Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Historia e Habilit dhe Kabilit 1

Hyrje
Fillojmë me emrin e Zotit që është shumë i dashur dhe i dhembshur me krijesat e Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi profetin Muhamed a.s, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij. Seriali ynë i radhës do të fokusohet mbi historitë dhe rrëfimet që gjenden në Kuranin fisnik. Meqë ky serial temash ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me Kuranin, kemi zgjedhur si moto “Të jetësojmë Kuranin”. Me qëllim që ta ndjejmë Kuranin dhe ta jetësojmë, duhet që fillimisht ta lejojmë të depërtojë në zemrat tona. Kur shokët e Profetit a.s dëgjonin thirrjen “O ju që keni besuar” e ndjenin se ajo u drejtohej atyre personalisht dhe i përgjigjeshin “urdhëro o Zot!” Ne duhet ta ndjejmë dhe besojmë fuqishëm se Kurani është ashtu siç e ka emërtuar vetë Zoti “dritë, shërim, udhëzim dhe e vërtetë” “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” (Isra, 9) “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” (Isra, 82) “dhe ju është zbritur një Dritë e dukshme” (Kurani).” (Nisa, 174) Myslimanët e parë e dallonin personin që e lexon Kuran, nga fytyra që kishte plot nur e shkëlqim. Kurani fisnik i përngjan shpirtit i cili i jep jetë organeve dhe fizikut. Ky është një përngjasim i marrë nga vetë Zoti i lartësuar për Kuranin:” “Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty shpirt me urdhrin dhe vullnetin Tonë.” (Shura, 52) Prandaj nëse dëshiron ti japësh energji dhe ta forcosh shpirtin, të ripërtërish vullnetin dhe vendosmërinë, lexo sa më shumë Kuran. Sidomos nëse je përballë një hapi të rëndësishëm në jetë, si martesa. Nëse dëshiron të vërtetosh transformimin që pëson kushdo që lexon Kuranin, pyeti lexuesit dhe studiuesit e tij. Ose më mirë, hidhu një vështrim arabëve para islamit dhe pas islamit. Me anë të Kuranit, ata u transformuan nga barinj delesh në udhëheqës dhe liderë popujsh. “Sikur të kishte një Kuran me të cilin të lëviznin malet ose të coptohej toka, ose të flisnin të vdekurit (që të besojmë Muhamedin)?” (Rad, 31) Nëse do të ishte e mundur lëvizja e maleve, do të mundësohej pikërisht me këtë Kuran. Nëse do të ishte e mundur copëtimi i tokës, do të mundësohej nëpërmjet Kuranit. Nëse do të ishte i mundur komunikimi me të vdekurit, do të mundësohej me anë të Kuranit fisnik. Bazuar në këtë, të gjithë fitoret dhe triumfet vendimtare të umetit mysliman, kanë ndodhur pikërisht gjatë muajit të Ramazanit, muaj ku lexohet Kurani më së shumti. Në këtë muaj myslimanët fituan ndaj kryqtarëve në Hittin. Në këtë muaj myslimanët bashkë me Profetin a.s morën Mekën. Në këtë muaj myslimanët depërtuan dhe shtrinë sundimin e tyre në Andaluzi. Në këtë muaj myslimanët dhe Egjipti riktheu shkretëtirën e Sinait dhe ia bashkëngjiti kufijve territorialë. “Ne të kemi shpallur Librin, i cili është përkujtesë për ju. Vallë, a nuk po kuptoni?” (Enbija, 10) “Përkujtesë” në këtë ajet, është e ardhmja, zhvillimi dhe lavdia e myslimanëve. Një nga myslimanët, Ahnef ibnu Kajs, e hapte çdo ditë Kuranin duke thënë:”Do të lexoj çfarë thotë Zoti im për mua sot.” Dhe lexonte:” Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit.” (Teube, 111) Mandej shtonte:”Unë nuk jam prej këtyre burrave.” Ditën tjetër, hapte Kuranin dhe lexonte:”Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës.” (Nisa, 145) dhe thoshte:”Nuk jam as prej kësaj shtrese.” Ditën e tretë hapte Kuranin dhe lexonte:”Ndërkaq, disa të tjerë i