Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Qartësimi i ekranit

Transmeton Ibnu Mesudi (r.a) se Profeti (a.s) ka thënë: “ Ai që unifikon shqetësimet e tij ( ka shqetësim vetëm Allahun), Allahu ia merr për sipër të gjitha shqetësimet e tjera. Ndërsa ai që i shkapërderdh shqetësimet e veta nëpër dynja, Allahut nuk i  intereson se në cilën luginë prej luginave të dynjasë humbet ky njeri.”

Ibnul-kajimi  thotë: “Nëse robi , sa herë gdhihet dhe ngryset, nuk ka shqetësim tjetër veç Allahut, Allahu ia merr për sipër të gjitha nevojat dhe shqetësimet e tij, zemrën ia vë në punë vetëm për dashurinë e Allahut, gjuhën vetëm për kujtimin e Tij, dhe gjymtyrët vetëm për bindje ndaj Tij. E nëse sa herë gdhihet dhe ngryset nuk ka shqetësim tjetër veç dynjasë, Allahu ia ngarkon të gjitha hallet e dynjasë, shqetësimet e saj dhe lodhjet e saj dhe nuk i  lë mbështetje tjetër veç vetes së tij. Sakaq zemrën ia devijon nga dashuria e Allahut për tek dashuria e krijesave, gjuhën nga kujtimi i Allahut për tek kujtimi i tyre dhe gjymtyrët e tij ia devijon për tek shërbimi i njerëzve. Kështu që robi mundohet si egërsira në shërbim të tjetërkujt apo si puna e farkëtarit që fryn fort barkun e tij dhe shtrydh brinjët për t’i fryrë tjetër gjëje.”

Koncepti i teuhidit te selefët ( brezat e parë të myslimanëve) e ndershëm të umetit musliman, ka qenë shumë më thelbësor se sa ai skolastik, i mëvonshëm.

Imam Gazaliu (Allahu e mëshiroftë) pohon tek (Ihja ulumidin) se : “Teuhidi “ Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut” ka dy lëvore dhe një thelb. Lëvorja e parë është akti i pohimit apo deklarimit të dëshmisë së teuhidit, shehadetit. Lëvorja e dytë është mbrojtja e kësaj dëshmie nga gjithçka që bie ndesh me të. Që të dyja këto nuk përfaqësojnë realitetin e besimit apo atë që realisht e lidh robin me Allahun e tij. Ai që e realizon këtë është thelbi i teuhidit, është lidhja e zemrës dhe mendjes, emocioneve dhe ndjenjave, mendimeve dhe meditimeve me Allahun e Madhëruar.

Kur robi të shikojë tek çdo objekt apo ngjarje, e madhe apo e vogël qoftë ajo, madhështinë e Allahut, përkujdesjen e Tij, mëshirën e Tij, dijen e Tij, urtësinë e Tij, fuqinë e Tij, perfeksionin e Tij, butësinë e tij, forcën e Tij…, në këtë rast mund të thuhet se thelbit të teuhidit të tij i ka hyrë shpirti.”

Metoda e kalimit nga objekti apo ngjarja tek Krijuesi nuk është e njëjtë me metodën e analizimit apo meditimit të objekteve dhe ngjarjeve duke u nisur nga Krijuesi i tyre. Metoda e parë ka të bëjë me atë që është në kërkim të besimit ndërsa metoda e dytë ka të bëjë me atë që kërkon ta shijojë besimin e tij.

Profeti (a.s)ka thënë për Ebu Bekrin (r.a): “ Ebu Bekri nuk e arriti këtë gradë besimi as me namazin e shumtë e as me sadekanë e shumtë-të cilat e karakterizonin Ebu Bekrin- por me diçka që ka zënë rrënjë thellë në zemrën e Tij.”

