Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ti je Mbretëreshë !

E kishte tërë dashurinë dhe kujdesin e mundshëm si vajzë e vogël. Para se të flejë, medoemos kërkonte mbështetje nën krahët e nënës së vet, kurse asnjëherë nuk mbyllte sytë para se të dëgjojë tregimin “për natë të mirë”. Kjo ishte para pesëmbëdhjetë viteve… Tani nëna e saj i thotë se ajo tani më është rritur dhe se duhet të mësojë diçka tjetër, në vend se të dëgjojë tregimet zbavitëse për fëmijë… Vajza ime e dashur, Tani ti je grua e re, do të martohesh për ta ruajtur nderin tënd. Duhet të dishë gjëra të cilat janë të rëndësishme për jetën tënde të ardhshme dhe të drejtat tua si grua. Me të vërtetë ke shumë të drejta të cilat Islami, si fe e dashurisë, bamirësisë dhe paqes, t’i dhuroi. Këto janë gjëra të cilat duhet t’i dishë, në mënyrë që të keshë jetë të lumtur, larg çdo padrejtësie. Gjatë kohës së Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] gratë kishin rol të rëndësishëm në shoqëri. E para në mesin e njerëzve që besoi Shpalljen dhe e para e cila përkrahu Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ishte gruaja, bashkëshortja e tij, Hadixhja [radijall-llahu anha]. Muslimanet kishin të drejta të shumta, të cilat i bënin ato mbretëresha në sytë e baballarëve, nënave, vëllezërve, motrave dhe fëmijëve të tyre. Islami të dha të drejtën për jetë dinjitoze. Bashkoi prindërit e tu që të ngritin dhe edukojnë në mënyrën më të mirë, përderisa nuk shkon te shtëpia e burrit. Gjithashtu ta dha të drejtën për arsimim, që të jeshë pjesëtare e mirë e shoqërisë tënde. Duhet ta dishë se Sheriati nuk ia jep të drejtën babait tënd, e as ndonjë anëtari tjetër të familjes tënde, që të të detyrojë të kryesh punët e shtëpisë. Nuk je e obliguar t’i shërbesh askujt, edhe pse natyra jote femërore thërret t’i bësh ato punë vullnetarisht, në atë masë sa dëshiron dhe mundesh. Gjatë këtij relacioni të madhërishëm, Islami bën që të ndjehesh si qenie e vërtetë njerëzore, e jo si pastruese apo dado, dhe se duhesh të jeshë e trajtuar si qenie e vërtetë njerëzore, si në shtëpinë e babait, ashtu edhe në atë të burrit. Ke të drejtë të gjeshë punë jashtë shtëpisë dhe askush nuk ka të drejtë të të privojë nga kjo. Megjithatë, duhet të keshë kujdes që rrethi ku punon të plotësojë kushte të caktuara të cilat, nga njëra anë, do të mbrojnë jetën tënde bashkëshortore, e nga ana tjetër dinjitetin tënd. Islami u jep në mënyrë të barabartë të drejtë edhe burrave edhe grave që të zgjedhin llojin e punës me të cilën dëshirojnë të merren, ashtu sikur që gruas i jep të drejtë edhe të refuzojë punën që nuk i përgjegjet natyrës së saj. Nuk guxojmë të harrojmë se Hadixhja, bashkëshortja e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ishte prej tregtarëve më të çmuar në Mekke. Do të të them edhe atë se ti je ajo e cila e zgjedh burrin tënd. I njohur është rasti i vajzës e cila kishte ardhur te Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duke u ankuar për babanë e vet i cili e kishte martuar për një njeri të cilin ajo nuk e kishte dashur, dhe se atëherë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] pohoi se gruaja nuk mund të martohet pa pëlqimin e saj. Ji e lumtur, sepse Islami jep të drejtën për marrëveshje bashkëshortore, në të cilën gjërat më të rëndësishme janë ato rreth të cilave duhet të pajtoheni burri yt dhe ti. Në atë marrëveshje mund të kërkosh që mos të jetosh edhe me një grua tjetër, përveç nëse pajtohesh për këtë në rast të sëmundjes apo pamundësisë për të pasur fëmijë. Nëse gruaja frikohet se burri nuk do përmbushë kushtet e saj, mundet që në marrëveshje të shënohet se në atë rast gruaja ka të drejtë në shkurorëzim. Gjithashtu, në atë marrëveshje gruaja mund të kërkojë kujdes të plotë për gjendjen e saj psikologjike, sepse disa gra janë jashtëzakonisht të ndijshme. Burri do të duhej që të mbajë llogari për këtë dhe mos të shpreh hidhërim ndaj saj në jetën e tyre të ardhshme. Omer ibn Hattabi [radijall-llahu anhu] kërkoi dorën e Atika bint Zejdit. Ajo shtroi dy kushte: që mos t’i ndalohet hyrja në xhami dhe mos t’ia mëshojë asaj. Ai pranoi të dy kushtet. Umm Semure bin Xhundubi kërkoi prej atij që do ta martojë që të mirëmbajë djalin e saj derisa ai nuk rritet dhe derisa nuk do të mundet të fitojë vet. Ti ke drejtë për mehrin tënd, sepse All-llahu i Madhërishëm thotë: “Grave jepuani dhuratën e kurorës së tyre (niqahin) më të mirë, e në qoftë se ato nga vullneti i vet ju falin diçka nga ajo, atëherë hajeni atë hallall të mirë.” (En-Nisa: 4) Kjo është e drejtë të cilën askush nuk mund të ta merr, madje edhe nëse martesa jote përfundon. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Në qoftë se dëshironi të ndërroni (ta merrni) një grua në vend të një gruaje (të lëshuar), e asaj (të lëshuares) i keni pas dhënë shumë të madhe, mos merrni prej saj asnjë send. A do të merrni atë pa të drejtë e në mënyrë mizore? Dhe si mund të merrni atë kur njëri-tjetri iu keni bashkuar (në një shtrat) dhe kur ato kanë marrë prej jush një besë të fortë?” (En-Nisa: 20-21) Kur të shkosh në shtëpinë e burrit, do të shohësh se Islami, përmes të drejtave që t’i ka dhënë, të garanton jetë të qetë dhe të lumtur me burrin tënd. All-llahu burrin tënd e ka urdhëruar që të jetë i mirë ndaj teje, të të mirëmbajë dhe të plotësojë të gjithë nevojat tua. Detyrë e tij është që të sillet mirë ndaj teje, që të kënaqë nevojat tua private e intime dhe të të mësojë për gjithçka që duhet të dishë. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “… Jini të mirë ndaj grave…” Përkujdesja e mirë ndaj bashkëshortes nënkupton të përmbajturit që mos të lëndohet, qoftë me goditje, qoftë me lënien vet për një kohë më të gjatë. Burri yt nuk do të duhej që tërë kohën e vet të lirë ta kalojë jashtë me miqtë e tij, e ty të të lejë vetëm në shtëpi. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në hadith ka gjykuar ata njerëz të cilët i rrahin gratë e tyre ditën, kurse në mbrëmje kërkojnë prej tyre që t’i kënaqin nevojat e veta. Burri nuk mund ta shfrytëzojë pasurinë e bashkëshortes apo të hollat e saj pa lejen e saj. Ti mund të kërkosh shkurorëzim, nëse mendon se të qëndruarit në kurorë do të shkaktojë më shumë të keqija sesa të mira. Gjithashtu, këtë mund ta bësh nëse burri yt nuk mund të të mirëmbajë, madje nëse edhe ti ke burime tua financiare. Obligim i tij është që të punojë dhe të mirëmbajë ty dhe fëmijët e juaj. Ke të drejtë të posaçme për mirëmbajtje përderisa je me barrë, sepse All-llahu i Madhërishëm thotë: “…Në qoftë se ato janë shtatzëna, atëherë furnizoni ato derisa ta heqin barrën e tyre, e nëse ato u japin gji fëmijëve tuaj, atëherë jepuani atyre shpërblimin që u takon dhe kini mirëkuptim në mes jush ashtu si duhet…” (Et-Talak: 4) Duhet të ndjehesh e lumtur sepse Islami ta jep të drejtën e pronës private dhe që lirisht të disponosh me të, qofsh e martuar apo jo. Mund të bleshë apo shesish, të lidhish marrëveshje me të tjerët apo të nënshkruash dokumente tjera legale për të cilat mendon se janë të domosdoshme për punën tënde. Gjithashtu, ke të drejtë që të paditesh të tjerët, të mbrosh veten dhe të marrish pjesë në proceset gjyqësore që mbahen për apo kundër teje. Duhet ta dishë se ke të drejtë edhe për trashëgimi. Para Islamit gratë jo që nuk kanë pasur të drejtë për trashëgimi, por edhe ato vetë kanë qenë të trashëguara sikur pasuria tjetër. Mos ji e mërzitur pse Islami ty të ka caktuar përgjysmë më pak sesa vëllait tënd. Ky nuk është trajtim i padrejtë, sikur që duan ta paraqesin disa, por Islami meshkujt i ka obliguar se duhet t’i mirëmbajnë gratë e veta, pa marrë parasysh pasurinë e tyre, tërë jetën. Sipas Islamit, meshkujt janë ata të cilët e bartin barrën e furnizimit në supet e veta. Në fund dua të të them se, kur të bëhesh plakë, me rrudha, flokë të thinjura dhe kurriz të kërrusur, kur do të nevojitet dikush që të të vendosë në shtrat apo të të sjell një gotë ujë, Islami edhe atëherë të mbronë. All-llahu ua ka bërë obligim fëmijëve tu që të jenë të mirë ndaj teje, të të dëgjojnë dhe të kujdesen për ty. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi, e bartja e tij dhe gjidhënia e tij zgjat tridhjetë muaj…” (El-Ahkaf: 15) Pas këtyre fjalëve, vajza u fundos në gjumë me buzëqeshje që shprehte qetësi dhe siguri.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free