pranojnë gjynahet e veta, se i kanë përzier veprat e mira me të këqijat. Ka gjasë që Allahu t’ua pranojë pendimin.” (Teube, 102) dhe thoshte:”Unë i përkas kësaj shtrese.” A e shihni sesi i qaseshin Kuranit famë lartë ata burra? Ata e lexonin Kuranit me qëllim që ta jetësojnë, të reformohen, të ndryshojnë dhe të jenë të suksesshëm në familje dhe shoqëri. Në të njëjtën mënyrë që Zoti flet për universin, flet dhe për Kuranin fisnik dhe kjo me qëllim që të na tregojë se janë dy anë të së njëjtës monedhë. Thotë Zoti në Kuran:”Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë!” (Mulk, 1) “I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët;” (Furkan, 1) “Qoftë lavdëruar Allahu që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirën dhe dritën.” (En’am, 1) “Çdo lavd dhe falënderim i përket Allahut, i Cili i shpalli robit të Vet (Muhamedit) një Libër të dëlirë nga çdo shtrembërim,” (Kehf, 1) “Betohem në çastin e perëndimit të yjeve, e ky është betim i madh, veç sikur ta dinit se ky është vërtet një Kuran i nderuar,” (Vakia, 75-76) Me këto, sikur Zoti na thotë se planetët, malet, deti, qielli etj... janë përkujtues dhe këshillues. Vallë a e lexojmë Kuranin nga ky këndvështrim? Kurani depërton nga sytë e tu, tek gjuha dhe mandej tek i gjithë trupi dhe shpirti me qëllim që ta përmirësojë jetën dhe ti zhvillojë aftësitë e tua. Sa më shumë të fokusohesh tek Kurani, aq më shumë të shkëlqen fytyra nga nuri dhe hijeshia që të fal ky libër, aq më shumë të shtohet vullneti dhe dëshira për tu reformuar. Lexoje Kuranin të paktën dy herë gjatë Ramazanit, një herë lexim normal dhe herën tjetër gjatë namazit. Aisheja, Zoti qoftë i kënaqur me të, lexonte Kuran nga namazi i sabahut deri kur lindte dielli dhe nga iqindia deri në perëndim të diellit. Mandej falte teravitë dhe vazhdonte leximin e Kuranit gjer në sabah. Thotë një i ditur:”Gjatë Ramazanit, unë nuk njoh dije tjetër përveç Kuranit.” Thotë imam Ahmedi:”Morali i të dërguarit të Zotit ishte vetë Kurani.” Dhe vazhdonte ditë pas dite të studiojë moralet e cekura në Kuran, duke thënë:”Dua që moralet e mia gjatë Ramazanit të jenë të ngjashme me ato të Kuranit.” Thotë profeti Muhamed a.s:”Kush lexon një shkronjë nga Kurani shpërblehet me dhjetë të mira.” Kështu, fjala “Bismilahi Rrahmani Rrahim (në arabisht) ka nëntëmbëdhjetë shkronja, të cilat po ti shumëzojmë me dhjetë sevape për çdo shkronjë, bëjnë njëqind e nëntëdhjetë sevape. Këtë shifër shumëzoje me shtatëdhjetë sevapet që shtohen gjatë Ramazanit. Ditën e Kiametit do i thuhet lexuesit të Kuranit:”Lexo Kuran dhe shtoji gradët e tua në xhenet. Vendi yt në xhenet do të jetë tek shkronja e fundit e Kuranit që do të lexosh.” Thotë profeti Muhamed a.s:”Ata që janë familjarizuar me Kuranin, janë njerëzit më të afërt me Zotin.” Lexuesi i Kuranit, në xhenet do të shohë Arshin e Zotit çdo orë e çast, pasi do të jetë tavani i pallatit të tij. Ky shpërblim do i jepet atij që e ka jetësuar Kuranin, ka jetuar me moralet e tij dhe ka reformuar jetën mbi tokë me Kuran. Kush prej jush është gati që në një letër të shkruajë:”Unë do ta jetësoj Kuranin” Historitë e Kuranit Në rreshtat në vazhdim, do të flasim konkretisht si ti qasemi Kuranit, si mund të korrim sukses duke e jetësuar atë, si mund ta përdorim Kuranin për të reformuar marrëdhëniet tona familjare dhe shoqërore dhe si mund të fitojmë xhenetin me Kuran. E gjitha kjo, duke studiuar historitë që ceken në Kuran, të cilat na mësojnë katër gjëra esenciale: 1 – Si ta duam dhe ta kuptojmë Kuranin? 