Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

4 histori te shkurtra,por te bukura

1-Është pyetur një njeri i mirë: “Unë vuaj nga sëmundja e largimit prej Allahut. Si të shërohem?”

Ai i thotë pyetësit: “O pyetës! Merri rrënjët e sinqeritetit, gjethet e durimit dhe lëngun e modestisë. Të gjitha këto vendosi në enën e devotshmërisë. Pastaj hedh mbi të ujin e frikës ndaj Allahut. Dhe vloji këto me zjarrin e pikëllimit dhe vendosi në tryezën e inspektimit, e pastaj përdori me dorën e drejtësisë, e pije me gotën e istigfarit, e përtypi me gojën e përkushtimit, dhe largoje veten nga lakmia dhe pangopësia. Atëherë me lejen e Allahut do të shërohesh.
2-Ibrahim bin Ethemi r.a. pasi që e sheh një njeri të pikëlluar e pyet: “O njeri, po t’i bëj tri pyetje, e ti përgjigju”. Ai i thotë: “Urdhëro”.

A mund të qarkullojë diçka në këtë botë e që nuk dëshiron Allahu?

- Jo, - u përgjigj.

- A mund ta zvogëlojë rizkun diçka prej asaj çka e ka caktuar Allahu?

- Jo.

- A mund të zvogëlohet një sekond çasti nga momenti që Allahu e ka caktuar që të vdesësh, e të mos jetosh më shumë?

- Jo.

- Atëherë, për çka brengosesh, e je i pikëlluar?!
3-I urti ka thënë:

“Largohu nga shtatë cilësi, do ta kesh trupin, mendjen dhe zemrën e shëndosh, ndërsa pasurinë e fenë tënde të siguruar:

1. Mos u pikëllo për të kaluarën;

2. Mos u brengos për të ardhmen;

3. Mos i ofendo njerëzit siç të ofendojnë ty;

4. Mos kërko shpërblim për atë që nuk e ke punuar;

5. Mos e shiko atë që nuk e posedon;

6. Mos u hidhëro ndaj atij, të cilit hidhërimi yt nuk i bën dëm;

7. Mos u krekos – lavdëro për atë që nuk e ke punuar dhe që nuk është prej teje.

4-E kanë pyetur një të urtë:

- Cila është gjëja më e mirë për njeriun?

- (Ai i përgjigj) Mendja me të cilin jeton.

- Po nëse atë nuk e ka?

- Vëllezërit, të cilët përkujdesen për të.

- Po nëse ata nuk i ka?

- Pasurinë për shkak të së cilës e duan njerëzit.

- Po nëse nuk e ka?

- Edukatën prej të cilës ruhet prej çdo të keqe.

- Po nëse nuk e ka?

- Heshtjen, e cila e shpëton.

- Po nëse nuk e ka?

- Vdekjen, e cila i shpëton njerëzit prej tij.