Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Falu njerëzve dashuri

Po t’i analizojmë gjërat me kujdes do të vëmë re se disa gjëra që na japin lumturi nuk janë në duart tona, por vijnë nga burime të jashtme. Mirëpo shumica e gjërave që na falin lumturi, janë në duart tona.
Ne jemi përgjegjës për t’u ushqyer, për t’u arsimuar, për të punuar, për të siguruar jetesën etj… Po ashtu, ne jemi përgjegjës për të lumturuar veten tonë. Me gjithë problemet, vështirësitë dhe vuajtjet, në fund të fundit lumturia është diçka që mund ta sigurojmë vetë me mundin dhe përpjekjet tona. Unë i ndjej dhe i shoh vuajtjet e shumë njerëzve, shumë probleme me të cilat ballafaqohen të rinjtë dhe në veçanti të rejat tona.
Siç e kemi cekur në fillim të këtyre temave, elementët e lumturisë janë shtatë: Elementin e parë – startim i duhur me lidhjet me Zotin, me veten dhe ambiciet – e kemi trajtuar. Këtë element e ngjyrosëm me ngjyrë portokalli, e cila simbolizon ngjyrën e lindjes së diellit, ngjyrën e lindjes.
Elementi i dytë, është “lumturo ata që janë përreth teje të lumturohesh vetë” dhe e kemi ngjyrosur me ngjyrën e gjelbër, e cila simbolizon kontributin, dhënien, mirësinë dhe zhvillimin.
Elementi i tretë: Shpirt i pastër nga përbërësit që e turbullojnë lumturinë, si mendjemadhësia, smira, urrejtja etj...
Elementi i katërt: Zemër e madhe, e cila di të falë, të jetë e dhembshur dhe zemërgjerë me njerëzit. Elementi i pestë: Vullneti i çeliktë.
Elementi i gjashtë: Marrëdhënie familjare të ngrohta.
Elementi i shtatë: Lidhje të forta me Zotin.
Nëse njëri nga këto elementë mungon, lumturia nuk realizohet dhe për pasojë do të vuash në këtë botë.
Në elementin e dytë, ne do të fokusohemi në lumturimin e njerëzve përreth, që të lumturohemi vetë. Të gjitha marrëdhëniet mes dy palëve në këtë botë, dy ortakë, burrë e grua, prindër-fëmijë etj... bazohen në marrje dhe dhënie, në kontribut të ndërsjellë. Nëse njëra palë pret vetëm të marrë, marrëdhëniet prishen. Ky është një nga ligjet e jetës. Nuk është e thënë të jetë diçka materiale, ajo mund të jetë një këshillë, ndjenja, përkëdhelje, ide, një dorë që të shtrihet në rast vështirësish etj...
Ashtu siç marrëdhëniet nuk vazhdojnë nëse njëra palë vetëm merr, ndërpriten edhe nëse njëra palë vetëm jep. Kjo, pasi jemi njerëz dhe karakterizohemi nga lodhja dhe mërzia. Nëse mendon vetëm që të marrësh, kurrë nuk do të mund të jetosh i lumtur.
Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kënaqësia kur jep dhe kontribuon për mirë.
Të gjithë ne përpiqemi të bëjmë një jetë sa më të lumtur, duke përmirësuar jetesën, ushqimin, veshjet, duke zgjedhur shoqërinë, duke kaluar pushimet në vende të bukura etj... megjithatë nuk po e gjejmë dot lumturinë që kërkojmë. Përse të mos e provojmë duke i bërë të lumtur të tjerët? Përse të mos jetë motoja jonë, sidomos gjatë Ramazanit, “Do t’i gëzoj të gjithë ata që më rrethojnë. A nuk e kemi modelin tonë më të mirë të dërguarin e Zotit, për të cilin thuhet: “Gjatë Ramazanit, Profeti (a.s.) ishte më bujar se kurrë.”
