Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

BASHKIMI ËSHTË MËSHIRË

Do të flasim sot për një porosi të profetit (a.s), porosi që na duhet në rrugën tonë drejt Zotit. Ku hadith është shumë i shkurtër: “Bashkimi është mëshirë, përçarja është dënim”.
 
Ne thjesht bëjmë shpjegimin e asaj, që ka thënë gjuha e profetit Muhamed (a.s). Ai shprehej me pak fjalë, por këto fjalë kishin kuptime të mëdha dhe ne mundohemi që në praktikën tonë të përditshme të gjejmë zbatimin e këtyre fjalëve.
 
Në jetën tonë kemi kuptuar, se me gjithë aftësitë që ka njeriu, ai nuk bën dot i vetëm, kushdo qoftë ai, sado aftësi, energji dhe mundësi që të ketë. Ai ka nevojë për njerëz të tjerë, madje për këtë arsye Zoti e krijoi njeriun të nevojshëm për tjetrin. Po të na thotë dikush: Ti duhet të jesh shërbëtor i tjetrit”, ne nuk na pëlqen diçka e tillë. Por në fakt ne të gjithë jemi shërbëtorë të njëri – tjetrit. Pasaniku është shërbëtor i të varfrit dhe anasjelltas. Zoti e ka krijuar jetën në atë formë, që ne patjetër t`i shërbejmë njëri – tjetrit.
 
Po marrim si shembull vetëm bukën. Sa njerëz marrin pjesë në procesin e pregatitjes së bukës, derisa ajo të arrijë në gojën tonë? Disa njerëz kanë lëruar tokën, të tjerë kanë mbjellë grurin, të tjerë e kanë ujitur atë, të tjerë e kanë korrur grurin, të tjerë e kanë bluar atë, të tjerë e kanë pjekur, të tjerë e shesin dhe i fundit je ti që po e ha bukën. Ky është shembulli më i thjeshtë dhe më praktik, me të cilin Zoti tregon, se njerëzit janë krijuar në bashkësi, për t`i shërbyer njëri – tjetrit.
 
Gjithçka në univers lëviz në grup. Ky është ligj i jetës edhe për gjërat më të thjeshta. Ne do të shikojmë, se edhe feja jonë nuk është fe e individit, por fe e xhematit, fe e bashkëpunimit. Zoti për të na bërë ta kuptojmë mirë diçka të tillë, na ka vënë detyra në këtë fe dhe ne duam apo s`duam, duhet të rrimë më njëri – tjetrin.
Kur namazin e fal në shtëpi, është mirë që të falesh me xhemat me njerëzit e shtëpisë, sepse sevapin e ka më të madh. A mos vallë lexohen sure ndryshe, apo përjetohet namazi ndryshe!? Kjo ndodh, sepse xhemati është mëshirë. Zoti e do atë familje, që bashkohet përpara Zotit. Po ashtu nëse falemi në xhami, jemi të detyruar të rreshtohemi në një saf[1] përpara Zotit dhe nëse dikush e lëviz safin para apo prapa, i themi që të drejtohet në saf. Qëllimi është që Zoti të na lidhë me këtë namaz.
Në xhaminë tonë gjatë namazeve të ditës na lidh afërsia me xhaminë. Kështu njohim një grup njerëzish, por kur vjen dita e xhuma grupi i njerëzve shtohet më tepër. Të paktën një herë në javë njihesh me këta njerëz. Kur vjen Ramazani numri shtohet akoma më shumë, sepse vijnë edhe nga zona të tjera. Kështu ndodh edhe në xhamitë e tjera. Kur vjen Bajrami, ti do të njihesh me shumë e shumë besimtarë të tjerë, që ndoshta nuk i ke parë gjatë gjithë vitit. Nëse Zoti ta bën rrizk të shkosh në haxh, atje do të shohësh njerëz, që nuk i ke parë asnjëherë në jetë dhe ndoshta nuk do t`i shohësh më kurrë.
A ka sistem në botë që mund t`i bashkojë njerëzit në këtë formë, përveç sistemit të kësaj feje. Zoti është Ai që i bashkon njerëzit me forma nga më të çuditshmet.
 
