Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Kam frikë

I ftuar: Salah Rashid

Drejtor i qendrës Rashid për zhvillimet sociale dhe psikologjike në Kuvajt

Psikiatër

 

Prof. Xhasim El-Mutava: Esselamu alejkum, u urojmë mirëseardhjen teleshikuesve tanë të nderuar në programin tonë javor “Shtëpitë e lumtura” ku na shoqëron motoja jonë “Derisa lumturia të bëhet tradita jonë”. Urojmë që lumturia dhe gëzimi të mbushë shtëpitë dhe familjet tona.

 

Titulli i emisionit të sotëm është “Kam frikë… hezitoj…” Në fund të këtij programi, unë dhe i ftuari ynë synojmë, që titullin e këtij emisioni ta kemi ndryshuar në “Unë guxoj dhe sfidoj”.

Frika dhe hezitimi janë faktorë që prekin shumicën e njerëzve, fëmijë qofshin apo të mëdhenj, gra apo burra, beqarë apo të martuar. Unë kam në dorë një studim, i cili tregon përqindjen e fëmijëve që frekuentojnë doktorët psikiatër në Gjermani, ku 15 % e tyre vizitohen për shkak të frikës. 10 % e klientëve ishin nga mosha 15 vjeçare deri në adoleshencë. Llojet e frikës (fobisë) janë të shumta, si ajo nga trafiku, kafshët, errësira. Pre e fobisë kanë rënë dhe një pjesë e fetarëve.

I ftuari ynë në këtë emission është dr. Salah Rashid, të cilin fillimisht e pyesim: “Çfarë mendoni mbi temën e këtij emisoni?”

 

Dr. Salah: “Është një temë tërheqëse, e cila shpreh shqetësimin e shumë njerëzve, të cilët jetojnë nën trysninë e fobisë dhe në fund të këtij emisioni, urojmë, që gjendja e shumë njerëzve, që vuajnë nga fobia, të ketë ndryshuar.

 

Përqindja e atyre që vuajnë nga sëmundja e fobisë në rang ndërkombëtar

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A konsiderohet përqindja e të sëmurëve me këtë sëmundje e lartë, si tek fëmijët dhe të rriturit?”

 

Dr. Salah Rashid:”Ajo që përmende mbi situatën në Gjermani, përfaqëson përqindjen në rangun botëror. Statistikat e Kombeve të Bashkuara tregojnë se sëmundja psiqike më e përhapur mes njerëzve është HIGHLY DIGRESSED PSYCIATRIC LUNES. Kjo është sëmundja, të cilën diagnostikojnë dhe hasin shumica e psikoterapistëve, sëmundje me bazë frikën apo fobinë. Ky lloj, arrin në 10 % të pacientëve, depresioni 7 %, stresi 5 %, dyshimet 4 % dhe skezofrenia 0.10 %. Duket qartë, që fobia zë përqindjen më të lartë dhe është në rritje.

 

Dallimi mes fobisë, stresit dhe tensionimit

 

Prof. Xhasim El-Mutava: Cili është ndryshimi mes fobisë, stresit dhe tensionit?

Dr. Salah Rashid: Frika është dy llojesh:

    E përgjithshme, ku i sëmuri ka frikë diçka të papërcaktuar, si frika mbi të ardhmen.
    Fobia, e cila është frikë nga diçka e caktuar dhe e njohur, siç është frika nga vendet e mbyllura (klaustrophobia), frika nga vendet e larta (acrophobia). Vetë sëmundja e frikës, hyn tek stresi, por me qëllim që t’i dallojmë, themi: Nëse frika ëshë nga diçka e papërcaktuar ajo është stres dhe nëse është nga diçka e caktuar është fobi. Nëse stresi është i vazhdueshëm kalon në tension.

 

Frika nga dështimi dhe refuzimi

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kameramani ynë doli në rrugë dhe pyeti njerëzit mbi atë, që burrat kanë më shumë frikë. Përgjigjet ishin të ndryshme, disa prej tyre thonin, që burrat kanë më shumë frikë nga çiltërsia dhe sinqeriteti, disa të tjerët mendonin se burrat kanë frikë më shumë nga vdekja, disa të tjerë mendonin gruan, të tjerë varfërinë, të tjerë gratë, pasi ato janë një botë e panjohur. Cili është mendimi juaj doktor?”

 

Prof. Salah Rashid: ”Që të jemi më të saktë në konkluzionet, më parë duhet të pyesim: Përse burrat kanë frikë nga këto gjëra? Doktori Pol Hauk, në studimet e tij zbuloi, se llojet më të përhapura të frikës janë dy: Frika nga dështimi dhe frika nga refuzimi. Këto dy lloje zënë 80 % të atyre, që vuajnë nga frika. Kurse 20 % i mbetur janë ata, që vuajnë nga frika që njihet si “fobi.”

 

Lidhja mes frikës dhe vendim marrjes

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A ka të bëjë frika me marrjen e vendimit? Nëse njeriu nuk ka vullnet për të marrë vendime, a është kjo një shenjë që njeriu vuan nga frika?”

 

Dr. Salah Rashid: ”Po dhe kjo është një nga pasojat, që shkakton frika e vazhdueshme. Ajo është një nga pengesat kryesore në vendim marrje dhe i shkakton personit që vuan prej saj, strese dhe probleme të shumta edhe nëse ai akoma nuk ka marrë vendimin përfundimtar, ose mund të çojë në vendim marrje të gabuara. Një person që ka frikë, nuk i jepet për të hyrë në projekte, ai nuk ka forcë madje dhe të martohet. Personat që vuajnë nga refuzimi kanë një ndjeshmëri të tepruar dhe në të shumtën e rasteve nuk arrijnë të krijojnë lidhje të forta dhe të shëndetshme.