Provoje që për njëzet e një ditë të shndërrohesh në burim lumturie dhe gëzimi për të tjerët. Bërja mirë, ka një shije dhe ëmbëlsi të veçantë. Kur jetojmë vetëm për vete, lindim të vegjël, jetojmë të vegjël dhe vdesim të vegjël. Ndërkohë që kur jetojmë për të tjerët, lindim të vegjël, por jetojmë të mëdhenj dhe vdesim të mëdhenj. Duke jetuar për të tjerët, ne ia shtojmë jetën vetes tonë, pasi emri ynë do të përmendet nga njerëzit që kanë përfituar nga ndihma dhe përkujdesi ynë. Nëse kërkon të jetosh i lumtur, lumturoji njerëzit përreth.
Jeta e kësaj bote është e shkurtër, ndërkohë që jeta jote në këtë botë është akoma më e shkurtër. Ajo që të ka mbetur nga jeta jote, është edhe më e shkurtër. Duke u bërë mirë dhe duke i lumturuar njerëzit e tjerë, ty të shtohet jeta dhe të bëhet më e lumtur.
Duke gëzuar një njeri, duke përkëdhelur një jetim, duke i kthyer buzëqeshjen një familjeje të vobektë, duke i zgjidhur hallet një hallexhiu etj... ti sikur u jep jetë, sikur jetën tënde e shpërndan në shumë persona dhe jeton në zemrat e tyre, derisa të jenë gjallë.
Shumë njerëz janë të dashur me të tjerët, por kjo nuk i kalon kufijtë e zemrës. Ne duhet të mësohemi si ta materializojmë dashurinë, ta shfaqim dhe ta demonstrojmë atë konkretisht, jo vetëm virtualisht.
Nëse kërkon të korrësh dashuri, duhet ta mbjellësh atë.
Në një anketim të bërë, morën pjesë njëmijë baballarë dhe nj mijë fëmijë. Baballarët u pyetën nëse i donin fëmijët e tyre dhe shumica e tyre demonstruan pakënaqësi nga kjo pyetje, duke thënë: “Çfarë është kjo pyetje? E kush nuk i do fëmijët e tij?!”
Kur u pyetën fëmijët, nëse prindërit i donin apo jo, shumica prej tyre përgjigjeshin: “Nuk e di. Ai kurrë nuk më ka thënë se më do. Gjithmonë më thotë se ia këpus kot.”
Mes dashurisë dhe manifestimit të saj, ka dallim të konsiderueshëm. Përveçse t’i duam njerëzit, ne duhet ta manifestojmë dashurinë tonë për ta, duhet ta bëjmë të prekshme dhe të ndjeshme. Njerëzit janë të vuajtur e të lodhur dhe kanë nevojë për një përkëdhelje, një fjalë të mirë, një buzëqeshje, një dorë që u zgjatet për ndihmë. Ka shumë vajza të reja të cilat braktisin shtëpinë dhe familjen, pasi nuk gjejnë dikë që u thotë një fjalë të mirë, dikë që i përkëdhel dhe i mban pranë.
Njerëzit që vrapojnë pas dashurisë dhe dikujt që i do janë të shumtë. Në udhëtimin tonë drejt lumturisë, ne do të bëjmë të kundërtën, do t’u falim njerëzve dashuri dhe do të shohim që dashuria do të rendë drejt nesh.
Dashuria zbut shkëmbin, ajo është zgjidhja më e mirë e shumë problemeve mes prindërve dhe fëmijëve, dashuria e shndërron armikun në mik.
Shumë prej nesh kanë nevojë të mësojnë si t’i duan të tjerët dhe si ta manifestojnë konkretisht këtë dashuri. Ka njerëz që e fshehin dashurinë, disa të tjerëve u vjen turp ta shfaqin, ka të tjerë që janë të dhunshëm dhe agresivë, ka njerëz që mendojnë se shfaqja e dashurisë bie ndesh me autoritetin e tyre dhe seriozitetin, të tjerë mendojnë se fëmijët edukohen me dajak dhe ashpërsi, në të kundërt të dalin jashtë kontrollit. Ka njerëz që janë zemërngushtë edhe në dashuri dhe kjo zemërngushtësi dhe koprraci është më e rëndë se koprracia në pasuri. Zoti thotë në Kuran: “Njerëzit janë të prirur nga koprracia.” (Nisa, 128)
 
