Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Selman Aude flet për interpretimin e ëndrrave, rukjen, xhindet dhe tyrbet e evliave

Dr Selman Aude, sekretar i përgjithshëm dhe asistent pranë Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë, i konsideron si strukturë ideologjike të çështjeve që kanë të bëjnë me botën e gajbit, ku hyn koncepti i evliave, xhindet, magjia, syri i keq, varret, tyrbet etj...

Ai tha se këto kanë bazë në sheriatin islam dhe se qasja ndaj tyre, përcaktohet nga ndërgjegjësimi. Ai bëri thirrje për një qasje sheriatike të saktë ndaj koncepteve të tilla si sufizmi, evliatë dhe kerametet (mrekullitë), duke mos e ekzagjeruar me çështjen e xhindeve dhe magjinë. Sot vihet re që shumë njerëz janë zhytur në detaje të gabuara të botës së gajbit, gjë e cila ua ka dobësuar lidhjet me Zotin dhe besimin tek shpallja hyjnore.

Shejh Aude tha se sufizmi nuk është një medh-heb në vete, por është një formë e shprehjes së “ihsanit” të cituar në hadithin profetik të Xhibrilit a.s “Të adhurosh Zotin njëlloj sikur e sheh, pasi, edhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty”.

 

Filozofi e gabuar

Aude tha se në sufizmin filozofik kanë depërtuar shumë ide të çuditshme rreth islamit, të cilat kanë krijuar pështjellim lidhur me konceptin ndaj Zotit. Reformimi i këtyre grupeve, të cilat kanë një rol të rëndësishëm të paktën në ruajtjen e prezencës islame në disa rajone, me gjithë shkeljet sheriatike, përbën një shans të vyer për rikthimin e shpirtit pozitiv, të pjekurirsë dhe lëvizjes reformatore. Unë jam kundër disave që orvaten ti fshijnë gjërat me një të rënë lapsi.

 

Evliatë

Aude tha se termi “evlia” është marrë nga Kurani, veçse problemi qëndron tek bindjet dhe besimet e tepruara tek aftësitë e evliave. Disa njerëz mendojnë se këta evlia kanë akses në menaxhimin e universit. Jo në pak vende, vërehen njerëz të cilët i janë përkushtuar ruajtjes së këtyre evliave të shtirur. Ata besojnë se shërbimet e këtyre evliave janë jo vetëm lokale, por edhe ndërkontinentale. Kjo, edhe pse vetë profetët dhe të dërguarit e Zotit, i patën mësuar njerëzit që të transmetojnë mesazhin hyjnor dhe se urdhëresat, ndalesat dhe menaxhimi i universit është vetëm në dorën e Zotit.

 

Tyrbe të larta

Si pasojë e këtyre besimeve, janë ndërtuar dhe tyrbet të cilat rivalizojnë ndëresat e larta, madje dhe gradaçelat për nga luksi. Njerëzit i frekuentojnë këto vende me shpresën se do u përmbushin ambiciet dhe qëllimet e tyre në këtë botë. Janë pikërisht këto gjëra ato që e kanë dobësuar sinqeritetin ndaj Zotit dhe aftësinë për shfrytëzimin e kapaciteteve për përmbushjen e ambicieve dhe përmirësimin e jetesës. Këto fenomene, e largojnë besimtarin nga lidhjet me Zotin, lutjet dhe adhurimin e Tij, ashtu siç e largojnë nga njohja e ligjeve të universit dhe jetës në tokë të vendosura nga vetë Zoti.