 

Të shprehesh mbi frikën tek burrat dhe tek gratë

 

Prof. Xhasim El-Mutava: “A ka ndryshim mes frikës tek burrat dhe frikës tek gratë? D.m.th të flasësh mbi frikën, a ndryshon sipas gjinisë? Sipas një raporti në Gjermani, kur djemtë kanë frikë, janë të prirur për agresivitet. Kurse tek vajzat vërehet një sjellje e shoqëruar me turp të tepruar dhe depresion”.

Dr. Salah Rashid: Mendoj se një statistikë e tillë, i përshtatet shoqërive tona arabe më shumë se atyre perëndimore. Kjo, pasi tek ne, gratë i drejtohen kësaj zgjidhjeje në raste të tilla, kurse djemtë zgjedhin dhunën dhe agresivitetin, gjë e cila tregon frikën që e ka kapluar. Person i fuqishëm dhe i ekuilibruar, mund të konsiderohet ai, që nuk është i dhunshëm as për vete dhe as për të tjerët.

 

Frika nga një martesë e pabarabartë

 

Prof. Xhasim El-Mutava: “Para fillimit të emisionit, na mori në telefon një vajzë e re, e cila na kërkoi që problemin e saj ta diskutojmë me ju. Mosha e saj është 21 vjeç dhe thotë, se prindërit e detyruan të fejohej me dikë. Tashmë ajo është e fejuar, por ajo vëren që ka një disnivel mes arsimimit të saj, që është i lartë dhe arsimimit të fejuarit që është i ulët. Gjithashtu, i fejuari ka një profesion jo të preferueshëm dhe të lartë shoqëror. Ajo tashmë është e frikësuar se nëse martohet me një njeri të tillë, kjo martesë do të dështojë dhe të përfundojë e shkurorëzuar. Në të njëjtën kohë, ajo ka frikë se po e prishi këtë lidhje, nuk do të ketë oferta të tjera për martesë. Çfarë i këshilloni kësaj vajze?”

 

Dr. Salah Rashid: “Ajo e ka analizuar shumë bukur problemin e saj. Ajo ka frikë, se nëse e refuzon këtë martesë, nuk do të ketë oferta të tjera dhe në të njëjtën kohë, ka frikë nga dështimi i një martese të tillë. Frika e saj është e justifikueshme, pasi fjala divorc, do të thotë dështim në shoqërinë ku jetojmë. Unë mendoj që çështje të tilla si e martesës dhe divorcit janë personale dhe se vendimi përfundimtar i takon vetë personit që vuan. Vendimi mund të mos jetë bindës për familjen, të cilët padyshim që do të zemërohen dhe nevrikosen, por pas një vit apo dy vitesh situata do të normalizohet. Por të jetosh me një person, që nuk e do dhe që ke frikë prej tij, është një problem dhe sakrificë e madhe. Diçka e tillë ndodh shpesh në shoqëritë tona. Në këtë rast, unë mendoj që vetë i fejuari i saj nuk ka asnjë faj, pasi aq janë mundësitë dhe aftësitë e tij. Nëse vajza e ka pranuar këtë fejesë edhe pse nuk ka qenë e bindur, ajo duhet të mbajë përgjegjësitë e kësaj martese nëse dështon. Gjëra të tilla kanë të bëjnë me të ardhmen dhe unë mendoj, që kjo vajzë duhet të mos e pranojë një martesë të tillë.

 

Depresioni

 

Një teleshikues nga Arabia Saudite: Vuaj nga depresioni dhe kam një doktor vendas që më kuron. Ka gjysëm viti që kurohem dhe marr ilaçe sipas recetave të doktorit, por nuk ndiej përmirësim edhe pse marr ilaçe. Shkaku i depresionit është një problem i vjetër. Jam i martuar.

 

Dr. Salah Rashid: “Problemi i depresionit në vendet arabe konsiston në atë, që kjo sëmundje nuk është e kuptueshme. Kështu, njerëzit tek ne vuajnë nga dy gjëra: E para është vetë sëmundja dhe e dyta është, se shoqëria nuk e pranon dhe nuk e kupton personin që vuan. Unë mendoj se shoqëritë arabe vuajnë nga sëmundja e depresionit më shumë se ç’vuajnë nga fobia. Nëse përqindja botërore e atyre që vuajnë nga depresioni është 6.5 %, tek ne kjo sëmundje kap shifrat 7 %. Nëse numri i atyre që na ndjekin nëpërmjet televizorit në këto çaste është një million, unë mendoj se 70.000 prej tyre vuajnë nga depresioni. Problemi qëndron në faktin, që tek ne mungojnë institucionet, ku njeriu dhe familja mund të marrin informacionin e duhur. Tek ne ka vetëm spitale psiqikë. Vetë Arabia Saudite, vendi ku jeton teleshikuesi që sapo foli, nuk ka institucione dhe qendra publike të specializuara në këtë fushë. Ne thjesht kemi klinika, të cilat i kurojnë të sëmurët me anë të ilaçeve, ku shumë prej tyre mund të mos kenë nevojë për ilaçe, ku shkaktarët e sëmundjes mund të jetë vetëm ambientaliste. Veç ndihmës mjekësore, i sëmuri me depresion ka nevojë dhe për suport psikologjik. Në Amerikë, Gjermani dhe shumë vende të tjera njihet motoja “i depresionuari anonim” ashtu siç kemi ne OJF, të cilat merren me kurimin e viktimave të drogës dhe që kanë për moto “Përdoruesit anonimë të drogës”.