Një ndodhi dhe një hadith profetik
 
Unë do të rrëfej një ndodhi që më ka ndodhur mua personalisht dhe do ta pasoj me një hadith, i cili ka lënë gjurmë të thella në psikikën time.
Një muaj më parë, ndodhesha në Britani dhe një ditë më vjen një telefonatë nga një numër i panjohur. Nga prefiksi dallova që telefonuesi ishte nga Franca. Pasi e hapa telefonin, një zë më përshëndeti dhe më tha: “Unë jam një person me të cilin je takuar para shtatë vitesh në rrugën Shanzeleze në Paris, kur pate ardhur për një ligjëratë. Unë jam me origjinë nga Egjipti dhe atë ditë të ndalova dhe të bëra një pyetje.”
Në atë çast, unë u kujtova dhe i thashë: “Ti e ke emrin Hamis, apo jo.” Ai u përgjigj: “Po, unë jam.”
Shtatë vite më parë, gjatë një vizite timen në Francë, Hamis më ndalon në rrugë dhe më thotë: “Dua të të bëj një pyetje.” Unë qëndrova dhe i thashë: “Po, urdhëro.” Ai më tha: “Dua të pyes mbi punën që bëj këtu në Francë, nëse është hallall apo haram.” Unë e pyeta: “Çfarë pune bën?” Ai u përgjigj: “Jam kërcimtar.” Unë i thashë: “Më vjen keq, por unë nuk jam myfti që të them nëse lejohet kjo lloj pune apo jo.”
Ai ndërhyri dhe tha: “Më lejo të të bëj edhe një pyetje tjetër.” “Urdhëro!” i thashë. Hamis vazhdoi: “Ndonjëherë dhe në vende të veçanta, më kërkojnë të kërcej i zhveshur dhe unë kërcej.” Unë i thashë: “Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjem dhe diçka e tillë është haram. Unë të këshilloj të largohesh nga kjo lloj pune dhe të shohësh një punë tjetër.” Hamis më tha: “Por duhet ta dish se me këtë punë unë siguroj jetesën dhe se shuma që marr kur kërcej zhveshur, është shumë herë më e madhe se ajo kur kërcej me rroba.” Unë i thashë: “Sido që të jetë, largohu nga një zanat i tillë. Kjo është haram.” Në fund, ai më tha: “Të premtoj se do ta lë këtë punë.” Mandej, unë vazhdova rrugën dhe u ndamë.
Ditën që më telefonoi, unë e pyeta: “Po përse me telefonove sot o Hamis?” Ai u përgjigj: “Që ditën që u takuam bashkë, puna që bëja ka rënë shumë. Duke mos ditur çfarë të bëj, u sëmura me stres dhe ndihem tejet i lodhur. Nuk lashë doktor pa u vizituar dhe aktualisht jam bërë gati të vetëvritem. Por para se të vetëvritem, vendosa t’ju telefonoj juve. Kjo, sepse para se të ndahemi, ju bëtë një gjest të cilin unë nuk e harroj dot.” Unë i thashë: “Mua nuk më kujtohet çfarë kam bërë!” Hamis u përgjigj: “Kur më the se kjo punë është haram dhe se duhet ta lë, para se të ndaheshe me mua, më përkëdhele me dashamirësi në kraharor dhe pastaj u largove. Unë e kujtoj atë përkëdhelje edhe në këto çaste dhe doja t’ju falënderoj para se të vetëvritem.” Unë i kërkova që të mos vetëvritej, e këshillova dhe e orientova se çfarë duhej të bënte dhe e mbyllëm bisedën me një premtim nga ana e tij se nuk do të vetëvritej.
Pasi e mbylla telefonin, unë u ula me veten duke menduar. Si është e mundur që një përkëdhelje të ketë efekt të tillë?”
                            
