Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Dyert e shejtanit tek besimtari

Kush është shejtani? Besimi ynë, i Ehli Sunneh ue Xhema, është se shejtani është prej xhinëve. Shejtani është krijesë, i krijuar para njeriut të parë, Ademit alejhi selam. Ai është krijuar nga zjarri. Në momentin që Allahu paralajmëroi për krijimin e njeriut të parë, Ademit alejhi selam, kjo krijesë u rebelua dhe tregoi kryelartësi para madhërisë së Allahut. Për shkak të mosrespektimit të urdhrit hyjnor, ai u largua nga mëshira e Allahut, por u përbetua se do të jetë armik i njeriut deri në Ditën e Gjykimit. Allahu i Madhëruar thotë: “(Përkujto) Kur u thamë engjëjve: "Përuluni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet." Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj?" Sa këmbim i shëmtuar është ai i jobesimtarëve!”[1] Ne besojmë në ekzistimin e xhinëve dhe të shejtanit, se shejtani është nga xhinët dhe se është me çdo njeri. Pra, çdo njeri ka edhe shejtanin e tij. Këtë e argumenton hadithi i Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem, i transmetuar nga Muslimi nga hadithi i ibn Mesudit. “Nuk ka asnjë prej jush veçse i është autorizuar një xhin dhe një engjëll.” I thanë: “Edhe për ty, o i Dërguari i Allahut?!” Tha: “Edhe për mua, por Allahu i Madhëruar më ka ndihmuar kundër tij, nuk më urdhëron vetëm se për mirë.” Ai ka pasardhës dhe shtohen. Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij...”[2] Pasardhësit e shejtanit dhe pasuesit e tij mundohen t’i mashtrojnë njerëzit në jetën e kësaj bote. Metodologjia e shejtanit Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka përmendur gjashtë shkallë të cilat i përdor shejtani për devijimin e njerëzve. Shkalla e parë: Mundohet që ta fusë njeriun në kufër apo shirk. Nëse ky njeri është nga besimtarët, kalon tek shkalla tjetër. Shkalla e dytë: Shkalla e bidatit, duke u munduar ta fusë njeriun në bidate, t’i praktikojë ato. E, nëse ky njeri është nga pasuesit e Sunetit, kalon në shkallën e tretë. Shkalla e tretë: Shkalla e mëkateve të mëdha. Kjo është shkalla ku mundohet që ta fundosë njeriun në mëkatet e mëdha. E, nëse ky person është nga njerëzit që Allahu e ka mbrojtur nga këto mëkate, shejtani nuk dëshpërohet. Shkalla e katërt: Shkalla e mëkateve të vogla. Nëse edhe prej tyre është i mbrojtur, fillon ta preokupojë me metoda të tjera djallëzore. Shkalla e pestë: E preokupon njeriun me gjërat e lejuara në esencë, që njeriu ta kalojë kohën e tij në këto gjëra e të mos preokupohet me gjëra serioze, me të cilat jemi të obliguar. Shkalla e gjashtë: Kjo është shkalla ku e preokupon njeriun me gjëra të dobishme, duke e larguar nga ato që janë edhe më të dobishme. E preokupon me gjëra të mira duke e larguar nga ato që janë edhe më të mira dhe më të bukura, për shembull preokupimi me sunet ndaj farzit. Kjo është metodologjia që përdor shejtani në davetin e tij, ashtu siç na ka paralajmëruar Allahu i Madhëruar: “Nga kafshët (shtëpiake krijoi) edhe aso për ngarkim (për hipje) dhe aso, prodhimi i të cilave përdoret për shtrojë (leshi i tyre ose për therje). Hani nga ajo që Allahu ju dhuroi, e mos ndiqni gjurmët (rrugët) e shejtanit, pse ai është armik juaj i hapët.”