Ata mblidhen dhe takohen, derisa i sëmuri ta kalojë sëmundjen, gjë e cila nuk ekziston tek ne. Madje njerëzit tek ne injorojnë dhe vetë psikiatrin, të cilin nuk e frekuentojnë dhe e konsiderojnë dhe atë të lojtur. Kjo ndodh, edhe pse ai kuron problemet mendore, ato psiqike dhe nervore.

 

Qendrat e trajtimit të depresionit

 

Teleshikues nga Libia: Unë do të uroja, që të ekzistonin edhe tek ne qendra dhe organizata humane, të cilat do të merreshin me trajtimin e sëmundjeve nervore.

 

Dr. Salah Rashid: “Duket qartë që teleshikuesi ka njohuri rreth këtij problemi dhe mendoj se vëllezërit tanë në Libi janë më të informuar se popullsitë e vendeve të tjera arabe. Unë shfrytëzoj praninë time në këtë studio të TV ART. U bëj thirrje fillimisht qeverive, së dyti biznesmenëve dhe së treti popujve, që ta rregullojnë këtë mangësi, duke mos lejuar që e çara të vazhdojë aq sa të jetë e pamundur rikonstruksioni i saj. Nëse të sëmurët me depresion janë mbi njëzet e pesë milionë, si duhet t’i trajtojmë dhe çfarë duhet të bëjmë për ta? Spitalet kuruese kanë filluar të mos kenë kapacitetet e duhura për të përballuar fluksin e shumtë të të sëmurëve. Ku duhet të drejtohen këta të sëmurë? Padyshim që shumica e tyre do t’u drejtohen qendrave dhe spitaleve të perëndimit për t’u kuruar.

Ne hasim dhe një problem tjetër të madh, që janë drogat që na vijnë nga Irani, Pakistani dhe Afganistani, shtete të cilët kanë vendet e Gadishullit Arabik si stacionin kryesor. Megjithatë, në të gjithë Gadishullin Arabik nuk gjendet një qendër e specializuar për trajtimin e konsumatorëve të drogave. Ashtu siç nuk gjenden qendra për trajtimin e të sëmurëve me depresion.

 

Frika e refuzimit ekziston më shumë tek gratë

 

Prof. Xhasim El-Mutava: “Kameramani ynë intervistoi shumë gra, të cilave u drejtonte pyetjen: Cilat janë gjërat që e frikësojnë më shumë gruan? Shumica e përgjigjeve ishin: Martesa e burrit me një ose më shumë gra të tjera, e ardhmja, pleqëria dhe reputacioni”.

 

Dr. Salah Rashid: “Unë mendoj, se diçka e tillë ka nevojë për më shumë studime dhe statistika të detajuara. Edhe pse statistika të tilla nuk mungojnë në perëndim, diçka e tillë mungon për shoqëritë tona arabe. Nga përgjigjet duket qartë, që gratë vuajnë më shumë nga refuzimi, emocionet dhe delikatesa e tepruar, për të cilat nuk kanë asnjë shpjegim. Nëse burrat i nervozojnë sado pak, ato qëndrojnë tërë ditën të mërzitura dhe duke pyetur veten: Vallë a më do si më parë? Përse nuk më kupton askush…?! Në kohët moderne, gruas i është shtuar dhe një frikë tjetër, frika nga dështimi. Në kohët tona, gratë punojnë dhe suksesi apo dështimi ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.

 

Përballja me rreziqet dhe guximi në projekte

 

Teleshikues nga Libia: Problemi është, se një njeri mund të kalojë nga një projekt në një tjetër dhe dështon. Ku duhet ta kërkojë zgjidhjen ky njeri?

 

Dr. Salah Rashid: “Dua t’i them diçka të rëndësishme teleshikuesit nga Libia: Jeta, ose është aventurë e guximshme ose është një hiç. Nëse njeriu nuk ndërmerr aventura të guximshme, me kusht që të jenë të studiuara mirë, ai kurrë nuk do të mundet të arrijë sukses në jetën e tij. Të gjithë njerëzit e suksesshëm pa përjashtim, të çdo niveli, fetar, material apo kulturor, pa dyshim që e kanë provuar ç’është dështimi fillimisht. Njeriu më i pasur sot në botë është Bill Gates, që posedon një pasuri prej 86 miliardë dollarësh. Ai arriti ta ndërtojë Microsoftin me punën dhe mundin e tre personave, të cilët kishin dështuar më parë në ngritjen e kompanive. Madje, njëri prej tyre dështoi dhe në projektin e Billit. Ai bëri që Billi të humbasë afro njëzet milionë dollarë dhe kjo shumë për një kompani, që sapo ka filluar të ecë, është e konsiderueshme. Vetë ky person, duke i ndjerë humbjet dhe dështimin e plotë, kërkoi dorëheqjen, por Billi i tha: Si është e mundur që kërkon dorëheqjen në një kohë që tashmë ke përfituar përvojë në këtë fushë dhe unë nuk të kam braktisur?! Kështu ai e mbajti në punë.

