Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Endrra e mbretit...

Ëndrra e mbretit
 
Tregohet se një mbret që jetonte në një vend shumë të largët, ishte diktator dhe shumë i ashpër me popullin e tij. Drejtësia ishte fjalë që kishte dalë nga fjalori i mbretit. Ai ishte dhënë vetëm pas qejfeve të veta dhe njerëzve të tij, ndërkohë që populli vuante të zezat e ullirit.
Një natë, mbreti ynë sheh një ëndërr të çuditshme. Ai sheh dy hëna që përplaseshin me njëra-tjetrën! Kjo ëndërr filloi ti përsëritej herë pas here, derisa filloi ta shohë çdo natë. Sa herë që shkonte mbreti të flejë, ëndrra me dy hënat që përplaseshin me njëra-tjetrën do i shfaqej, gjë e cila filloi ta frikësojë.
Për shkak të frikës atë filloi të mos e zërë as gjumi. Një ditë i lindi një ide; të këshillohet me interpretuesit e ëndrrave në mbretërinë e tij. Ku i dihej, ndoshta ndonjëri prej tyre mund ti jepte zgjidhje. Menjëherë organizoi njerëzit e tij dhe pothuaj të gjithë interpretuesit e ëndrrave që gjendeshin në mbretëri u sollën në pallatin mbretëror. Pasi e dëgjuan ëndrrën, të gjithë u pajtuan se interpretimi i vetëm i saj ishte se pas 30 ditësh mbreti do të vdiste.
Kur e dëgjoi këtë, mbreti shtangu në vend dhe frika iu shtua akoma më shumë. Menjëherë urdhëroi që të gjithë interpretuesit të arrestoheshin dhe tha:”Nëse pas tridhjetë ditësh nuk kam vdekur, do u vras të gjithëve!”
Ato ishin tridhjetë ditët më të vështira në të gjithë jetën e mbretit. Ai i kaloi në ankth të thellë, depresion, pagjumësi, mungesë oreksi ... Ai nuk mendonte dot për asgjë përveç kalimit të atyre tridhjetë ditëve të tmerrit.
Ditën e tridhjetë, mbreti vdiq!
Pasi përfunduan të gjitha ceremonitë e varrosjes së mbretit, u kurorëzua një mbret tjetër. Me të filluar të ushtrojë kompetencat e veta si mbret, ai mblodhi interpretuesit e ëndrrave dhe i emëroi këshilltarët e tij personalë, pasi besonte se ata dinë gjithçka.
Njëri nga mjekët e tij i tha:”Lartmadhëria juaj! Interpretuesit që keni zgjedhur nuk dinë gjithiçka dhe nuk mund ta parashikojnë të ardhmen. Sipas autopsisë së mbretit të vdekur, ai nuk vdiq për shka të ëndrrës, por për shkak të depresionit, ankthit dhe mos ngrënies për tridhjetë ditë. Mbreti vdiq për shkak se e besoi interpretimin e asaj ëndrre!”
Idetë dhe bindjet negative që mbartin për veten, apo dhe për të tjerët, ndikojnë negativisht në jetën tonë, ato mund dhe të vrasin! Prandaj mos ua vi veshin gjithçkaje që thuhet. Ka njerëz që janë mjeshtra në përcjelljen e ideve dhe mendimeve negative, duke ta përmbysur jetën kokë e këmbë. Caktoje rrugën tënde, bëj përpjekje për realizimin e ëndrrave dhe objektivave të tu, mbështetju fuqishëm Zotit dhe kërko ndihmën e Tij!
Zoti i madh u ndihmoftë!