Pra dua të them, që feja jonë është fe e bashkimit dhe bashkëpunimit edhe po të mos duam ne. Kur lutemi në namaz themi: “Ihdinas sirratal mustekim – na udhëzo në rrugën e drejtë”.
Fatkeqësisht puna në kolektiv është dobësuar shumë tek njeriu dhe ka disa faktorë, të cilët e kanë çuar njeriun, që të mos dëshirojë të jetë në grup. Tendencat perëndimore europiane synojnë, që ta drejtojnë njeriun drejt vetëmjaftueshmërisë. Pasi mbush njëfarë moshe, atij i thuhet: “Zgjidhe vetë rrugën e jetës, mbështetju vetes tënde”. Kështu fëmija ndahet nga prindi. Njeriu jeton i vetëm. Shpeshherë edhe bashkëshortët bëjnë të njëjtën gjë. Secili mundohet që të jetë i mjaftueshëm për veten e tij, prandaj në perëndim shumë njerëz e shohin jetën individualisht, por nuk është çudi që shumë të tjerë vdesin dhe askush nuk e merr vesh. Ka edhe raste, që kufoma e dikujt qëndron për javë të tëra pa e marrë vesh njeri, derisa t`I vijë era gjithë godinës. Kjo është jeta e ndërtuar mbi individin.
Kurse sistemi islam nuk është i tillë. Fëmija rritet dhe jeton në familje të mëdha dhe prindi nuk e shkëput asnjëherë totalisht fëmijën e tij. Kultura perëndimore ka shumë të mira dhe shumë të këqija e jetesa individuale është nga të këqijat e saj. Kështu duket sikur njeriu është i panevojshëm për të tjerët, por në fakt kjo nuk është e vërtetë. Ka tendencë që të mos e marrë vesh familja tjetër se ç`bën familja ime. Komshiu nuk ka përse t`i dijë edhe ato gjëra, që duhet t`i dijë, vëllait nuk ka çfarë t`i duhet se ç`bën vëllai. Dalëngadalë po shkojmë drejt familjes gjithnjë e më të vogël. Madje edhe brenda familjes secili ka planet e tij, që nuk kanë lidhje me pjesëtarët e tjerë të familjes.
Feja nuk e pëlqen diçka të tillë. Islami ka tentuar gjithmonë që t`I shkrijë barrierat mes njerëzve.
 
Ka edhe një faktor tjetër, se përse njerëzit nuk duan të rrinë në grupe apo në kolektive. Kjo vjen për faktin se individit i duket se kur është në kolektiv, është i kufizuar dhe mendon, që po të jetë vetëm, do të jetë i lirë të bëjë ç`të dojë, pa qenë nevoja t`i japë kujt llogari. Ky fenomen ekziston tek fëmijët, tek ortakët, mes shokëve etj.
Të gjithë këta faktorë bëjnë, që ana kolektive të jetë e dobët. Sot është e vështirë të gjesh jo një xhemat por të paktën dy njerëz, me të njëjtin shpirt, me të njëjtat probleme. Çdokush ka hallet e tij dhe nuk do që dikush tjetër të përzihet në hallet e tij.
Islami është fe e bashkimit. Ajetet kuranore japin urdhra të prera, që të paktën besimtarët dhe muslimanët të jenë të bashkuar: “Dhe ky është ummeti juaj, është ummet i bashkuar. Unë jam Zoti juaj prandaj më adhuroni Mua”. (El Enbija: 92).
Keni një Zot, një profet e një Kuran. Jeni një umet edhe nëse jeni me rraca, ngjyra dhe gjuhë të ndryshme. Imagjinoni çfarë ndikimi ka pasur për arabët dhe beduinët, të cilët ishin mësuar vetëm me familjet dhe fisin e tyre, t`u thuhej se duhet të ishin të jemi të gjithë të bashkuar. Umeti islam është umet shumë i madh. Ai arrin në 1 milliard e disa million banorë.
 