Kur ndërroi jetë Umer Ibnu Hatabi, Ibnu Mesudi tha: “ Sot kanë vdekur nëntë të dhjetat e dijes”. Sahabet e tjerë i thanë: “ Në mesin tonë ka shumë të dijshëm si Umeri”. Ibnu Mesudi përgjigjet: “ Nuk kam për qëllim atë dije që mendoni ju, por njohjen e Allahut”

Pra unifikimi i plotë i ndjenjës dhe mendjes dhe drejtimi i tyre kah Allahu i Madhëruar e bëri Ebu Bekrin (r.a) që me besimin e tij të baraspeshojë besimin e të gjithë umetit siç bëri Umerin (r.a) të jetë meritori i pejkamberllëkut pas profetit Muhamed (a.s) nëse do të kishte pejgamber tjetër pas tij.

Vetëm kështu mund të shpjegosh forcën e madhe që gjeti Ebu Bekri për të nisur drejt bizantëve, në Sham, ushtrinë që kishte përgatitur Profeti (a.s) para se të vdiste, edhe pse e kishte shumë të nevojshme këtë ushtri për tu përballur me renegatët që kishin shkëputur thuajse dy të tretat e gadishullit arabik nga trupi i shtetit islam.

Unifikimi i plotë mundëson që asnjë pjesë e qenies së brendshme dhe të jashtme të shpërdorohet dhe asnjë pjesë e parcelës së shpirtit të mos pushtohet nga grami i shejtanit dhe lakmisë por  të jetë e përgatitur dhe e ruajtur  vazhdimisht  për tu mbjellë në të vetëm bima e besimit.

 Ky unifikim i plotë i mundëson besimtarit që edhe  ngjarjet më të egra të kohërave ti shikojë si arenë e reflektimit të së mirës absolute hyjnore. Këtë mesazh përcjellin në vetvete edhe tre ngjarjet e Hidrit me Musain. Analizimi i ngjarjeve vetëm brenda kuadrit të tyre material, pra duke iu referuar vetëm fillimit të tyre material dhe pasojave të tyre materiale natyrshëm çon në konkluzione që kurrën e kurrës nuk mund ta kapërcejnë këtë kuadër material dhe sakaq reagimi shprehet me befasim, zemërim, mungesë durimi... etj. Kjo në vetvete shkakton ndërprerjen e vazhdueshmërisë dhe konsekuencës së meditimit dhe thellimit në objektet dhe ngjarjet përreth nesh. Ndërsa kur ngjarjet dhe objektet analizohen duke u nisur nga Krijuesi tek krijesat, atëherë natyrshëm do kalonim në nivelin e Hidrit (a.s), në aspektin e përjetimit të ngjarjeve dhe jo të kryerjes. Me këtë e mbyll edhe Hidri (a.s) udhëtimin e tij me Musain (a.s): “Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim. Ky është shpjegimi i asaj, për të cilën ti s’munde të duroje!” Kehf 82

Pra këto ngjarje janë urdhër prej Allahut për të parë se sa e gjërë, e madhe dhe e bukur është urtësia e Allahut të cilën nuk mund ta përjetojmë nëse nuk u qasemi ngjarjeve duke filluar nga Krijuesi i tyre.

Ndryshe mund të themi se vetëm kthjelltësia e unifikimit të plotë të ndjenjave dhe mendjes sonë mund të na mundësojë përjetimin e ëmbël të hikmetit të Allahut tek ngjarjet e kohërave sado të egra të jenë ato.

Ky unifikim të mundëson të gjesh dritën hyjnore edhe tek errësirat më të plota , të përjetosh ngrohtësi edhe tek acaret më të ashpra, të përjetosh stabilitet edhe tek tërmetet dhe stuhitë më të egra.

Le të përfytyrojmë vetëm për pak çaste se sa i kthjellët ka qenë Umeri (r.a) kur po mbante predikimin e Xhumasë, hypur në minder, kur papritur ndërpret hytben dhe thërret me të madhe, dy tre herë: O Sarije po të vijnë prapa krahëve nga ana e malit.

 Sarija ishte komandanti i ushtrisë myslimane që po luftonin kundër bizantit në Sham, ndërkohë që Umeri po mbante Hytben në xhaminë e Profetit (a.s) në Medine. Pra imagjino se sa të plotë e ka pasur unifikimin e tij Umeri (r.a) dhe sa të orientuar drejt Allahut.