Hadithi i Profetit (a.s.)
 
Pas kësaj ndodhie, m’u kujtua një hadith i profetit Muhamed (a.s.), i cili përcjell të njëjtin mesazh. Ditën që myslimanët morën Mekën, Profeti (a.s.) i la të lirë dhe i fali të gjithë kundërshtarët dhe armiqtë e tij. Por njëri prej tyre, Fudale, e kishte të vështirë ta pranonte realitetin e ri. Nga mllefi dhe urrejtja e madhe që kishte për Profetin (a.s.), ai merr një kamë, e fsheh nën rroba dhe niset të vrasë Profetin (a.s.) i cili po sillej rrotull Qabes. Këtë akt të shëmtuar, ai donte ta zbatonte pasi Profeti (a.s.) i kishte falur të gjithë kundërshtarët e tij. Një njeri i tillë shpirtkatran, nuk meriton falje, mëshirë dhe dhembshuri, por Profeti (a.s.) nuk mendonte kështu.
Teksa i afrohej, Profeti (a.s.) e ndjeu, u kthye drejt tij dhe i tha: “Çfarë të dikton nefsi yt o Fudale?” “Unë po përkujtoj Zotin” i tha. Profeti (a.s.) i tha: “Kij frikë Zotin o Fudale!” Tregon Fudale: “Profeti (a.s.) më shihte në fytyrë dhe duke buzëqeshur më thoshte: Kij frikë Zotin o Fudale!” Mandej ai ngriti dorën dhe unë kujtova se do të më qëllonte, por ai e vendosi në drejtim të zemrës time dhe duke e fërkuar më thoshte: “Kërkoji Zotit falje o Fudale”. Para se të vendoste dorën mbi kraharorin tim, ai ishte njeriu më i urryer mbi faqen e tokës për mua, por me ta hequr dorën, ai u kthye në njeriun më të dashur për mua.
Vallë sa sekonda i ka marrë Profetit (a.s.) ajo përkëdhelje? Jo më shumë se dhjetë sekonda. Megjithatë, kjo përkëdhelje dhe fërkim dashamirës i zemrës, e shndërroi Profetin (a.s.) nga personi më i urryer, në personin më të dashur mbi faqe të tokës. Kjo përkëdhelje e ndryshoi plotësisht drejtimin e jetës së Fudales.
Të nesërmen duke ecur rrugës, Fudale takon një grua me të cilën kishte pasur lidhje haram. Me ta parë ajo i tha: “O Fudale, eja të dëfrejmë!” Por ai ia ktheu: “Të vij të dëfrehem?! Është diçka që e ndalon Zoti dhe feja islame. Nëse do ta kishe parë Muhamedin (a.s.) dhe shokët e tij teksa thyenin idhujt, do të bindeshe se feja e Zotit ka triumfuar dhe se e keqja shkelet me këmbë.”
Këto fjalë i thoshte ai që një ditë më parë donte të vriste të dërguarin e Zotit.
“O ju (ithtarë të Librit) që besuat (në Musain dhe Isain), ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Hadid, 28)
Dashuria është arma më e fuqishme në botë. Nëse kërkon të bësh ndonjë ndryshim, dije se dashuria është më e fuqishme se forca. Nëse kërkon t’i orientosh dhe t’i udhëzosh fëmijët, dije se arma e dashurisë është më e efektshme se arma e ndëshkimit. Luftoji armiqtë e tu me dashuri dhe përballu me problemet po me dashuri. Dashuria është mjeti më i efektshëm për orientimin e duhur të fëmijëve. Dashuria është mjeti më i mirë për arsimimin e tyre.
 