Në vendet arabe vuajmë nga një problem i tillë. Nëse nuk ndërmarrim vendime të guximshme në çdo fushë, pasi t’i kemi studiuar mirë, kurrë nuk do të arrijmë rezultate të kënaqshme. Madje them, që çdo arritje dhe sukses duhet të shoqërohet me një dështim të pjesshëm. Për këtë, le të përmendim shembullin e Kolen Sandros, atij burri të moshuar me mjekër të bardhë, themeluesit të Kintak-it. Pasi kishte kaluar të pesëdhjetat duke punuar si kuzhinier në një restorant, pronari i restorantit e dëboi nga puna. Ai mendoi me vete: Çfarë mund të bëj duke mos pasur një zanat tjetër dhe duke qenë i padiplomuar në këtë profesion që ushtroj? Gjithçka që kam mësuar të gatuaj është supa me mish pule. Megjithatë, ai vajti dhe filloi t’u tregojë të gjithë restoranteve mbi supën që dinte të gatuajë. A e dini në sa restorante vajti? Në 1009 restorante. Është pikërisht kjo përpjekje dhe aventurë, e cila bëri që restorantet Kintaki të përhapen në të gjithë botën dhe të gjithë këto restorante derdhin shuma të ndryshme në llogari të familjes Kolen Sandros. Shembuj të tillë janë të shumtë. Prandaj njeriu duhet të jetë i guximshëm dhe të marrë vendime të rëndësishme në këtë jetë.

Depresioni pa shkak dhe rreziku nga ilaçet

 

Një teleshikues nga Arabia Saudite: Pyetja ime e parë është: A mund të vuajë njeriu nga depresioni pa ndonjë shkak? Pyetja e dytë: Ilaçet që përdoren për të kuruar depresionin, a janë të rrezikshme për shëndetin dhe a ndien i sëmuri plogështi dhe dëshirë për të fjetur pas përdorimit të tyre?

 

Dr. Salah Rashid: “Fillimisht dua të theksoj se numri i të prekurve nga depresioni në Arabinë Saudite është në shifra të larta. Ditën që kam caktuar për konsulencë, shumica e kontakteve dhe telefonatave më vijnë nga Saudia dhe shumica e rasteve janë me depresion. Kurse kuvajtjanët vuajnë më së shumti nga stresi dhe banorët e Emirateve të Bashkuara Arabe nga problemet familjare.

Përsa i përket pyetjes së parë të teleshikuesit, them që depresioni vjen dhe pa ndonjë shkak. Disa lloje depresioni të cilat i quajmë (indigenous depression) të cilat lindin pa shkak, mund të shfaqen edhe tek fëmijët.

Kurse përsa i përket pyetjes së dytë, mendoj që dëshmia ime në këtë fushë është e pavlefshme, pasi për t’ju përgjigjur duhet të jesh i specializuar në fushën e kimisë. Gjithsesi është e pamundur dhe e papranueshme që një doktor të këshillojë një pacient të tijin, të përdorë ilaçe kundër përdorimit të drogës, pasi përdorimi i drogës është një problem më i përhapur dhe më i madh se ç’është depresioni. Nuk ka asnjë ilaç për drogën dhe kushdo që thotë se ka ilaç për drogën gënjen. Nëse një njeri konsumon drogat, ai do të jetë i varur prej tyre. Ajo që mund të ndodhë është, që ky konsumator të mund të shkëputet nga konsumimi i drogës në një periudhë kohe. Është pikërisht kjo, ajo që bëjnë shoqatat dhe organizatat e ndryshme, të cilat merren me kurimin dhe shkëputjen e të rinjve nga droga. Me anë të kurave të ndryshme, ata arrijnë ta shkëpusin përdoruesin e drogës, por ai mbetet i lidhur me të. Në çdo çast që të përballen me problemet dhe hallet e jetës, përdorimin e drogave do e shohin si një zgjidhje, qoftë dhe pas 30 apo 40 vitesh. Për këtë, një doktor i aftë nuk e kalon të sëmurin depresiv nga depresioni ose çdo lloj sëmundje tjetër në përdorim të drogave qetësuese. Gjithsesi, i sëmuri mund t’i kontrollojë ilaçet që i jepen, duke lexuar udhëzimet e përdorimit të tyre. Nëse në to shkruhet “Lufton depresionin” ato nuk përmbajnë përbërës droge edhe nëse i përdor këto ilaçe për gjashtë muaj, një vit apo dy vite rrjesht. Gjithashtu, ilaçet që përdoren për kurim, nuk kanë efekt të shpejtë, pasi efekti i tyre mund të shfaqet vetëm pas dy ose tre javësh. Gjatë kësaj kohe, shfaqen disa nga efektet anësore si dhimbje koke, pagjumësi ose dëshirë për të fjetur sa më gjatë. Gjatë kësaj periudhe, i sëmuri duhet të jetë i durueshëm, pasi ai vetë zgjodhi zgjidhjen me ilaçe dhe duhet ta çojë deri në fund. Nëse ai nuk vëren përmirësim, duhet të ndryshojë ilaçin ose doktorin.

 

Sëmundjet e prindërve ndikojnë tek fëmijët

 

Një teleshikues nga Libia: ”Vuaj nga stresi, ndihem i tensionuar dhe kam tërheqje nervore mes dy shpatullave. Jam vizituar tek shumë doktorë, por nuk kam gjetur shërim. Kam gjashtë vite që vuaj nga këto sëmundje. Një problem tjetër që kam janë dhe fëmijët e mi, të cilët nuk mësojnë fare në shkollë. Ata nuk janë aspak të shoqërueshëm dhe pjesën më të madhe të kohës e kalojnë brenda në shtëpi, duke u izoluar dhe veçuar nga shokët dhe komshinjtë”.

