e keqja u përhapën në këtë masë, Allahu subhanehu ve teala dërgoi Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem në moshën dyzet vjeqare duke thirrur njerëzit në adhurimin e Allahut të Vetmit dhe braktisjen e idhujve. Kurejshët se pranuan dhe thanë: " A mendon ai t'i bëjë zotat Një Zot? Vërtet, kjo është gjë shumë e çuditshme! " (Sad: 5).

Këta idhuj vazhduan të adhurohen përpos Allahut, derisa Allahu subhanehu ve teala dërgoi Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem me tevhid (besim në një Zot) e i thejë dhe i shkatrroi ato ai së bashku me shokët e tij dhe doli në sheshë e vërteta dhe u zhdukë e kota: " Dhe thuaj: "Erdhi e vërteta e u zhduk e kota". Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur " (el-Isra: 81).

Shpallja së pari filloi t'i zbritë Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem në shpellën Hira ku bënte adhurim, ku i erdhi Xhibrili alejhis selam dhe e urdhëroi të lexojë. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha se nuk di të lexoj, e ai ia përsëriti këtë derisa herën e tretë i tha: " Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari!" (el-Alek: 1,2,3).

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u kthye e zemra e tij dridhej. Hyri tek gruaja e tij Hadixheja dhe e lajmëroi çfarë kishte ngjarë dhe i tha se u frikësova për vetën time. Ajo e qëtësoi dhe tha: " Pasha Allahun, nuk ka për të poshtëruar Allahu asnjëherë sepse ti mban lidhjet farefisnore, përmban lodhjen, mirëpret musafirin, i jep atij së nuk ka dhe ndihmon në raste të vështira " pastaj shkoi me të tek djali i axhës së saj Vereka bin Neufel i cili kishte pranuar krishterimin. Pasi ia tregoi atij ngjarjen, ai e përgëzoi dhe i tha se kjo që të ka zbritur ty i ka zbritur edhe Musait alejhis selam, dhe e porositi me durim kur ta mundojë populli i tij dhe ta nxjerrin prej vendit.

Shpallja për një kohë u ndalë e Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u mërzitë. Një ditë derisa po ecte kur, pa Melekun edhe një herë mes qiellit dhe tokës. U kthye në shtëpi dhe u mbulua. Allahu i zbriti atij: " O ti i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrur) " (el-Mudeth-thir: 1,2). Pas kësaj shpallja i vinte Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem rregullishtë.

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem qëndroi trembdhjetë vite në Mekke duke thirrur në adhurimin e Allahut të Vetmit, në fillim fshehtas e pastaj haptazi pasi Allahu e urdhëroi ta publikoi haptas të vërtetën. Ai i thirri ata me një metodë të butë duke mos përdorur luftën. Në fillim thirri të afërmit e tij e pastaj popullin e tij, pastaj ata përreth tyre, pastaj arabët në përgjithësi e pastaj gjithë botën. Pastaj Allahu subhanehu ve teala tha: " Publiko haptas atë për të cilën urdhërohesh, e hiqu idhujtarëve " (el-Hixhr: 94).

Pejgamberit i besuan një pakicë nga pasanikët, njerëzit autoritativë, të shtypurëve, të varfërve dhe robërve; burra e gra. Të gjithë u torturuan në fenë e tyre, disa u dënuan e disa u vranë, disa emigruan në Abisini duke i ikur mundimeve të kurejsheve, edhe vet Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u torturua dhe bëri durim derisa Allahu subhanehu ve teala e shfaqi fenë e Tij.

Kur Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem mbushi pesëdhjetë  dhe kaluan dhjetë vite nga fillimi i shpalljes, i vdes xhaxhai i tij Ebu Talibi i cili e mbronte nga Kurejshët, e pas tij vdes edhe gruaja e tij Hadixheja e cila e qetësonte. Atëherë sprovat nga populli i tij filluan, iu vërsulen atij dhe e munduan në forma të ndryshme, e ai bënte durim dhe llogariste në shpërblimin e Allahut, Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.

Pasi sprova u shtua dhe kurejshët e sulmuan, shkoi në Taif dhe thirri popullin e saj në islam. Ata nuk iu përgjigjën, përkundrazi e munduan dhe e gjuajtën me gurë derisa këmbët e tij rrodhën gjakë. U kthye prapë në Mekke dhe vazhdojë t'i thërras njerëzit në islam gjatë kohës së Haxhit dhe jashtë tij.