 

Sa më i plotë të jetë unifikimi dhe orientimi aq më e mundur dhe më e plotë do të jetë edhe soditja dhe vështrimi në mbretërinë e objekteve dhe të ngjarjeve, tamam siç thotë edhe Profeti (a.s):” Nëse shejtanët nuk do hidhnin valle në zemrat e bijve të Ademit, do të kishin soditur mbretërinë e qiejve”

Ky unifikim dhe orientim, i brendshëm, i plotë e i drejtë, natyrshëm çon tek unifikimi i saktë i sjelljes dhe unifikimi i drejtë i përpunimit të ngjarjeve, faktorizimit të tyre dhe bashkëveprimit me to ashtu siç duhet, thënë ndryshe të çon tek veprimi i gjithçkaje në përputhje me atë që don Allahu dhe për hatërin e Tij.

Pa dashur te zgjatem tek kjo e fundit po përmend vetëm ngjarjen e kolerës që ra në një nga qytetet e Shamit gjatë kohës që Umer Ibnu Hatabi po pregatitej të hynte me një pjesë të ushtrisë së tij. Umeri pasi u konsultua me shokët e tij vendosi të kthehej e të mos hynte. Ebu Ubejde Ibnu Xherahu i tha: a po ikën nga kaderi i Allahut o Umer?! Umeri i përgjigjet: Nëse do e kisha dëgjuar prej dikujt tjetër nuk do e merrja për të madhe. Po, po iki nga kaderi i Allahut për tek kaderi i Allahut. O Ebu Ubejde, po të kishe një tufë me dele dhe ti çoje për ti kullotur në një luginë e cila njërën faqe e ka të thatë e tjetrën të gjelbërt, a nuk mendon se nëse do t’i kishe kullotur tek e gjelbërta do ta kishe bërë me kaderin e Allahut dhe po ti kishe kullotur tek e thata po prap me kaderin e Allahut?

Le ti kthehemi pak atmosferës së ramazanit në të cilën jemi, dhe me të të kthehemi tek nata e njëzet e shtatë e ramazanit kur Profetit (a.s) i zbriti Kurani.

Transmeton Aishja (r.a) se fillimi i shpalljes mbi Profetin (a.s) ishte ëndrra e mirë e cila vërtetohej menjëherë. Më pas Profetit (a.s) iu bë e dashur vetmia. Sakaq ngjitej te shpella Hira për netë të tëra duke adhuruar Allahun. Herë pas here zbriste në Mekë për t’u furnizuar dhe përsëri kthehej në Shpellën Hira derisa i erdhi meleku Xhibril e i tha:” Lexo me emrin e Zotit tënd i cili krijoji... “

Një shpallje e tillë, shpallja e fundit hyjnore mbi njerëzimin, kërkonte vëmendjen dhe përqëndrimin e plotë të profetit Muhamed (a.s) dhe shpërndarja në shqetësimet e tjera të rëndomta nuk e ndihmonte aspak arritjen e këtij niveli vëmendje. Profetit (a.s), natyrisht i inspiruar nga Allahu, iu desh të krijonte një atmosferë të tillë, të favorshme për të mudësuar unifikimin e brendëshëm të plotë dhe orientimin e saktë: ambienti fizik-shpella Hira, meditim i vazhdueshëm, kujtimi i Allahut.

Duke iu referuar hadithit që u përmend më sipër:” Ai që unifikon shqetësimet e tij Allahu ia merr për sipër të gjitha shqetësimet e tjera... “ si dhe duke iu referuar përmbajtjes së Kuranit, mëshirë për të gjithë botërat dhe zgjidhje për gjithçka,  konkludohet në atë se Profeti (a.s) gjatë vetmisë së tij në shpellën Hira ka monologuar me veten rreth të gjitha problemeve për të cilat zbriti si zgjidhje Kurani. D.m.th nëse ambienti emocional, intelektual e fizik nuk do ishte në nivelin e çështjeve dhe zgjidhjeve Kuranore atëherë nuk do i kishte zbritur Kurani.

