Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Zekati në Islam

Zekati është detyra e katërt themelore islame e cila paraqet manifestimin e dukshëm të besimit islam.

All-llahu xh.sh. thotë:

"Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e All-llahut, është si i një kokrre që i mbin shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. All-llahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, All-llahu është bujar i madh, i di qëllimet" (El-Bekare, 261).

Zekati është i obliguar me Kur'an dhe Hadith -me burimet kryesore të Sheriatit, si detyrë e domosdoshme fetare, farzi ajn, e çdo muslimani dhe muslimaneje të pasur, të cilët sipas Sheriatit posedojnë sasi të caktuar të pasurisë - nisabin.

Obligueshmëria e zekatit rrjedh nga më shumë ajete kur'anore, e në veçanti është potencuar në suren Tevbe:

"Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t'i pastrosh me të dhe t'u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. All-llahu dëgjon e sheh". (Et-Tevbe, 103).

"Dhe në pasurinë e tyre kanë të drejtë lypësit dhe të ngratët (që kanë nevojë, por nuk lypin)" (Edh-Dharijat, 19).

Nga urdhëresat kur'anore rezulton se zekati është detyrë dhe e drejtë. Detyrë e të pasurve ndaj të varfërve, ndërsa e drejtë e të varfërve ndaj të pasurve.

Shpërblimet për dhënien e zekatit

Për çdo sakrificë që besimtari e bën në emër të All-llahut, Ai i premton shpërblim të shumëfishtë, në këtë dhe në botën e ardhshme - ahiret:

"...e mëshira Ime ka përfshirë secilin send. Atë (Mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët ruhen (mëkateve), e japin zekatin dhe për ata që argumentet tona i besojnë" (El-A'raf, 156).

"...Çkado që të jepni nga pasuria, e keni për veten tuaj, po mos jepni për tjetërkë, por vetëm për hir të All-llahut, e çkado që tu jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t'ju kompensohet në mënyrë të plotë duke mos u dëmtuar ju" (El-Bekare, 272).

Historiku i institucionit të zekatit

Institucioni i zekatit u bë obligim për muslimanët qysh në Meke. Mirëpo, meqë muslimanët atëbotë qenë të persekutuar e të keqtrajtuar nga ana e idhujtarëve mekas, kështu që në pikëpamje materiale ishin shumë të dobët, andaj urdhëresa e zekatit nuk mund të zbatohej në tërësi.

Kjo dispozitë përsëri është theksuar në Medine, në vitin e dytë pas hixhretit, në ajetin:

"Faleni namazin dhe jepeni zekatin..." (El-Bekare, 43), prej kur edhe filloi që zekati të kryhet në praktikë.

Vlera, gjegjësisht lartësia e zekatit, nuk është caktuar me Kur'an, siç nuk janë caktuar e precizuar më detajisht as edhe urdhëresat e tjera, siç është namazi, haxhxhi etj. Ato i ka sqaruar dhe me shembullin e vet i ka treguar Muhammedi alejhisselam.

Muhammedi alejhisselam e ka caktuar edhe për-qindjen e ndarjes së zekatit:

"Ndajeni një të dyzetën pjese të pasurisë suaj" (do të thotë, 2,5%), ndërsa Ebu Bekri dhe Omeri e kanë qartësuar detajisht këtë me rregulloret e tyre.

Arabët më të pasur, të cilët në fillim qenë të prirë të kalonin në Islam, këtë urdhëresë e shikonin me dyshim, sepse Islami u paraqit si sistem i ri social.

Mbledhja e zekatit, si edhe e tatimeve dhe kontributeve të tjera, ishte brengë e shtetit islam.

Edhe pse bota arabe gjatë jetës së Muhammedit alejhisselam e pranoi Islamin masovikisht, përsëri shumëkush nuk mundi t'i flakë shprehitë dhe zakonet pagane të tyre. Prandaj ca fise pas vdekjes së Muhammedit alejhisselam refuzuan ta japin zekatin dhe kaluan në anën e ca pejgamberëve të rrejshëm, si Musejleme el-Kedhdhabi, duke deklaruar se nuk e lëshojnë Islamin, por vetëm refuzojnë ta japin zekatin.

