Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Te meditosh rreth krijesave te Zotit

Shumë njerëz kanë nevojë të ndryshojnë këndvështrimin e tyre ndaj adhurimeve dhe ibadeteve për Zotin. Shumë njerëz i konceptojnë adhurimet thjesht si shlyerje detyrimi. Zoti na ka urdhëruar ta bëjmë këtë dhe ne jemi të detyruar ta bëjmë. Në fakt, adhurimet dhe ritet fetare, nuk janë gjë tjetër veçse kënaqësi dhe lezet për shpirtin. Këto fjalë unë ua drejtoj kryesisht të rinjve dhe të rejave, të cilave u është transmetuar feja si një barrë të cilën duhet ta mbajnë mbi supe, thjesht komanda e urdhra që duhen zbatuar. Në fakt, Zoti i lartësuar nuk ka dashur asgjë më shumë se të na falë kënaqësi, shije dhe jetë të paqtë, nëpërmjet riteve fetare dhe në fund të na shpërblejë në këtë botë dhe në tjetrën. Rituali dhe adhurimi rreth të cilit do të flasim në këtë temë, të fal kënaqësi dhe përjetime të rralla. Ai është një ritual që ka lidhje me shikimin, mendjen dhe shpirtin. Ai mund të praktikohet në çdo vend dhe pozicion, i fal mendjes freski, syrit kënaqësi dhe shpirtit kthjelltësi. Ai është një ritual, i cili na tërheq drejt një këndvështrimi të ri të ibadeteve dhe të ritualeve tona.
Të ndijosh universin përreth dhe mandej të meditosh rreth krijesave të Zotit, pa dyshim që i fal zemrës paqe, harmoni, gëzim dhe prehje.
Jeta materialiste që sot po jeton njerëzimi, është shumë e vështirë. Ajo sikur na bluan çdo ditë e nga pak, ashtu siç bluhen drithërat në gurët e mullirit. Me qëllim që të na e lehtësojë, Zoti na ka dhuruar një ibadet dhe ritual të rëndësishëm, të merituarit rreth krijesave të Zotit. Të ndijuarit e universit dhe meditimi rreth tij e Krijuesit, është një ritual që pastron dhe kristalizon shpirtin. Ajo që kërkohet prej teje, është që t’i lësh sytë të lirë të enden kudo në krijesat e Zotit, por jo vetëm. Ndijimi me sy i krijesave të Zotit, duhet të na kapërcejë në një stacion tjetër të rëndësishëm, atë të medituarit mbi këto krijesa dhe mbi Krijuesin e tyre.
Të medituarit rreth krijesave të Zotit, është një ritual që largon preokupimet dhe shqetësimet. Kjo, sepse pas tij, e ndjen se kjo botë me gjithë hallet e saj, është shumë e vogël, në krahasim me universin, e ndjen se problemet dhe vuajtjet e tua janë shumë të vogla në krahasim me madhështinë e universit dhe të Krijuesit. Ai është ritual që praktikohej nga të gjithë profetët. Ai është një ritual, i cili përbën startin e lidhjeve të profetit Muhamed (a.s.) me Zotin. Edhe pse asokohe nuk njihej namazi, profeti Muhamed (a.s.) e adhuronte Zotin në shpellën Hira. Adhurimi i tij ishte pikërisht meditimi mbi krijesat e Zotit. Kjo ishte para se t’i shfaqej Xhibrili (a.s.).
Tregon gruaja e tij, Hatixheja: “...më pas filloi të pëlqente vetminë, shkonte në shpellën Hira dhe adhuronte Zotin natën…
Përse të mos e provosh dhe ti o vëlla dhe oj motër, të meditosh rreth krijesave të Zotit? Përse të mos i hedhësh sytë anembanë dhe ta madhërosh Krijuesin e gjithçkaje?
Zoti thotë në Kuran: “Dhe gjithçka e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata.” (Isra, 44)
Edhe gurët që gjenden rrugës, edhe bimët e pemët e madhërojnë dhe e lëvdojnë Zotin pa pushim. Nëpërmjet këtij adhurimi, profeti Ibrahim (a.s.) mbërriti gradën e sigurisë e të vendosmërisë. Zoti thotë në Kuran:
“Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës, që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht.” (En’am, 75)
Tregojnë shokët e Profetit (a.s.) rreth këtij rituali: “Nuk na ka treguar një, dy e tre persona nga sahabët e të dërguarit të Zotit (por një numër më i madh) se meditimi është drita e besimit.”