[3] Shejtani orvatet, në fillim dalëngadalë, derisa të arrijë qëllimin e tij. Ai hyn te të gjitha shtresat e njerëzve me mënyrën që u përshtatet atyre: hyn tek dijetari nga dera e diturisë dhe tek injoranti nga dera e injorancës. Dyert e shejtanit tek besimtari Mënyrat e hyrjes së shejtanit janë të shumta, nuk ka mundësi të numërohen, po ne po përmendim disa prej tyre. Futja e paragjykimeve të këqija mes muslimanëve Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem thotë në hadithin që e shënon imam Muslimi: “Iblisi është dëshpëruar se do ta adhurojë dikush nga njerëzit e devotshëm, por mundohet të fusë përçarje.” Orvatet që të fusë mes tyre konflikte, urrejtje dhe fitne, i preokupon që të merren me njëri-tjetrin. Paragjykimet zakonisht janë nga shejtani. Sofija, nëna e besimtarëve, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem ishte në itikaf, në xhami. Shkova për ta vizituar natën, biseduam. Kur desha të kthehem për shtëpi, ai më shoqëroi rrugës. Pranë nesh kaluan dy burra nga ensarët. Kur Pejgamberi i pa ata të dy, shpejtoi dhe u tha: “Ngadalë, kjo është Sofija bint Haji.” I thanë: “Subhanallah, o Dërguari i Allahut!” Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem tha: “Shejtani ecën tek biri i Ademit në venat e gjakut. Unë u frikësova se po fut në zemrat tuaja diçka e të thuhet diçka më pas.” Burri duke ecur natën me një grua ka mundësi të krijojë dyshime dhe paragjykim të keq. Por me këtë Pejgamberi deshi që ta mënjanojë këtë paragjykim të keq dhe u tha: “Ngadalë, kjo është Sofija bint Haji.” Nga këtu mësojmë se njeriu e ka obligim nëse gjendet në pozicion ku ka mundësi të paragjykohet për të keq, duhet t’ua sqarojë të tjerëve ata që e kanë parë apo kanë dëgjuar në mënyrë që mos të bjerë në paragjykim të keq. Paragjykimi i keq është vendi nga hyn shejtani dhe të bën çdo herë të dëgjosh një fjalë dhe ta komentosh atë negativisht. Zbukurimi i bidatit Shejtani vjen për t’ia hijeshuar njeriut bidatet dhe i thotë atij: “Njerëzit në këtë kohë e kanë lënë fenë dhe vështirë është të kthehen. Për atë arsye, duhet t’i bëjmë disa ibadete që ndoshta njerëzit do të kthehen.” Apo u thotë se edhe nëse është bidat, është bidat i mirë. Por ne e dimë se kjo fe është e plotësuar dhe nuk i është lënë zbrazëtirë askujt për ta plotësuar, prandaj nuk na takon të pakësojmë diçka prej saj. Bidatet pra janë prodhim i djallit. Zmadhimi i gjërave në llogari të çështjeve të tjera Ka mundësi që njeriu të bëjë disa mëkate, por falet dhe këtë e arsyeton me pretekstin se namazi është shtylla e fesë. Ajo është prej veprave të para që do të pyetet njeriu ditën e llogarisë. Sipas tij, s’ka gjë nëse bën disa mëkate. Ky njeri e vendos namazin si ndër gjërat më madhështore për ta arsyetuar veten në lëshimin e disa ibadeteve të tjera, pra e zmadhon çështjen e namazit në llogari të çështjeve të tjera. Është e vërtetë se namazi është shtyllë e fesë, por nuk është feja vetëm namazi dhe namazi të merret si pretekst për moszbatimin e çështjeve të tjera fetare. Një tjetër mund të pretendojë se “me rëndësi është nijeti i mirë”. duke thënë se “unë kam zemër të mirë dhe nuk mendoj keq për askënd”, por i lë anash punët dhe obligimet e tjera. 4. E nesërmja dhe vonimi Kjo derë e shejtanit, pra e nesërmja dhe vonimi, janë shprehje që shejtani ua mëson njerëzve dhe ata i fusin në fjalorin e tyre të përditshëm. Disa madje e quajnë “pengesa e madhe”. Disa njerëz vendosin një çështje para vetes dhe thonë se kur ta mbarojnë shkollën, do të pendohen, duke e shtyrë me muaj e vite. Kjo është pengesa, shkollimi, pastaj e shtyn derisa të gjejë një punë. E gjen punën dhe nuk pendohet e kështu vazhdon, “sa të martohem, sa të shkoj në haxh, sa e sa...”