Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Si reagonte Profeti Muhamed ndaj kritikave

Kritika pranohet me vështirësi edhe nga njeriu më modest, veçanërisht kur bëhet pa takt dhe padrejtësisht. Ashtu si thika, kritika shpeshherë shkakton plagë të thella dhe ndan edhe miqtë më të mirë.

 

Megjithatë, Profeti Muhamed (a.s) ishte shembullor jo vetëm në aftësinë për t`i pranuar kritikat me përulësi, por edhe për t`i përdoruar ato për arritjen e rezultate pozitive.

 

Një ditë, një rabin hebre i quajtur Zejd ibn Sana erdhi për të kërkuar borxhin që i kishte dhënë Profetit (a.s). Ai e kapi Profetin (a.s) për tunike, e vështroi ashpër dhe i tha: “Ju familja e Abdul Mutalibit nuk jeni korrekt në kthimin e borxhit!”

 

Një nga shokët e Profetit, Omer ibn Hatabi (r.a), i zemëruar nga kjo sjellje i thotë Zejdit: “O armik i Allahut, si flet e sillesh me të Dërguarin e Allahut në këtë mënyrë?! Për Atë që e ka dërguar me të vërtetën, po të mos kisha frikë se humbas Xhenetin, do të ta kisha këputur kokën me shpatë!”

 

Profeti po shihte i buzëqeshur nga Omeri dhe i tha: “O Omer, në vend të kësaj duhej të na jepje ndonjë këshillë të sinqertë! Më mirë do të ishte të kërkoje prej meje t’ia kthej borxhin dhe të kërkosh prej tij ta kërkojë hakun e vet më mirë dhe më butë".

 

Pastaj, duke iu drejtuar Zejdit, i tha: “Kanë mbetur edhe tre ditë kohë para mbarimit të afatit për shlyerjen e borxhit”.  Pastaj, urdhëroi që t'i kthehej borxhi dhe t`i jepej njëzet sa'a (masë peshe) më shumë si kompensim për reagimin kërcënues të Omerit ndaj tij.

 

Në këtë ngjarje, Profeti Muhamed (a.s) nuk tenton të shfajësohet përpara hebreut. Ai kurrë nuk zemërohej për ndonjë çështje personale, por vetëm për hir të Allahut, nëse shkelej ndonjë nga dispozitat e Tij.

 

Tregon gruaja e Profetit, Aisheja: “I Dërguari i Allahut kurrë nuk hakmerrej për vete, përveç kur ishte në pyetje shkelja e ligjeve të Allahut, atëherë ai ndëshkonte për këtë”. (Buhariu)

 

Duke mos i parë kritikat si sulm personal, Profeti (a.s) arriti ta vlerësonte kritikën në mënyrë racionale dhe të pranonte përgjegjësinë që kishte për të kthyer borxhin brenda afatit të caktuar edhe pse ai nuk e kishte kaluar atë. Reagimi i Profetit jo vetëm që i dha zgjidhje situatës, por dhe arriti rezultat pozitiv, gjë që nuk do të kishte ndodhur, nëse ai do të ishte vetëmbrojtur përballë kritikave të hebreut.

 

Kur Omeri shkoi tek Zejdi për t’i kthyer borxhin dhe për ta kompensuar, Zejdi pyeti: "Ç'janë këto?" Omeri u përgjigj: "I Dërguari i Allahut më urdhëroi të t'i jap këto ngaqë të frikësova".
Omeri atëherë e pyeti se çfarë e kishte shtyrë të vepronte ashtu dhe t`i thoshte ato fjalë të Dërguarit. Zejdi iu përgjigj: "O Omer! Në fytyrën e të Dërguarit të Allahut kam vërejtur të gjitha shenjat e pejgamberllëkut, përveç dy; që durimi dhe qëndrueshmëria e tij t'ia kalojnë injorancës dhe e dyta është që sa më i ashpër të jetë dikush ndaj tij, aq më i butë dhe i duruar bëhet ai, e tashmë jam i kënaqur. O Omer, të them ty si dëshmitar që dëshmoj dhe pranoj se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut të vetëm, që feja ime është Islami dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij. Gjithashtu të kam për dëshmitar që gjysmën e pasurisë sime - e unë jam ndër njerëzit më të pasur në Medinë - ia jap, për hir të Allahut, tërë pasuesve të Muhamedit". (Hejthemiu)

 

Në një tjetër ngjarje, pas një beteje, Profeti filloi t'i shpërndajë plaçkat e luftës. Të parët që morën plaçkë lufte të madhe, ishin ata që sapo kishin pranuar Islamin.

 

Pasi i kishte dhënë myslimanëve të rinj, Profeti (a.s) urdhëroi Zejd ibn Thabitin që të sillte plaçkën e luftës dhe të grumbullonte njerëzit. Më pas Profeti caktoi pjesën, që i takonte secilit prej tyre.

 

Megjithëse ndarja e plaçkës së luftës u bë sipas një politike të mençur, jo të gjithë e kuptuan këtë gjë. Disa nga banorët e Medinës (ensarët) mbetën të pakënaqur me pjesën e tyre.

 

Ankesat filluan të shndërrohen në akuza derisa Sad ibn Ubade shkoi te Profeti dhe i tha: "O i Dërguar i Allahut! Banorët e Medinës janë zemëruar me ty dhe thonë, qe ti tani gjete farefisin dhe popullin tënd".
Profeti e pyeti: "Po ti o Sad, çfarë mendon?"
Sadi iu përgjigj: "O i Dërguari i Allahut, unë jam një nga populli im" (mendoj si ata).
Atëherë Profeti i tha: "Mblidhi medinasit o Sad".

