Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

KA SHPËTUAR AI QË SHPIRTIN PASTROI (sa e bukur ! )

Zoti ynë thotë në Kuranin famëlartë: “Pasha nefsin dhe Atë që e krijoi. Atë që ia mësoi nefsit të keqen dhe të mirën. Ka shpëtuar ai, që nefsin e tij e pastroi. Ka humbur ai, që nefsin e tij e neglizhoi”.
Në suren Shems Allahu (xh.sh) betohet 11 herë në 11 gjëra të ndryshme. Kur Zoti betohet në diçka, vërja gishtin kokës se është betim i madh. Ndërsa kur betohet 11 herë, me siguri betimi është 11 herë më i madh. Për çfarë betohet Allahu (xh.sh)? Përgjigja vjen në ajetin pauses të kësaj sureje. Allahu (xh.sh) thotë: “Ka shpëtuar ai që nefsin pastroi. Ka humbur ai, që nefsin e tij e la pas dore”.
Nefsi jonë është gjëja më e dashur që kemi. Nefsi është vetja jonë dhe çdokush e do veten e tij. Por bëni kujdes, se nefsi mund të jetë edhe armiku më i keq i njeriut. Nëse nefsi merr për keq, nuk ka armik më të fortë sesa nefsi.
 
Nëse bisedon me dikë dhe nuk të pëlqen muhabeti, ngrihesh pa siklet e largohesh. Nëse nuk të pëlqen shoku, ndahesh me të. Madje edhe bashkëshortët ndahen, nëse nuk e pëlqejnë njëri – tjetrin.
Po nefsit tënd çfarë do t`i bësh, nëse ai nuk është në rregull?! Ti nuk mund të ndahesh prej tij, sepse ai është vetja jote. Prandaj Muhamedi (a.s) lutej me këto fjalë: “O Allah pastroje nefsin tim, bëje atë nefs të devotshëm, Ti je Zoti dhe Kujdestari i tij. Askush tjetër nuk e pastron nefsin përveç Teje”.
Asgjë tjetër nuk meriton vëmendje më të madhe sesa nefsi i njeriut. Prindi i rri në kokë fëmijës së tij dhe për çdo gabim ai ia bën një vërejtje. Pronari i rri në kokë punëtorit të vet dhe e sheh se çfarë vepron. Po njeriu a i rri në kokë nefsit të tij. Nëse fëmija merr për keq, ti mund të jesh mirë, nëse merr punëtori për keq, ti përsëri mund të jesh mirë. Po nëse nefsi yt merr për keq, ku do të shkosh?
Ne zakonisht investojmë shumë për të tjerët, por pak punojmë me vetet tona. Nuk ka gjë më të vështirë sesa edukimi i nefsit. Ta edukosh fëmijën është e vështirë. Të edukosh fëmijën e tjetrit është akoma dhe më e vështirë. Të edukosh një popull është mjaft e vështirë. Por më e vështirë se të gjitha këto është edukimi i nefsit tënd. Prandaj ka pak njerëz që thonë: “Të edukoj njëherë veten time, pastaj të merrem me të tjerët”.
 
Nefsi kërkon stërvitjen më të madhe. Ka njerëz, që stërvisin mendjen dhe mirë bëjnë. Ka shumë të tjerë, që stërvisin trupin dhe përsëri mirë bëjnë. Por ka shumë pak që stërvisin nefsin e tyre, veten e tyre.
 
Dijetarët e kanë përngjasuar nefsin me fëmijën e vogël. Kur fëmija mësohet me qumështin e nënës, nëse nëna nuk e ndan nga gjiri, ai e ka shumë të vështirë të ndahet nga ai lloj ushqimi. Po ashtu ndodh edhe me nefsin. Nëse ai mësohet me një gjë, e ka shumë të vështirë të ndahet prej saj.
 
