Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Këshilla e profetit Muhamed për umetin e ditëve tona

Një nga dijetarët bashkëkohor, që ka vuajtur shumë nga rivalët e tij, thotë duke i folur vetes së tij dhe duke ngushëlluar këdo që ka filluar të ngrihet në gradat e larta të suksesit: “ A e din se pse të godasin dhe të sulmojnë? Sepse ata duan të luajnë me skuadrën fitimtare.”

Vrasja e emrit... !

“Gladiatori” është titulli i një filmi i cili ka marrë mbi katër çmime Oscar. Mendoj se vetëm një shprehje në këtë film do të mjaftonte si shkak për këto katër Oscar-e. E kam fjalën për momentin kur Maximos bashkë me dy kolegët e tij gladiatorë ishin ulur për të konsumuar drekën. Maximos e zgjat dorën e tij për të marrë tasin e mbushur me çorbë. Me sytë e tij të mbushur plot skepticizëm shikon në sytë e kolegëve të tij gladiatorë, njëri i bardhë e tjetri zezak. Pas trembjes që shkaktoi shakaja e gladiatorit të bardhë, i ziu i drejtohet Maximos e i thotë: “ Emri yt është shumë i madh. Para se të të vrasin ty, ata duhet të vrasin emrin tënd.”

Metoda e vrasjes së emrit, është dhe ka qenë historikisht metoda më e rrezikshme cinike e përdorur ndër njerëzinë. Biografia e shumë njerëzve të mëdhenj, ndër to edhe burra shteti të fuqishëm të vjetër e bashkëkohor, e vërteton lehtësisht këtë. Qëllimi cinik, natyrisht kërkon edhe mjete dhe mënyra cinike. Për këtë nuk është nguruar të përdoren edhe metodat e flagrancës morale... !

Kurani fisnik dhe vrasja e emrit...!

Një nga treguesit e nivelit të lartë të zgjuarsisë së Faraonit, është fakti se nuk zgjodhi vrasjen si rrugë për të shpëtuar nga Musai (a.s) dhe vëllai i tij Haruni (a.s), por gjeti një rrugë tjetër akoma dhe më të rrezikshme, atë të vrasjes së emrit të Musait (a.s).

Në suren “Shuara” Allahu i Madhëruar kuron me hollësi dhe shumë rregullsi armën cinike faraonike të vrasjes së emrit.

Akuzë për bukëshkelje

Faraoni e trajton ftesën e Musait (a.s) si një akt bukëshkelës. “A nuk të ritëm në mesin tonë që nga vegjëlia dhe qëndrove e jetove mes nesh shumë vite nga jeta jote?!” 18

Akuzë për vepër penale

“E pavarësisht se kreve krimin e rëndë që kreve  ti je mohues” 19

 Këtu Faraoni e stërzgjat përshkrimin e veprës penale të kryer pa dashje nga Musai (a.s). Veç kësaj ajo që të bën për të qeshur nga gjesti i Faraonit është fakti se ai i përmend Musait një vepër penale të kryer pa dashje, ndërkohë që Faraoni mbante në skllavëri një popull të tërë dhe e masakronte e vriste herë pas here. “Po (tha Musai) e kam bërë atë krim, por e kam kryer pa dashje dhe ika prej frikës se mos më vrisnit dhe Allahu më dhuroi urtësi dhe më bëri profet. Ndërsa ti më kujton mua bamirësinë tënde ndaj meje e ndërkohë ke robëruar Benu Israilët.” 20-21

 

Dëgjim i detyruar

Faraoni, ku nga kureshtja e ku nga turpi që mund të ketë ndjerë nga të pranishmit, i jep mundësinë Musait (a.s) të prezantojë idenë e tij: “Po kush na qenka Zoti i botëve?!” 23.

Kur Musai (a.s) i vendosur përgjigjet: “Zoti i qiejve e i tokës e gjithçka mes tyre, nëse jeni të sigurt.”24, Faraoni kthehet nga ata që kishte përrreth dhe me sarkazëm e ironi thotë: “A nuk e dëgjoni...?!” 25

Musai vendosmërisht vazhdon prezantimin e misionit të tij: “Zoti juaj dhe Zoti i baballarëve tuaj të parë” 26

Akuzë për çmenduri

Faraoni vazhdon të këmbëngulë në shmangien e diskutimit rreth thelbit të misionit të Musait (a.s), duke goditur rëndë në thelbin  e mbartjes së misionit nga ana e Musait (a.s). Pra godet rregullsinë e mendjes së Musait (a.s) pa të cilën as Musai (a.s) dhe as misioni i tij nuk do kishin kuptim. Këtu realisht kemi të bëjmë me një cinizëm shumë të zgjuar: “Në të vërtetë profeti juaj i cili është dërguar tek ju është i çmendur”. 27