Pastaj Allahu subhanehu ve teala e barti gjatë natës nga Mesxhid el-Haram deri në Mesxhid el-Aksa hipur në Burak nën shoqërimin e Xhibrilit. Zbriti dhe ua fali namazin Pejgamberëve e pastaj u ngritë në qiellin e dunjasë ku pa Ademin alejhis selam, shpirtërat e gëzuar në të djathtë të tij e ata të këqinjtë në të majtë, pastaj u ngritë në qiellin e dytë dhe aty pa Isain dhe Jahjan alejhimes selam, pastaj në të tretin dhe pa Jusufin alejhis selam, pastaj në të katërtin dhe pa Idrisin alejhis selam, pastaj në të pestin dhe pa Harunin alejhis selam, pastaj në të gjashtin dhe pa Musain alejhis selam, pastaj në të shtatin dhe pa Ibrahimin alejhis selam, e pastaj u ngritë në Sidretul Munteha dhe i foli Zoti i tij, e nderoi dhe ia bëri obligim atij dhe ummetit të tij pesëdhjetë namaze gjatë natës dhe ditës, pastaj i liroi deri në pesë në vepër kurse pesëdhjetë në shpërblim. Kështuqë namazi mbeti pesë kohë gjatë natës dhe ditës si nderim nga ana e Allahut për ummetin e Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

Pastaj u kthye në Mekke para mëngjesit dhe u tregoi atyre se çfarë i kishte ngjarë, besimtarët i besuan e jobesimtarët e përgenjështruan: " Pa të meta është Lartëmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), pamësi (i punëve të Muhammedit) " (el-isra:1).

Pastaj Allahu i Lartësuar ia bëri Pejgamberit të Tij sal-lallahu alejhi ve sel-lem kush do t'i ndihmojë, kështuqë sezonin e Haxhit u takua me një grupë nga fisi Hazrexh i Medinës. Ata pranuan islamin dhe u kthyen në Medine dhe atje përhapën islamin. Vitin e ardhshëm erdhën më shumë se dhjetë vetë me të cilët u takua Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Kur u larguan, atyre u dha Musab ibn Umejrin që tua lexojë Kur'anin dhe tua mësoj islamin. Në duartë e tij pranuan islamin shumë njerëzë, ndër ta prijësit e fisit Evs: Saad bin Muadh dhe Usejd bin Hadir.

Vitin e ardhshëm në sezonin e Haxhit dolën më shumë se shtatëdhjetë burra nga fisi Evs dhe Hazrexh. E ftuan Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem në Medine pasiqë e braktisën dhe e munduan populli i Mekkes. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u premtoi të takohen në njëren nga netët e teshrikut tek el-akabe. Pasi kaloi një e treta e natës, dolën për tu takuar dhe gjetën Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem e më të ishte axha i tij Abbasi i cili ende skishte besuar vetëmse deshi të prezentoj në çështjen e birit të vëllait. Atëherë foli Abbasi, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe ata me fjalë të mira. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u dha besën të emigroi tek ta në Medine me kusht që ta ruajnë, ta ndihmojnë dhe ta mbrojnë, e për ta do të jetë xhenneti. Ata ia dhanë besën një nga një, pastaj u larguan. Kurejshët kishin marrë veshë për ta dhe dolën t'i kërkojnë, mirëpo Allahu i shpëtoi prej tyre.

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem mbeti në Mekke edhe për ca kohë : " E All-llahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se All-llahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues " ( el-Haxhxh: 40 ).

Pastaj Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem i urdhëroi shokët tij të shpërnguleshin në Medine. Ata u shpërngulën grupe-grupe përveq atyre që i penguan kurejshët. Në Mekke nuk mbeti prej muslimanëve përpos Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, Ebu Bekrit dhe Aliut. Kur kurejshët morën vesh për shpërnguljen e shokëve të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem në Medine, patën frikë se mos po iu bashkangjitet edhe ai atyre dhe rregullohet çështja e tij. Planifikuan ta vrasin Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem e Xhibrili e njoftoi pët këtë. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem urdhëroi Alian radijallahu anhu që të qëndrojë në vendin e tij dhe tua kthej amanetet që ishin tek Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem pronarëve të tyre. Idhujtarët qëndruan tek dera e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem që ta vrasin kur të del. Ai doli përmes tyre dhe shkoi tek Ebu Bekri radijallahu anhu pasi Allahu e shpëtoi nga kurthi i tyre. Për këtë Allahu zbriti ajetin: " Përkujto (o i dërguar) kur ata që nuk besuan thurnin kundër teje; të ngujojnë, të mbysin ose të dëbojnë. Ata bënin plane, e All-llahu i asgjësonte, se All-llahu është më i miri që asgjëson (dredhitë)" (el-Enfalë: 30).

