Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Midis të menduarit dhe poteres

…Kurani ka bërë me dije, se përkushtimi mendor dhe largimi nga zhurma është një metodologji e bukur të menduari.

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Thuaj: “Unë ju këshilloj vetëm me një gjë: Për hatër të Allahut të angazhoheni sinqerisht dy nga dy ose një nga një, e pastaj të mendoni thellë (që ta kuptoni) se shoku juaj (Muhamedi) nuk është i prekur nga asnjë xhindosje. Ai nuk është tjetër vetëm (se profet) që t'ju tërheqë vërejtjen për një dënim të ashpër (nëse nuk besoni)”. (Sebe: 46) Interpretimi i kësaj thënie kuranore është: O Muhamed! Thuaju mosbesimtarëve kurejshitë, që e përgënjeshtrojnë mesazhin tënd dhe që janë të këndvështrimit se ti je prekur me xhindosje, se po i orienton në një metodë produktive të menduari dhe konkluduari, që çdonjëri prej jush të mendojë më vete, ose çdo dy persona të mendojnë më vete, larg nga masa e gjerë dhe poterja, pasi kjo gjë e relakson më shumë mendimin dhe e kthjellon me shumë mendjen; pas kësaj mendojeni me përkushtim çështjen në fjalë…

Ideja e përkushtimit kundrejt një talenti të vetëm dhe derdhja e tërë energjive në shërbim të perfeksionimit të tij është një fakt, mbi të cilin janë unifikuar të gjithë të mençurit dhe të kualifikuarit e botës.

Në këtë kuadër Robert Greene, në librin e tij “Si ta kapësh potencën për kapistre” ka thënë: “Një lopë e majme është më e mirë se shtatë të liga”.

Të gjithë gjenitë e njerëzisë dhe të kualifikuarit e humanizmit janë shprehur në favor të të menduarit vetjak, gjë mbi të cilën poeti italian Dante ka thënë: “Vetmia është mbretëria e mendimeve”.

Në shërbim të kësaj që thamë, në librin tim “Lavdia e vetmisë”, unë kam tubuar pjesën dërrmuese të thënieve të dijetarëve, mendimtarëve dhe pedagogëve, të ardhura në këtë kontekst.

Kam ardhur në përfundimin, se perfeksionimi i nismave konkrete legjendare, është bërë kur autori i është nënshtruar izolimit dhe vetmisë.

Tipike për këtë kemi shembullin e Gazaliut, i cili e shkroi librin e tij të famshëm “El Ihje” në një ekspeditë të gjatë, në të cilën ai u veçua nga masa dhe nga ky veçim erdhi edhe vepra e tij e ndritur, gjeniale dhe brilante.

Po kështu Ibn Halduni e shkroi përpilimin e tij të mahnitshëm “El Mukaddime”, duke qenë në gjendje arresti.

Nelson Mandela, në librin e tij “Udhëtimi im i gjatë për tek liria” thotë: “Pasi dola nga burgu, konstatova se kënaqësinë e të menduarit dhe medituarit, këtë kënaqësi madhështore, e humba në qeli”.

Më i zgjedhuri i njerëzimit, shkëlqesia i fëmijëve të Ademit [a.s], Profeti i udhëzimit, Muhamedi [a.s], para shpalljes, vetmohej në shpellën e Hirasë, netë të gjata, fillikat, duke adhuruar, menduar dhe medituar. Si përfundim Allahu e nderoi atë me Shpalljen Hyjnore. Kur Profetin [a.s] (sikundër vjen kjo tek Tirmidhiu), njëri prej shokëve të tij e pyeti: “Ç’është shpëtimi?”, ai iu përgjigj: “Ta mbash gjuhën tënde, të të mjaftojë shtëpia jote dhe të vajtosh për fajin që ke bërë”.

Kur ndodhi trazira e Ibnul Esh’athit me Haxhaxhin, dijetari i madh teolog She’abiu, u arratis në shkretëtirë. Kur Haxhaxhi e kapi atë, i tha: Ku ishe o She’abi? She’abiu i tha: Isha ashtu siç thotë poeti:

Ulëriu ujku e me ulërimën e tij u mësova,

Por sa s’u gremisa, kur zë njeriu dëgjova.

Në librin “Të dashuruarit pas librave” të Ferhani-t, lexojmë se novelisti rus me famë botërore, Tolstoi, thoshte: “Kënaqësia ime është që të jem në një dhomë të zbrazur mbi një shtrat dhe të kem libra e t’i lexoj”.

Ndërsa Ibn Xheuzi në “Sajdul Khatir” thotë: “Nuk di gjë më krenare, më nderuese, më për t’u uruar dhe më lumturuese për dijetarin, sesa vetmia e tij me librat e vet”.

Po këtë gjë thotë edhe Ebu Tajib el Mutenebi, në citimin e tij: “Shoku më i mirë në kohë të kohërave është libri”.

...Kjo është një këshillë, e kur këshilla vjen prej një dashamiri, i cili është i paanshëm, që t’i njeh anët pozitive pa t’i kujton ato negative, në këtë rast, lypset ta pranosh me kënaqësi diçka të tillë.

Kurse nëpërkëmbja e të vërtetës, e pranishme tek disa persona, kurimi përmes përmendjes së gabimeve duke u lënë në harresë anët e mira, tubimi i shkarjeve dhe gëzimi me gabimet e tjetrit, s’është veçse cektësi dhe manipulim, që meriton të injorohet dhe të mos merret parasysh.

Unë e mirëpres akademinë e mendimit të paanshëm, komunikimit dhe dialogut, që i vihet kundërpeshë akademisë së ekzagjerimit fetar, përjashtimit ideor dhe ndrydhjes kulturore.

Është i falënderuar gjithkush, që e thotë të vërtetën të derdhur në ornament edukate, diplomacie, modestie dhe progresi.

Përkundrazi, çdo ekzagjeruesi dhe ekstremisti, i çdo përkatësie qoftë, i them: “Mjerë për këdo që ofendon dhe përqesh (njerëzit)!” (Humeze: 1)

Janë të mirëpritura thjerrëzat e bukura të syve korrekt të njerëzve të urtë:

Syri i kënaqësisë, të metën e anashkalon,

Kurse syri i mërisë, të këqijat i evidenton.