I verbër me sy në ball

Për shkak të këmbënguljes së verbër, Faraoni, ne pohimet e më sipërme, duke u munduar ta largojë Musain (a.s) nga vetja si dhe duke ndërsyer popullin e tij ndaj Musait, pa ndjerë dhe kuptuar, pohon tre të vërteta shumë të mëdha: Musain e prezanton si profet të popullit të tij që ishte dërguar për tek ta dhe këtë e bën në kuadër të mohimit të Musait si profet për të. E kështu pa e kuptuar e spontanisht krijon mes Musait (a.s) dhe popullit të tij, Faraonit, një relacion të veçantë që ai vet nuk e dëshironte kurrë: “... profeti juaj që është dërguar tek ju...”

Përgjigje ndaj këmbënguljes me këmbëngulje

Musai (a.s) i përgjigjet këmbënguljes mohuese të Faraonit, me këmbënguljen e tij në misionin e tij: “Zoti i lindjes e i perëndimit dhe çka mes tyre nëse jeni prej atyre që logjikojnë” 28

Kërcënim me burg por jo me vrasje...!

“Nëse do të konsiderosh për zot dikë tjetër veç meje do të të burgos”29

Argumenti

Musai (a.s) i përgjigjet kokëfortësisë dhe arrogancës së Faraonit me “kokëfortësinë” dhe “arrogancën” e argumentit, jo për të shpëtuar nga burgu, por për t’i shërbyer misionit: “Po nëse unë të sjell një argument të qartë”30

 

Faraoni sfidon...!

“Sille nëse pretendon të vërtetën” 31

Musai (a.s) aq deshte

“Musai hodhi shkopin i cili u shndërrua në një nepërkë të vërtetë dhe nxori dorën e tij e cila ishte e bardhë për njerëzit që e shikonin” 32-33

Akuza dobiprurëse e magjisë dhe mungesës së luajalitetit ndaj popullit.

Faraoni vazhdon të trillojë akuza që cenojnë figurë e Musait (a.s) dhe besnikërinë e tij. Siç mundohet të ndërsejë popullin e tij ndaj Musait (a.s) duke e akuzuar për magji, mashtrim dhe prishje të interesave madhore të njerëzve: “I tha popullit të tij që kishte përrreth: ky është një magjistar mjeshtër që me magjinë e tij do t’ju nxjerrë nga vendi juaj...”34-35

Faraoni “demokrat”...

Ndërkohë që Faraoni po përjetonte rëndë sikletin e vërtetësisë së çështjes së Musait (a.s) dhe argumentit të tij që bënte “muuuuu” ndër sy të gjithë njerëzve, mundohet të paraqitet demokrat e respektues i mendimit të popullit, të cilin thjesht donte ta përdorte dhe ta manipulojë ndaj Musait (a.s) dhe të vërtetës së tij: “... prandaj çfarë urdhëroni...?!” 35

Popull frikacak që kishte nuhatur të vërtetën ...

Populli i Faraonit nuk e kishte të lehtë t’i shpëtonte frikës disa dekaash që kishte mbjellë Faraoni në zemrat e tyre. Prandaj duke nuhatur erën e së vërtetës së Musait (a.s) hipokrizisë së Faraonit nuk i përgjigjen me përgjigjen që do kishte dashur Faraoni, vrasja, por zgjuarsish i thonë: “Vonoje çështjen e Musait dhe vëllait të tij dhe dërgo lajm në qytete për tu grumbulluar dhe për të sjellë çdo magjistar mjeshtër.” 36-37

Finalizimi i polemikës ...

Pas gjithë kësaj polemike faraonike diskriminuese, kishte ardhur momenti i fundit të saj: “Magjistarët u mblodhën në ditën e caktuar. Njerëzve u thanë: mblidhuni që të pasojmë magjistarët nëse do të jenë fitimtarë” 39-40

Paraja ishte kauza e magjistarëve ...

Faraoni në këmbim të vrasjes së emrit të Musait (a.s) do të jepte jo vetëm shumë para por edhe shumë poste, famë dhe privilegje: “E kur magjistarët u takuan me Faraonin i thanë: a do të shpërblehemi nëse fitojmë. Faraoni tha: po dhe veç kësaj do të jeni të afruar tek unë” 41-42

Sfidimi i zgjuar i Musait (a.s)