Kur Umu Derda u pyet se cili ishte rituali më i shpeshtë i Ebu Derdasë, ai u përgjigj: “Meditimi rreth krijesave të Zotit.”
Hasen Elbasrij thotë: “Meditimi i një ore, është më i vlefshëm sesa adhurimi i një viti.”
Ky ritual, është i tillë që të afron më shumë me Zotin, i forcon lidhjet e tua me Zotin dhe të bën nga të dashurit e Tij. Kjo, sepse njohja dhe prezantimi me Zotin ndahet në dy pjesë: E para, të njohësh dhe të besosh se Zoti ekziston, gjë që e besojnë shumica e njerëzimit. E dyta, të njohësh cilësitë e Zotit, madhështinë e Tij, ta njohësh autoritetin, t’i përkushtohesh e t’i përshpirtesh, ta duash dhe të lidhesh me Zotin. Dallimi i njerëzve në këtë pjesë, varet sipas meditimit të tyre lidhur me krijesat e Zotit në univers.
Gjatë ligjërimit mbi minber, një ditë Profeti (a.s.) recitoi ajetin: “ Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në Ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen nën të djathtën e Tij. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi idhujt që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” (Zumer, 67)
Treguesi i mosvlerësimit të madhështisë së Zotit, manifestohet në mosnjohjen e universit, të cilësive të Zotit dhe të ndodhive që do të të shoqërojnë Botën tjetër.
Vendet ku adhurohet Zoti janë dy: Xhamitë, të cilat për fat të keq mbyllen pas çdo namazi, dhe universi i cili e lartëson dhe vlerëson madhështinë e Zotit. Gjithçka në univers e madhëron Zotin, pemët, shkëmbinjtë, harabelat, luginat, humnerat dhe gjithçka tjetër. Universi është një xhami e madhe. Ne e njohim Zotin nëpërmjet një libri që lexohet dhe një tjetri që vështrohet. Libri që lexohet është Kurani fisnik, kurse libri që vështrohet është universi dhe gjithësia. Nëse dikush është analfabet, e ka të mundur që qoftë dhe me njërën nga shqisat, të ndijojë universin përreth dhe si rrjedhojë të meditojë rreth tij.
“Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë! Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh. Ai ka krijuar shtatë qiej njërin mbi tjetrin. Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë ceni. Hidhe vështrimin: a sheh ndonjë plasaritje? Pastaj hidhe sërish vështrimin; sytë e tu do të kthehen të lodhur e të molisur.” (Mulk, 1-4)
“Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! Po qiellin, se si është ngritur?! Po malet, se si janë vënë të patundur?! Po Tokën, se si është shtrirë?!” (Gashije, 17-20)
Sikur Zoti kërkon ta adhurojmë dhe ta njohim më shumë nëpërmjet ritualit të meditimit në krijesat e Tij. Vetëm kështu mund të prezantohemi më mirë me Zotin, mund ta njohim madhështinë e Tij më shumë dhe rrjedhimisht, ta duam më fort. Sa më shumë të meditosh, aq më shumë të zvogëlohen hallet në sytë e tu. Rituali i meditimit është ritual që redukton hallet dhe vështirësitë.
“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt.” (Bekare, 164)
Këto janë krijesat e Zotit, që i ka krijuar në formën më të përsosur. Unë u bëj thirrje të gjithë juve lexues të dashur, që të dilni jashtë ndërtesave dhe banesave çdo javë. Dilni në hapësira të gjelbëruara, pranë detit apo një lumi, dilni dhe meditoni mbi krijesat e Zotit. Dilni jashtë dhe frymëzohuni, pasi duke jetuar në katër mure sikur kemi kufizuar dhe hapësirat e mendjes tonë.
Që ta shijoni në maksimum meditimin rreth krijesave të Zotit, duhet të përmbushni një kriter të rëndësishëm: Të ndryshoni këndvështrimin tuaj lidhur me universin dhe gjithçka që ka krijuar Zoti i lartësuar, duke mos i shikuar si gjëra të zakonshme. Prej jush kërkohet që gjithçka të krijuar nga Zoti, ta shihni si një mrekulli më vete. Imagjinoni një person, i cili nuk e ka parë kurrë me sy mrekullinë e ditës dhe të natës, apo të lindjes dhe të perëndimit të diellit. Vallë si mund ta përjetojë një dukuri të tillë? Prej nesh kërkohet t’i përjetojmë në të njëjtën mënyrë këto dukuri dhe fenomene.