Si shembull po sjellim vetëm haxhin, ku njerëzit takojnë muslimanë nga të katër anët e globit. Më i miri nga të gjithë është ai më i devotshmi. Kjo është ajo që  bëri Islami. E nxori beduinin nga çadra e vet dhe i tha: “E gjithë bota është e Zotit dhe të gjithë njerëzit janë të Zotit”. Çdo njeri që është musliman e besimtar, është vëllai yt. Ky është urdhër prej Zotit.
Profeti (a.s) u urdhërua që të ketë durim me besimtarët. Duhet durim edhe për këtë, sepse jo të gjtihë janë njëlloj. S`mund të thuash: “Me këtë nuk rri dot, me këtë tjetrin nuk më shkon muhabeti”. Zoti i thotë profetit (a.s): “Bëhu durimtar. Duro me ata që kujtojnë Zotin në mëngjes dhe në mbrëmje. Mos u largo kurrë prej tyre”. Ky është urdhër për bashkim, sepse për t`u ndarë është kollaj.
Ajeti tjetër kuranor thtë: “Lidhuni fort pas litarit të Zotit e mos u përçani”. (Ali Imran: 103). Disa dijetarë kanë thënë: “Litari i Zotit është xhemati”. Pra lidhuni fort pas xhematit dhe mos u përçani. Këto janë urdhra nga Zoti i gjithësisë, urdhra për të qenë të gjithë bashkë. Një besimtar duhet ta mendojë mirë çështjen, kur i vjen një urdhër i Zotit.
 
Profeti (a.s) ka urdhëruar për xhemat dhe për bashkëpunim më njëri – tjetrin. Ai thoshte: “Dora e Zotit është me xhematin dhe kush ndahet, ai ka marrë rrugën për në zjarr”. Është vërtetuar se njeriu, që shkëputet nga xhemati, duke menduar se kështu do të jetë më I lirë e më i aftë, sprovohet nga Zoti për t`iu bërë e qartë se ai është shumë i dobët.
Omeri (r.a), i cili kishte kuptuar sekretin e kësaj feje thoshte: “Kapuni fort pas xhematit dhe kini frikë nga përçarja, sepse shejtani është i fortë me atë që është vetëm”. Kur një person është i vetëm, shejtani e ka të lehtë ta manipulojë. Kur bëhen dy, ai fillon e largohet, ndërsa kur njerëzit bashkohen e bëhen tre, katër e kështu me rradhë, ai ka ndikim gjithnjë e më të vogël tek ta, ose nuk ndikon fare.
Omeri (r.a) thoshte: ”Kush do të hyjë në mes të xhenetit, le të kapet fort pas xhematit. Po pe një njeri, që kënaqet nga puna e tij e mirë dhe mërzitet nga e keqja që bën, ai është besimtar”. Kjo ishte një nga hutbet e tij.
 
Profeti (a.s) i lavdëronte ensarët (muslimanët e Medines). Ai thoshte: “A i keni parë ensarët kur dalin për udhëtim. Secili e merr ushqimin e tij dhe pastaj shtrojnë një copë të madhe dhe e bashkojnë ushqimin”. Nuk thonë se kjo është e imja e kjo është e jotja, këtë e kam bërë unë e këtë e ke bërë ti. Ensarët e kishin këtë zakon, ndryshe nga ata që erdhën nga Meka, ku secili ulej në hijen e një peme dhe hante ushqimin e tij. Pra profeti (a.s) i nxiti muslimanët për këtë gjë, sepse ishte sjellje e mirë.
 
E dimë të gjithë, se më përpara njerëzit hanin shumë më pak ushqim nga ç`hahet sot. Por ata hanin bashkë dhe ushqimi kishte bereqet. Kurse sot të gjithë po hanë në pjatat e tyre, me racionet e tyre dhe përsëri të gjithë janë të pangopur. Do të ishte mirë ta mbanim këtë traditë, traditën e konsumimit të ushqimit të gjithë bashkë, të paktën në familje.
Vetë Islami është fe e bashkimit. Sot ka një tendencë, që Islamin ta bëjnë fe individuale. Njerëzit thonë: “Është mirë të jesh musliman, por falu për vete, agjëro për vete, madje edhe xhamitë është mirë të hapen në këtë kohë e të mbyllen në këtë kohë”. Ata njerëz që thonë kështu, e dinë se kjo fe ka brenda forcë e kjo forcë është bashkimi i muslimanëve. Muslimanët bashkohen pesë herë në ditë. Nëse nuk ke mundësi, atëherë të paktën për xhuma do të takohesh me njerëzit. Po ashtu në Ramazan ti agjëron bashkë me të tjerët. Kjo është forca e fesë, prandaj ata që nuk e duan Islamin thonë: “Qëndro fetar, por bëje këtë gjë individualisht, duke mos pasur marrëdhënie me njerëzit e tjerë”. Ndërsa Islami nuk e ka pranuar dhe kurrë nuk do ta pranojë këtë gjë. Ne nuk pranojmë që secili të vijë në xhami për hesap të vet, pa daashur t`ia dijë për tjetrin. Imagjino sesi ne të gjithë rrimë në një saf dhe ndërsa njëri ka halle që vetëm Zoti ia di, shoku që ka në krah nuk e vret mendjen fare për këtë gjë, madje nuk do t`ia dijë, nëse dikush tjetër ka ndonjë hall.
 