       

Dr. Salah Rashid: ”Para së gjithash, ne duhet të ndryshojmë veten dhe sjelljet e gabuara. Zoti thotë në Kuran: ”Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetet e tyre”.

Shumica e llojeve të fobive nisin që në vegjëli. Nëse fëmija e sheh nënën e tij gjithmonë të mërzitur dhe të dëshpëruar, mbresat e tij për jetën do të jenë të pashpresa dhe dëshpëruese. Njeriu, atë që ndjen brenda, e shpreh në pamjen e jashtme.

Nëse fëmijët vuajnë nga probleme psikologjike, prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të vëmendshëm ndaj sjelljeve dhe psikologjisë së tyre. Vendimet dhe sjelljet e gabuara kanë ndikim negativ dhe të drejtpërdrejtë në psikologjinë e fëmijëve. Unë e këshilloj teleshikuesin nga Libia, që fillimisht të përpiqet t’a qetësojë veten dhe këtë qetësi t’ua kalojë më vonë dhe fëmijëve, me anë të marrëdhënieve të ngrohta dhe kontakteve të drejtpërdrejta.

 

Hipnoza

 

Një teleshikuese nga Amerika: ”Shoh disa doktorë që përdorin hipnozat, në kurimin e disa veseve negative. Unë dua të di mendimin dhe gjykimin e Islamit në të tilla çështje”.

 

Dr. Salah Rashid: ”Unë kam mbrojtur master në fushën e hipnozës dhe kam liçensën e duhur për të kuruar me anë të hipnozës. Nëse diçka e tillë do të binte ndesh me doktrinën islame, unë as nuk do e kisha studiuar si fushë, e jo më t’a përdor.

 

Frika nga refuzimi i një vajze

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kameramani ynë doli në rrugë dhe u drejtoi të rinjve këtë pyetje: ”Çfarë do të bëjë, nëse do të kërkoje dorën e një vajze dhe ajo refuzon?”

Disa nga të rinjtë përgjigjeshin: ”Do të shokohesha.” Disa të tjerë përgjigjeshin: ”Do të vuaja nga sëmundje psikike dhe shpirtërore”. Disa të tjerë përgjigjeshin: ”Kjo do të thotë që ajo nuk mund të ishte e imja dhe do të kërkoja një vajzë tjetër”. Të tjerë thonin: ”Do të kërkoja shkaqet e refuzimit”. Ndërkohë që një i ri u përgjigj: ”Njerëz si unë nuk mund të refuzohen nga vajzat”. Cili është komenti yt mbi këto përgjigje?”

 

Dr. Salah Rashid: ”Shohim që përgjigjet janë tregues i qartë i gjendjes shpirtërore të secilit prej të rinjve. Ata që përgjigjeshin se në rast refuzimi do të kërkonin një vajzë tjetër, duket qartë që kishin një gjendje shpirtërore të qetë, të patrazuar dhe pa komplekse. Të rinj të tillë do të dijnë të çajnë në jetë. Ata që thonë, se nuk do të kërkoj një tjetër, duket që vuan nga fobia. Ndërkohë që ai që tha, se të rinj si ai nuk mund të refuzohen, duket qartë që është euforik dhe i vetëmashtruar.

Muhamedi a.s  ishte profeti i Zotit dhe refuzohej nga njerëzit. Ai u akuzua si magjistar, fallxhor, bejtexhi dhe të gjithë cilësitë negative. Të plotësosh dëshirat e të gjithë njerëzve, është diçka e pamundur.

Kurse të rinjtë që thonin, se mërzitem pak, por do të kërkoja një tjetër, janë ai tip i të rinjve, të cilët i vlerësojnë ndjenjat e tyre, megjithatë u kthehen jetës normale.

 

Frika nga fluturimi

 

Një teleshikuese nga Amerika: ”Unë kam shumë frikë nga udhëtimi me avion dhe çdo lloj tjetër fluturimi”.

 

Dr. Salah Rashid: ”Fillimisht unë dua të sqaroj se frika nga fluturimi apo udhëtimi me avion realisht nuk ekziston. Ajo është frikë nga humbja e kontrollit. Shumë njerëz nuk ndjejnë frikë, kur e drejtojnë ata makinën, qoftë dhe me shpejtësi tepër të madhe. Por me t’a marrë dikush tjetër drejtimin e makinës, ata i mbërthen paniku. Kjo vjen si rezultat i humbjes së kontrollit ndaj makinës. Po ky problem qëndron dhe në rastin e aeroplanit, ku asnjë nga udhëtarët nuk ushtron asnjë lloj kontrolli në drejtimin e avionit. Gjithçka në avion varet nga mëshira e Zotit dhe aftësitë e pilotit.

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Si mund të kurohet teleshikuesja nga kjo fobi?”

 

Dr. Salah Rashid: ”Të kurosh fobinë nga fluturimi apo udhëtimi me avion është diçka e mundur. Kjo arrihet me anë seancash relaksuese, këshillim me psikoterapist, ose me anë të hipnozës”.

 

Frika nga përgjegjësitë e të tjerëve

 

Teleshikues nga Algjeria: ”Punoj si këmbyes valute në një bankë. Problemi nga i cili vuaj është, se jam gjatë gjithë kohës i stresuar dhe i frikësuar për pasuritë e klientëve. Sa herë që konstatoj ndonjë mangësi dhe problem në ndonjë nga projektet investuese, stresi dhe shqetësimi i kalojnë kufijtë”.

