Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Armiku ynë i përbetuar

A s'është e vërtetë? Ju mund të mashtroni shumë njerëz dhe këtë mund ta bëni shumë herë. Madje mund të mashtroni dhe veten tuaj për do kohë. Por Allahun, kurrën e kurrës! Pavarësisht se sa hiqemi, kurrë nuk mund ta mashtrojmë Atë që na ka krijuar. Allahu di për çdo gjethe që bie nga dega e çdo peme. Ai di dhe sa fije floku kemi në kokë. Asgjë nuk i shpëton diturisë së Tij. Të tjerët mund të na shohin si njerëz të devotshëm, të mirë e të kujdesshëm. "Sa mysliman i mirë!"- thonë. Por ne e dimë si qëndron e vërteta. Jemi më se të vetëdijshëm për xhelozinë që kemi përbrenda dhe përtacinë që na pengon për të bërë vepra të mira. Allahu i Lartësuar e di dhe këtë, madje depërton përtej zemrave. Ndërkohë, na do më të mirën dhe na fton gjithmonë drejt Tij.
Në Kuranin e shenjtë lexojmë: “Thuaj: “Mbështetem (mbrohem) me Zotin e njerëzve! Sunduesin e njerëzve. Të adhuruarin e njerëzve. Prej të keqes së cytësit që fshihet. I cili bën cytje në zemrat e njerëzve. Qoftë ai (cytësi) nga xhinët ose nga njerëzit". (Nas 114:1-6)
Ndoshta nuk na befason shumë fakti, që kjo është dhe surja e fundit në Kuran. Pasi e kemi dëgjuar gjithë shpalljen drejtuar njerëzimit, me historinë e plotë të Islamit që nga fillimi i tij, fjalët inkurajuese, këshillat, paralajmërimet për çdo situatë të jetës, Allahu e mbyll Librin e Tij me një paralajmërim. Na paralajmëron të jemi të kujdesshëm ndaj cytjeve, ndaj djallit, shejtanit. Po t'u shkojmë pas cytjeve të tij, mund të na shembet shtëpia mbi kokë. Shkuarja pas cytjeve të tij, mund të na e shkatërrojë gjithë ndërtesën e veprave të mira që kemi ngritur.  
Ai na cyt me të ligën
Allahu na thërret herë pas here drejt Tij dhe na fton të ngjisim majat e vlerave morale e të mirësisë. Na fal gjithmonë, na i shlyen gabimet dhe çdo çast na ofron mundësi për t'u bërë myslimanë më të mirë. Shejtani, Zoti na ruajt prej tij, bën përherë të kundërtën. Ai na thotë se nuk vlejmë asgjë dhe se asnjëherë nuk do të mund të jemi myslimanë të mirë, sepse jemi të këqij. Na bën të dëshpërohemi, kur s'kemi kurrfarë arsyeje për t'u dëshpëruar. Na fut në dyshim, duke na thënë se këtë e atë gjë e bëjmë për shkaqe egoiste.
Është pikërisht mënyra se si e arrin këtë, që e bën kaq të mprehtë. Ai na cyt kur jemi vetëm. Vazhdon të na cytë, duke kërkuar prej nesh të bëjmë vepra të liga. Na thotë të qëndrojmë dhe pesë minuta më shumë në shtrat dhe kështu ne i kthehemi gjumit dhe humbim namazin e sabahut. Vazhdon të na cytë, duke na futur në kokë dyshime për miqtë apo na bën dhe të gënjejmë familjen. Ai na cyt që të flasim me gjininë tjetër, përderisa nuk vjen gjë prej saj, thjesht një bisedë e zakonshme. Vërtet që Shejtani është armiku ynë i përbetuar.
