Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Qeshni

Të qeshësh në kufijtë e të mesmes, është balsam i shpirtit dhe ilaç i humorit të trazuar. Në Kuran Zoti i lartësuar thotë:” Ai vuri buzën në gaz” (Neml, 19)
Vetë profeti Muhamed a.s qeshte, saqë i dukeshin dhëmballët e fundit. Ai qeshte dhe bënte shaka, por nuk fliste veçse të vërtetën. Me këtë artikull, doja të gëzoj dhe të bëj të qesh lexuesit e mi. Jeta, përbëhet nga çaste serioziteti, por edhe hareje dhe gazi. Për këtë të fundit, do u sjell disa anekdota të shkëputura nga literatura përkatëse.
Thuhet se një mbret pyeti një ditë vezirin e tij mbi gjendjen e popullit. Veziri i tha:”Ushqehen me kashtë dhe qëndrojnë sus.” Mbreti ia ktheu:”Atëherë rriteni çmimin e kashtës. Rruga e lavdisë është e shtruar me kashtë dhe jo me trëndafila.”
Pas çdo burri madhështor, qëndron një grua madhështore. Pas çdo burri dështak, qëndrojnë dy gra dështake.
Një burrë e pyeti Ameshin e verbër:”Cila është dobia e vetme e të qenit i verbër?” Ai ia ktheu:”Se nuk shoh njerëz si puna jote.”
Dikush e mbante veten për poet të madh, edhe pse s’ia kishte haberin nga kjo fushë. Një ditë, u takua me një poet të famshëm dhe e pyeti:”Besoj se edhe ti e kupton faktin se jam poet me vulë, apo jo!” Poeti ia ktheu:”Po po. Madje je poet me damkë.”
Një person që jetonte në një regjim diktator, arrin të arratiset. Një miku i tij, e pyeti:”Hë, si e le vendin?” Ai u përgjigj:”plot roje të forta dhe shigjeta të zjarrta.” (Xhin, 9)
Dikush pyeti një të njohur nëse e kishte mirë të shoqen dhe ai iu përgjigj:”Gjarpër me dy gjuhë.”
Një nga elita e Jemenit, jepte e merrte kamatë dhe gënjente shumë. Ai kishte ftuar për gosti disa njerëz, e mes tyre dhe një poet. Të gjithë ishin ulur rreth sofrës, sakaq, mikpritësi po u tregonte të pranishmëve përralla e legjenda të kota. Pasi kishte shkumuar duke folur, ai i drejtohet poetit:”Po ti, si je o filan?” Poeti i përgjigjet:”Jam dhe jemi ashtu siç thotë Zoti në Kuran:”Ata janë dëgjues të gënjeshtrës dhe e hanë me kënaqësi të madhe atë që është e ndaluar.” (Maide, 41)
Një herë, Bernard Shou shkroi një artikull ku ironizonte rëndë kryeministrin anglez, i cili e thërret në zyrë dhe pasi e kritikon, i thotë:”A e di çfarë të ndan nga një  gomar?” Bernard Shou ia kthen:”Po, kjo tavolinë.”
Tregon Ibnul Xheuzi në librin e tij me titull:”Habere budallenjsh e torrollakësh” se dikujt i ishte sëmurë gomari. Teksa nuk po i bënte dot derman, ai zotohet se nëse Zoti i shëron gomarin, do të agjërojë shtatë ditë. Gomari iu shërua dhe ai e mbajti zotimin, agjëroi shtatë ditë. Por, për fat të keq, ditën e tetë gomari ngordhi. Atëherë, i zemëruar ai u zotua se këto shtatë ditë, do i zbresë nga Ramazani. Me të ardhur Ramazani, ai agjëroi 23 ditë, kurse shtatë ditët e mbetura e prishi. Në fund, tha:”Tani jemi barazim.”
Nëse dëgjon dikë që thotë se gjëja më e rëndësishme për një grua është feja dhe besimi, dije se gruaja e tij është e shëmtuar dhe ia ka sjellë në majë të hundës.
Nëse dëgjon dikë të thotë:”Për Zotin, ne jetojmë në të mira, rend dhe qetësi, të cilën shtetet e tjera na e kanë zili” dije se qeveria ia ka dhënë ndonjë post ose shpërblim të majmë.
Nëse dëgjon dikë të thotë:”Pasha Zotin të kesh post këto ditë është bela e madhe. Sot, kapitali më i mirë është rehatia. Të mbash një post është skllavëri.” Dije se është shkarkuar nga puna dhe nga posti që mbante.
Nëse dëgjon dikë të thotë:”Drejtësia tek ne është katastrofë” dije se mund ti jetë refuzuar dëshmia ose vendimi i marrë nga gjykata ka qenë në disfavor të tij.
Nëse dëgjon dikë të thotë:”Namazi i natës është bereqet e nur. Kush ngrihet natën dhe falet, ndjehet i çliruar nga hallet” dije se ai është ngritur atë natë, është falur dhe dëshiron tu tregojë të tjerëve.
Nëse dëgjon dikë të thotë:”Shyqyr Zotit dija është përhapur dhe informacioni është në duart e të gjithëve. Tashmë të gjithë dinë dhe janë të shkolluar” dije se ai nuk e pëlqen të lexuarit në libra. Me këto fjalë, ai dëshiron të ngushëllojë veten.
Nëse dëgjon dikë të thotë:”Gjithçka që keni ju, është kalimtare, ndërsa ajo që ndodhet tek Allahu, është e përhershme.” (Nahl, 96) dije se i është refuzuar një shpërblim apo çmim që e synonte.
Dikush e pyeti Ibnu Zubejrin:”Cili është kulmi i lehtësimit pas vështirësimit?” Ai u përgjigj:”Të vijë dikush papritur në vakt ngrënie dhe të thotë se agjëron.”
Hisham ibnu Abdul Melik, kur në Sham pllakosi murtaja, mblodhi plaçkat dhe u nis për rrugë nga frika se mos sëmurej. Një burrë i mirë, i citoi ajetin:”Thuaju: “Nuk do t’ju bëjë dobi të ikurit, nëse ikni prej vdekjes apo vrasjes. Edhe atëherë, ju do të kënaqeni vetëm për pak kohë!” (Ahzab, 16) Ai u përgjigj:”Edhe unë, për pak kohë po iki.”
 
Ngaqë hoxhallarët qëndrojnë ulur një pjesë të madhe të kohës, gjë të cilën e vuaj dhe vetë, sa herë takohem me njerëz, pasi i pyes në përgjithësi, i pyes edhe për gjunjët. Babai i një mikut tim, bëri një operacion për ngushtim enësh të zemrës në Gjermani. Tregon shoku im, se pasi u kthye nga Gjermania, me këdo që takohej, e pyeste:”Si i ke venat e zemrës ti?”
Një nga mësuesit e imam Buhariut, quhej:”Museded ibnu Muserhed, ibnu Serdel, ibnu Arendel, ibnu Muserbel. Kur dikush nga të diturit e dëgjoi këtë emër, tha:”Kjo duhet të jetë yshtja kundër pickimit të akrepit.”