Nëse ti o njeri i përjeton dukuritë përreth si të zakonshme dhe nuk influencohesh, dije se i dërguari i Zotit (a.s.) i përjetonte ato si mrekulli dhe gjëra të pazakonta.
Dikush e pyeti Aishen: “Cila është ajo gjë që të ka bërë më shumë përshtypje tek i dërguari i Zotit (a.s.)?” Ajo u përgjigj: “E çfarë nuk të bënte përshtypje në jetën e tij?! Një natë, ai u shtri në shtrat dhe më tha: “O Aishe! Më lejo të ngrihem e të falem për Zotin tim!” Unë i thashë: “Më pëlqen të qëndroj pranë teje, megjithatë do të veproj sipas dëshirës tënde.” Ai u ngrit dhe filloi të falej. Gjatë recitimit të Kuranit qante. Ra në ruku dhe qau, u ngrit prej saj dhe vazhdonte të qante. Ra në sexhde dhe qau, u ngrit nga sexhdja dhe qau. Vazhdoi të falej në atë formë, derisa erdhi Bilali për të thirrur ezanin e sabahut. Kur e pa duke qarë, Bilali e pyeti: “Çfarë të ka bërë të qash, o i dërguari i Allahut?!” Profeti (a.s.) ia ktheu: “E si të mos qaj o Bilal, ndërkohë që sonte më janë shpallur këto ajete:
“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto - lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” (Al Imran, 190-191)
Mandej, Profeti (a.s.) shtoi: “I mjeri ai që i lexon dhe nuk mediton rreth tyre.”
Kur Umer ibnu Abdul Aziz u pyet: “Cili është adhurimi më i mirë?” u përgjigj: “Të meditosh mbi krijesat e Zotit.”
Për fat të keq, një adhurim dhe ritual i tillë, në ditët tona është zbehur. Është e vërtetë që njerëzit shkojnë për pushime, por që askush nuk e kujton Krijuesin e bukurive që i sheh syri. Askush prej tyre nuk thotë me gojën plot: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.” Askush nuk qëndron për disa çaste dhe të meditojë mbi këto krijesa dhe Krijuesin e tyre. Askush nuk ngrihet herët në mëngjes dhe të përjetojë lindjen e diellit, këtë mrekulli të Zotit. Kush kërkon të njohë Zotin dhe madhështinë e Tij, le ta bëjë këtë nëpërmjet meditimit për krijesat që Ai i ka krijuar.
Allahu është iniciatori i krijimit të qiejve dhe të tokës, Ai është Krijuesi i tyre pa pasur model dhe shembull të mëparshëm.
“Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, pa shembull të mëparshëm.” (Bekare, 117)
Gjithçka që prodhojnë sot duart e njerëzve, besimtarë qofshin apo ateistë, është thjesht imitim i krijesave të Zotit. Askush nuk ka prodhuar diçka që nuk i përngjan njërës nga krijesat e Zotit. Nëndetëset janë imitim i mangët i balenave dhe i peshqve. Kamerat, me të cilat bëjmë fotografi dhe regjistrojmë video, janë imitim i mangët i syve. Kompjuterët janë imitim i mangët i memories njerëzore. Aeroplanët janë imitim i mangët i zogjve dhe i shpendëve fluturues.
Gjithçka që mund të prodhojë dora e njeriut, ka nevojë për lëndë të parë, si dhe modele. Sakaq, Zoti krijon nga hiçi, pa pasur nevojë për lëndë të parë dhe modele.
“Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t’u përmendur?!” (Insan, 1)
Që fabrika të prodhojë një lëndë të caktuar, ka nevojë për shabllone e kallëpe. Sakaq Zoti nuk ka nevojë për gjë.
Krijesat e Zotit nuk kanë nevojë të korrigjohen. Sakaq, njeriu ka nevojë për kushedi sa eksperimente, ndërhyrje dhe korrigjime për të ofruar një produkt sa më të saktë. P.sh., një makinë e vitit 2010, ka kushedi sa korrigjime e ndërhyrje që i janë bërë asaj të vitit 2003.