. Ai vendos para vetes një pengesë dhe thotë nesër, jeton me shpresa të gjata derisa t’i vijë vdekja. Vdes dhe nuk e fillon jetën reale kurrë! Qëllimi i fundit që shejtani do nga ti është që të të pengojë nga puna ose të vonohesh. Ibn Kajimi thotë: “Shejtani ua fut në qejf njerëzve shprehjen “nesër”, derisa e mashtron njeriun të falet natën e ta lërë pa falur namazin e sabahut.” 5. Mashtrimet e rrejshme Vjen shejtani te njeriu dhe i thotë: “Ti je më i mirë se të tjerët; ti falesh ndërsa të tjerët nuk falen. Ti agjëron e të tjerët nuk agjërojnë.” Shejtani të bën të shohësh atë që është më poshtë teje me vepra të mira. Gjithë këtë e bën vetëm për ta penguar njeriun nga puna. 6. Mosnjohja e vërtetë e vetvetes Shejtani ka dy rrugë në këndvështrimin e vetvetes: a) Vetëpëlqimi, vetëmashtrimi: Kjo e shtyn njeriun ta shohë veten me pëlqim, duke u goditur nga vetëmashtrimi dhe mendjemadhësia. Shejtani i thotë: “Ti po bën e po bën, ke bërë”. Njeriu fillon të ndryshojë, të bëhet mendjemadh, e godet vetëmashtrimi, i nënçmon të tjerët, refuzon të vërtetën, refuzon të kthehet nëse ka gabuar, refuzon të ulet e të mësojë prej të tjerëve. Për këtë arsye, njeriu duhet t’i largojë veset e këqija e mos t’i mbulojë ato. b) Modestia dhe vetënënçmimi: Shejtani të thotë se “patjetër duhet të jesh modest, se kush është modest për Allahun, e lartëson Allahu. Ti nuk je për këtë punë, këto i takojnë njerëzve të mëdhenj”. Qëllimi është që të të largojë nga mesazhi yt. Të bën ta nënçmosh vetveten dhe të mos përfitosh prej aftësive që ke. Çdonjëri nga ne është përgjegjës për aftësitë e veta dhe ato procese që nuk i fut në funksion, do të japë llogari për to. Kjo nuk është modesti, por ikje nga përgjegjësia, ikja nga detyra. Por shejtani i thotë “lërja vendin atij që është më i aftë se ti, se këto punë u takojnë njerëzve të mëdhenj”. Shejtani përdor edhe një metodë tjetër: nëse ky njeri gabon gjatë punës së tij, ai mundohet ta përgjithësojë këtë gabim. Ky përgjithësim është dera e shejtanit dhe vepra e tij. Shejtani nganjëherë bën që njeriu ta nënvlerësojë vetveten dhe të pyesë: “Kush jam unë? Shiko atë dijetar!” E, kështu e bllokon të menduarit e tij dhe nuk mendon më me kokën e vet, por me kokën e dikujt tjetër. 7) Dyshimet Dyshimet janë dyert e rrezikshme që shejtani përdor për të depërtuar tek njeriu. Por si ndodh kjo? Ai fut dyshime te njeriu në rrugën që ai ndjek, vjen dhe i thotë njeriut: “Ti po shkon në xhami, kjo kohë ka kaluar, tani është koha e kompjuterit dhe fesë i ka dalë moda”, e kjo më shumë ndodh kur besimtari gjendet në ambiente dhe me shoqëri që nuk janë të xhamisë. I thotë: “A po mendon se këta e kanë gabim e vetëm ti me ata shokët e tu e ke mirë, se këta kanë për të hyrë në xhehenem e ti në xhenet?!” E vërteta qëndron që të mos bëhet pakica apo shumica peshorja që mat të vërtetën. E vërteta është ajo që ka thënë Allahu dhe i Dërguari i Tij. Naim bin Hamadi thotë: “Xhemat quhet ajo që bie në pëlqim me nënshtrimin ndaj Allahut dhe nëse ky xhemat prishet, ti kapu tek ajo se si ka qenë xhemati para prishjes edhe nëse je vetëm, se ti vetë je xhemat.” Prej dyshimeve është edhe ajo që fut në nijetin e besimtarit duke i thënë: “Ti po bën dyfaqësi, je munafik, këtë e bën për shkak të njerëzve”, pasi qëllimi i tij është që besimtari t’i lërë punët e mira. Njeriut që dëshiron të japë sadaka dhe e sheh në atë moment dikush, i vjen shejtani dhe i thotë: “Mos jep kësaj here, lëre për herën tjetër.” Ne kemi nevojë ta përmirësojmë veten tonë dhe ta kontrollojmë herë pas here, por kjo mos të jetë shkak që ne ta lëmë punën, po ta shtojmë më shumë dhe të jetë e vazhdueshme. Harith bin Kajsi thotë: “Nëse të vjen shejtani në namaz dhe të thotë se ti po bën dyfaqësi, zgjate edhe më tepër.” 