Musai (a.s) duke qenë i sigurt tek e vërteta e tij, na mëson një parim shumë efikas në lidhje me polemikën mes të vërtetës dhe të kotës: “Lëre kundërshtarin të flas i pari”. Shembja konkrete e ngrehinës së të kotës me grushtin e fuqishëm të së vërtetës, është me ndikuese tek shikuesit se sa thjesht prezantimi abstrakt i fuqisë së vërtetës. Kjo nuk mund të ndodh vetëm pasi kundërshtari të ketë ngritur ngrehinën e së kotës: “Musai u tha magjistarëve hidhini ato që doni t’i hidhni. E ata hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre dhe thanë: me krenarinë dhe fuqinë e Faraonit ne do të jemi fitimtarë. Musai (a.s) hodhi shkopin e tij i cili përpiu mashtrimet e tyre.” 43-45

Faraonit i ndodhi ajo që urrente

Mekanizmat sfidues të Faraonit, magjistarët mjeshtra, e dallonin shumë mirë mashtrimin e magjisë me transformimin real të mrekullisë së Musait (a.s) dhe përballë këtij realiteti të madh, s’patën rrugë tjetër për veçse t’i dorëzohen të vërtetës: “Magjistarët ranë menjëherë në sexhde dhe thanë: besojmë në Zotin e gjithësisë, në Zotin e Musait dhe Harunit” 47-48

Mirëpo Faraoni inatçor, e vazhdoi këmbënguljen e tij të ulët deri sa e gjeti veten në mes të detit...!

Qëndrueshmëria e Musait dhe përshkallëzimi i Faraonit

Dy janë elementët kryesor të dramës së polemikës së Musait (a.s) dhe Faraonit.

Elementi i parë konsiston në këmbënguljen dhe qëndrueshmërinë e paepur të Musait ndaj misionit të tij. Kjo shfaqet dhe del në pah përmes provokimeve të vazhdueshme dhe shumë cinike të Faraonit. Provokimet faraonike janë sa të zgjuara, aq edhe helmuese. As edhe një çast Faraoni nuk pranon të debatojë me Musain (a.s) rreth misionit të Musait (a.s). Por në krahun tjetër ai thumbon rëndë figurën e Musait (a.s). Me këtë lloj loje të ulët Faraoni kërkon të realizojë dy gjëra të liga: të mbajë vëmendjen e njerëzve sa më larg thelbit të çështjes së Musait (a.s) dhe ta trajtojë si çështje e nivelit të ulët personal të Musait (a.s). Në krahun tjetër duke e provokuar Musain (a.s) me akuza shumë të ulëta e cinike e fton në qëndrime dhe reagime të ulëta dhe shumë banale e të rëndomta. Për këtë edhe Musai (a.s) u tregua akoma dhe më i zgjuar se Faraoni. Për asnjë çast Musai (a.s) nuk pranoi te merret me akuzat banale dhe të ulëta faraonike, por shfrytëzonte me shumë dritë dhe zgjuarsi banalitetin faraonik në shërbim dhe në favor të misionit të tij shumë fisnik hyjnor.

Në aparancë, shikuesi i dramës së polemikës mes Musait (a.s) dhe Faraonit, vëren dy qëndrime apo këmbëngulje fanatike, nga të dy polet ku asnjëri nuk lëshon pe. Por faktikisht ndodh komplet e kundërta. Gjatë kohës që Musai (a.s) i qëndron me rigorozitet të vërtetës së tij, Faraoni me fanatizmin e tij ndaj stilit të tij provokues, nuk bën gjë tjetër përveç vajtjes drejt asaj që nuk e donte kurrë, madje e urrente shumë. Pra, qëndrueshmëria rigoroze e Musait (a.s) ndaj misionit të tij të vërtetë i mundësoi Musait (a.s) ta zhvillonte lojën e polemikës në shërbim të çështjes së tij dhe ta tërhiqte Faraonin jo thjesht drejt fundit të tij, sepse këtë nuk e dëshironte as vet Zoti, por drejt shfaqjes finale të së vërtetës që u pasua nga sexhdja e vullnetshme e magjistarëve dhe popullit. Ndërsa inati i Faraonit edhe pas kësaj finaleje, bëri që ta gjente veten në mes të detit pa asnjë lloj mjeti shpëtimi qoftë edhe një “komardare”.

Këshilla e Profetit Muhamed (a.s) ndaj umetit të ditëve të sotme... .

Duke përjetuar jo lehtë, si çdo mysliman, këto ditë të ofensivave mediatike ndaj figurës së Profetit Muhamed (a.s) shpesh e kam pyetur veten: po të ishte Profeti i dashur (a.s) në mesin tonë, si do të na kishte këshilluar...?!

I udhëzuar nga vet jeta e të dashurit Profet (a.s) bindshëm i jam përgjigjur vetes se nëse do të kishte qenë në mesin tonë në këto dite, do të na kishte porositur: “lexojeni dhe studiojeni mirë dramën e polemikës mes Musait (a.s) dhe Faraonit.’