 
Profeti (a.s.) i zgjidhte problemet me dashuri
 
Një herë, mes Aishes, gruas së Profetit (a.s.) dhe Fatimes, vajzës së tij, ndodhi një zënkë me fjalë. Ngjarje të tilla bëhen shkak për divorce në familje të shumta. Kurse Profeti (a.s.) vajti tek Aisheja, gruaja e tij dhe i tha: “O Aishe! Fatimeja është pjesë e imja, më lëndon gjithçka që e lëndon atë, ashtu siç më gëzon gjithçka që e gëzon atë. Të lutem, mos më lëndo mua duke e lënduar Fatimen!”
Mandej, vajti tek Fatimeja dhe i tha: “O Fatime! A nuk e do gjithçka që e dua edhe unë dhe e urren gjithçka që e urrej?!” Fatimeja iu përgjigj: “Po.” Profeti (a.s.) i tha: “Atëherë, unë e dua Aishen, prandaj duaje dhe ti.”
Aisheja nga ana e saj deklaroi: “Për Zotin, nuk do ta lëndoj Fatimen pas kësaj dite.” Po ashtu Fatimeja deklaroi: “Për Zotin nuk do ta lëndoj Aishen pas kësaj dite.” (Transmeton Imam Ahmedi)
Ajo që bëjmë me fëmijët tanë është se i këshillojmë duke përdorur gjuhën e frikës dhe të kërcënimit. Shumë prindër u thonë fëmijëve të tyre adoleshentë: “Nëse do të vazhdoni ta ngisni makinën me shpejtësi do të vdisni!”
Kjo është gjuha e arsyes, por që të rinjtë nuk e kuptojnë. Gjuha e vetme që ata kuptojnë, është gjuha e zemrës, e ndjenjave dhe e dashurisë. Për të mbërritur tek arsyeja, duhet të fillosh nga zemra.
Profeti Muhamed (a.s.), para se ta urdhëronte dikë për një akt dhe vepër të caktuar, e furnizonte emocionalisht. Mëso si të sillesh me fëmijët e tu, bashkëshorten, punëtorët dhe njerëzit me të cilët kontakton nga profeti Muhamed (a.s.).
Muadh ibnu Xhebel ka rrëfyer: “Ndërkohë që po ecja me të dërguarin e Zotit, ai më kapi për dore dhe më tha: “O Muadh! Unë të dua! Prandaj mos harro që pas çdo namazi të thuash: “O Zot! Më ndihmo të përkujtoj, të falënderoj dhe të adhuroj sa më mirë.”
Abdullah ibnu Abasi – asokohe njëmbëdhjetë vjeç – ka treguar: “Isha me të dërguarin e Zotit dhe teksa ishim duke ecur, ai hapi krahët, më përqafoi dhe në veshin tim pëshpëriti këtë lutje: “O Zot! Mësoje dhe jepi urtësi!”
Me këtë gjest dhe këtë lutje, Profeti (a.s.) i thoshte jepu pas dijeve dhe urtësisë. Abdullah ibnu Abasi ka thënë: “Unë e kuptova mesazhin e tij.”
Ebu Umame ishte një familjar i ri, i sapomartuar dhe kishte probleme me të shoqen. Mesa duket, e shoqja i ishte ankuar për këtë të dërguarit të Zotit. Ebu Umame ka treguar: “Një ditë takova të dërguarin e Zotit i cili më tha: “O Ebu Umame! Ka disa besimtarë, që me t’i parë më falin kënaqësi! Ti je një prej tyre o Ebu Umame.”
Unë u gëzova shumë nga kjo. Mandej Profeti (a.s.) më tha: “Sa herë që të hysh në shtëpi, përshëndeti me selam familjarët, sepse është bereqet si për ty dhe për ta.”
Tregon Ebu Umame: “Për Zotin, nuk e harroj këtë çast.”
Tregon Abdullah ibnu Serxhes: “Një ditë i thashë Profetit (a.s.): “Unë e dua Ebu Dherrin.” Profeti (a.s.) më pyeti: “A ia ke treguar Ebu Dherrit?” Unë iu përgjigja: “Jo.” Profeti (a.s.) më tha: “Shko dhe tregoji!” Kur e takova Ebu Dherrin, i thashë: “O Ebu Dherr! Unë të dua për hatër të Zotit.” Ai u përgjigj: “Të dashtë Ai për hatrin e të cilit më ke dashur.”
Falu dhe kultivoje dashurinë me të gjithë njerëzit që të rrethojnë, pasi është një ndjenjë që të kthehet sërish.
 