 

Sufizmi dhe kolonializmi

Shejh Aude përmendi dhe disa tekste të shejh Gazzalit në disa libra të tij, ku flet rreth raporteve dhe studimeve mbi këto besime të cilat i ka përdorur kolonializmi për dobësimin e fesë. Përderisa këto besime kanë lëshuar rrënjë në botën dhe shoqëritë islame, myslimanët do të mbeten të varur dhe nuk do i shfrytëzojnë kapacitetet e tyre. Edhe kur kolonializmi ushtronte dhunë e presion ndaj popullatës myslimane, këta të fundit nuk ngrinin armët kundër tij, por izoloheshin në teqe e tyrbe, duke iu lutur evliave të vdekur që ti shpëtojnë, sigurisht, pasi kishin flijuar kurbanë e shpenzuar kushedi sa të holla.

E çuditshme është se Zoti në Kuran, flet për idhujtarët arabë, të cilët kur lundronin me anije dhe prishej koha, e lusnin Zotin me sinqeritet dhe përkushtim duke hequr dorë nga të gjithë idhujt. Ndërkohë që vetë myslimanët, për fat të keq, kur janë në situata të ngjashme, nuk lusin Zotin, por evliatë dhe njerëzit e mirë.

 

Interpretimi i ëndrrave

Shejh Aude e dënoi fenomenin e interpretimit të ëndrrave që është përhapur në mënyrë të frikshme, duke thënë se:”Njerëzit janë gjithmonë të prirur të pyesin për gjëra të tilla. Ata më shumë interesohen për ëndrrat sesa për realitetin. Kështu, po ta pyesësh dikë se çfarë mendon të bëjë gjatë ditës, ai nuk e mban mend. Atij mund ti vijnë 60 mijë mendime në ditë dhe asnjërën nuk e shkruan apo ta mbajë mend.

Shejh Muhamed Gazzali tregon një rast, kur kishte vajtur në një fshat dhe dëgjon myezinin të thotë:”Dëshmoj se zotëria jonë Muhamedi është i dërguari i Zotit” Ai e pyeti se nga e kishte marrë këtë shtesën “zotëria jonë” në ezan dhe myezini i ishte përgjigjur:”Kam parë të dërguarin e Zotit në ëndërr i cili më tha:”çfarë shtë kjo largësi mes nesh?!” dhe që atëherë unë e shoqëroj emrin e tij me këtë shtesë në ezan.”

Ka njerëz të cilët çdo gjë që shohin në ëndërr, e marrin si të mirëqenë dhe e veprojnë gjatë ditës.

Ai e dënoi teprimin me çështjen e ëndrrave dhe konsiderimin e tyre si mekanizma që ndikojnë në jetën tonë.

 

Magjia

Lidhur me magjinë dhe faktin që njerëz të shumtë e lidhin atë me sëmundjet dhe fatkeqësitë që u ndodhin në jetë, dr Aude tha se magjia është përmendur në Kuran dhe se vetë Profeti a.s na këshillon:”Lexojeni suren Bekare, pasi të veprosh sipas saj është bereqet, të distancohesh prej saj është hasret dhe ajo nuk depërtohet dot nga magjia.” Megjithatë, problemi qëndron tek të kuptuarit dhe mënyra si e perceptojnë njerëzit, të cilët fokusohen vetëm tek magjia.

Janë ngritur shumë besime rreth magjisë dhe kjo e fundit ka shumë epitete si “magjia e zezë” “magjia djallëzore” etj... Youtube vlon nga xhirime të ndryshme rreth magjisë. Madje, ka vende islame në të cilat zhvillohen konferenca rreth magjisë. Diçka tjetër e ligë është ajo që njihet me emrin “ndikim shpirtëror” ku besohet se melekët ose xhindet e mirë, mund të përdoren për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.

 

Hajmalitë dhe nuskat

Dr Aude u shpreh se hajmalitë dhe nuskat janë të refuzuara në islam dhe nuk lejohen, edhe sikur të jenë shkruar me Kuran dhe emrat e Zotit, qofshin për të sëmurin apo për të shëndetshmin për ta mbrojtur nga sëmundjet. Ato nuk lejohet të vihen nën jastëk për ti ruajtur fëmijët. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve dhe vetë Profeti a.s thoshte:”Kush mban hajmali Zoti mos ia përmbushtë dëshirën.”

