Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Të pasionuarit pas grave 1

Çdonjëri që mediton rreth gjendjes së muslimanëve, e të mos flasim për të tjerët, sheh një harbim të egër drejt pasionit ndaj grave, ose thënë më saktë epshit seksual, si dhe një zhytje të thellë në ato kalbësira. Sa shumë, që janë ata, të cilët gjunjëzohen përpara kanaleve satelitore dhe internetit, duke i ngulitur sytë për të kapur diçka prej programeve të fëlliqura! 
 
Sa shumë, që janë ata që marrin rrugën për në vendet e kufrit dhe amoralitetit për të përmbushur kërkesën e pasioneve të ulëta! Allahut i kërkojmë ndihmë!
 
Djajtë, qofshin ata njerëz apo xhinë, së bashku me shpirtkëqijtë i janë vërsulur nderit dhe moralit të muslimanëve për ta prishur, Allahu thotë: “ata që ndjekin dëshirat e epsheve, dëshirojnë që ju të shmangeni në tërësi (nga rruga e drejtë)”[1].
 
Është me rëndësi të madhe të përmendim, se ai që i lëshon kapistallin epshit të tij, harbimi i atij vrulli nuk ka, as fund, as mbarim. Meqë njeriu i pasionuar pas dynjasë nuk ngopet – po të kishte dy lugina me ar do kërkonte të tretën, dhe grykën e tij nuk mund ta mbushë gjë tjetër përpos dheut – atëherë edhe i pasionuari pas epshit seksual pa frerë e pengesa, nuk ndalet dhe nuk ngopet.
 
Shejh Ali Tantavi thotë: “Po qe se të jepet pasuria e Karunit e trupi i Herakliut dhe me ty mbajnë lidhje me dhjetëra e mijëra gra nga më të bukurat, prej çdo ngjyre, forme dhe prej të gjitha llojeve të bukurisë, a mendon se do të mjaftohesh? Jo. E them me zë të lartë: jo. E shkruaj me lapsin tim, mirëpo një me hallall të mjafton. Mos kërkoni prej meje argument, ngado që të drejtoheni përreth jush do të gjeni argumentin e qartë, që shihet.”[2]
 
Në librin “Edebul Kebir”[3] Ibën Mukaffa thotë: “Dije se prej gjërave që më shumë e dëmtojnë fenë, e lodhin trupin, e shkatërrojnë pasurinë, e vrasin turpin, e shkelin burrërinë dhe janë më të shpejta në largimin e famës dhe të dinjitetit është vrapimi pas grave.
 
Është për t’u habitur me atë njeri, i cili s’ka të meta në mendjen dhe mendimet e tij, mirëpo kur sheh një femër të mbuluar nga larg, e parafytyron në zemrën e tij aq të mirë e të bukur, saqë zemra i lidhet me të, pa e parë dhe pa u informuar për të. Më pas mund të befasohet nga shëmtia e saj, mirëpo kjo gjë nuk e këshillon dhe nuk e ndal nga veprime të tilla. Ai entuziazmohet vazhdimisht pas asaj që s’e ka shijuar, aq sa sikur të mos mbetej në tokë pos një femre, do të mendonte se puna e saj është ndryshe nga ajo që ka shijuar, e kjo pra është marrëzia, mjerimi dhe mendjelehtësia.”
 
Prej sprovave më të rrezikshme dhe më të mëdha është sprova e grave, siç ka thënë i Dërguari: “pas meje nuk kam lënë te njerëzit sprovë më të dëmshme për burrat, se sa gratë.”[4]
 
Imam Tavusi duke komentuar ajetin “njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme”[5] thotë: “kur shikon gratë nuk duron dot”[6].
 
Abdullah ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Te popujt e kaluar kufri iu vinte nëpërmjet grave dhe ashtu ka mbetur edhe te njerëzit që kanë ardhur pas tyre.”[7]
 
Po përmendim për lexuesin dy ngjarje të vërteta, që zbulojnë se prej shkaqeve të kufrit është ashku ndaj grave.
 
Ngjarjen e parë e ka treguar Ebul Ferexh ibën Xheuzi: “Më kanë treguar për një njeri nga Bagdadi të cilin e thërritnin Salih myezini. Punën e myezinit e kishte bërë plot dyzet vite dhe njihej si i devotshëm. Një ditë hipi në minare për të dhënë ezanin dhe pa bijën e një të krishteri, i cili e kishte shtëpinë ngjitur me xhaminë. U mahnit me të andaj shkoi dhe i trokiti në derë. Ajo pyeti:
 
-Kush është?
 