Allahu (xh.sh) e krijoi nefsin e njeriut me dy elementë të çuditshëm: me shpirtin prej qielli e me trupin prej toke. Ata dashje pa dashje bëjnë luftë brenda njeriut. I zgjuar është ai që i jep prioritet shpirtit, sepse “Ka shpëtuar ai që pastroi nefsin e vet” dhe nefsi pastrohet vetëm kur lidhet me Zotin. I humbur është ai, që i jep prioritet tokës dhe harron shpirtin, sepse nefsin e tij e ka lënë pas dore. Nëse ia le nefsin tokës, ajo të tërheq poshtë dhe nëse ia le nefsin qiellit, ai të tërheq lart.
Prandaj ka njerëz të mëdhenj, të cilët mund të jenë më të pastër se engjëjt e Zotit, sepse gjithmonë synojnë për lart. Ka të tjerë, që ecin me dy këmbë, por që nuk e meritojnë të quhen njerëz, pasi janë më poshtë sesa kafshët që janë krijuar prej dheu.
 
Ç`do të thotë ta pastrosh nefsin, ç`do të thotë ta edukosh veten tënde?!
 
Kjo do të thotë ta nxjerrësh të keqen nga nefsi e ta mbushësh atë me të mira. Do të thotë ta heqësh dyshimin e ta fusësh besimin, ta heqësh syfaqësinë e të fusësh sinqeritetin. Do të thotë që një punë ta bësh vetëm për hatër të Zotit, do të thotë të nxjerrësh nga nefsi koprracinë e ta mbushësh atë me bujari. Do të thotë të nxjerrësh ashpërsinë nga nefsi e ta mbushësh atë me dashuri dhe butësi.
 
Nefsi i çdo njeriu ka tre forca:
1- Forca e epshit. Epshi është dëshira për pasuri, për pushtet për ushqim, për luks. Kjo dëshirë i ngjan më shumë kafshëve, të cilat nuk kanë logjikë, por kanë vetëm epshin që duan ta plotësojnë. Kështu janë edhe ata njerëz, që nefsin e tyre e kanë lënë në dorë të forcës së epshit. Ata nuk janë njerëz. Allahu thotë në Kuran: “Ata janë si kafshët madje edhe më keq...”. Kryesor nga të gjitha kafshët është derri, i cili ka epsh të jashtëzakonshëm. Ai prish e shkatërron, ai vetëm ha e kurrë nuk ngopet. Ashtu është edhe nefsi i njeriut, kur i dorëzohet epsheve.
2- Forca e zemërimit. Ajo i ngjan bishave dhe egërsirave. Njeriu ndonjëherë del jashtë kontrolli dhe e harron veten e tij. Atij i zmadhohen sytë, i fryhen damarët, i skuqet fytyra dhe pasi i kalon kjo gjendje pyet: “A unë e bëra këtë punë”? Kështu ndodh, kur njeriu ia dorëzon nefsin e tij zemërimit. Këta njerëz nuk kanë logjikë.
3- Forca e arsyes dhe logjikës. Kjo forcë të vendos kufij për shumë gjëra, të cilat nuk duhen bërë. Ata njerëz që ia dorëzojnë nefsin e tyre arsyes dhe logjikës, meritojnë të quhen njerëz. Prandaj Allahu (xh.sh) ka bërë që logjika të drejtojë epshin dhe zemërimin. Allahu (xh.sh) na bëftë nga ata, që nefsin e tyre ia dorëzojnë logjikës dhe arsyes.
 
Të punosh me veten tënde.
Kur t`i flasësh tjetrit, t`i thuash vetes: “Po unë a e bëj këtë punë”? Kur e kritikon tjetrin, t`i thuash vetes: “Po unë a ia kam ndaluar vetes këtë gjë”? Nëse duam, që Zoti ta ndryshojë gjendjen tonë duhet të ndryshojmë vetet tona. Ky është hapi më i vështirë, por është hapi i parë në rrugën drejt suksesit. Ajo punë fillon shumë kollaj, fillon me veten tonë. Unë do të pyetem në Ditën e Kijametit vetëm për veten time dhe për asnjeri tjetër. Nëse unë ndryshoj veten time, i them Zotit: “O Zot kaq pata mundësi të ndryshoj veten time dhe Ti je Gjykues i punës që kam bërë”.
 
Të pastrosh nefsin tënd, do të thotë të kujtosh gjithmonë llogarinë. Kur të dalë para Zotit, do t`i shkojë mendja njeriut se ka pasur para, fëmijë e pushtet, por asnjëra prej këtyre nuk i hyn në llogari Zotit të gjithësisë. Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “Përveç atij që vjen me zemër të shëndoshë”. Vetëm ai shpëton.
 