 

Rukja, leximi i Kuranit për të sëmurët

Shejh Selman Aude u shpreh se të lexosh Kuran (rukje) nuk do të thotë domosdoshmërish që të shkosh tek një yshtës. Askush tjetër nuk mund të lexojë Kuran, më mirë se i lexon njeriu vetes. E kush mund të jetë më i sinqertë sesa ti për veten tënde? Leximi i Kuranit, rukja, nuk është diçka enigmatike dhe mister. Ajo mund të përbëhet nga surja Fatiha, dy suret e fundit. Besoj se nuk ka mysliman që nuk i di dy suret e fundit të Kuranit. Gjithashtu mund të përdoret dhe Ajeti Kursi, dy ajetet e fundit të sures Bekare dhe fundi i sures Hashr, duke i fryrë vetes herë pas here.  Vetë Profeti a.s kur shtrihej në shtrat për të fjetur, lexonte lutjet e mëngjesit dhe të darkës, mblidhte duart dhe në to lexonte suren Ihlas, Felek dhe Nas. Mandej, me këto duar fshinte dhe fërkonte gjithë trupin. Disa kohë më parë, kam shkruar një artikull me titull “Kurani është shërim” në të cilin përmenda sëmundjet që trajton Kurani. Vetë Zoti i lartësuar e ka etiketuar Kuranin si “shërim” dhe shërimi i Kuranit është në disa nivele. Ka shërim material, pasi e motivon dhe nxit besimtarin që ta kërkojë ilaçin dhe ta përdorë atë. Kjo do të thotë se Kurani e përgatit shpirtërisht dhe psikologjikisht njeriun për tu shëruar, duke i kërkuar të mbështetet fuqishëm tek Zoti dhe Krijuesi i tij. Në këtë mënyrë, ilaçet materiale bëhen me të dobishëm dhe kanë efekt më të madh.

 

Problemi i yshtësve

Një çështje me rëndësi është dhe kontrolli dhe disiplinimi i yshtësve. Këta të fundit, duhen trajnuar dhe mbajtur nën kontroll, me qëllim që të mos abuzojnë me njerëzit, të lejohen vetëm duke respektuar kritere, ku ndër më të rëndësishmit është ai i devotshmërisë. Kam parë me sytë e mi shumë shkelje nga yshtësit, për vetë faktin se u shkojnë dhe gra të cilat u kërkojnë tu këndojnë. Kam parë yshtës të cilët ishin martuar me dhjetë gra nga ato që i kishin vajtur për shërbim, divorco njërën e martohu me tjetrën.

Këndimi i rukjes, sot është bërë si puna e interpretimit të ëndrrave. Me to merren njerëz që nuk ia kanë haberin, për më tepër që tek disa yshtës, shumë njerëz kanë hyrë sakllam, e kanë dalë naksan.

 

Teprimi me ndikimin e xhindeve

Shejh Aude kritikoi ashpër dhe ekzagjerimet lidhur me ndikimin e xhindeve. Ai tha se xhindet janë krijesa të Zotit dhe janë përmendur në Kuran, por problemi qëndron kur u atribuojmë atyre ndikim dhe rol që ata nuk e kanë. Në origjinë, njerëzit janë më të fuqishëm se xhindet dhe për këtë Zoti i dërgoi profetët dhe të dërguarit nga njerëzit, megjithëse xhindet janë më shumë. Por shumë njerëz vazhdojnë të besojnë se xhindet janë superiorë ndaj njerëzve, madje edhe zotërues të tyre.

Edhe në periudhën para islame, e cila njihet si periudha e injorancës, nuk ekzistonin besime të tilla për fuqinë e xhindeve. Është e vërtetë se sa herë fushonin diku natën thoshin:”Kërkojmë mbrojtjen e të parit të fisit të banorëve (xhinde) të këtij vendi” por ishte një zakon në kufij të caktuar. Sakaq, shoqëritë islame dhe monoteiste, të cilat i besojnë mbështetjes tek Zoti, lexojnë Kuranin, këndojnë lutjet e mëngjesit dhe të mbrëmjes, kanë rënë pre e besimeve në fuqitë e xhindeve.

