Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

RAMAZANI MUAJI I MBIKËQYRJES

Çfarë e shtyn agjëruesin të mos hajë gjatë ditës, edhe pse nuk ka asnjëri që mund ta shikojë, madje askush nuk mund ta hetojë, nse ai ngrnë apo jo. Çfarë e bën këtë njeri të mbajë sekret agjërimin e tij?

Ç`është ajo gjë që e shtyn atë djalë të ri besimtar, i cili është në kulmin e moshës së tij, në kulmin e qejfit të tij, kur del në rrugë dhe ka shumë gjëra për të parë, ai e ul shikimin e tij edhe pse të gjithë njerëzit e tjerë shikojnë e askush nuk mund t`iu thotë atyre “Pse shikoni”, sepse ta kthejnë: “Ne sytë për të parë i kemi”.

Çfarë e bën njeriun të mos jetë i korruptuar, edhe pse mund të falsifikojë faturat, mund të marrë rryshfet pa e parë njeri?

Çfarë e bën atë njeri ta mbajë sekret një vepër të mirë dhe të mos ia tregojë askujt, në një kohë kur natyra njerëzore ka dëshirë që të tjerët ta shohin, sidomos kur bëjnë punë të mira?

 

Këto pyetje dhe shumë të tjera si këto, kërkojnë përgjigje. Ka një përgjigje për të gjitha këto pyetje: “Këta njerëz janë të bindur, se Zoti i shikon”.

Allahu (xh.sh) na shikon në punët që bëjmë e në ato që kemi ndërmend t`i bëjmë. Zoti i di dëgjimet tona, shikomet tona, zemrat tona. Zoti e di se çfarë bëjmë kur jemi me njerëzit dhe kur jemi vetëm, Ai e di çfarë themi me zë apo pa zë, madje Zoti di edhe ato që kemi në zemra. Allahu (xh,sh) i di të gjitha, sepse shikimi i Tij depërton kudo. Zoti është dëshmitar për çdo gjë, sepse gjithçka është krijesë e Tij.

 

Sot njerëzit e dinë që ka njerëz të këqinj, por për ta parandaluar të keqen, ka ardhur shkenca, e cila ka nxjerrë kamera, radarë, aparate përgjuese, me qëllim që ta ulë në minimum të keqen. Shkenca mund të arrijë ta kontrollojë njeriun gjithandej, por kurrë nuk mund të depërtojë në zemrën dhe mendjen e njeriut. Për shkencën do të mbetet gjithmonë enigmë se çfarë ka njeriu në mendje.

 

Sado që të zbukurohet njeriu e të flasë fjalë të mira, ajo që ne shikojmë është shumë pak. Njeriu është si ajsbergu, ku vetëm 20% e tij është mbi ujë, ndërsa 80% e tij është nën ujë. Pa ashtu edhe ajo që ne shfaqim para të tjerëve është shumë pak, ndërsa atë që fshehim e di vetëm Allahu (xh.sh).

 

Prandaj feja është e pazëvendësueshme. Sqdo që të zhvillohet shkenca, askush nuk mund të thotë se nuk kemi nevojë për fe. Prandaj le t`i lutemi Zotit, që ta përhapë fenë e Tij anembanë rruzullit tokësor, se do të jetë më mirë për ne, më mirë për popujt e botës, do të jetë më mirë për policinë, për Ministrinë e Brendshme, për shtetin. Nëse përhapet feja, krimi do të ulet në maksimum, sepse njerëzit do të kenë frikë Allahun (xh.sh), pasi Ai i shikon njerëzit në çdo moment.

 

Teksa profeti (a.s) po rrinte njëherë me shokët e tij, erdhi një burrë me rroba të bardha, me flokë të zeza, askush nuk e njihte. Ai u ul tek gjunjët e profetit (a.s) dhe e pyeti: “O Muhamed! Ç`është ISLAMI?” Profeti (a.s) tha: “Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është rob i Tij, të falësh namazin, të japësh Zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të bësh haxhin nëse ke mundësi”. Pastaj burri pyeti: ‘Ç`është IMANI (besimi)?” Profeti (a.s) u përgjigj: “Iman do të thotë të besosh Zotin, engjëjt e Tij, profetët e Tij, librat e Tij, Ditën e Fundit dhe Caktimin e Allahut (kaderin)”. Pastaj burri pyeti: “Ç`është IHSANI (mirësia)?” Profeti (a.s) ia ktheu: “Ihsan do të thotë ta adhurosh Zotin, sikur po e shikon atë dhe dije se nëse ti nuk e sheh atë, të jesh i bindur se Ai të sheh ty”.