 

Dr. Salah Rashid: ”Këtë ne e quajmë “Frikë nga përgjegjësitë e të tjerëve”, e cila është një dukuri, që shfaqet tek shumë persona. Njerëzit klasifikohen në tre grupe:

1 – Njerëz që interesohen vetëm për veten e tyre.

2 – Njerëzit shoqërorë, ky hyjnë ata persona, që interesohen për të tjerët, shpeshherë në llogari të vetes së tyre.

3 – Ata njerëz, që interesohen për të tjerët dhe për veten e tyre.

Për të kuruar personat, që bëjnë pjesë në grupin e dytë, është e nevojshme ndërhyrja e psikoterapistit. Ndjenja e qortimit të vetes, është një nga simptomat e stresit.

Personi që vuan nga ky lloj stresi, gjithmonë ia hedh fajin vetes edhe për gjëra që nuk janë në përgjegjësinë dhe kompetencën e tij. Kjo mënyrë e të menduarit është pesimiste. Me këtë, ne nuk të themi, që të mos ndjesh përgjegjësi dhe keqardhje, por të këshillojmë që gjërave të mos u kushtosh rëndësi më shumë se ç’e meritojnë. Ti mund të prekesh dhe të të vijë keq, por jo të vuash. Është njëlloj si një psikoterapist, i cili me të dëgjuar sëmundjen e një pacienti, fillon të vuajë dhe ai nga kjo sëmundje.

 

Një teleshikues nga Libia: ”A është frika dhe hezitimi, një tregues mbi masat dhe rëndësinë e vendimit që duhet marrë?”

 

Dr. Salah Rashid: ”Të tregohesh i kujdesshëm dhe të marrësh masa paraprake, është diçka pozitive. Vetë Zoti i madhëruar i këshillon besimtarët duke u thënë:”O besimtarë! Bëhuni syçelë (kundër armikut) e luftojeni atë..” (Nisa: 71) Ndërkohë që lëkundja dhe hezitimi janë cilësi negative.

Në betejën e Uhudit, mendimi i Profetit a.s ishte, që të qëndronin brenda në Medine dhe të mos dilnin jashtë. Ndërkohë që mendimi i shumicës së muslimanëve ishte të dalin jashtë, në Uhud. Duke parë ngulmimin e tyre, Profeti a.s hyri në shtëpi, veshi parzmoren, ngjeshi shpatën dhe doli. Kur e panë, muslimanët i thanë:”O i dërguar i Zotit! Na vjen keq, se ndoshta e tepruam. Nëse dëshiron, do të qëndrojmë brenda në Medine”. Por Profeti a.s ua ktheu:”Nuk i ka hije një Profeti që të kthehet përsëri, pasi ka ngjeshur armët e luftës”. Megjithatë, muslimanët e humbën betejën.

Të hezitosh dhe të lëkundesh për të marrë një vendim, është një problem i madh. Shumë nga problemet tona politike, sociale dhe ekonomike, e kanë burimin pikërisht nga hezitimi dhe lëkundja. Madje, ato janë shkak për akumulimin e problemeve.

Që t’a mbyllim, themi që lëkundja dhe hezitimi janë negative, ndërkohë që marrja e masave dhe kujdesi janë pozitive”.

 

Dyshimet dhe ilaçi i tyre

 

Teleshikues nga Amerika: ”Më ndodh shpeshherë, që gjatë debateve me pasues të feve dhe besimeve të tjera, më vijnë dyshime të shumta. Si mund të mbrohemi nga këto dyshime, të cilat lidhen me doktrinën dhe akiden?”

 

Dr. Salah Rashid: ”Në përgjithësi, diçka e tillë ka lidhje me stresin dhe fobinë, por në të njëjtën kohë hyn dhe tek sëmundjet psikologjike. Këto dyshime, shpeshherë janë shtrënguese dhe imponuese. I sëmuri nuk ndihet i qetë, derisa të sigurohet mbi atë, që e shqetëson dhe e fut në dyshime. P.sh, nëse ai dyshon nëse e ka mbyllur apo jo derën, ai nuk gjen qetësi derisa të ngrihet dhe të sigurohet për këtë. Më vonë, fillon e dyshon nëse e ka mbyllur plotësish apo jo dhe nuk qetësohet, derisa të sigurohet përsëri. Këtu hyjnë dhe shumë dyshime, që lindin tek gratë, sidomos përsa i përket pastërtisë”.

 

Tek dyshimet, hyn dhe ripërtypja e mendimeve dhe ideologjive, nga e cila vuajnë më së shumti besimtarët. Kurse ateistët nuk vuajnë nga dyshime në çështje besimi, pasi ata nuk besojnë fare. Kështu dyshimet që lindin, janë tregues i besimit dhe jo e kundërta. Vetë Profeti a.s thotë mbi dyshimet: ”Ato janë vërtetuese të besimit”.

Dihet që dyshimet lindin nga shejtani dhe ai nuk ka ç’të bëjë në një zemër të boshatisur nga besimi.

Këshilla ime për teleshikuesin është, që të përpiqet të relaksohet, para se të zhvillojë debate dhe dialogje me pasuesit e feve të ndryshme”.

 

Ilaçi i ngurrimit dhe hezitimit

 

Teleshikues nga Libia: ”Vuaj nga ngurrimet dhe frika për të marrë vendime. Çfarë duhet të bëj për t’u kuruar?” Si t’a mësojmë veten për të marrë vendime?