Na lejohet, duke iu referuar përmbajtjes kuranore, që me imagjinatën tonë të mundohemi të përjetojmë sadopak shqetësimet që Profeti i ka diskutuar me veten e tij: Kush jam unë? Pse jam? ç’fund kam? Po koha pse është? Po gjithësia? Yjet, dielli, hëna, kafshët bimët ç’lidhje kanë me mua? Një nga shqetësimet më të mëdha që duhet t’i ketë marrë shumë kohë Profetit (a.s) në diskutimin me veten e tij duhet të ketë qenë jeta e mekasve dhe e njerëzve në përgjithësi. Madje ky lloj shqetësimi duhet ta ketë lodhur vazhdimisht. Për këtë vlen si argument fakti se asnjëherë nuk ka adhuruar idhuj, nuk ka bërë zina, nuk ka vjedhur, nuk ka ngrënë kamat, nuk ka shkelur të dobëtin, nuk ka dëbuar të varfrin, nuk ka ngrënë ngordhësirën, nuk ka ngrënë pasurinë e jetimit. Të gjitha këto të këqija ishin pjesë e shoqërisë ku jetonte. Situata e shoqërisë që bën kontrast me pastërtinë e tij duke iu bashkangjitur e dhe karakteri i lartë proaktiv dhe pozitiv i Profetit (a.s), natyrshëm duhet ta ketë shqetësuar, më shumë se në çdo aspekt tjetër, në aspektin e mënyrës dhe rrugëve të zgjidhjes.

O ti që zemrën tënde ta ka pushtuar vëmendja ndaj Allahut, o ti që mendjen ta ka pushtuar shqetësimi për hallet e njerëzve:” Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” Alak 1-5

Pra rruga e zgjidhjes është dija dhe  jo vetëm kaq. Por ajo dije që merret në emër të Zotit e duke u nisur nga i Vetmi i adhuruar me të drejtë.

Unifikimi i plotë i orientuar plotësisht kah Allahu e bëri profetin (a.s) meritor i zgjidhjes hyjnore siç i dha forcë ta mbarti misionin e rëndë të përhapjes së mëshirës së Zotit për tek e gjithë bota.

Streset e vazhdueshme që përjeton besimtari, të cilat herë pas here gjenerojnë në lodhje morale dhe fizike, shpesh ia atribuojmë dynjasë, halleve personale, familjare e më gjerë, problemeve ekonomike... etj. Por po ti bëjmë një pyetje të sinqertë vetes: a ka ndonjë prej këtyre halleve që mund të dali jashtë kuadrit të kaderit të Allahut?! Konklozioni teorik është: jo.

Në realitet shkaku kryesor është paqartësia e ekranit të shpirtit tonë si fryt i mosunifikimit të plotë të zemrës dhe të mendjes sonë dhe mosorientimit të duhur të tyre. Sakaq kjo dukuri reflekton edhe në mosunifikimin e të jashtmes sonë: paqartësi vizioni, mungesë objektivash e si rrjedhojë: mungesë durimi, pesimizëm, lodhje e shpejtë, reagime të nxehta... etj.

Nëse muajin e ramazanit do ta quanim muajin e mexhlisit me Allahun dhe të ndejturit vet për vet me të nuk do të ishim gabim. Një element mbështetës i këtij epiteti është edhe itikafi të cilin Profeti (a.s) në ramazanin e fundit e ka bërë njëzetë ditë.

Allahu i Madhëruar i din edhe ato halle që na shqetësojnë dhe i kemi të paqarta. Por me tepër se gjithçka tjetër Ai kërkon prej robit të tij kthjelltësinë e të brendshmes së robit që i mundëson robit mënyrën e saktë të drejtimit kah Allahu e kjo si rrjedhojë i mundëson robin qarjen e sinqertë të halleve me Allahun.

Me ajetet e para të kuranit të duket sikur Allahu po të thotë: kthehu nga Allahu dhe duke ia qarë hallin Atij lexo, që të arrish tek zgjidhja e drejtë duke ditur se leximi këtu, përfaqëson rrugën më fsinike të njohjes së të vërtetës, me emrin e Zotit, dhe jo të vetmen rrugë.

Allahu I Madhëruar thotë në Kuranin e Tij famëlartë: “Drejtohu (plotësisht) me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, kjo është fitra (natyrshmëria) e Allahut, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” Rum 30