Shfaqe dashurinë
 
Profeti (a.s.) na mëson që dashurinë ta shprehim dhe mos e mbajmë të fshehtë. Ai e shprehte shpeshherë dashurinë që ndjente për ish-bashkëshorten e tij Hadixhen. Këtë, ai e shprehte herë me fjalë dhe herë me dhuratat e shumta që u bënte shoqeve të saj. Një herë, dikush e pyeti: “A kaq shumë e do Hadixhen, o i dërguari i Allahut?!” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Më është rrënjosur dashuria për të.”
Një herë i vajtën disa vajza të vogla të banorëve të Medinës dhe filluan t’i këndojnë Profetit (a.s.):
Ne jemi vajza nga Benu Nexhar (fis)
Sa komshi të mirë kemi Muhamedin
Profeti (a.s.) i pyeti: “A më doni mua?” “Po” – i thanë. Profeti (a.s.) i përqafon të gjitha dhe u thotë: “Veç Zoti e di se sa u do zemra ime”.
 
Amr ibnul As kthehet triumfues bashkë me ushtrinë myslimane. Ata shkojnë te Profeti (a.s.) në xhami dhe Amr, në një çast e pyet Profetin (a.s.): “O i dërguari i Allahut! Cili është njeriu më i dashur për ty?” Ai priste që t’i thoshte se je ti o Amr, meqë je kthyer triumfues nga beteja, por Profeti (a.s.) i përgjigjet: “Është Aisheja.”
A keni dëgjuar ndonjë personalitet të lartë që para gjithë njerëzve të thotë se personi më i dashur në jetë është gruaja e tij?!
Që sot përpiqu të kultivosh dhe t’u falësh të tjerëve dashuri. Çoju një mesazh plot ndjenja dhe dashuri njerëzve të dashur dhe familjarëve. Por këtë bëjeni me familjarët dhe njerëzit e gjakut, jo me vajzat/djemtë me të cilat shoqëroheni.
 
Përsëri babi përsëri... Këto janë fjalë të shkëputura nga një histori që e kam lexuar kohët e fundit. Personazhi që e rrëfen këtë histori tregon: “Kur kisha vetëm një djalë, edhe angazhimet nuk ishin të shumta, kisha kohë të mjaftueshme të merrem me djalin, të cilin e nxirrja shëtitje dhe përkujdesesha shumë për të. Kur më lindi vajza, përveç angazhimeve në shtëpi, edhe ato të punës u shtuan. Kështu, nuk kisha kohë për vajzën. Kur mbushi katër vjeçe, vajza e ndjente që isha pak më i dhënë pas të vëllait. Një ditë, gruaja insistoi që ta merrte vajzën dhe ta nxirrte shëtitje, pasi ndihej inferiore dhe e braktisur. Kurse unë ia ktheja: “Ti je burimi i dhembshurisë dhe dashurisë. Ti duhet të kujdesesh më shumë për fëmijët.” Por duke parë që gruaja nuk kishte ndërmend të iqte dorë, e mora vajzën dhe vajtëm në një restorant. Kur po hanim ëmbëlsirën dhe po ngulja pirunin në kek, i hodha sytë vajzës time dhe në atë çast më pushtoi një ndjenjë e çuditshme dhe i thashë: “Unë të kam shumë xhan bija ime.” dhe e ngula pirunin në copën e kekut, por vajza më kapi për dore dhe më tha: “Përsëri babi përsëri...”
Në çast, unë mbeta si i mpirë dhe nuk dija ç’të bëja... Vajza më kërkonte që unë t’i flisja dhe t’i shprehja sërish dashurinë e simpatinë time. Për pak kohë e shihja vajzën time të madhe, ndërsa veten të vogël, e shihja atë mësuesen time, kurse veten nxënësin e saj. Ajo kuptonte gjithçka, ndërkohë që unë s’kisha kuptuar asgjë gjer atëherë. Menjëherë i thashë sërish: “Unë të dua shumë bija ime dhe pa ty nuk më zë vendi.”
Këto ishin fjalët e një vajze katërvjeçare. Por një vajzë pesëmbëdhjetë vjeçare nuk do të thotë përsëri babi përsëri... Ajo të befason me mungesën e saj në shtëpi dhe zhduket për mos të të parë më.
 