 

Unë të këshilloj, që fillimisht të praktikohesh me vendimmarrje të thjeshta dhe të vogla. P.sh, nëse dikush të pyet: A dëshiron kafe apo çaj, ti thuaji: Dua çaj me pak sheqer, dhe mos i thuaj: Më sill ç’të duash. Me kalimin e kohës, do të shohësh që të shtohet vullneti dhe dëshira për të ndërmarrë vendime të rëndësishme”.

 

Frika tek fëmijët, roli dhe ndikimi i prindërve

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kameramani ynë, doli në rrugë dhe u bëri fëmijëve këtë pyetje: ”Cilat janë gjërat që keni më shumë frikë?” Disa thonin hajduti, polici, errësirën, prindërit, gënjeshtrën... kurse disa përmendën zjarrin.

Pyetja që lind, është: ”Si t’i edukojmë fëmijët, me qëllim që të fitojnë imunitet nga fobitë dhe në të ardhmen të mos bëjnë pjesë tek ajo 10 % ndërkombëtare që vuan nga fobia?”

 

Dr. Salah Rashid: ”Dhurata më e mirë që mund t’u bëjmë fëmijëve tanë, është që t’i nxisim dhe stimulojmë, që problemet e tyre t’i zgjidhin vetë. Ne, prindërit e tyre, duhet të jemi të guximshëm dhe nismëtarë, duke u bërë modeli më i mirë për ta. Gjithashtu, tek fëmijët vërehet thithja e shpejtë e informacioneve.

Sipas Frojdit, fëmija kur mbush shtatë vjeç, e ka plotësuar dhe formuar identitetin dhe personalitetin e tij. Por, kjo teori kundërshtohet po t’a krahasojmë me përvojën fetare. Ishte Umer ibnul Hattabi (r.a), i cili pranoi islamin në moshë të madhe, megjithatë, arriti të përftojë dhe formojë një identitet dhe personalitet të ndryshëm nga ai që ishte më parë. Megjithatë, në përgjithësi ne e pranojmë si të vërtetë teorinë e Frojdit. Fëmija që është makut dhe koprac në moshën shtatëvjeçare, do të vazhdojë dhe më vonë të jetë i tillë edhe kur të arrijë të gjashtëdhjetat.

Një pikë tjetër e rëndësishme dhe delikate është dhe kujdesi, që fëmijët u kushtojnë reagimeve të prindërve. Fëmijët i imitojnë prindërit e tyre në çdo gjë. Prandaj është mirë, që prindërit të reagojnë me qetësi ndaj ngjarjeve të frikshme.

Kështu, ai fëmijë që ka thënë se ka frikë nga zjarri (xhehenemi), duhet edukuar me frymën e ekuilibrave, pasi Zoti është Mëshirëmadh dhe Falës. Një njeri që është edukuar me frymën e frikës nga ndëshkimi dhe zjarri i xhehenemit, do të vijë një ditë që dëshiron të shpëtojë nga kjo frikë dhe do të veprojë gjynahe me ndërgjegje. Kur frika i kalon kufinjtë, ajo jep rezultate të kundërta.

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ” Zoti thotë në Kuran: ”Për ata që i frikësohen paraqitjes para Zotit të vet, do të ketë dy kopshte!” (Rahman: 46)

Rreth frikës, imam Ahmedi thotë: ”E luta Zotin që të më pajisë me frikë dhe ai ma pranoi lutjen, por unë gati sa nuk u çmenda nga frika. Atëherë e luta Zotin që të ma lehtësojë dhe ai ma lehtësoi”.

 

Frika nga errësira dhe vetmia

 

Teleshikuese nga Libia: ”Vajza ime shtatë vjeçare, ka shumë frikë nga errësira dhe qëndrimi vetëm. Gjatë gjithë kohës, ajo më ndjek mua, ngaqë nuk qëndron dot vetëm. Çfarë më këshilloni të bëj?”

 

Dr. Salah Rashid: ”Kjo është një nga fobitë e shumta tek fobitë e fëmijëve, të cilët kanë frikë nga errësira dhe vetmia. Mesa duket, kjo nënë e ka mësuar vajzën e saj të flerë me të dhe shpeshherë i ka diktuar që të ketë frikë nga errësira. Kështu, vajzës së saj i është krijuar bindja, që errësira është e rrezikshme dhe e frikshme.

Ndërkohë që ka shumë njerëz të tjerë, që e duan dhe e pëlqejnë natën dhe errësirën. Ebu Sulejman Darani thotë: ”Nëse nuk do të ishte nata, nuk do e doja jetën”. Nata për të është simbol i qetësisë dhe namazit të natës.

Ilaçi më i mirë i kësaj fobie është, që t’a mësosh vajzën me errësirën. P.sh, mund t’i thuash që nesër ajo do të flerë vetëm. Është e vërtetë që ajo mund të qajë, por në fund do të dorëzohet. E rëndësishme është që të përpiqesh me të mirë, por me këmbëngulje dhe insistim. Sa më shumë të vonohesh, aq më shumë do të ndërlikohet problemi”.

 

Paaftësia për të zgjidhur problemet

 

Teleshikues nga Kanadaja: ”Problemi im konsiston në faktin që jam i paaftë të zgjidh hallet dhe problemet e mia, ndërkohë që problemet e të tjerëve i zgjidh menjëherë”.

 

Dr. Salah Rashid: ”Ky është një problem, nga i cili vuajnë shumë njerëz. Është e zakonshme që të kemi nevojë për të tjerë, që të na ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve, por kjo ndodh, nëse problemi është i tillë që nuk mund të zgjidhet vetëm.