-Salih muezini – u përgjigj ai. Ia hapi derën dhe ai me të hyrë e përqafoi vajzën. Ajo me habi i tha:
 
-Ju jeni njerëz të besës, ç‘është kjo tradhti? – Ai i tha asaj:
 
- Do më përgjigjesh për atë që dua ose të vras.
 
- Vetëm nëse ti braktis fenë tënde – ia ktheu ajo. Ai i tha asaj:
 
distancohem nga Islami dhe nga ajo që solli Muhamedi dhe iu afrua.
 
- Këtë e the për të arritur qëllimin, pastaj të kthehesh në fenë tënde – i tha ajo - prandaj ha nga ky mishi i derrit! - Ai hëngri. Ajo i tha:
 
-Pi verë,- e ai piu. Pasi filloi të ndikojë vera tek ai, iu afrua sërish. Ajo e mori në dhomë, mbylli derën pastaj i tha:
 
-Ngjitu lart mbi çati derisa të vijë babai im e të më martojë me ty!
 
U ngjit, ra dhe vdiq. Vajza doli dhe e mbuloi me një pëlhurë. Kur erdhi i ati i saj, i tregoi rastin. Ai gjatë natës e hodhi në rrugë dhe lajmi mori dhenë. Pas kësaj u hodh në mbeturina.”[8]
 
Ngjarjen tjetër e ka përmendur Ibën Kethiri e që ka ndodhur nga vitet 278 sipas kalendarit hënor. Përmendet: “Në atë kohë vdiq Abde ibën Abdurahim, Allahu e marroftë! Ibën Xheuzi ka përmendur, se ky i mjerë kishte luftuar shumë në rrugë të Allahut në tokat romake. Në një prej betejave besimtarët kishin rrethuar një prej vendeve romake. Atij i ra në sy një grua romake, të cilën e pëlqeu shumë. I shkroi një letër në të cilën e pyeti: Si mund të arrij deri te ti? -Vetëm nëse krishterizohesh mund të ngjitesh këtu lartë në fortifikatë – u përgjigj ajo. Ky muxhahid pranoi kushtin e saj pa e vënë re askush. Muslimanët për shkak të këtij rasti u përshkuan nga një brengë e thellë dhe u goditën rëndë në shpirt. Pas një farë kohe duke kaluar një grup besimtarësh pranë fortifikatës e panë atë me atë grua. I thanë: O filan, ç‘u bë me Kuranin tënd? Ç‘u bë me punët tua? Ç‘u bë me agjërimin tënd? Ç‘u bë me namazin tënd? Ç‘u bë me xhihadin tënd? U përgjigj: dijeni se e kam harruar Kuranin përpos këtij ajeti: “Ata që nuk besuan, shpeshherë do të kishin dëshiruar të kishin qenë muslimanë. Lëri (Muhamed) ata, të hanë, të dëfrehen dhe t'i preokupojë shpresa (se do të jetojnë shumë), e më vonë do të kuptojnë”[9] e unë tani kam bërë këtu pasuri dhe fëmijë.”[10]
 
Zhytja në amoralitet dhe marrja me ato punë nxitet nga shkaqe të shumta, më i vogli prej tyre është dëgjimi i këngëve, ngase ato nxisin dhe ndjellin amoralitetin.
 
Jezid ibën Velidi thotë: “O bijtë e Umejes, ruhuni nga këngët, ngase ato zvogëlojnë turpin, shtojnë epshin, rrënojnë burrërinë. Ato e zëvendësojnë verën pastaj dehja bën ç‘të dojë. Nëse s’e braktisini dot, atëherë qëndroni larg grave, ngase këngët ndjellin amoralitetin.”[11]
 
Ibën Kajimi thotë: “Të gjithë e dinë, se kur një grua vrazhdësohet burri përpiqet t’i dhurojë zërin këndues, asaj i zbuten ndjenjat, ngase femra ndikohet shumë shpejt nga zërat. Kur zëri vjen nëpërmjet këngës ndikimi ndodh nga dy aspekte: nga zëri dhe nga kuptimi i fjalëve, për këtë arsye i Dërguari i tha Enxheshes: “O Enxheshe, ngadalë, tregohu i butë me qelqin” d.m.th. me gratë.”
 