2 – Si ta rregullosh jetën tënde, moralet dhe të jesh i suksesshëm ti dhe familja jote? 3 – Si të lidhesh fuqishëm pas emrave dhe cilësive të Zotit? 4 – Si të zhvillohesh dhe të bësh reforma në tokë? Shumë njerëz kanë probleme me të kuptuarit e Kuranit dhe kjo mund të jetë për arsye. Duke pasur parasysh diçka të tillë, Kurani ka folur për shumë histori dhe ngjarje të kaluara. Në përgjithësi, njerëzve u pëlqejnë historitë dhe rrëfimet. Të gjithë ne jemi rritur me tregimet dhe përrallat që të rriturit na tregonin para gjumit. Duke kuptuar historitë dhe ngjarjet e cekura përciptazi në Kuran, e kemi më të lehtë ta kuptojmë të gjithë Kuranin. Është e njëjta gjë që ndodh me memorizimin e Kuranit, të cilin fillimisht e startojmë me xhuzin e fundit, i cili përbëhet nga sure të shkurtra. Mandej, familjarizohemi me Kuranin dhe e kemi më të kollajtë memorizimin e kapitujve të tjerë. Për tu ngjitur në anije apo traget, punonjësit vendosin një urë lidhëse mes molit dhe tragetit. Historitë e Kuranit kanë të njëjtin funksion, janë urë lidhëse për të kuptuar sa më mirë Kuranin. Ne do të ndalemi tek çdo histori i cekur në Kuran, duke nxjerrë xhevahiret që fshihen në brendësi të tij. Kështu do kuptojmë sekretet dhe objektivin e shumë ajeteve të cilat mund të ketë me dhjetëra vite që i lexojmë, por pa i kuptuar. Ajetet që fokusohen në ngjarjen dhe historinë e rastit, do i sjellim në fund të trajtesës. Për çdo ngjarje dhe histori, do të caktojmë nga një detyrë praktike për familjen, më saktësisht; të lexojnë bashkërisht çdo histori që do të trajtojmë. Çdo kapitull i Kuranit përmban histori dhe ngjarje. Kurani fisnik fillon me historinë e Ademit a.s dhe përfundon me historinë e elefantit të Ebrehas. Shumë sure të Kuranit, kanë marrë emrat e historive që trajtojnë në brendësi; surja Kehf, Merjem, Al Imran, Kasas etj... Me anë të këtyre historive dhe ngjarjeve, ne synojmë të ndërmarrim një reformë të plotë të jetës tonë. Kjo, pasi historitë që do të trajtojmë nuk janë histori profetësh, por të njerëzve të thjeshtë dhe normalë, si banorët e shpellës. Ata ishin të rinj normalë, nuk ishin profetë dhe as apostuj profetësh. Çdo njeri ka historitë dhe ngjarjet e tij, që mbushin faqet e jetës. Megjithatë, Zoti ka zgjedhur këto histori, pasi ato përçojnë mesazhe të fuqishme. Ato janë si pasqyra ku secili prej nesh sheh veten e tij. Personazhet e këtyre ngjarjeve dhe historive nuk janë të gjithë personazhe pozitive. Mes tyre ka edhe të tillë si Karuni, Kabili etj... Është e vërtetë që këto ndodhi i përkasin të kaluarës së lashtë, por i përkasin asaj të kaluare që përsëritet dhe shtrihet në kohë. Këto ngjarje dhe mesazhet që përçojnë i vlejnë dhe popullatave që jetojnë sot në çdo kontinent, Afrikë apo Evropë, u vlejnë myslimanëve dhe jo myslimanëve. Zoti i plotfuqishëm, ka koleksionuar tridhjetë histori në Kuran, me qëllim që njerëzit ti përdorin si pasqyrë për të eksploruar veten. Në fund të çdo tregimi dhe historie, secili do të zbulojë se cili personazh i përshtatet më shumë, si cili ka qejf ta shohë veten dhe cilin urren. Historitë e Kuranit i përngjajnë një treni ku ndodhesh ti vetë. Përbri tij, ndodhet një tren tjetër dhe ti e ke të vështirë të dallosh cili prej dy trenave po ecën dhe cili është ndalur. Për ta zbuluar këtë, të duhet diçka e tretë statike për të bërë krahasimin. Kur e ke të vështirë dhe të pamundur ta ndash të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara dhe të drejtën nga e shtrembëta, atëherë