8. Frikësimi Shejtani ka dy rrugë për ta frikësuar njeriun: a) Frikësimi nga pasuesit e shejtanit: Shejtani e frikëson njeriun nga ushtria e vet dhe pasuesit e tij, nga keqbërësit dhe mëkatarët, ki kujdes prej tyre, ata kanë fuqi, kështu njeriu e lë rrugën e vërtetë. Allahu i Madhëruar thotë: “Po atë (propagandë) e bëri vetëm shejtani që dëshironte me miqtë e vet (idhujtarët), t'ju frikësojë, po ju mos u frikësoni prej tyre, frikësomuni Mua, nëse jeni besimtar.”[4] b) Frikësimi nga varfëria: Allahu i Madhëruar thotë: “Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron për të këqija, e Allahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; Allahu është dhurues i madh, i dijshëm.”[5] Shejtani të thotë: “Nëse e lë këtë punë, ku do të gjesh punë tjetër, do të bëhesh i varfër. Nëse e mbyll dyqanin në kohën e namazit të xhumasë, do t’i humbësh blerësit”. Njeriu fillon t’i frikësohet varfërisë, punon në haram... shet alkool, shet gjëra të ndaluara dhe gënjen veten se është musliman, se po të mos i shesë këto gjëra, atëherë varfëria ka për t’i ardhur në derë. Ai ka harruar se Allahu thotë: “E kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare.”[6] Shejtani ia hijeshon njeriut kamatën duke i thënë: “A nuk sheh se filani u pasurua, kurse ti ke mbetur ashtu si ke qenë, i varfër?!” Faktorët që e ndihmojnë shejtanin të realizojë qëllimet e tij 1. Injoranca: Dijetari është për shejtanin më i rëndë se 1000 pasues të bidateve. 2. Epshi, dobësimi i sinqeritetit dhe i fesë: Allahu i Madhëruar thotë: “Ai tha: "Pasha madhërinë Tënde, kam për t'i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë, përveç atyre që janë të sinqertë nga robërit e Tu!"[7] 3. Pakujdesia ndaj ndikimeve të shejtanit. Shërimi 1. Imani në Allahun e Lartësuar: Patjetër duhet të ekzistojë besimi në Allahun, mbështetja tek Ai. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe i janë mbështetur Zotit të tyre.”[8] 2. Kërkimi i diturisë nga burimet e sakta. 3. Sinqeriteti në këtë fe: Omer bin Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Llogariteni vetën para se të llogariteni, peshoni veprat tuaja para se të peshohen.” 4. Përmendja e Allahut dhe kërkimi i mbrojtjes nga djalli i mallkuar: Allahu i Madhëruar thotë: “E nëse të godet shejtani me ndonjë vesvese, ti kërko strehim tek Allahu, sepse vërtet Ai dëgjon e di.” [9] Gjithashtu nuk duhet të harrohet leximi i dy “kuleudhave”, se ato pengojnë afrimin e djallit, si dhe leximi i ajetu-l kursisë, që të ruan nga djalli. O Allah, o Zoti ynë, na bëj prej atyre që ta dhanë besën se do t’i përmbahen rrugës Tënde atë ditë kur ne thamë “La ilahe ilallah, Muhamed resulullah”, e mos na bëj prej atyre që e thyejnë besën Tënde! O Allah, o Zoti ynë, na bëj prej atyre që e pasojnë të vërtetën, punojnë me të dhe vdesin për të! O Allah, o Zoti ynë, na mbroj nga cytjet e djallit, nga kurthet e tij dhe na mundëso pendimin para se të takohemi me Ty! Amin!