 

Dikush mund të mendojë, se Profeti (a.s) kërkoi të grumbulloheshin medinasit, që ti qortonte dhe ti ndëshkonte për dyshimet dhe hamendësimet e tyre në lidhje me mënyrën e shpërndarjes së plaçkës së luftës. Në vend të kësaj, me t'u mbledhur të gjithë, Profeti (a.s) u drejtua nga ensarët dhe pasi falenderoi Allahun, u tha: "O ensarë, kam dëgjuar se jeni të zemëruar me mua dhe që keni thënë se i Dërguari i Allahut, tani e gjeti popullin e tij. A nuk ju gjeta të humbur dhe Allahu ju udhëzoi? A nuk ju gjeta të varfër dhe Allahu ju pasuroi? A nuk ishit armiq me njëri-tjetrin dhe Allahu jua bashkoi zemrat?"
Ata iu përgjigjën: "Është mirësi e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij".
Profeti u tha përsëri: "O ensarë, nëse dëshironi mund të përgjigjeni".
"Po çfarë të themi, o i Dërguar i Allahut?"

 

Profeti (a.s) u tha: "Për Zotin, do të kisha dëshmuar për vërtetësinë e përgjigjes tuaj, nëse do të kishit thëne: "Edhe ti erdhe i përgënjeshtruar, kurse ne të besuam. Erdhe i lënduar dhe ne të ngushëlluam. Erdhe i përndjekur nga populli yt dhe ne të strehuam. Erdhe i varfër dhe të pasuroi Allahu mes nesh. O ensarë, a ju mbeti hatri për disa gjëra të kësaj bote, të cilat unë ua dhashë njerëzve, që sapo kishin pranuar Islamin, me qëllim që t'u shtohet dashuria për këtë fe, duke u lënë juve me besimin tuaj? A nuk jeni të kënaqur o ensarë, që derisa njerëzit e tjerë të kthehen në shtëpitë e tyre me deve dhe dele, ju të ktheheni në vendin tuaj me të Dërguarin e Allahut? Për Atë në dorën e të cilit është shpirti i Muhamedit, sikur të gjithë njerëzit të ndiqnin një rrugë, kurse ju ensarët një rrugë tjetër, unë do të ndiqja rrugën e ensarëve. O Zot! Mëshiroji ensarët, bijtë e ensarëve dhe bijtë e bijve të ensarëve!"
Të gjithë qanë saqë iu lagën edhe mjekrat nga lotët dhe thanë: "Ne jemi të kënaqur që kemi me vete të Dërguarin e Allahut".

 

Edhe pse si Profet i Zotit, ai nuk ishte i detyruar të jepte shpjegime, largpamësia dhe dhembshuria qe e karakterizonin, e shtyu të vepronte kështu në këtë situatë. Ai e kuptonte mirë natyrën e tyre njerëzore dhe nevojën që kishin për të kuptuar arsyet pas veprimeve të tij. Ai gjithashtu e kuptoi, se shkaku i vërtetë për zemërimin e tyre ishte frika se mos ai i kishte braktisur. Për këtë arsye, Profeti nuk i ndëshkoi për dyshimet e tyre mbi drejtësinë e tij.

 

Megjithëse në pamje të parë dukej se shkaku për kritikat e ensarëve ishte se nuk morën plaçkë lufte të mjaftueshme, Profeti mendoi mirë për shokët e tij dhe e kuptoi, se ata nuk besonin që ai ishte i padrejtë, por thjesht kishin nevojë të siguroheshin për dashurinë e tij për ta.

 

Myslimanët sot mund të përfitojnë shumë nga shembulli i Profetit (a.s), kur përballej me kritika. Shembulli i tij na mëson të mendojmë gjithmonë mirë për të tjerët, të tregojmë modesti në çdo situatë dhe të zemërohemi vetëm për hir të Allahut.

 

Së pari, është e rëndësishme të kuptohet personi që kritikon, për të bërë dallimin e mesazhit nga mënyra e të shprehurit të tij. Pastaj, çështja duhet vlerësuar në mënyrë racionale. Në qoftë se kritika është e vlefshme, atëherë personi i cili është kritikuar, duhet të përpiqet t`i japë zgjidhje çështjes; por nëse kritika nuk qëndron, atëherë ai duhet t'ia shpjegojë palës tjetër mendimin e tij me qetësi dhe duke treguar mirëkuptim dhe mirënjohje.

 

Me të vërtetë, ne duhet të përpiqemi ta imitojmë shembullin e Profetit (a.s), pasi ai është shembulli më i mirë.

 

 

Heather Shaw është një amerikane e konvertuar në Islam. Aktualisht ajo banon në Egjipt, ku punon si përkthyese profesioniste dhe jep mësim part-time në studime Islame dhe të gjuhës arabe. Ajo është diplomuar për gjuhë arabe dhe studime islame në Universitetin El-Ez`her, ku aktualisht ndjek një program master në Kodikologji. Heather ka përkthyer libra në fushat e Ligjit Islam të familjes, tolerancës në Islam, Hadithit (Traditës Profetike) dhe Tefsirit (Komentimit të Kuranit).