 

Ajo që bëjmë ne janë hapat e parë të besimit, Ne falemi, ne agjërojmë etj. Këto janë demostrim i besimit tonë. Ky është hapi i parë. Ta bësh me bindje këtë punë është hapi i dytë. Nëse arrin ta bidësh veten që Zoti të shikon kudo që të jesh, i vetm apo me shokë, në dritë apo në errësirë, kjo është grada më e lartë e besimit.

 

Ramazani është muaji i sekreteve, muaji ku njeriu kontrollon veten e tij, muaji i agjërimit. A nuk është e habitshme, se njerëzit kanë qejf të jetë të parregullt. Nëse u thua: “Mos e prekni ushqimin sa të fillojmë të gjithë bashkë”, ata mërziten, sepse çdonjëri ka dëshirë të hajë vetë sipas qejfit të tij.

 

Por në Ramazan, askush nuk guxon ta prishë agjërimin e tij para së të vijë koha e iftarit. Po ashtu askush nuk guxon të hajë pas syfyrit, edhe pse mund ta ketë të nevojshme diçka të tillë. Çfarë ndodh vallë? Kjo është kamera që të ka dhënë Allahu (xh.sh). Agjërimi është sekret, prandaj Zoti e shërblen agjërimin pa masë.

 

A e mendon vallë në çfarë gjendjeje ke arritur në Ramazan?! Ti tani kontrollon veten tënde, pa pasur nevojë që dikush të të ndjekë nga prapa, sepse e di që Allahu (xh.sh) po të shikon. Nëse vazhdojmë të jemi të tillë edhe pas Ramazanit, gjendja jonë do të ndryshojë si me dorë. Sikur ta dinim, se edhe pas Ramazanit Zoti na shikon në çdo vepër që bëjmë, në çdo fjalë që themi, në çdo vështrim me cep të syrit, në çdo shaka që bëjmë, kur jemi vetëm apo me të tjerë, gjendja jonë do të ndryshonte për mirë. Allahu (xh.sh) thotë në Kuran: “Ai e di shikimin me cepin e syve dhe atë çka fshehin zemrat”. Shikim me cepin e syve është kur ti sheh diçka sa hap e mbyll sytë. Askush nuk ka mundur ta regjistrojë atë, por atë e ka parë dhe e di Allahu (xh.sh).

 

Shpeshherë njeriu më i afërt nuk e kupton se çfarë ke në zemër, qoftë ky person gruaja jote, fëmija apo prindi yt, pasi brendësinë e zemrës tënde e di vetëm Zoti i gjithësisë. Prandaj duam apo nuk duam, ne jemi krijesa që nuk e pengojmë dot vështrimin e Allahut (xh.sh). Nëse ti arrin në këtë gradë, pra nëse ndjen që në çdo vepër a fjalë që thua, je nën mbikëqyrjen e Zotit, atëherë do ta shijosh besimin tënd dhe do qetësohesh me të. Zoti ka dashur ta bindë njeriu, se Ai e shikon robin e Tij, çfarëdo që të bëjë ai.

 

Përveç kësaj, Zoti i ka vënë çdonjërit prej nesh nga dy melekë, njëri rri nga e djathta dhe tjetri rri nga e majta. Ata regjistrojnë gjithçka që ti thua apo vepron.

Nëse njeriu nuk bindet as për këtë, dije se Zoti ka edhe një ushtar tjetër e ajo është ndërgjegja jote. Ajo është brenda vetes tënde, ajo të mban në siklet e nuk të lë rehat. Ti ke bërë një gabim që nuk e ka parë askush, por ti e di se çfarë ke bërë, prandaj mendja të rri gjithmonë aty. Kjo është ndërgjegja e njeriut.