Pastaj i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem vendosi të shpërngulej. Doli së bashku me Ebu Bekrin në shpellën Theur dhe qëndruan aty tri netë. Mori me pagesë Abdullah bin Ubej Erikat i cili ishte idhujtarë për tua treguar rrugën, atij ia dorëzuan devetë e tyre. Kurejshët nga ajo që ngjante vetëm silleshin dhe i kërkonin ata dy në çdo vend, mirëpo Allahu subhanehu ve teala e ruajti të Dërguarin e Tij. Kur u ndalë kërkimi i tyre, u nisën për Medine. Pasi kurejshët humbën shpresën në gjetjën e atyre dyve, atëherë shpallën shpërblim dyqind deve për atë që i sjellë ata apo njërin prej tyre. Njerëzit filluan t'i kërkonin. Rrugës për në Medine i hetoi Suraka bin Malik i cili ishte idhujtarë dhe deshti t'i kapë e Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem bëri dua ndaj tij dhe këmbët e kalit të tij sharruan në tokë. Atëherë e mori vesh se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem është i mbrojtur. Kërkoi nga ai që të lutej për të dhe nuk do ta dëmtonte. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u lutë për të e ai u kthye dhe i kthej njerëzit nga ata dy, e pas çlirimit të Mekkes u bë musliman.

Kur Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem arriti në Medine, muslimanët morën tekbir nga gëzimi i ardhjes së tij, atë e pritën burrat, gratë dhe fëmijët të lumturë e të gëzuar. Fillimishtë u ndal në el-Kuba dhe së bashku me muslimanët ndërtuan xhaminë dhe aty qëndroi më shumë se dhjetë netë. Ditën e premte xhuman e fali në telk fisi Beni Salim bin Auf, e pastaj i hipi devesë së tij dhe hyri në Medine e njerëzit përreth tij kapnin frenat e devesë që të ndalej tek ta, e Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u thoshte: Lërëni se ajo është e urdhëruar. Ajo eci derisa u ndalë në vendin e xhamisë së tij që është sot.

Allahu ia bëri të ndalej tek dajët e tij afër xhamisë dhe banoi në shtëpinë e Ebu Ejjub el-Ensarij, e pastaj urdhëroi që dikush t'i sillte nga Mekkeja familjen dhe vajzat si dhe familjen e Ebu Bekrit, dhe ata erdhën në Medine.

Pastaj Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem bashkë me shokët e tij filloi ndërtimin e xhamisë në vendin ku ishte ndalur deveja dhe anën e kibles e bëri nga Bejtul Makdis. Shtyllat e xhamisë i bëri nga trupat e hurmave ndërsa tavanin nga fletët e hurmave, e pastaj kibla u kthye kah Qabja pas disa muajsh së ardhjes së tij në Medine.

Pastaj, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem i vllazëroi mes vete Muhaxhirët (të ardhurit nga Mekka) dhe Ensarët (banorët e Medines). Bëri paqe me Jehudët dhe shkroi një dokument mes tij dhe atyre për paqe dhe mbrojtje të Medinës. Abdullah bin Selam që ishte rabinë i jehudëve pranoi islamin kurse të tjerët kurse të tjerët mbetën në kufër. Në këtë vit Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u martua me Aishen radijallahu anha.