Është shumë më me lehtë të kapësh apo të luftosh një armik që e sheh. Ne e dimë se si është dhe i gjejmë mënyrat për ta luftuar. Ashtu si ushtarët, edhe ne mund të përgatitemi për të luftuar një armik që e shohim. Por të zësh një armik që nuk e sheh, është shumë herë më e vështirë. Dhe shejtani, si shumë dinak që është, shkon dhe prek pikat më të dobëta. Nëse Allahu na ka dhënë pamje të bukur, na bën të ndihemi krenar se sa të pashëm jemi dhe na shtyn që këtë mirësi të Zotit ta përdorim për qëllimi të këqija, duke i tërhequr të tjerët apo duke i futur  ata të mendojnë e të veprojnë keq. Nëse Zoti na ka dhuruar inteligjencë, e përdorim atë për të treguar se sa të zgjuar jemi. Nëse jemi të fortë, e vëmë atë në punë për t'u bërë të tjerëve keq.
Tento vetëm njëherë!
Shejtani, jo vetëm që na cyt duke na bërë të ngadalësojmë hapin në vepra të mira dhe të përshpejtojmë tek e keqja, por dhe na mashtron, duke na thënë gënjeshtra. Na thotë se nuk jemi të mirë, se nuk vlejmë, se asnjëherë nuk do të arrijmë qëllimet e Islamit…pra pse të sikletosemi. Na thotë se jemi të shëmtuar, të shëndoshë, budallenj dhe se askush nuk na pëlqen. Na bën ta vëmë në dyshim çdo punë të mirë që bëjmë.
Po ka akoma më shumë. Ai jo vetëm që na cyt në zemra me atë formën e tij tinëzake, por i shtyn dhe të tjerët të na pëshpërisin. Miqtë tanë më të mirë na shtyjnë të gabojmë. Dhe kur vjen prej tyre nuk tingëllon shumë rëndë, kur na thonë të qëndrojmë dhe një orë apo një orë e gjysmë më shumë tek qendra tregtare dhe ta falim më vonë namazin e ikindisë. Qetësohemi kur shokët na thonë të rrimë ca më tepër jashtë, dhe pse prindërit na kanë thënë të kthehemi në shtëpi në një orë të caktuar, për më keq kur e dimë se ata shqetësohen nëse nuk kthehemi në orar. Na thonë të hyjmë në shoqëri me njerëz të prishur dhe të dëgjojmë muzikën më të shthurur, apo të bëjmë disa gjëra “një herë të vetme” dhe pse janë haram.
Vërtetë që shejtani është armiku ynë i përbetuar. Ai madje mashtron dhe jomyslimanët, duke u thënë se Islami është fe e ligë dhe fe e të këqijave.
Mbështetuni tek Zoti
Por të mos harrojmë se gjithçka është nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e Allahut. Vetëm kur të harrojmë këtë, vetëm atëherë do biem pre e cytjeve të shejtanit. Allahu ka krijuar qiejt dhe tokën dhe çdo gjë është mes tyre. Asgjë nuk mund t'i bëjë ballë pushtetit të Tij. Prandaj le të mos harrojmë, se për sa kohë që gjithçka bëjmë e mbështesim tek fuqia dhe mbrojtja e Allahut, nuk ka gjë që mund të na dëmtojë. Si myslimanë, bisedat i fillojmë me: “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit". Për çdo përpjekje tonën themi: "Nëse do Allahu të bëhet kështu" dhe kur kemi nevojë për ndihmë, themi: "Tek Allahu kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar".
Islami është vërtetë shumë i arsyeshëm dhe praktik. Allahu nuk na ka ngarkuar me ndonjë vështirësi, të cilën nuk mund ta mbajmë. Asnjë shpirt nuk e provon përtej mundësisë. Të jesh i vetëdijshëm, se shejtani nuk është asgjë më shumë se një cytës e pëshpëritës, ke bërë gjysmën e rrugës për ta mundur atë. Duke qenë besnik ndaj namazit dhe ndaj traditës së profetit tonë të dashur (a.s) mësohemi t'i mposhtim cytjet. Duke u shoqëruar me shokë të mirë dhe duke dëgjuar këshillën e njerëzve të mençur, bëhemi më të fuqishëm për të mundur dobësitë tona. Mos harroni se në Ramazan ne trajnohemi për të nënshtruar trupin, pra për t'ia nënshtruar atë vullnetit tonë. Kur jemi pranë Allahut, me Allahun, nuk ka gjë që mund të na mposhtë, madje as armiku më i përbetuar.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free