Nëse problemi mund të zgjidhet, është mirë që t’a zgjidhësh vetë, pa ngurruar dhe hezituar. Për të zgjidhur hallet e tua, përdor të njëjtën strategji që përdor për të zgjidhur problemet dhe hallet e të tjerëve”.

 

 

Frika nga vdekja

 

Teleshikuese nga Libia: ”M`u dha rasti të lexoj një libër mbi vdekjen dhe jetën pas vdekjes, gjë e cila më ka prekur dhe kam shumë frikë. Çfarë është kjo ndjenjë që kam?”

 

Dr. Salah Rashid: ”Ky është një rast i fobisë nga vdekja, gjë e cila hyn tek sëmundjet psikologjike. Problemi qëndron në kënvështrimin, nga i cili e sheh sëmundjen dhe këtë ndjenjë. Para se të vdiste, Bilali (r.a) thërriste: ”Ah çfarë kënaqësie!” Kurse gruaja e tij thërriste: ”Ah çfarë fatkeqësie.” Bilali ndërhyri dhe i tha: ”Jo. Thuaj:”Ah çfarë kënaqësie. Nesër do të takohem me Muhamedin a.s dhe shokët e tij”.

Prandaj, problemi qëndron tek këndvështrimi sesi e shohim ne vdekjen dhe jo tek vdekja. Nëse e shohim si diçka të frikshme, atëherë ajo është e tillë. Por nëse e shohim si rastin për t’u takuar me Profetin a.s dhe shokët e tij, atëherë, ajo padyshim që është diçka e mirë.

Në librin e tij “El-Fevaid”, Ibnul Kajjim e krahason vdekjen me daljen e embrionit nga barku i nënës në këtë botë. Edhe foshnja i vogël, e ka të vështirë dhe nuk dëshiron të dalë nga barku i nënës. Janë hormonet dhe shumë gjëra të tjera, ato që e shtyjnë për të dalë. Zoti thotë në Kuran mbi këtë fakt: ”dhe ia lehtësoi daljen”. Por asnjë nga ne nuk ka dëgjuar dikë, që ka dalë n këtë botë dhe ka shfaqur dëshirë për t’u kthyer sërish në barkun e nënës. E tillë është dhe vdekja. Ajo është një kalim nga një situatë në një tjetër, nga bota e ngushtë dhe e vogël, në atë të madhen dhe të përjetshmen. Askush nga ata që vdesin, nuk shpreh dëshirë për t’u kthyer sërish në këtë botë, përveç dëshmorit.

Nëse kjo motër ka lexuar një libër të frikshëm mbi vdekjen, unë e këshilloj të lexojë një libër që përshkruan vdekjen e besimtarëve dhe njerëzve të ndershëm.

Gjithashtu dua të tërheq vëmendjen, se frika nga vdekja nuk i ka lindur vetëm me leximin e këtij libri, por ajo ka pasur njëfarë përgatitje për t’a përthithur këtë frikë që kohë më parë. Ky libër ka qenë shkaku, që kjo frikë ka dalë dhe është shfaqur.

 

Nervozizmi dhe ilaçi

 

Teleshikuese nga Libia: ”Jam 24 vjeçe dhe ka dy vite që vuaj nga një nervozizëm i tmerrshëm. Kam një natyrë shumë të ashpër dhe kam humbur bindjen për t’u martuar”.

 

Dr. Salah Rashid: ”Shkurtimisht, për të kuruar një problem dhe sëmundje të tillë, ne përdorim linjat e kohës. Ky kurim konsiston në atë, që psikoterapisti cakton një numër të caktuar seancash takimi me të sëmurin, por pa e tejkaluar këtë numër. Pas këtyre seancave, i sëmuri ose do të jetë shëruar, ose jo.  Një formë tjetër kurimi është dhe kthimi në kujtesë. Kjo bëhet duke u përpjekur të fshihen nga kujtesa gjërat, që kanë shkaktuar këtë nervozizëm, të cilat janë katër gjëra: zemërimi, mërzitja, frika dhe qortimi.

Nervozizmi është një gjendje e acaruar e nervave, për shkak të ndjenjave të ndrydhura, ndjenja të cilat njeriu kërkon t’i shprehë. Për këtë, ne shpeshherë shohim që këto persona nervozë, janë të sjellshëm, zemër mirë dhe të moralshëm. Por për shkak të ndrydhjes ekuilibrat janë përmbysur.

Përsa i përket teleshikueses, unë e këshilloj të kthehet në kujtesë dhe të pastrojë nga memoria stimuluesit e këtij nervozimi, ose t’ia paraqesë hallin e saj ndonjë psikoterapsiti”.

 

Një fjalë e fundit, drejtuar publikut

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në fund të këtij programi, a ke diçka të veçantë me të cilën i drejtohesh publikut të gjerë?”

 

Dr. Salah Rashid: ”Jeta gëzohet kur është e lumtur dhe kjo lumturi vjen duke guxuar. Një njeri që ka frikë, e ka të shkruar që të mos jetojë i lumtur. Ilaçi më i mirë për të mposhtur frikën, është që të përballemi me të. P.sh: nëse dikush ka frikë nga vdekja, le të shkojë tek varret. Nëse ka frikë të përballet me të tjerët, le t’a fusë veten në siklet sa më shpesh të mundet. Kjo të bëhet, me qëllim që t’a mposhtë këtë frikë që e ka mbyllur”.

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”E falenderojmë doktor Salah Rashid për prezencën e tij në këtë emision. Derisa lumturia të bëhet tradita jonë, paqja e Zotit qoftë me ju!