studio historitë e Kuranit si diçka statike, si një palë e tretë dhe pozitive. Duke pasur si referencë këtë dimension të tretë, do e kesh më të lehtë të mos ngatërrohesh në lëmshin e të ligës. Ka histori që flasin mbi nefsin dhe egon e njeriut. Ashtu siç kërkon të mbrosh organet e trupit nga sëmundjet, ashtu duhet të mbrosh dhe trajtosh dhe nefsin (egon) nga sëmundjet e saj. Kështu, do të zbulosh nëse ke ego të qetë, që të shtyn drejt të ligës apo qortuese. Ashtu siç do të zbulosh nëse vuan nga zilia, smira, urrejtja, koprracia apo lakmia. Një histori tjetër do të fokusohet tek disa vëllezër të cilët e prenë në besë njëri-tjetrin dhe çuan dëm trashëgiminë e të atit. Një ndodhi dhe histori tjetër sikur të pyet nëse je njeri që përcjell vlera dhe morale. Një ndodhi tjetër është e një personi i cili punon, rregullon dhe këshillon njerëzit e vendit të tij, me gjithë faktorët demoralizues që e rrethonin. “Dhe nga skajet e qytetit erdhi një njeri, duke nxituar dhe tha:“O populli im, ndiqni të dërguarit!” (Jasin, 20) Në Kuran, hasim dhe historinë e Kab ibnu Malik, e cila na bën thirrje që të mos jetojmë për veten tonë, përkundrazi do të jetojmë dhe vdesim të vegjël. Historia e djaloshit me magjistarin, na mëson si të përballemi me padrejtësinë. Ai qëndroi para mbretit tiran dhe të padrejtë ndaj të cilit triumfoi ai dhe bashkë me të e drejta që përfaqësonte. Në historitë e Kuranit gjejmë historinë e një gjyshi dhe gjysheje, të cilët i dhanë fjalën Zotit dhe njëri-tjetrit që të krijojnë një familje solide dhe besimtare (Imrani dhe gruaja e tij, nëna e Merjemes, bashkë me Merjemen dhe Isain a.s). Në një ndodhi tjetër, hasim një familje e cila përjetoi një fatkeqësi dhe traumë të rëndë familjare, ku dhëndri u vra nga vëllai i tij, i cili më vonë braktis shtëpinë. Në këto histori, do të lexojmë edhe mbi dhjetë të rinjtë besimtarë, rreth të gjashtëmbëdhjetave, për të cilët Zoti ndryshoi dhe ligjet e universit. Në këto ngjarje dhe histori do të mësojmë si ta adhurojmë dhe duam Zotin, si Merjemeja. Thotë Zoti në Kuran:” "O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëj sexhde dhe përkulu në ruku bashkë me ata që përkulen (duke adhuruar Allahun)!” (Al Imran, 43) Në një ndodhi tjetër, do të prezantohemi me një person i cili qëndroi i vdekur për njëqind vite, mandej e ringjalli Zoti. Ky person është profeti Uzejr a.s. “Po për atë i cili, kur kaloi pranë një qyteti të rrënuar përtokë, tha: “Si mund ta kthejë në jetë Allahu këtë qytet tani që ai është i vdekur?!” (Bekare, 259) Fshati për të cilin flitet në këtë ndodhi, është Kudsi (Jeruzalemi). Ajo është një ndodhi e cila na jep shpresë dhe kurajë, se Kudsi do tu kthehet sërish banorëve të saj. Gjatë këtij seriali, do të njihemi dhe me Dhul Karnejnin, i cili brodhi botën mbarë, duke i vënë energjitë dhe fuqinë që i kishte dhënë Zoti, në shërbim të njerëzimit, që nga Lindja në Perëndim.“Ne i dhamë atij mundësi në Tokë dhe i dhamë mjete e rrugë për të arritur çdo gjë,” (Kehf, 84) Nëpërmjet çdo ndodhie dhe historie, ne synojmë të pajisim me shpirt të ri, i cili të jep jetë dhe zemër për të ecur para çdo ditë. Me anë të këtyre ndodhive, ne synojmë të forcojmë ndjenjën e adhurimit të Zotit, gjë e cila patjetër duhet të reflektojë në një jetë të suksesshme. Gjatë përgatitjeve për këtë seria temash, zbulova se të gjithë librat e mëparshëm, sikur përmblidhen në historitë e Kuranit. Në këto ndodhi zbulova se ato flasin edhe mbi mënyrën e edukimit të fëmijëve, si tu flasësh, çfarë t’u thuash dhe si ta bësh të dëgjojë. Një baba të tillë të suksesshëm, e kam gjetur tek Lukmani. Me anë të këtyre ndodhive, do të ndihmojmë si të lexosh Kuranin dhe si ti forcosh lidhjet me këtë libër të mrekullueshëm. Përmbledhje: Historitë e Kuranit do të na ndihmojnë: 1 – Si ta duam dhe ta kuptojmë Kuranin? 