Halifi Ebu Bekër pa kurrfarë ngurrimi luftoi kundër këtyre fiseve, duke i detyruar ta japin zekatin.

Domethënia e fjalës zekat

Fjala zekat do të thotë pastrim, ose larje. Ajo gjithashtu ka kuptimin shtim, rritje.

Në kuptimin shpirtëror zekat do të thotë pastrim nga mëkatet dhe kënaqje e vullnetit dhe e urdhërit të All-llahut xh.sh.

Zekati e pastron dhe e çliron njeriun nga makutëria ndaj të mirave të kësaj bote.

Ai të shpie në njohjen se vlera e njeriut matet sipas virtyteve morale dhe humane, e jo sipas pozitës dhe madhësisë së pasurisë.

Zekat do të thotë edhe pastrim i pasurisë nga e drejta (hakku) e huaj, sepse njeriu kurrë nuk është i sigurt edhe krahas kujdesit të tij se diç e palejueshme nuk është futur në pasurinë e tij.

Përqindja dhe llojet e pasurisë për të cilat jepet zekati

Nisab është sasia e caktuar e pasurisë me Sheriat, kështu që kur arrihet kjo sasi - nisabi, hyn në fuqi obligimi për dhënien e zekatit.

Sipas kësaj, zekat nuk jepet në llojin dhe sasinë e pasurisë e cila s'e arrin nisabin ose është e veçuar nga dispozita për dhënien e zekatit.

Lëndë e zekatit është pasuria të cilën pronari e posedon një vit të tërë në pronësinë e tij. Nga kjo veçohet pasuria që shërben për nevojat siç janë: banesa, orenditë shtëpiake, rrobat, mjetet e punës, kafshët për punë, pasuria e caktuar për larjen e borxheve, pastaj prodhimet e duhura ushqimore për ekzistimin e familjes.

Kur'ani nuk e ka precizuar qartë se cilën pjesë dhe nga cili lloj i pasurisë duhet dhënë zekatin. Kur'ani vetëm thotë:

"Të pyesin ty edhe se ç'do të japin. Thuaj: 'Tepricën!' Kështu ua sqaron All-llahu juve argumentet ashtu që të mendoni (çka është mirë e çka është keq)" [El-Bekare, 219).

Sipas kësaj, Kur'ani e ka caktuar parimin e përgjithshëm, ndërsa Muhammedi alejhisselam e ka precizuar këtë urdhëresë: "Jepnie çerekun e një të dhjetës së pasurisë suaj!", që në përqindje i vjen 2,5% ose një e dyzeta pjesë.

Në nevojat shtëpiake të liruara nga dhënia e zekatit bën pjesë edhe stolia e gruas nga guri i çmuar, margaritari, etj.

Ari dhe argjendi, ndërkaq, janë lëndë e zekatit, pa marrë parasysh se për çfarë janë të caktuara, përderisa e përmbushin minimumin e shumës së caktuar me Sheriat - nisabin.

Sipas kësaj, lëndën e zekatit e përbëjnë:

-ari, argjendi, monedhat dhe letrat me vlerë,

-malli për tregti,

-prodhimet bujqësore dhe

-disa kafshë shtëpiake.

Nisabi i arit është 91,6 gram. Në këtë vlerë jepet 2,5%, gjegjësisht një e katërdhjeta pjesë.

Nisabi për argjendin është 641,5 gram. Në këtë vlerë, gjithashtu, jepet 2,5%, gjegjësisht një e dyzeta pjesë. Nisabi i monedhës është adekuat me nisabin e arit. Sendet e arta e të argjendta, stolitë, enët etj. Trajtohen si ar dhe argjend, ndaj sipas të njëjtës bazë caktohet vlera e nisabit.

Nisabi i mallit për tregti është adekuat me nisabin e argjendit. Kjo do të thotë se, nëse pronari posedon mall për tregti në vlerë të nisabit të argjendit, i cili mall e kalon një vit tek ai, është i obliguar të japë zekatin. Ndërkaq, nëse dikush posedon tepricë të mallit (përveç arit e argjendit}, por këtë mall nuk e ka caktuar për tregti, po as për shtimin e pasurisë, në këtë rast nuk është i obliguar të japë zekatin.