Islami ka vlerësuar sakrificën. Sakrifica bëhet për tjetrin. Nëse rrimë në xhemat, duhet të bëjmë sakrificë. Islami ka lavdëruar altruizmin, pra ta harrosh edhe veten e t`i japësh përparësi tjetrit. Kjo është thirrje për bashkëpunim, sepse hakun tënd ti e di e s`ka nevojë të të japë Zoti urdhër për hakun tënd, por të ka porositur të mos harrosh hakun e tjetrit dhe nëse harron hakun tënd dhe i jep tjetrit, ti je në gradat më të larta të besimit.
 
Islami ka lavdëruar shërbimin ndaj komunitetit. Zoti i pëlqen ata njerëz, që shërbejnë në syfyr apo në iftar, që shërbejnë në haxh. Në kohën e profetit (a.s) kishte njerëz, që nuk agjëronin dhe të tjerë që agjëronin. Ata që nuk agjëronin, ngrinin çadrat, gatuanin për vete dhe për të tjerët, shkurt i bënin të gjitha punët. Atëherë profeti (a.s) thoshte: “Këta na e kanë marrë sevapin sot, se këta na shërbyen neve”. Pra kur je në në grup, dikush e merr sevapin duke agjëruar e dikush tjetër që nuk agjëron, i merr sevapet duke u shërbyer të tjerëve. Kur je në grup dhe duron, shpërblimi është më i madh. Profeti (a.s) në disa raste e ka ditur, që mendimi i tij është më i mirë, por ka pranuar mendimin e grupit.
 
Sa ishte në Mekë, profeti (a.s) i mblidhte muslimanët në një shtëpi të vogël, në shtëpinë e Erkamit. Aty i mësoi muslimanët që të jenë vëllezër me njëri – tjetrin. Bashkë mësonin librin e Zotit, bashkë I qanin hallet, bashkë faleshin dhe kështu u formua një grup shumë i fortë besimtarësh. Kur profeti (a.s) shkoi në Medine, nga punët e para që bëri, ishte vëllazërimi i muslimanëve të Mekes me ata të Medinës.
Para se të ndërrojë jetë, kur profeti (a.s) s`ka mundur të dalë në namazin e sabahut, ka hapur perden dhe i ka parë muslimanët duke falur namaz pas Ebu Bekrit (r.a). Në ato momente profeti (a.s) buzëqeshi, aq sa xhemati për pak sa nuk e prishi namazin nga mendimi se profeti (a.s) po bëhej më mirë, por ai ka bërë me dorë që të vazhdojnë namazin e tyre. Profeti (a.s) buzëqeshi, sepse i la shokët e tij në xhemat. Ai e dinte se nëse ata do të ishin të bashkuar, do të ishin të pathyeshëm. Nëse hynte përçarja mes tyre, kjo do të ishte rreziku më i madh i kësaj feje. Kjo tregon edhe njëherë për rëndësinë e xhematit, për rëndësinë e bashkimit të muslimanëve.
 
Dijetarët e kanë vlerësuar shumë xhematin. Ata kishin një shprehje të bukur ku thuhej: “Uji i turbullt i xhematit është më i mirë se uji i kulluar i individit”. Kjo do të thotë që është më mirë të jemi me pak gabime dhe të jemi në xhemat, sesa të rrimë vetëm dhe ndahemi nga të tjerët. Tek xhemati ka më shumë bereqet. Individi sado i fortë të jetë, ai është më i ekspozuar ndaj kurtheve të shejtanit.
Një hadith thotë: “Nëse dikush është vetëm, ai është shejtan në vetvete”. (Maliku).
Po pse vallë?! Sepse shejtani ka influencë të madhe tek një person i vetëm.
 