Në vitin e dytë u vendosë ezani dhe Allahu e kthei kiblen kah Qabja dhe u bë obligim agjërimi i Ramazanit. Pasiqë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u stabilizua në Medine dhe pasi Allahu e ndihmoi me fitoren e tij, dhe rreth tij u mblodhën Muhaxhirët dhe Ensarët, atëherë e gjuajtën idhujtarët. Jehudët dhe idhujtarët me një harkë e munduan, shpifën ndaj tij dhe i shpallën luftë, e Allahu e urdhëronte me durim dhe falje, e pasiqë zullumi dhe sherri i tyre u shtuan atëherë Allahu u lejoi muslimanëve luftën. Zbriti Fjala e Allahut: " Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtë, e All-llahu ka fuqi për t'u ndihmuar atyre (muslimanëve) " (el-Haxhxh: 39).

Pastaj Allahu ua bëri obligim luftimin e atyre që i luftojnë: " Dhe luftoni në rrugën e All-llahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën) " (el-Bekare: 190).

Pastaj ua bëri obligim luftimin e idhujatrëve në përgjithësi: " Luftoni të gjithë idhujtarët pa dallim, siç ju luftojnë ata juve pa dallim " (et-Tevbe: 36).

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe shokët e tij u ngritën për të thirrur në Allahun, për xhihad në rrugën e Allahut, shkatrrimin e kurthëve të jobesimtarëve dhe për ta larguar zullumin prej atyre që u bëhëj zullum, e Allahu e ndihmoi derisa e gjithë feja u bë vetëm për Allahun. I luftojë idhujtarët në Bedr vitin e dytë të hixhretit në muajin Ramazan dhe Allahu e ndihmoi ndaj tyre dhe i shpërndau grupet e tyre. Në vitin e tretë jehudët e fisit Benu Kajnukaë prishën marrveshjën dhe vranë një nga muslimanët, e Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem i largoi nga Medineja për në Sham. Pastaj kurejshët kërkuan hakmarrje për të vrarët e tyre në Bedr, kështuqë ushtria e tyre u pozicionua në Uhud në muajin Shevval të vitit të tretë. U zhvillua beteja dhe gjuajtësit kundërshtuan urdhërin e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem kështuqë fitorja nuk u takoi muslimanëve. Idhujtarët u kthyen në Mekke dhe nuk hynë në Medine.

Pastaj jehudët e fisit Benu Nadir thyen marrveshjen dhe deshën ta vrasin Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem duke ia hedhur një gurë përmbi, por Allahu e shpëtoi. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem i rrethoi në vitin e katërtë dhe i largoi në Hajber.

Në vitin e pestë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem luftoi fisin Benu Mustalik për tiu përgjigjur armiqësisë së tyre, ngadhnjeu nda tyre dhe fitoi pasuri dhe robëresha. Pas kësaj liderët jehudë vrapuan për t'i tubuar aleatët kundër muslimanëve për t'i asgjësuar muslimanët në pragun e tyre. Rreth Medines u tubuan idhujtarët, ahbashët dhe fisi Gatafan i jehudëve, mirëpo Allahu ua asgjësoi kurthën e tyre dhe e ndihmoi të Dërguarin e Tij dhe besimatrët: " Dhe All-llahu i zbrapsi ata që nuk besuan me atë mllefin e tyre, duke mos arritur kurrnjë të mirë. Dhe All-llahu ua largoi luftën besimtarëve. All-llahu është i fuqishëm, ngadhënjyes " (el-Ahzab: 25).

Pastaj Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem rrethoi jehudët e fisit Beni Kurejdha për shkak të tradhëtisë së tyre dhe thyerjes së marrëveshjes. Allahu e ndihmoi ndaj tyre, burrat u vranë, pasardhësit u bënë robë dhe pasuria plaçkë.

Në vitin e gjashtë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem vendosi ta vizitojë Shtëpinë e Shenjtë dhe të sillet rreth saj mirëpo e ndaluan idhujtarët. Në vendin e quajtur Hudejbije bëri marrveshje me ta për ndalimin e luftës dhjetë vite ku njerëzit janë të sigurtë dhe mund të zgjedhin çfarë të duan, e pas kësaj hynin njerëzit në fenë e Allahut grupe-grupe.

Në vitin e shtatë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem luftoi fisin Hajber për ti hequr qafe liderët jehudë të cilët kishin munduar muslimanët. I rrethoi ata dhe Allahu subhanehu ve teala i dha fitoren ndaj tyre dhe e fitoi pasurinë dhe tokën e tyre. Po këtë vit u shkruajti mbretërve të asaj kohe dhe i thirri në islam.