 

A i pushtojnë xhindet njerëzit

Nga Profeti a.s kemi dy hadithe lidhur me këtë çështje, ku njëri është hadith i dobët. Por edhe nëse këto hadithe në total, i marrim në konsideratë, ne gjendemi para një rasti të vetëm të këtij lloji nga i gjithë jetëshkrimi i Profetit a.s, lidhur me pushtimin e njeriut nga xhindet. Disa dijetarë si Ibnu Tejmije, kanë cekur raste të ngjashme, por mos harrojmë, duhet të bëjmë dallim mes përjashtimeve dhe fenomenit. Më kujtohet një herë se dikush nga këta yshtarët më tha se unë jam pushtuar nga shtatëdhjetë xhinde, pra një familje e plotë. Unë ia ktheva: Vëlla, a është e mundur që të vuajnë nga kriza e banesave deri në këtë nivel?!

Prandaj, është mirë të studiohet dhe diagnostikohet kjo çështje. Ajo që mund të ndodhë, është thjesht ajo që njihet si “prekje” (mess) dhe kjo fjalë nuk ka përse të kuptohet aq trashë, si zaptim dhe pushtim të njeriut nga xhindet, duke kontrolluar jetën, mendimet dhe lëvizjet e tij. Prekja, është një lloj afrimi dhe aftësie për ta dëmtuar fizikisht njeriun, por sigurisht, në kufijtë që ia ka mundësuar Zoti.

 

Martesa me xhindet

Dr Aude bëri thirrje që njerëzit të mos merren me çështje të tilla si martesa apo dashuria mes xhindeve dhe njerëzve. Është mirë – tha ai – që të mjaftohemi vetëm me informacionet që na janë ofruar në Kuran dhe traditën profetike rreth xhindeve, pasi bisedat rreth kësaj çështjeje, si tek burrat dhe gratë, shkakton goxha probleme, patologji dhe iluzione.

Lidhur me leximin e dorës apo të filxhanit, ai tha se këto shkaktojnë një lloj hipnoze si tek djali apo tek vajza. Diçka e çuditshme dhe për të qeshur, është se ata që merren me këto gjëra, janë njerëz injorantë dhe të paarsimuar, s’kanë haber nga dynjaja. Mua më habit fakti, si është e mundur që njerëz të arsimuar dhe intelektualë, bien pre e këtyre xhahilëve. Si është e mundur që doktorë e profesorë, ti besojnë këtyre grave fallxhore?! Presidentë me famë botërore, si Regani dhe disa presidentë francezë, mbanin pranë fallxhore të këtij kalibri, me të cilat këshilloheshin se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

 

Dallimi mes gajbit dhe mitologjisë

Çështje të tilla na kujtojnë rëndësinë e besimit dhe bazat e gajbit (ata që besojnë tek gajbi dhe falin namazin). Dallimi mes gajbit dhe mitit, është se gajbi qëndron mbi arsyen, kurse miti qëndron poshtë arsyes.

Ka gjëra të cilat janë të vërteta dhe të pamohueshme, siç është dënimi i varrit. Por kur një predikues apo vaiz në xhami, thotë se në filan vend është parë flakë që del nga zjarri, ose dikush që i është devijuar koka nga drejtimi i Kibles etj... këto janë gjëra që nuk hyjnë tek besimi. Madje, nuk ka përse ta lidhim besimin e njerëzve me çfarë thuhet nga vaizët, por me çfarë thuhet në Kuran dhe traditën profetike, të cilat përdorin një ligjërim logjik dhe të pjekur, larg miteve.

Besimi në gajb, është motivues për njeriun që të punojë dhe ta perfeksionojë punën qëbën.