Shokët e profetit (a.s) kishin mendime të ndryshme, por ata nuk e thyenin asnjëherë xhematin. Në kohën e profetit (a.s) muslimanët në Mina, namazin me katër rekate e falnin me dy rekate. Të njëjtën gjë bëri edhe Ebu Bekri (r.a) edhe Umeri (r.a). Kur erdhi Othmani (r.a), që ishte halife i muslimanëve, i bëri katër rekate. Ai e bëri këtë, që t`u tegojë muslimanëve, se nuk është farz të falësh dy rekate. Ishte hera e parë që ndodhte kjo gjë. Abdullah Ibn Mes`udi (r.a) një nga sahabet e mëdhenj ishte gjallë. Njerëzit vajtën dhe i thanë: “A e ke marrë vesh çfarë ka bërë Othmani (r.a)?! Nga dy rekate i ka bërë katër”. Ai u përgjigj: “Gabim e ka”. Mirëpo kur erdhi koha e namazit, ai hyri dhe i fali katër rekate. I thanë: “Ç`është kjo punë. Tani thua gabim, tani fal katër rekate”?! Ai ua ktheu: “Përçarja është sherr. Nuk e ka drejt, por nuk më shkon mendja kurrë, që të mos fal namazin me të”.
Ai e dinte se nuk ka bereqet as tek Ibn Mes`udi as tek ata muslimanë, nëse nuk i bindeshin të parit të tyre.
 
Dijetarët e fesë, imamët kryesorë kanë pasur mendime shumë të ndryshme nga njëri – tjetri, por kur bëhej diçka, ishin të gjithë bashkë në një xhemat.
E përsërisim edhe njëherë hadithin e profetit (a.s): “Bashkimi është mëshirë prej Zotit, përçarja është dëmin prej Allahut (xh.sh)”. (Ahmedi dhe Taberaniu).
Xhemati është gjithmonë i frytshëm.
 
Do të përmend disa raste, kur bashkimi në xhemat nuk është gjë e mirë:
 
1- Është e qortueshme kur përkatësia jote ndaj një xhemati, apo xhamie, të bën të harrosh përkatësinë tënde ndaj Islamit. Pra kur shenjtëron xhematin tënd. Kur ti pranon çdo gjë nga xhemati yt dhe refuzon gjithçka nga xhematet e tjera, dije se po vepron gabim. Harrojmë që kënaqësia e Zotit është mbi të gjitha. Ne rrimë në xhemat, bashkëpunojmë në xhemat, por kurrë nuk harrojmë se Islami është mbi gjithçka dhe të gjitha xhematet e punës për fe, apo të xhamive të ndryshme, janë vetëm mjete por jo qëllime në vetvete. Dikujt i duket se në këtë xhami ndihet më rehat dhe më afër Zotit. I themi atij personi: “Mirë se vjen, shyqyr që ndihesh mirë, por nuk bën që ta shenjtërosh vendin tënd, xhaminë tënde apo xhematin tënd”.
 
2- Xhemati nuk është i hajrit, kur ai çon në fanatizëm. Fanatizmi ndodh, atëherë kur dikush pranon mendim vetëm nga persona të caktuar dhe nuk do t`ia dijë për njerëz të tjerë. Disa njerëz thonë: “Pranojmë vetëm nga 3 dijetarë në botën islame dhe nuk njohim tjetër përveç tyre”. Mbi çfarë baze shumëzohet me zero gjithë kjo pasuri, që i ka dhënë Zoti kësaj feje. Kur shejtani i mësoi Ebu Hurejres ajetin Kursij, profeti (a.s) tha: “Shejtani që është mashtruesi më i madh, mbrëmë të ka thënë të vërtetën”. (Buhariu). Kur ai e pranoi të vërtetën nga shejtani, si vallë ti nuk e pranon atë nga njerëzit e tjerë!? A ka sprovë më të madhe, sikur Zoti t`u jepte diturinë vetëm tre personave?! Po kur të vdesin ata si i bëhet halli?! Humbet i gjithë umeti, humbasin gjithë muslimanët. Nuk ka asnjë problem të ndjekësh një dijetar të caktuar, por asnjëherë nuk duhet të mendojmë se askush tjetër nuk di, përveç filan dijetari, sado i madh qoftë ai. Nëse bëhet kjo, atëherë dije se feja e Allahut (xh.sh) është cunguar jashtëzakonisht.
 