Në vitin e tetë, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem nisi një ushtri nën udhëheqjen e Zejd bin Harithe për t'i edukuar zullumqarët, mirëpo romakët tubuan një ushtri të madhe dhe mbytën prijësit e muslimanëve e të tjerët Allahut i shpëtoi nga sherri i tyre.

Pastaj jobesimtarët e Mekkes tradhëtuan dhe thyen marrëvshjen, e Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u nisë në drejtim të tyre me një ushtri të madhe dhe e çliroi Mekken, pastroi Qaben nga idhujtë dhe nga udhëheqësia e jobesimtarëve.

Pastaj erdhi lufta e Hunejnit në muajin Shevval të vitit të tetë për ti dalë përballë sulmit të fisit Thekif dhe Hevazen. Allahu subhanehu ve teala i mposhti ata e muslimanët fituan plaçka të shumta. Pastaj Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem vazhdojë rrugën drejt Taifit të cilin e rrethoi mirëpo Allahu nuk deshi të çlirohej ky vend, atëherë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem bëri lutje për ta dhe u largua.

Pas kësaj populli i Taifit pranuan islamin. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u kthye, shpërndau plaçkën e luftës, bëri Umren së bashku me shokët e tij pastaj shkuan në Medine.

Në vitin e nëntë ndodhi lufta e Tebukut e cila ishte në një kohë të rëndë, të vështirë dhe me nxehtësi të madhe. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem shkoi në Tebuk për të ndaluar intrigatë e romakëve. Atje u vendos me ushtri dhe nuk hasi ndonjë intrigë dhe bëri marrveshje me disa fise e pastaj u kthye në Medine. Kjo ishte lufta e fundit në të cilën luftoi Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Në këtë vit erdhen delegacionet e fiseve që donin të hynin në islam, prej tyre delegacioni i fisit Temim, Tajj, Abdul Kajs dhe Benu Hanife, të gjithë pranuan islamin. Po në këtë vit Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem urdhëroi Ebu Bekrin ta bëjë Haxhin me njerëzit e me të dërgoi Aliun dhe e urdhëroi tua lexojë njerëzve suren Beraetu për tu distancuar nga idhujtarët  dhe e urdhëroi të thërras në njerëz ditën e Kurbanit: " O njerëz, jobesimtari nuk hynë në xhennet, idhujtari smund ta bëjë Haxhin pas këtij viti, rreth Qabës smund të sillet askush lakuriq dhe kush ka ndonjë marrveshje me Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem ajo do të vazhdojë deri në kohën e saj ".

Në vitin e dhjetë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem vendosi ta kryejë Haxhin. Thirri njerëzit për këtë e me të bënë Haxhin shumë njerëz nga Medineja dhe jashtë saj. Ihramin e veshi në vendin e quajtur Dhul Hulejfe. Në Mekke arriti në muajin Dhul Hixhxhe, bëri tavafin, sa'jin (vrapimi mes Safa dhe Merva), dhe ua mësoi njerëzve detyrat e Haxhit dhe në Arafat mbajti një hutbe të madhe përmbledhëse ku përmbledhi ligjet islame të drejta: " O njerëz, dëgjoni fjalën time, ngase une nuk e di a do tu takojë më pas këtij viti. O njerëz, gjaku juaj, pasuria juaj, nderi juaj janë haram për ju, siç është kjo ditë e juaja, në këtë muaj dhe në këtë vend. Vini re, çdo gjë e kohës së injorancës është e vendosur nën këmbën time edhe gjakmarrja e injorancës është e vendosur. Gjakun e parë që do ta vendos është gjaku i Rebia bin Harith i cili ishte në fisin Beni Saad për të kërkur gjidhënëse e e mbytën fisi Hudhejl. Edhe kamata e injorancës është e vendosur, e kamatën e parë të cilën do ta vendosi është kamata e Abbas bin Abdul Mutalib, e tëra është e vendosur. Kini frikë Allahun në gratë, ngase i keni marrë me sigurinë e Allahut, u bënë hallall për ju me fjalën e  Allahut. Obligimi i juaj ndaj tyre është që mos ta sjellin dikë në shtratin tuaj që ju e urreni, e nëse veprojnë kështu, rrahni me në rrahje të lehtë. Obligimi i tyre ndaj jush është t'i furnizoni dhe t'i vishni. Unë u kam lënë diç që nëse kapeni për të nuk keni për të humbur ai është libri i Allahut. Ju do të pyeteni për mua, çfarë do të thoni? Thanë: dëshmojmë së e ke komunikuar, e ke kryer obligimin tënd dhe ke këshilluar. Atëherë, duke ngritur gishtin tregues në qiell e pastaj duke ua drejtuar atyre: O Allah dëshmo, o Allah dëshmo, e tha këtë tri herë ".