 

Nëse njeriu nuk bindet as me këtë, dije se është toka ajo që regjistron çdo punë të njeriut dhe një ditë do të vijë e do të dëshmojë për ty ose kundra teje.

 

Por melekët dhe toka nuk e kuptojnë se çfarë ke ti në zemër, atë e di vetëm Allahu (xh.sh), Zoti i botëve. Prandaj mos kujto se po bën diçka pa të parë askush, sepse shikimit të Zotit tënd nuk mund t`i fshihesh asnjëherë.

 

Njeriu e ka siklet, nëse i thua se po e përgjojnë me kamera, pasi askush nuk ka dëshirë të kontrollohet e të survejohet, madje edhe fëmija revoltohet, nëse i thua që prindi i ka dërguar dikë që e kontrollon nga pas. Por askush nuk mërzitet kur Zoti e kontrollon, sepse Allahu (xh.sh) i mban sekret ato që bën mes teje dhe Madhështisë së Tij. Madje ka shumë punë, që melekët nuk i marrin vesh, ka shumë gjëra që ti i ke bërë, por ato i di vetëm Allahu (xh.sh) dhe nuk u thotë melekëve që t`i regjistrojnë. Në qoftë se ti e ul kokën dhe i kërkon falje Zotit për një punë të caktuar, Zoti e fal robin e Tij.

 

Sot mund t`i zbërthesh kamerat e t`i tregosh botës se çfarë ka bërë njëri apo tjetri. Ndërsa Zoti nuk i tregon kurrë sekretet e robit të Tij, nëse robi dëshiron t`i ruajë sekretet me Allahun (xh.sh).

 

Një fëmijë pyeti një dijetar: “Më trego një punë që ta bëj e të mos kem nevojë të pyes njeri tjetër, në mënyrë që ta ndjej besimin tim?” Dijetari iu përgjigj: “Thuaj La ilahe il Allah dhe qëndroji kësaj fjale”. Djali i tha: “Vallahi e kam thënë disa herë, por ja që nuk përqendrohem dot, pasi bëj gabime dhe gjynahe”. Atëherë dijetari i thotë tre fjalë shumë të thjeshta: “Kur të biesh çdo natë në gjumë, thuaj këto tre fjalë: Zoti më shikon, Zoti më kontrollon, Zoti është dëshmitar. E kur të dalësh në mëngjes, thuaj përsëri: Zoti më shikon, Zoti më kontrollon, Zoti është dëshmitar”.

Ky fëmijë tregon vetë pastaj: “Ia mësova vetes këto fjalë dhe i thosha çdo ditë e çdo natë. Arrita deri në atë pikë, sa fillova ta ndjej nga zemra kuptimin e këtyre fjalëve. Sa herë që doja të bëja diçka, i thosha vetes: Zoti të shikon, Zoti të kontrollon, Zoti është dëshmitar. Po ashtu në çdo punë të mirë që doja ta bëja, por askush nuk e shikonte (njeriu nga natyra e tij do që të tjerët ta shikojnë, kur bën një punë të mirë), mendoja me vete: S`ka gjë, të shikon Zoti, të kontrollon Zoti, Ai është dëshmitar për atë që po bën. Pastaj u rrita dhe u futa në ushtri, derisa Zoti më bëri shkak për një fitore të madhe të muslimanëve”. Ky fëmijë që u bë një komandant i madh, quhej Mahmud El Kuds. Ishte ky person që u bë shkak që muslimanët të shpëtonin nga pushtimet e barbarëve. Ky njeri kishte një sekret me Zotin dhe arriti ta përjetojë besimin e tij.