Nëse këndimit i bashkëngjitet defi, vashat, vallëzimi duke u dredhuar e duke u bërë (burrat) si gra, sikur të mbetej ndonjë femër shtatzëne nga këngët do të mbetej nga të këtillat. Për Allahun! Sa gra të ndershme janë bërë lavire për shkak këngëve! Sa burra të ndershëm janë bërë robër të grave të pandershme! Sa prej atyre që kishin xhelozi për nderin u bënë më të shëmtuarit në mesin e njerëzve! Sa prej njerëzve ishin pa probleme mirëpo për shkak të këngëve u ngrysën dhe me vete mbanin të gjitha fatkeqësitë![12]
 
Prej gjërave që e vrasin më shumë nderin është shikimi në haram. Sa e sa shikime të ndonjë fotografie të bukur – qoftë ajo në ekran apo revistë - kanë shkaktuar amoralitet, dhimbje dhe keqardhje!
 
Imam Ahmedi ka thënë: “Kur frikësohet nga fitneja, nuk shikon. Sa e sa shikime kanë hedhur në zemër shqetësime!”[13]
 
Ibën Xheuzi duke tërhequr vërejtjen për shikimin në haram thotë: “Dije, Allahu të drejtoftë, se shikimi është lajmëtari i zemrës, i cili ia tregon asaj lajmet e gjërave që i percepton. Shikimi i gdhend në zemër pamjet që merr nga jashtë pastaj nëpër to shëtisin mendimet dhe preokupohen, si dhe e angazhojnë mendjen në dëm të gjërave të dobishme të ahiretit. Meqë shikimi në haram është shkak për depërtimin e epshit në zemër, Ligjdhënësi urdhëroi të ulim shikimin para gjërave që sjellin pasoja të frikshme: “Thuaju besimtarëve të ulin shikimet (para haramit)” dhe “Thuaju besimtareve të ulin shikimet e tyre (para haramit)”, pastaj tregoi se ku të çon ky sherr me fjalët “t'i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre”[14].
 
Shejhul Islam Ibën Tejmije duke shpjeguar për dëmet e shikimit të ndaluar, pasojat që sjell ky në rrafshin moral, madje edhe përfundimin e protagonistit të tij në shirk, ka thënë: “Për sa i përket shikimit dhe prekjes, pra mëkatet e vogla falen, me kusht që t’u iket mëkateve të mëdha. Nëse vazhdon me shikimet e ndaluara, apo me prekjet, mëkati bëhet i madh. Vazhdimësia në këto mëkate të vogla e bën mëkatin më të madh se amoraliteti i paktë. Shikimi i vazhdueshëm në haram me epsh dhe gjëra të ngjashme si ashku, komunikimi me fjalë, prekja mund të jenë mëkate më të mëdha se degjenerimi i zinasë vetëm një herë, për këtë arsye dijetarët kur kanë përmendur kushtet që duhet t’i plotësojë një dëshmitar i denjë kanë thënë: “Të mos bëj mëkat të madh dhe të mos vazhdojë në mëkate të vogla. Shikimet dhe prekjet e ndaluara mund që ta shpien njeriun në shirk, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “E nga njerëzit ka të tillë, që në vend të Allahut besojnë idhujt, që i duan ata, sikurse (besimtarët e vërtetë e duan) Allahun.”[15] për këtë pra, ashku ndaj pamjeve vjen nga dashuria e dobët ndaj Allahut, si dhe nga besimi i dobët. Allahu këtë e përmend në Kuran për bashkëshorten politeiste të zotërisë së Egjiptit dhe për popullin e Lutit gjithashtu politeist.”[16]
 
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Allahu e ka bërë syrin pasqyrë të zemrës, kur syri e ul shikimin nga harami, zemra e ul epshin dhe ëndjen, nëse syri e shikon haramin, zemra e ndjell epshin… deri sa tha: nëse shikimi në haram le gjurmë në zemër, mirëpo reagimi bëhet menjëherë, largohet lënda e dëmshme nga zemra, atëherë lehtësohet shërimi. Nëse shikimi në haram përsëritet, gjurmohet rreth bukurive të haramit që shikon duke i bartur të gjitha këto në zemër, dhe duke i skalitur aty, dashuria ndaj këtyre harameve që po shikon dominon dhe çdoherë që përsëriten shikimet ato bëhen sikurse uji për drurin. Ky dru i dashurisë vazhdimisht do të rritet derisa të degjenerojë zemrën, të shmanget nga mendimet e detyrueshme, të zotin e tyre e vendosin në sprova dhe e shtyjnë të bëjë harame dhe të këqija.”
 
Nga arabishtja: Agim BEKIRI

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free