Pasi Allahu e plotësoi këtë fe dhe u vendosen bazat e tij, duke qenë ai në Arafat i zbriti: " Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe " (el-Maide: 3).

Ky Haxh quhet Haxhi i Lamtumirës ngase Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u dha lamtumirën njerëzve dhe nuk bëri më Haxh pas këtij. Pasi përfundoi Haxhin, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u kthye në Medine.

Në vitin e njëmbdhjetë në muajin Safer filloi sëmundja e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, e pasi që temperatura iu shtua, urdhëroi Ebu Bekrin tua falë njerëzve namazin. Në muajin Rebiul Evvel, u shtua edhe më shumë sëmundja dhe atëherë vdiq sal-lallahu alejhi ve sel-lem në paraditën e ditës së Hënë dymbdhjetë të muajit Rebiul Evvel të vitit njëmbdhjetë të hixhretit. Muslimanët u mërzitëm shumë. Pastaj e pastruan dhe ia falën namazin ditën e marte/natën e mërkure dhe u varros në shtëpinë e Aishes. I Dërguari i Allahut vdiq, por feja e tij do të jetë deri në ditën e Kijametit.

Pastaj muslimanët zgjodhën për prijës të tyre shokun e tij të shpellës dhe shoqëruesin e tij të hixhretit Ebu Bekrin radijallahu anhu. Pas tij hilafetin e mori Umeri, pastaj Uthmani, pastaj  Aliu të cilit ishin halifët e drejtë Allahu qoftë i kënaqur me ta.

Allahu subhanehu ve teala i dha Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem shumë të mira dhe e porositi me moral të mirë, siç thotë Allahu i Lartësuar: " A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të bëri vend (të dha përkrahje). Dhe të gjeti të paudhëzuar e Ai të udhëzojë. Dhe të gjeti të varfër, e Ai të begatoi. Pra, mos e përul jetimin! As lypësin mos e përzë! E me të mirat që të dha Zoti yt, trego (udhëzo njerëz)! " (ed-Duha: 6-11).

Allahu e nderoi atë me vyrtyte të larta që nuk i janë tubuar askujt pos tij, saqë Allahu e lavdëron me fjalën e Tij: " Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali " (el-Kalem:4).

Me këto vyrtyte të larta dhe me këto cilësi të lavdëruara, mundi që me lejen e Allahun të tuboj shpirtrat dhe t'i bashkojë zemrat: " Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten " ( Ali Imran: 159).

Allahu e dërgoi të Dërguarin e Tij tek të gjithë njerëzit, ia zbriti Kur'anin dhe u urdhëroi të thërras në rrugën e Allahut, siç thotë Allahu azze ve xhel-le: " O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues. Dhe me urdhërin e All-llahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtarë ndriçues " (el-Ahzab: 45,46).

Allahu e veçoi të Dërguarin e Tij Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem ndaj pejgamberëve të tjerë me disa gjëra, siç thotë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem: " Jam veçuar nga pejgamberët me gjashtë gjëra: " Më janë dhënë fjalët përmbledhëse, jam ndihmuar me frikën, më janë lejuar plaçkat e luftës, toka më është bërë e pastër dhe xhami, jam dërguar tek te gjithë njerëzit dhe më mua janë vulosur pejgamberët " transmeton Muslimi/523.

Të gjithë njerëzit janë të obliguar ta besojnë atë dhe ta pasojnë sheriatin e tij për të hyrë në xhennet: " Kush i bindet All-llahut, (urdhërave të Tij) dhe të dërguarit të Tij, atë e dërgon në xhennete nën të cilin burojnë lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. E ky është shpëtim i madh " (en-Nisaë: 13).