Për prodhimet bujqësore që fitohen nga ara ose livadhi të cilët ujiten me ujë të rrjedhshëm ose që u janë ekspozuar reshjeve të natyrës (shiut), jepet dhjetë përqind ose një e dhjeta e sasisë së përgjithshme të prodhimeve. Ndërkaq, për prodhimet, parcelat e së cilave ujiten artificialisht jepet pesë përqind, gjegjësisht e njëzeta pjesë. E njëjta vlen edhe për frutat e pemëve, mjaltin dhe prodhimet qumështore. Nisabi është sa pesë barra anieje, gjegjësisht 653 kg.

Për prodhimet bujqësore zekati jepet menjëherë pas vjeljes së tyre.

Zekati nuk jepet për kafshët e buta, të cilat më pak se gjysmë viti janë në kullota, si edhe për shqerrat. Zekat, gjithashtu, nuk jepet as për kuajt, që bazohet në hadithin e Muhammedit alejhisselam.

Nisabi për kafshët e mëdha është 30 krerë. Për këtë vlerë duhet dhënë një të re që i ka mbushur dy vjet. Më tutje zekati llogaritet sipas parimit vijues: prej 40 deri në 50 krerë - një të re dyvjeçe, prej 60 deri në 69 krerë - dy të reja dyvjeçe, prej 70 deri në 79 krerë - dy të reja; një dyvjeçe e një trivjeçe, prej 80 deri në 89 krerë - dy të reja trivjeçe, prej 90 deri në 100 krerë - tri të reja dyvjeçe, prej 100 deri në 109 krerë - tri të reja - dy dyvjeçe, ndërsa një njëvjeçe etj. Në çdo 30 krerë të ardhshëm jepet një e re dyvjeçe, ndërsa në 40 - një e re trevjeçe.

Zekati në kafshët e imëta - dhen e dhi, jepet sipas këtij parimi: prej 40-120 copë - një dele, prej 121-200 copë - dy dele, prej 201-399 copë - tre dele, prej 400 copë - katër dele. Më tutje në çdo njëqind jepet nga një dele.

Zekati për huazime jepet në të holla, në ar, në argjend, në mallra tregtie si dhe në vlera të tjera.

Obligimi për dhënien e zekatit fillon:

- kur huazimet në mallra tregtie realizohen në vlerë të një të pestës [1/5] së nisabit,

- kur realizohet nisabi i plotë i huazimeve të cilat rrjedhin nga marrëdhëniet kontraktuese dhe jotregtare (siç është trashëgimia, testamenti, mehri, qiraja etj.) me kusht që të ketë kaluar një vit nga skadimi i afatit të borxhit.

Kujt i jepet zekati?

Sipas Kur'anit (suretu Tevbe, ajeti 60) të dhënat e obligueshme fetare, zekati dhe sadekatul-fitri, mund të shpenzohen dhe të shpërndahen në njërën nga këto tetë kategori:

1. për të varfërit,

2. për të ngratët,

3. për punonjësit (që e tubojnë),

4. për ata që duhet përfituar zemrat e tyre,

5. për lirimin nga robëria,

6. për të mbyturit në borxhe,

7. për në rrugën e All-llahut dhe

8. për atë që ka mbetur në rrugë.

Këto kategori nuk mund të shfuqizohen - abrogohen, po as të shuhen. Për prioritetin e njërës kategori mbi tjetrën në rastin e dhënë, është i obliguar të kujdeset pushteti kompetent islam.

Në rastet tona, sipas mendimit të shumicës së ulemave, më e rëndësishmja është kategoria e shtatë "për të mirën e përgjithshme - për në rrugën e All-llahut - fi sebilillahi", që përfshin të gjitha llojet e arsimit dhe edukimit islam, gjegjësisht ngritjen dhe zhvillimin e instituteve dhe enteve fetare, qëllimi i të cilave është ruajtja dhe avancimi i parimeve islame.

Sipas dispozitave të fikhut, zekati, parimisht, mund t'u jepet: vëllezërve, motrave, fëmijëve të tyre, mixhallarëve, motrave te babait dhe fëmijëve të tyre, tezeve dhe dajëve dhe fëmijëve të tyre. Zekati, gjithashtu, mund t'u jepet edhe fqinjëve.