Të pastrosh nefsin tënd, do të thotë të bëhesh gati për xhenet, pasi njeriu nuk hyn në xhenet pa ndryshuar veten e tij. Allahu (xh.sh) thotë: “Ai që ndal nefsin e vet, ai meriton xhenetin e Zotit të Botëve”.
 
Si pastrohet nefsi?
Pyetja është e vështirë dhe puna është akoma më e vështirë, por inshallah Zoti na e lehtëson. Nefsi pastrohet duke e njohur atë. Njeriu që nuk njeh nefsin e vet, nuk mund ta pastrojë atë.
E kush e njeh nefsin më mire se Krijuesi i nefsit, Allahu (xh.sh).  Mos prit nga jobesimtari, që ta edukojë nefsin e vet, se ai nuk beson se ka nefs. Nuk beson se ka një njeri tjetër brenda vetes së tij, që duhet ta edukojë. Kush e njeh Zotin, mundohet ta edukojë nefsin e vet.
 
Nefsi pastrohet duke e detyruar të bëjë ibadet, duke e detyruar të rrijë brenda rregullave, se nefsi s’e ka qejf ibadetin, s’e ka qejf rregullin. Ibadeti është rregull. Ibadeti është i vështirë, është i idhët, nuk është i lehtë dhe nefsi s’e ka  qejf diçka të tillë, por mësoje me ibadet, mësoje me namaz, mësoje me agjërim, me lexim Kurani. Gjithmonë kritikoje atë dhe ke për të parë se nefsi dalëngadalë zbutet dhe të rri gjithmonë pas këmbëve të tua, ndërsa kur s’e edukon atë bëhet si kalë pa fre.
 
Nefsi pastrohet duke folur me të. Sot fatkeqësisht shumë pak njerëz rrinë me nefsin e tyre. Më thoni sa njerëz rrinë pesë minuta me veten e tyre? Nuk rrimë, as televizori nuk të lë, as shoku s’të lë, as kafja s’të lë, as puna s’të lë, as makina s’të lë. Shumë pak njerëz i thonë nefsit: “Pse o nefs e bëre këtë punë? A s’ke frikë nga Zoti? A s’e di se kjo punë mund të të çojë në zjarr të xhehenemit? Pse o nefs kur dëgjove për mire, u bëre dembel, pse s’vrapove të fitosh sevapin e Zotit”?
Të diskutojmë me veten tonë, të diskutojmë me nefsin tonë. Kur kemi probleme me dikë, i themi: “Si thua të ulemi e të merremi vesh?” Po kur nuk je rehat me veten tënde, me nefsin tënd, çfarë duhet të bësh? Duhet të ulemi e të diskutojmë me nefsin tonë, por më shumë se diskutimi, nefsi ka nevojë për qortim. Nefsi duhet qortuar, se zakonisht ai anon nga e keqja dhe robi që qorton nefsin e vet është shumë më afër Zotit, sesa ai tjetri, i cili nuk e qorton nefsin e tij, por bën të kundërtën, i rreh shpatullat nefsit të vet dhe  thotë: “Mua kështu më pëlqen, kështu kam qejf të bëj, kështu ma thotë mendja”. Këta njerëz e duan nefsin e tyre, e shenjtërojnë nefsin e tyre, e kanë dorëzuar veten në dorë të nefsit të tyre dhe Zoti na ka treguar, se ai që e dorëzon veten në dorë të nefsit, ai ka shkatërruar veten e tij.
Ka disa njerëz të tjerë, jo vetëm që e duan nefsin, por e shenjtërojnë dhe e adhurojnë atë. Zoti thotë në Kuran: “A i ke parë ata njerëz, që për zot kanë epshin dhe nefsin e tyre”? Ata kanë dituri, por i janë dorëzuar totalisht nefsit të vet. Këta njerëz i ka humbur Allahu (xh.sh).
Nefsi duhet të ketë sinqeritet. Thuaji nefsit tënd: “Çfarë qëllimi kishte per këtë punë që e bëre? A që të të shohë shoku, që të të shohë dikush tjetër, apo e bëre vetëm për Zotin e gjithësisë?” Sinqeriteti është gjëja më e vështirë për nefsin, sepse nefsi nuk ka asnjë hise në sinqeritet. Por nuk ka forcë më të madhe, sesa kur njeriu e bën një punë për Allahun (xh.sh).
Nefsi pastrohet duke i përmendur vdekjen. Thuaji vetes: “O Nefs! Ha sa të duash, një ditë do ta nxjerrësh çdo gjë. Jeto sa të duash, një ditë do të vdesësh. Bëj çfarë të duash, një ditë do të japësh llogari një më një. Kujtoje o nefs vdekjen. Kujtoje atë ditë kur do të shkosh tek Zoti me punët e tua të mira dhe të këqija. Profeti (a.s) thoshte: “Zemra ndryshket ashtu siç ndryshket hekuri. Pastrojeni zemrën tuaj duke përmendur Zotin dhe duke përmendur vdekjen”.
Nefsi edukohet duke iu lutur Zotit të gjithësisë. Thuaj me gjithë zemrën tënde: “O Allah, pastroji nefset tona, rregulloji ato. Drejtoji nefset tona nga e mira. Bëje nefsin mik për ne dhe jo armik për ne”.
Profeti (a.s) u tha një ditë shokëve të tij: “Në trupin tuaj është një pjesë, e cila nëse është në rregull,  gjithë trupi është në rregull dhe nëse prishet ajo, prishet e gjithë jeta e njeriut”. Shokët e pyetën: “Cila është ajo pjesë o profet i Zotit”? Profeti (a.s) tha: “Ajo është zemra. Nëse ajo rregullohet, e gjithë jeta shkon mbarë. Nëse zemra prishet, jeta e njeriut shkatërrohet dhe ai thjesht sa mendon se jeton mbi shpinën e kësaj toke”.
 
