Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

I burgosuri i Luisit XIV

Një nga të burgosurit e Luisit XIV ishte dënuar me vdekje. Ai ishte mbyllur në një qeli, e cila gjendej nga ana e detit. Nga dita e ekzekutimit kishte mbetur vetëm një natë e vetme.
Për Luisin e XIV rrëfehen marifete dhe hile nga më të ndryshmet dhe të çuditshmet.
Natën e fundit që do të kalonte në qeli, i burgosur befasohet nga prania e vetë Luisit XIV. Ishte nata më e tmerrshme e jetës së tij. Në një çast, ai dëgjon rojen duke hapur derën dhe me tu hapr dera, ia bef brenda vetë perandori, i cili i drejtohet me fjalët:”E di që nesër është dita e ekzekutimit tuaj, prandaj kam ardhur t’ju jap një rast të fundit. Nëse e shfrytëzon siç duhet, do të jesh i lirë. Në këtë qeli, ndodhet një dalje, e cila nuk ruhet nga rojet. Nëse e gjen dhe ndjek rrugën, ke shpëtuar. Në të kundërt, me të lindur dielli do të ekzekutohesh sipas vendimit përkatës. Uroj të kesh fat mjaftueshëm dhe ta gjesh daljen!”
Pasi i burgosuri u sigurua se premtimi i mbretit ishte serioz dhe se nuk ishte vetëm një shaka pa kripë, i premtoi se do e gjejë daljen.
Pasi ia hoqën prangat, rojet bashkë me mbretin u larguan nga qelia, me qëllim që të mos i çojnë dëm asnjë minutë më shumë.
I burgosuri mbeti pa fjalë nga ajo që ndodhi. Ai e besonte se mbreti e kishte seriozisht dhe se mbreti shquhej për marifete dhe dredhi të tilla. Meqë nuk kishte zgjidhje tjetër, ai vendosi të mos i humbasë shpresat në gjetjen e daljes.
Menjëherë filloi të kërkojë në çdo pëllëmbë vend. Më në fund, një dritë shprese iu shfaq përpara, kur zbuloi se njëra nga pllakat lëvizi. Me ta hequr, para iu shfaq një tunel i errët dhe disa shkallë që zbrisnin në një bodrum. Ai zbriti poshtë dhe para i dolën një palë shkallë të tjera, të cilat e orientonin në një korridor. Ai vazhdoi të zbresë në bodrume, të ngjisë shkallë dhe të përshkojë korridorë, derisa më në fund filloi të ndjejë ajrin e freskët që vinte nga jashtë. Zemra i rrihte fort nga emocionet dhe shpresa sa vinte i shtohej. Megjithatë shkallët nuk kishin fund. Ai vazhdoi të ngjitej derisa më në fund e pa veten në kullën me të lartë të kalasë, prej ku mezi dallonte tokën.
Qëndroi si i hutuar për një farë kohe sipër në kullë. Nuk kishte asnjë shans për tu arratisur. Kur pa se gjithçka kishte qenë e kotë, mori rrugën e kthimit i dëshpëruar dhe i raskapitur nga lodhja.
Me të mbërritur në qelinë e tij, e lëshoi veten përtokë i dërrmuar sa nga lodhja sa nga dëshpërimi. Megjithatë, fakti se perandori i tij nuk gënjente e ngacmoi sërish. Ashtu i shtrirë, i lodhur e i cfilitur, ai mbështeti këmbët tek muri përballë. Në një moment, nga nervozizmi e goditi murin me këmbë, si për t’ia nxjerrë atij inatin. Por si për çudi, guri lëvizi nga vendi. Ai brofi në këmbë nga gëzimi, e rroku fort gurin e madh dhe filloi ta tërheqë sa majtas djathtas. Pasi e hoqi, dalloi një tunel të ngushtë, i cili kishte hapësirë aq sa për tu zvarritur.
Vazhdoi të zvarritej brenda tunelit, derisa filloi të dëgjojë zërin e ëmbël të ujit, gjë e cila ia zgjoi sërish shpresën. Ku i dihej, ndoshta mund të ishte ndonjë lum aty pranë. Por shumë shpejt iu shuan shpresat, pasi e gjeti veten në një vend të mbyllur. Këtë herë mezi u kthye sërish në qeli, por nuk e lëshoi veten. Filloi të lëvizë dhe provojë të gjithë gurët dhe pllakat e qelisë, me shpresë mos gjen ndonjë rrugëdalje. Por të gjithë orvatjet ishin destinuar të dështojnë. Ndërkohë koha kalonte dhe orari i ekzekutimit afrohej. Megjithatë, i burgosuri zbulonte herë pas here rreze të reja shprese. Një herë, zbulimi e çonte tek një dritare e hekurt, një herë në një bodrum të gjatë, plot labirinte të pafund, e herë të tjerë rruga e kthente sërish në qeli. Megjithatë, gjithë natën e kaloi duke kërkuar si një i çmendur. Rrezet e shpresës i lindin herë në një cep dhe herë në një cep tjetër. Të gjitha i falnin gëzim dhe hare fillimisht, për ta vulosur me dështim dhe zhgënjim më pas.
Më në fund, nata kaloi dhe rrezet e para të diellit depërtuan në qelinë e tij. Ai vetë ishte shtrirë në mes të qelisë, krejt i këputur dhe i dërmuar. Tashmë ishte i sigurtë se afati i kishte përfunduar dhe se kishte dështuar në përpjekjet e tij.
Pas pak, ai dallon nga larg perandorin e tij, i cili me t’iu afruar i tha:”Shoh që qenka akoma këtu!”
I burgosuri ia ktheu:”Të besova në atë që më the, por...”
Perandori i tha:”Gjithçka që të thashë ishte e vërtetë.”
I burgosuri:”Nuk lash vend pa kërkuar, ku qenka ajo dalja juaj e famshme?”
Duke buzëqeshur, perandori i tha:”Dera e qelisë. Dera e qelisë ishte e hapur.”
Përse gjithmonë kërkojmë rrugët më të vështira, para se të fillojmë me ato më të lehta?
Përse besojmë se suksesin nuk do e arrijmë veçse me metodat më të vështira, edhe pse ato mund të vulosin dështimin tonë?
A qenka e pamundur të kemi sukses duke përdorur mjetet e lehta, fitimprurëse dhe të ligjshme?
Para se të kërkojmë zgjidhjet më të vështira, le të provojmë ato më të lehtat. Vetë Zoti na thotë:”Allahu dëshiron për ju lehtësimin dhe jo vështirësimin.”
Profeti Muhamed a.s thotë:”Lehtësoni dhe mos vështirësoni!”


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free