Prioritet te dhënia e zekatit kanë të afërmit, pastaj të familjes së largët, fqinjët, përderisa i mbushin kushtet për pranimin e zekatit.

Zekati, sipas dispozitave të Sheriatit, nuk mund t'i jepet:

- jomuslimanit,

- personit që ka pasuri të mjaftueshme për mirëmbajtje,

- burri gruas, po as gruaja burrit,

- brezit ngjitës: babait, nënës, gjyshit, gjyshes, po as dhe brezit zbritës: fëmijëve, nipave...,

- personit të sëmurë mentalisht dhe te miturit, të cilët nuk e kuptojnë rëndësinë e zekatit. Ndërkaq, mbikëqyrësit - tutorët e tyre mund ta marrin zekatin në emër të tyre,

- borxhliut tënd, për shkak të pagimit të borxhit me zekat.

Vërejtjet për mosdhënien e zekatit

All-llahu xh.sh. thotë:

“Ja, ju jeni ata që ftoheni për të dhënë në rrugën e All-llahut (për luftë kundër armikut tuaj), e dikush prej jush bën koprraci, e kush bën koprraci, ai bën kundër vetvetes, All-llahu s'ka farë nevoje, e ju jeni të varfër (keni nevojë). Po nëse ju ia ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju" (Muhammed, 38).

“O ju që keni besuar, a t’ju tregoj për një tregti të bujshme që ju shpëton prej një dënimi të dhembshëm? T’i besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij, të luftoni në rrugën e All-llahut me pasurinë tuaj dhe me veten tuaj, e kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse jeni që e dini” (Es-Saff, 10-11).

“Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha All-llahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kiametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. All-llahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, All-llahu është i njohur mirë me atë që veproni”(Ali Imran, 180).

Sadekatul-fitri

Sadekatul-fitri është obligim pronësor islam - vaxhib për muslimanët më të pasur, që kryhet gjatë muajit të Ramazanit - duke dhënë një vlerë të caktuar në të holla ose në natyrë, muslimanëve më të dobët ekonomikisht, gjegjësisht enteve dhe instituteve fetare-arsimore.

Në bazë të urdhëresave kur'anore të kuptimit të përgjithshëm që kanë të bëjnë me të dhënat materiale fetare, si dhe në bazë të fjalëve të Muhammedit alejhisselam, që kanë të bëjnë me këtë obligim, juristët islamë këtë obligim e kanë radhitur në vaxhib -obligim islam i shkallës së dytë.

Muhammedi alejhisselam thotë: "Agjërimi i Ramazanit do të jetë i ndaluar ndërmjet tokës dhe qiellit, derisa besimtari ta japë sadekatul-fitrin", që do të thotë se agjërimi i muslimanit i cili nuk e jep sadekatul-fitrin nuk do të jetë i pranuar tek All-llahu xh.sh.

Muhammedi alejhisselam këtë detyrë të muslimanëve më të pasur ndaj më të varfërve, e ka përmendur shpesh dhe i ka urdhëruar që tu ndihmojnë gjatë ditëve të Bajramit, në mënyrë që bashkërisht të mund t'i shijojnë ditët e gëzueshme e të hareshme të Bajramit.

Të obliguarit e sadekatul-fitrit

Sadekatul-fitrin janë të obliguar ta ndajnë të gjithë muslimanët dhe muslimanet më të pasur, pa marrë parasysh moshën. Sipas kësaj, mosha madhore nuk është kusht, si tek ibadetet e tjera, për kryerjen e këtij obligimi. Në emër të fëmijëve këtë obligim do ta japin prindërit ose kujdestarët e tyre.

Muslimani i cili për çfarëdo arsye nuk e ka agjëruar Ramazanin, është i obliguar, gjithashtu, ta japë sadekatul-fitrin, përderisa posedon mjete.

Sadekatul-fitrin është i obliguar ta japë secili musliman të cilit, pas nevojave të rregullta, në ditën e parë të Bajramit të Ramazanit, i tepron vlera e një sadekatul-fitri.