3- Xhemati nuk është i hajrit kur nuk të çon në bashkëpunim, në devotshmëri dhe punë të mira. Na thërret dikush për punë të mira ndërsa ne themi: “Nuk shkoj pas filanit se nuk është nga xhemati im. Por nëse më fton dikush nga xhemati im, unë i bindem menjëherë”. Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “Duhet të bashkëpunoni për punë të mira dhe devotshmëri, nëse jeni muslimanë”. (Maide 2).
 
Nëse zbatohen këto tre rregulla, xhametet do të ishin një pasuri shumë e madhe. Le të ketë mendime të ndryshme dhe forma të ndryshme faljeje, sepse nuk mund t`i ndalim këto gjëra. Por nëse hyjnë këto tre sëmundje tek xhematet ato bëhen sherr dhe kështu umeti i profetit (a.s) përçahet jo në 72 grupe, por në 720 grupe.
Sot fatkeqësisht gjithë debatet bëhen në këtë mënyrë: “Filani nuk është i xhematit tim, nuk është i xhamisë time, nuk është i lagjes time, nuk ka të njëjtat ide me mua, prandaj nuk dua të kem të bëj me të”. Prandaj i shikon sot muslimanët si pikat e ujit të shpërndara dhe pa forcë, sepse nuk janë të bashkuar.
 
Do ta mbyll me këtë fjalë:
“Thuhet se të gjithë çifutët që janë në Amerikë, janë pronarë dhe jo punëtorë. Si shpjegohet, që i gjithë komuniteti çifut që jeton atje është pasanik? Thuhet që ata kanë një stil të çuditshëm, kanë një rregull të habitshëm. Çdo çifut i ri që vjen nga ndonjë vend i botës dhe vendoset në Amerikë, çifutët që banojnë aty shkojnë dhe e pyesin: “A ke vendosur të vish e të jetosh këtu”? Nëse ai thotë: “Po”, atëherë sipas rregullit ata shpërndajnë lajmin tek çifutët e tjerë, që banojnë në Amerikë duke iu thënë: “Vëllai ynë do të vijë të jetojë në filan vend. Ju lutemi paguani detyrimet tuaja që keni ndaj xhematit”. Detyrimi është një dollar për frymë. Mirëpo komuniteti që jeton në Amerikë mund të jetë 2 ose 3 milionë banorë. Kështu që shuma, e cila mblidhet, shkon në disa milionë dollarë, të cilat shkojnë në llogarinë bankare të këtij personi dhe për 24 orë ai e sheh veten milioner. Pastaj i thuhet këtij personi: “Nëse ke ardhur të jetosh në Amerikë atëherë me këto para, do të shkosh të blesh filan pallat, ose filan fabrikë dhe do të jesh pronar i asaj fabrike. Këtë punë do të bësh, sepse atje kemi nevojë për dikë”. Kështu ai person vjen sot në Amerikë dhe nesër e sheh veten pronar. Ky është sensi i punës në xhemat.
Sipas konceptit të çifutëve ata çdo gjë jashtë rrethit të tyre e kanë hallall. Ne si muslimanë nuk e kemi këtë. Harami që është për ne, është haram edhe për tjetrin. Por nga ana tjetër është gjynah, që muslimanët e hanë me dhëmbë njëri – tjetrin, duke bërë të kundërtën e asaj, që dëshiron feja për ne.
 
E lus Zotin, që të fusë mëshirë në bashkimin tonë dhe të mos na bëjë shkak për përçarjen e xhematit. Profeti (a.s) thoshte: “Zoti mos ju çoftë në sëmundjet e popujve të kaluar. Ata përçaheshin dhe shkatërroheshin”. (Buhariu dhe Muslimi).
 
Allahu (xh.sh) na bëftë nga ata njerëz, që gjithmonë synojnë dhe bashkëpunojnë për të ruajtur xhematin, pa u bërë fanatikë për xhematin e tyre. Le të mos na rritet mendja e të mos mendojmë se nuk kemi nevojë për dikë tjetër, se aty fillon sprova nga Zoti e është shumë e vështirë të rezistosh kur je i vetëm. Allahu na bashkoftë të gjithëve.
 
A M I N


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free