Ebu Bekri, pak para se të vdiste, e la amanet që ta lante e shoqja, Esma bintu Amis. Kur e pyetën mbi shkakun, ai u tha: “Ajo është më pranë zemrës time.”
Kur i kërkuan Ali ibnu Ebi Talibit të përshkruante jetën me vajzën e të dërguarit të Zotit, ai u përgjigj: “Vajza e Muhamedit, është streha dhe gëzimi im, mishi i saj është përzier me mishin dhe gjakun tim.
Profeti (a.s.) i kap një ditë për dore Ebu Bekrin dhe Umerin dhe duke qëndruar në mes thotë: “Kështu do të ringjallemi dhe Ditën e Kiametit.”
Kur u pyet Umeri se cila është gjëja që nuk mund ta harronte nga i dërguari i Allahut, ai u përgjigj: “U nisa për haxh dhe më tha: “Mos më harro në lutjet e tua o vëlla.”
 
Zgjidh kohën e përshtatshme
 
Për të shprehur dashurinë dhe respektin për një person, duhet të zgjidhni edhe kohën e përshtatshme. Një herë, ndodhesha me tre miq të martuar dhe po u flisja mbi rëndësinë e shprehjes së dashurisë. Pasi përfundova, të tre vendosën t’u dërgojnë grave të tyre nga një mesazh ku secili i shprehte ndjenjat dhe dashurinë. Mesa duket, ata nuk kishin zgjedhur kohën e përshtatshme për këtë, prandaj përgjigja që i erdhi njërit ishte: “Para se të më dërgosh mesazhe të tilla, a e ke paguar faturën e telefonit?”
Gruaja e të dytit iu përgjigj me një mesazh ku thoshte: “Mesa duket, ligjërata që ke vajtur të dëgjosh qenka mbi dashurinë dhe jo mbi zhvillimin e vendeve tona.” Kurse gruaja e të tretit nuk u përgjigj fare.
Si fillim, është mirë që të përdoret metafora në vend të fjalëve të drejtpërdrejta. Kjo, nëse nuk je mësuar ta shprehësh dashurinë, ose nëse të vjen zor.
Një metodë të tillë e përdorte dhe Profeti (a.s.) me disa njerëz të caktuar. Ai i thoshte Sadit: “Gjuaji o Sad, u flijofsha për ty.” Kurse Ali ibnu Ebi Talibit i thoshte: “A nuk dëshiron që me mua të jesh si Haruni me Musain?”
 