Nëse piktorëve nga gjithë anët e botës do t’u kërkonim të pikturonin sa më shumë fytyra të ndryshme njerëzish, por nga fantazia e tyre, vallë sa mund të arrijë numri i pikturave? Një mijë, dhjetë mijë, apo njëqind mijë? Sado që të imagjinojnë me fantazinë e tyre, do të ndalen te një numër i kufizuar. Sakaq, Allahu fuqiplotë dhe me aftësi të pakufizuara, krijon çdo ditë njerëz me fytyra krejt të ndryshme nga njëri-tjetri.
A keni parë sa lloje të ndryshme peshqish ekzistojnë? A i keni parë bimët sa të ndryshme janë? A i keni parë pemët?
Njihe Zotin duke medituar mbi fytyrat e pafund të njerëzve, fytyra krejt të ndryshme dhe të dallueshme nga njëra-tjetra. Të gjithë ne kemi fytyra të ndryshme, shenja gishtash të ndryshëm, zëra të ndryshëm etj...
 
Krijesat e Zotit, nuk e humbasin kurrë vlerën
Disa kohë pasi kemi blerë një veshje, ajo del mode dhe rrjedhimisht na del qejfit. Ky ndryshim ndodh për muaj ose disa vite. Imagjinoni veshjet e njerëzve në vitet gjashtëdhjetë, sa qesharake na duken sot. Sakaq, krijesave të Zotit kurrë nuk u kalon moda. Çdo pemë që na rrok syri, nuk mund të themi kurrë se i ka kaluar moda. Ajo do të vazhdojë të jetë simbol i bukurisë. Kurrë nuk mund ta anashkalojmë bukurinë dhe aromën që na fal trëndafili, dhe të themi se i ka kaluar moda. Kurrë nuk mund ta anashkalojmë bukurinë e detit, me pretekstin se ka dalë jashtë mode.
 
Madhështia e ngjyrave
Imagjinoni nëse universi do të përbëhej vetëm nga dy ngjyra, e bardha dhe e zeza. Imagjinoji krijesat e detit vetëm të zeza ose të bardha. Vallë si do të dukeshin prodhimet bujqësore po të kishin ngjyrë të zezë? Vallë si do të dukej deti po të kishte ngjyrë të kuqe, si e gjakut? Si do të dukej qielli po të kishte ngjyrë të errët?
Allahu i madhëruar e ka krijuar gjithësinë konform shijeve të njeriut. Të gjitha ushqimet e tokës, janë të përshtatshme për stomakun e njeriut dhe zhvillimin e tij. Vallë si mund të jetonim nëse nuk do të ekzistonte kjo harmoni në univers? Çfarë do të ndodhte nëse puhiza pranverore do të shkaktonte plagë në fytyrën dhe lëkurën tonë?
A nuk tregon kjo se Ai që e krijoi universin të përshtatshëm me nevojat e njeriut, na do dhe është i dhembshur me ne?
Ai krijon krijesat më të mëdha, nga ato më të voglat.
Që njeriu të prodhojë një xhaketë, i duhet të ndërtojë një fabrikë të madhe, të zërë një sipërfaqe të konsiderueshme toke, të sigurojë sasi të mëdha uji, teknologji, punëtorë etj... Sakaq, Zoti e krijon njeriun nga një pikë sperme, krijon pulën nga një vezë, pemën e madhe nga një farë e vogël.
A mund të ulesh qoftë dhe një herë në javë dhe të meditosh mbi krijesat e Zotit? Të jesh i bindur se do të të falë kënaqësi e lumturi. Të meditosh mbi krijesat e Zotit, do të thotë të pastrosh shpirtin nga mbetjet e materies dhe të jetës kësaj bote. Këtë mund ta bësh i vetëm, me gruan tënde ose me fëmijët. Por mos qëndro vetëm te pamjet tërheqëse dhe të mrekullueshme. Kaloje këtë cak dhe forcoji lidhjet me Krijuesin e gjithçkaje. Çdo gur që sheh dhe prek, e njeh Zotin dhe e madhëron Atë. Çdo re që lëviz në qiell e njeh Zotin dhe e madhëron Atë. Çdo trëndafil që lëkundet në pranverë, e njeh Zotin dhe e madhëron Atë. Të adhurosh Zotin është lumturi dhe gëzim, të adhurosh Zotin kurrë nuk mund të shkaktojë vuajtje dhe mjerim.
“Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar.” (Taha, 1)