Sadekatul-fitri mund të jepet në natyrë ose në të holla, varësisht nga mundësitë materiale të të obliguarit. Sipas shumicës së juristëve islamë, sadekatul-fitri në natyrë është një sa'a (sa'a=3,332 gram) grurë, gjegjësisht një të ushqyer normal njëditor për një person mesatar, sipas standardit të tij.

Ndërmjet zekatit dhe sadekatul-fitrit ekzistojnë dy dallime kryesore:

- zekati jepet në kapital, ndërsa sadekatul-fitri në person,

- zekati mund të jepet gjatë tërë vitit, ndërkaq sadekatul-fitri vetëm gjatë Ramazanit, gjegjësisht para faljes së namazit të Bajramit.

Kuptimi dhe rëndësia e zekatit dhe e sadekatul-fitrit

Zekati, sipas fjalëve të Pejgamberit alejhisselam, është "sadakë e cila merret prej të pasurve dhe u jepet të varfërve". Dhënien e zekatit, Islami nuk ia ka lënë vullnetit të njeriut, por e ka rregulluar dhe caktuar me Sheriat. Islami e ka urdhëruar një përqindje të caktuar për të gjitha burimet e fitimit - arit, argjendit, monedhës, tregtisë, prodhimeve bujqësore, pemëve, kafshëve të mëdha e të imëta, pasurisë në tokë etj.

Nisabi i çdo lloji të këtillë është aq sa të reflektojë drejtësinë dhe reciprocitetin, kështu që zekati nuk e ngarkon tepër njeriun, po as që ia përvetëson fuqinë që i nevojitet.

Islami, gjithashtu, e ka caktuar edhe sadekatul-fitrin, duke e obliguar me të çdo musliman, mundësitë e të cilit e tejkalojnë atë që i duhet për një ditë dhe një natë. Pra, muslimani përmes fesë së tij mësohet në solidaritet dhe dhembshuri të ndërsjellë.

Zekati paraqet pastrim të pasurisë, lartësim shpirtëror dhe ilaç nga koprracia. All-llahu xh.sh. thotë:

"Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t'i pastrosh me të dhe t'u shtosh (të mirat)..." (Et-Tevbe, 103).

Zekati është obligim material, të cilin Islami e lidh me imanin dhe me përkushtimin ndaj All-llahut xh.sh. Mohimin e së drejtës së të varfërit, Kur'ani e krahason me mohimin e Ahiretit dhe të ringjalljes pas vdekjes:

"... dhe për idhujtarët është mjerim i madh, të cilët nuk e japin zekatin dhe mu ata e mohojnë botën tjetër" (Fussilet, 6-7).

Islami, kështu, e zgjidh obligimin e solidaritetit shoqëror, me atë që këtë e shpall ndër themelet e tij primare... Ai gjithashtu e mëson besimtarin se ky institucion është i lidhur me imanin, ndaj kush e kryen me kënaqësi, kjo është dëshmi se imani është bërë pjesë përbërëse e qenies së tij.

Andaj muslimani nuk mbetet vetëm me të dhënat e obligueshme të zekatit. Para tij ndodhen një sërë formash të dhënieve vullnetare, të cilat ia preferon feja. Zekati, në të vërtetë, është ndarje apo veçim minimal për solidaritetin shoqëror që e kërkon Islami.

Pasuria e egoistit në këtë botë është e privuar nga bekimi dhe bereqeti.

"... e çkado që të jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është dhuruesi më i madh" (Sebe', 39).

"Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha All-llahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kijametit do tu mbështillet në qafën e tyre..."(Ali Imran, 180).

Ata që ndajnë, gëzojnë mëshirën dhe mbrojtjen e Zotit:

"Ai (Zoti) tha: 'Dënimi im është ai me të cilin e godas cilin dua, e mëshira Ime ka përfshirë secilin send. Atë (mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët ruhen (mëkateve), e japin zekatin dhe për ata që argumentet tona i besojnë" (El-E'araf, 156).

Muhammedi alejhisselam lidhur me këtë thotë: "S'ka ditë që gdhijnë njerëzit, e të mos i vizitojnë dy melekë, prej të cilëve njëri thotë: - O Zot, kompensoji atij që ndan, ndërkaq tjetri thotë: - O Zot, zhduke atë që bën koprraci!"