Dashuria shprehet edhe me një shaka
 
Një nga shokët e Profetit (a.s.) kishte punuar gjatë në hapjen e llogores në betejën e Hendekut. Ngaqë kishte qëndruar gjatë në diell, i ishte skuqur fytyra dhe kur vajti te Profeti (a.s.) ai i tha: “Mirë se erdhe o baba i trëndafilit.” I çuditur, ai i tha: “O i dërguari i Allahut! Unë nuk jam babai i trëndafilit!” Profeti (a.s.) i tha: “Po ta shohësh si të është bërë fytyra, do ta kuptosh që je babai i trëndafilit.”
Suhejbi, një nga shokët e Profetit (a.s.) e kishte njërin sy të sëmurë. Një ditë ai po hante hurma dhe kur e sheh Profeti (a.s.) i thotë: “O Suhejb! A po han hurma me sy të sëmurë?!” Suhejb ia ktheu: “O i dërguari i Allahut! Mos kij merak se e ha me syrin tjetër.”
Një njeri që nuk e shpreh dashurinë që ka për të tjerët, do të jetojë i pakënaqur dhe jo i lumtur, pasi të tjerët do të mendojnë se nuk i do dhe nuk do ta duan.
Unë e di o motër që Zoti e ka pasuruar shumë botën tënde emocionale dhe sentimentale. Shumë vajza e shpërdorojnë këtë ndjenjë kaq të bukur duke e shkarkuar në rrugë haram. Kurse ti shkarkoje në vepra të mira, shkarkoje tek jetimët, njerëzit me aftësi të kufizuara, te të vobektët, gratë e veja, fëmijët e sëmurë me kancer etj... Ti o motër ke njëqind njësi dashuri, ku shumica më e madhe duhet t’i dedikohet bashkëshortit. Nëse akoma nuk je martuar, orientoje këtë kapacitet kaq të madh në vepra bamirësie.
Kurse prindërve u them që t’ju falin fëmijëve sa më shumë dashuri, sidomos vajzave të tyre. Ato duhet ta gjejnë dashurinë brenda në shtëpitë dhe familjet e tyre. Në rast se kjo u mungon, ato kërkojnë alternativa jashtë familjes dhe shtëpisë.
 
Si ta kultivoj dashurinë?
 
Mësoji dhe ushtroji shqisat e tua. Mësoji dhe stërviti duart si të përkëdhelin, ushtroje fytyrën si të falë buzëqeshje, ushtroje syrin si të përshëndesë.
Ka njerëz që kur të japin dorën, e japin si të këputur dhe pa ndjenja. Ka të tjerë që ta shtrëngojnë dorën sikur duan ta këpusin. Kurse ka të tjerë, që kur të japin dorën, e ndjen sikur të kanë dhënë zemrën dhe gjithçka tjetër. Sytë e tyre shkëlqejnë nga gëzimi dhe respekti.
Abdullah ibnu Mesudi tregon: “Ma ka mësuar teshehudin (ajo që lexohet ulur në namaz) ashtu siç më mësonte një sure Kurani. Këtë e bënte duke ma mbajtur dorën në dorën e tij dhe supin ngjitur pas supit të tij.”
Profeti (a.s.) ishte i pari që ia zgjaste dorën tjetrit, i buzëqeshte dhe nuk e tërhiqte dorën derisa tjetri ta tërhiqte i pari.
Tregon Ebu Rafi, një nga shokët e Profetit (a.s.): “Që kur pranova Islamin, Profeti (a.s.) sa herë më takonte, më buzëqeshte.”
Ushtroje dhe gjuhën tënde që të shqiptojë fjalë të ëmbla dhe të bukura.
Abdullah ibnu Mubarek, nga brezi i tabi’inëve, ndodhej në beteja dhe luftëra të njëpasnjëshme. Duke qenë se ndodhej larg familjes, ai i shkroi një letër të shoqes ku i thoshte: “Shpirti im ndjen nostalgji për shpirtin tënd. Po ti, e ke ndjerë këtë gjë?”
Ushtroje veten që kur t’u falësh buzëqeshje të tjerëve, të mos jetë buzëqeshje e shtirur dhe sa për të kaluar radhën. Mos buzëqesh siç buzëqeshin stjuardesat në aeroplan, pasi ato e kanë punë diçka të tillë.
Falni dashuri, falni buzëqeshje, falni fjalë të mira, që të jetoni të lumtur dhe të gëzuar.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free