Allahut (xh.sh) i lutemi t`i rregullojë zemrat dhe nefset tona. Njeriu është NJERI për këtë shpirt dhe këtë nefs që ka dhe jo për paraqitjen e tij. Shpeshherë njerëzit martohen nga bukuria e bashkëshortit/es dhe bukuria e ka ndikimin e saj. Por pasi martohen ata hyjnë në nefsin e njëri – tjetrit ata shikojnë një person shumë ndryshe nga sa e kishin menduar. Kështu ata ndahen se i kanë dhënë vlerë pamjes së jashtme, por nuk i kanë dhënë asnjë vlerë esencës.
Ka raste kur njerëzit martohen me pahir. Nuk të pëlqen bashkëshorti/ja. Por kur futesh brenda nefsit të tij, shikon se aty ka një thesar vlerash dhe parimet, saqë ti mahnitesh prej këtij thesari dhe nuk të hyn më në sy bukuria dhe pamja e këtij njeriu.
Prandaj gjëja më me vlerë që ka njeriu, është bota e tij e brendshme. Bukuria mund të të gënjejë për 5 minuta por jo për gjithë jetën.
 
Nëse shikojmë një vilë të bukur nga jashtë, por të errët dhe të frikshme nga brenda, a mendoni se ndokush ka dëshirë të rrijë aty?! Askush nuk do të rrijë në atë shtëpi. Ti nga jashtë mahnitesh, por mirësia e shtëpisë nuk është nga jashtë por nga brenda, se njeriu rri brenda shtëpisë dhe jo në çatinë e saj.
Ka shtëpi të tjera, që nuk duken shumë të bukura nga jashtë, por kur hyn brenda, shikon që në atë shtëpi ka futur Zoti bereqet, kënaqësi e ëmbëlsi dhe ty nuk të bën shumë përshtypje e jashtmja.
Po kështu është edhe puna e njeriut. Pamja e jashtme mund të të gënjejë, por ajo që vlen është shpirti dhe zemra e njeriut.
Prandaj i lutemi Allahut (xh.sh) që t`i rregullojë zemrat dhe nefset tona. Zoti na i  bëftë nefset të qeta, që ditën kur të vdesim të na thonë melekët: “O nefs i qetë, dil për tek Zoti. Ai është i kënaqur me ty dhe ti je i kënaqur me të. Vendbanimi yt i përhershëm është xheneti i Zotit”.
                         A M I N