Allahu ka lavdëruar atë që i beson Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem nga ithtarët e librit dhe e përgëzoi se shpërblimin do ta marrin dyfishë, siç thotë Allahu subhanehu ve teala: "  E atyre që Ne ua dhamë librin përpara këtij, disa prej tyre i besojnë këtij (Kur'anit). Dhe kur u lexohet atyre, thonë: "Ne kemi besuar atij, ajo është e vërtetë prej Zotit tonë, ne edhe para tij kemi qenë myslimanë!" Atyre u jepet shpërblim i dyfishtë për arsye se bënë durim, dhe ata të keqen e largojnë me të mirën, e nga ajo që Ne e furnizuam, ata japin " (el-Kasas: 52-54). Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem thotë: " Tre vetëva shpërblimi u takon dyfishë: një njëri nga ithtarët e librit besoi në Pejgamberin e vet si dhe e arriti Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe besoj në të, e pasoi dhe e vërtetoi, atij i takojnë dy shpërblime ...".

Ai i cili nuk i beson Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ai është jobesimtarrë (kafir), e shpërblimi i jobesimtarit është zjarri, siç ka thënë Allahu subhanehu ve teala: " E kush nuk i besoi All-llahut dhe të dërguarit të Tij, Ne pra, për jobesimtarët kemi përgatitur zjarr shumë të fortë " (el-Fet'h: 13). Kurse Pejgamberi ka thënë: " Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, nuk dëgjon për mua dikush nga ky ummet, qoftë jehudi apo i krishterë e pastaj vdes e nuk ka besuar në atë që më është zbritur mua vetëm se do të jetë banorë i zjarrit " transmeton Muslimi /154.

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem është njëri, nuk din vetëm atë që i ka mësuar Allahu, nuk e din të fshehtën dhe nuk ka në dorë të mirën e as të keqen për vete e as për të tjerët, siç thotë Allahu subhanehu ve teala: " Thuaj: "Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, pos çka do All-llahu. Sikur ta dija të fshehtën, do të shumoja për vete të dobishmet, e nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër vetëm se qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë" (el-A'raf: 188).

Allahu e dërgoi atë me fenë islame që të triumfojë mbi të gjitha fetë: " Ai është që e dërgoi të dërguarin e Vet me udhëzim të plotë dhe me fenë e vërtetë, që të triumfojë mbi çdo fe, e mjafton All-llahu dëshmitar " (el-Fet'h: 28).

Detyra e Pejgamberit është ta komunikoj atë me të cilën ka ardhur, ndërsa udhëzimi në Dorën e Allahut: " Nëse ata (idhujtarët) refuzojnë, Ne nuk të kemi dërguar ty rojë të tyre, ti ke për obligim vetëm komunikimin " (esh-Shuraë: 48).

Pasiqë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem posedon këtë vlerë të madhe ndaj njerëzimit me thirrjen e tyre në këtë fe, nxjerrjen e tyre nga errësirat në dritë, për këtë Allahu ia ka falur atij qfarë ka bërë më herët dhe më vonë dhe neve na ka urdhëruar ti dërgojmë salavat atij në shumë raste, Allahu i Lartësuar thotë: " Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhëronie pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam " (el-Ahzab: 56).

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem bëri xhihad për përhapjen e kësaj feje, edhe shokët e tij së bashku me të bënë xhihad, andaj ne duhet ta pasojmë atë dhe ta ndjekim sunnetin e tij dhe të ecim sipas udhëzimit të tij. Allahu i Lartësuar thotë: " Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun " (el-Ahzab: 21).

Islami është fe e natyrshmërisë dhe e drejtësisë, është fe të cilën Allahu e pëlqej për njerëzimin në përgjithësi. Ai përmban baza, degë, moralë dhe edukatë, adhurime dhe rregulla të mardhënieve ndërnjerëzore, dhe nuk ka mundësi që ummeti të jetë i lumturë vetëm nëse e pason atë dhe punon me të dhe se Allahu nuk pranon nga njerëzit tjetër pos tij (islamit), siç thotë Allahu i Lartësuar: " E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do ti pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpruarit " (Ali Imran: 85).

Allahumme sal-li ala Muhammedin ve ala ali Muhammed, kema sal-lejte ala Ibrahim ve ala ali Ibrahim inneke Hamidun Mexhid.

Marrë nga libri "Bazat e fesë islame"> të Shejh:

Muhammed bin Ibrahim et-Tuvejxhiri.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free