 

Fjalët duken teorike dhe kështu do të mbeten derisa t`i përjetojmë me vetet tona, por e lusim Zotin me mëshirën e tij që s`ka fund, me emrat e Tij më të bukur, me cilësitë e Tij më të larta, që të fusë në zemrat tona ndjenjën se Allahu (xh.sh) po na shikon në çdo vend, në çdo fjalë, në çdo mendim të zemrave tona. Nëse arrijmë këtë pikë, do ta shijojm adhurimin tonë, agjërimin tonë, namazin tonë dhe gjithçka që bëjmë. Kur do të bësh një punë të keqe, thuaji vetes: “Mua po më shikon Zoti. A nuk është turp”. Kur dikush bën një punë të keqe, ka dëshirë që të mos e shikojë askush, madje futet edhe në banjo, Por Allahu (xh.sh) e shikon kudo dhe asgjë nuk mund t`i fshihet shikimit të Tij. Po ashtu dikush do të bëjë një punë të mirë, vetja i thotë: “Bëje aty ku të shikojnë të tjerët”, sepse kjo është pjesë e njerëzores. Por ai që beson se Zoti e shikon kudo që të jetë, ai e bën punën e mirë, duke qenë i sigurt se Zoti nuk ia humb mundin robit të Tij.

 

Le t`i mësojmë dhe fëmijët tanë, që ta kenë frikë Zotin, ta dinë që Zoti i shikon edhe kur duan të bëjnë punë të mëqija, edhe kur duan të bëjnë punë të mira. Le t`ua përcjellim edhe vëllezërve tanë, motrave tona, punëtorëve në uzina e fabrika, tregtarëve në tregje, nxënësve në bankat e shkollës, drejtorëve të firmave, kryetarëve të shteteve ndjenjën se Zoti i shikon dhe i kontrollon në çdo moment.

 

Nuk ka kamera në botë, nuk ka shkencë që mund të arrijë të përmirësojë punën e njeriut. Njeriu gjithmonë do të bëjë hile, por vetëm besimi e bën njeiun të ndërgjegjshëm dhe e lartëson atë.

 

Një dijetar kishte shumë nxënës, por njërin e mbante shumë afër. Prindërve të fëmijëve të tjerë nuk u erdhi mirë dhe i thanë: “Pse këtë e mban më afër se fëmijët tanë?” Ai tha: “Do t`ju bind me një fakt”. Pastaj u dha të gjithë nxënësve nga një pulë e nga një thikë dhe u tha: “Shkoni dhe thereni pulën, atje ku nuk iu shikon askush, në vendin më të fshehtë dhe pastaj ma sillni mua”. Të gjithë u munduan ta kryejnë detyrën. Dikush u fut në një shpellë, dikush u fut poshtë një mali, dikush tjetër u fut nën nën një gëmushë e kështu me rradhë. Pasi e therën pulën, u kthyen tek dijetari. Të gjithë e kishin kryer detyrën e tyre, përveç një djali, i cili e solli pulën të gjallë dhe thikën e solli pa gjak. Të tjerët qeshën, ndërsa dijetari pyeti: “Pse nuk e there pulën tënde?” Djaloshi tha: “Vallahi në çdo vend që shkoja, në çdo shpellë, në çdo kaçube, pas çdo guri që doja të fshihesh e ndjeja se nuk isha vetëm, e ndjeja se Allahu (xh.sh) ishte me mua dhe më kontrollonte kudo që shkoja, prandaj nuk mund ta zbatoja porosinë tënde”. Ky ishte djaloshi që dijetari mbante më pranë vetes. Atëherë dijetari iu kthye prindërve të fëmijëve të tjerë: “A e shikoni se përse e dua këtë fëmijë?!” Këta ishin njerëzit që e përçuan fenë e Zotit. Ata kishin lidhje të forta me Zotin. Vetëm Zoti e di se sa të mira kanë bër këta njerëz. Disa prej këtyre të mirave na i ka treguar Zoti e shumë të tjera i di vetëm Ai.

I lutemi Zotit t`i mbushë zemrat tona me besim. Zoti i faltë gabimet tona, të mëdhatë e të voglat, ato që duken e ato që nuk duken, ato që kemi bërë e ato që mund t`i bëjmë. Zoti e bëftë ditën tonë të sotme më të mirë se të djeshmen, të nesërmen tonë më të mirë se të sotmen, ahiretin tonë më të mirë se dynjanë. Zoti na bëftë shkak për të lartësuar fenë e Tij.                             

A M I N