2 – Si ta rregullojmë jetën tonë, moralet dhe si të jemi të suksesshëm në familje dhe jetë? 3 – Si të lidhemi fuqishëm pas emrave dhe cilësive të Zotit? 4 – Si të zhvillohemi dhe të ndërmarrim reforma në tokë? Historia e Kabilit dhe Habilit Historinë e parë që do të trajtojmë, është ajo nëpërmjet të cilës do të përçojmë mesazhin e shkuarjes mirë dhe forcimit të lidhjeve familjare. Ajo është historia e parë njerëzore mbi faqen e tokës, ajo është historia e dy vëllezërve, Kabilit dhe Habilit, dy djemve të Ademit a.s. Kjo histori përmendet shkurtimisht në suren Maide, nga ajeti 27 deri në ajetin 32. Ajo fillon me fjalët: “Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit;” (Maide, 27) “dy bijve të Ademit” tregon se ajo është një ngjarje që i drejtohet të gjithë bijve të Ademit, pra është një histori me përmasa botërore. Ajo nuk u drejtohet vetëm myslimanëve, por të gjithë njerëzimit. Ajo është një mesazh me përmasa botërore, për reformimin dhe zhvillimin e njerëzimit, ashtu siç është vetë Kurani një mesazh për të gjithë botën. Fjalët e para të Kuranit fillojnë me:” Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve,” (Fatiha, 2) Sakaq, fjalët e fundit me të cilat mbyllet Kurani fisnik janë:” Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve,” (Nas, 1) Fjalët “dy bijve të Ademit” sikur i drejtohen Profetit a.s që ti komunikojë umetit të tij dhe gjithë njerëzimit, thelbin dhe mesazhin e kësaj historie. Ajo është shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen e jetës humane mbi tokë. Kurse fjalët “saktësisht” do të thonë se konflikti personal, mes dy vëllezërve. Ky konflikt, u thellua aq shumë, saqë njëri nga vëllezërit ndërmori hapin mizor për të eliminuar fizikisht vëllain tjetër. Nëse këtë ngjarje do ta dëgjonim nga goja e njërit prej dy vëllezërve, do e dëgjonin krejt të ndryshme nga versioni i tjetrit. Kështu, fjalët “saktësisht” presin çdo dyshim se kjo ngjarje mund të jetë manipuluar nga njëra palë. Objektivat e historisë së Kabilit dhe Habilit Popullsia e botës sot është afro shtatë miliardë. Nëse do i ktheheshim zanafillës së jetës së njeriut mbi tokë, do të gjenim se ajo përbëhej nga dy prindër, baba dhe nënë, dy vajza dhe dy djem, Kabili dhe Habili. Pra, numri i tyre ishte gjashtë. Ajo është një histori e vjetër, por që efektet që la pas, vazhdojnë të përsëriten gjer në ditët tona. Ajo është një histori për të gjithë lidhjet farefisnore të shkëputura, për çdo familje që përjeton konflikte dhe shamata, është histori e vëllezërve që ndahen dhe harrojnë njëri-tjetrin pas vdekjes së babait. Ajo është histori e gjakut që derdhet dhe ka skuqur faqen e tokës. Ajo është histori e egos njerëzore e cila vuan nga problemet për të cilat nuk gjen dot zgjidhje. Ajo është një histori e së kaluarës, të cilën e shohim të përsëritet në të tashmen. Kjo ngjarje dhe histori, përcjell tre mesazhe të rëndësishme: 1 – Jo prishjes së lidhjeve farefisnore dhe familjare. 2 – Jo derdhjes së gjakut, sidomos brenda familjes. Ajo i drejtohet atyre vendeve të cilat janë përfshirë nga dhuna dhe gjakderdhja mes bijve të një kombi. 3 – Njihe mirë veten.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free