Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

EBU HUREIRA, Nga jeta e një transmetuesi të dashur

Profeti (a.s) e pyeti se si quhej. “Abdu-Shems” (Shërbëtor i Diellit), u përgjigj Ebu Hureira. Atëherë profeti (a.s) i kërkoi që ai ta ndryshonte emrin në “Abdur-Rrahman” (Shërbëtor i të Gjithmëshirëshmit). Megjithatë ai vazhdoi të njihej mes njerëzve me emrin “Ebu Hurejra” (Babai-Njeriu i Maces) për shkak të dashurisë që ai tregonte për një mace, të cilën e përkëdhelte, e ushqente dhe e cila e ndiqte pas kudo...


" 'An Ebi Hureira radijAllahu anhu kal, kale Rasul Allahi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem...."
(Mbështetur në autoritetin e Ebu Hureiras, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, tha...)

Vargu i parë i një kënge, i një poezie që buzët e miliona myslimanëve e recitojnë plot respekt, që veshët e miliona besimtarëve e dëgjojnë e sytë e miliona të devotshmëve e lexojnë plot përkushtim prej mëse njëmijë e katërqind vjetësh! Sa e sa prej nesh janë tashmë të familjarizuar me këtë refren, që na ka bërë të njohur emrin e Ebu Hureiras (r.a), të cilin e shohim gjithashtu të përmendur në të gjitha veprat e hadithit, historisë profetike e jurisprudencës islame. Ebu Hureira (r.a) ishte një njeri i talentuar, që Zoti i kishte dhënë aftësinë e jashtëzakonshme të të ruajturit në kujtesë dhe të të riprodhuarit edhe vite më vonë, pa ndryshuar as edhe një fjalë e me përpikmërinë më të madhe, të çdo bisede a ligjërate të dëgjuar. Duke dashur të shfrytëzojnë këtë aftësi të tij, pati njerëz që u përpoqën, duke përdorur emrin e tij, t’i atribuojnë profetit të dashur, Muhammedit (a.s) një numër hadithesh e fjalësh të pathëna kurrë prej tij, por përpjekjet mbinjerëzore e deri vetësakrifikimi i shumë dijetarëve e eruditëve të kohës, bëri që hadithet e profetit të dashur (a.s), të transmetuara nga Ebu Hureira (r.a), të ruhen të pastra e të pacënuara.
Ebu Hureira (r.a) u bë mysliman në prani të Tufejl Ibn Amrit, kryetarit të fisit që i përkiste. Pasi deklaroi besnikëri ndaj Islamit, ai e shoqëroi Tufejlin për në Mekë, ku pati nderin të takohet me profetin (a.s). Profeti (a.s) e pyeti se si quhej. “Abdu-Shems” (Shërbëtor i Diellit), - u përgjigj Ebu Hureira. Atëherë profeti (a.s) i kërkoi që ai ta ndryshonte emrin në “Abdurrahman” (Shërbëtor i të Gjithmëshirëshmit). Megjithatë ai vazhdoi të njihej mes njerëzve me emrin “Ebu Hurejra” (Babai-Njeriu i Maces) për shkak të dashurisë që ai tregonte për një mace, të cilën e përkëdhelte, e ushqente dhe e cila e ndiqte pas kudo.
Ebu Hureira jetonte me të ëmën, e cila ishte ende politeiste. Ai lutej për të dhe përpiqej që ajo të pranonte Islamin, por ajo refuzonte. Një ditë, ndërsa ai mundohej t’i shpjegonte asaj dicka mbi Islamin, ajo u mërzit e tha disa fjalë fyese për profetin (a.s). Kjo e mërziti shumë Ebu Hureiran. Ai u nis tek profeti (a.s) dhe me sytë të mbushur me lot, i kërkoi që t’i lutej Allahut, që nëna e tij të pranonte Islamin. Profeti ia plotësoi dëshirën Ebu Hureiras dhe iu lut Allahut për nënën e tij. Kur Ebu Hureira u kthye në shtëpi, ai nuk diti si ta shprehte gëzimin e tij, kur mori vesh se nëna e tij ishte penduar për mëkatet dhe kishte deklaruar tashmë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguari i Tij. Pa ditur si ta shprehë lumturinë, ai doli me vrap nga shtëpia dhe rendi për tek profeti i dashur (a.s) i mbushur me gëzim dhe e informoi atë, se Allahu i ishte përgjigjur lutjeve të tij. Më pas i tha: “O i dërguar i Allahut, lutju Allahut që të na bëjë mua dhe nënën time të dashur për çdo besimtar e besimtare!” Profeti (a.s) iu drejtua Allahut me lutjen: “O Zot, bëje këtë shërbëtor tëndin dhe nënën e tij besimtare të dashur për çdo besimtar e besimtare!”
Me talentin dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme, Ebu Hureira (r.a) iu vu punës për t’i shërbyer me përkushtim fesë së tij. Duke parë se shumë nga shokët e tij ishin të zënë me tregti e shumë miq të hershëm të tij, të pajisur me dituri, u vranë në luftëra, duke e humbur jetën e tyre qysh në agim të rinisë së tyre, ai kuptoi se feja kishte nevojë për njerëz, që t’i ruanin e transmetonin burimet e saj. Ndaj edhe ai vendosi që ta shfrytëzojë kujtesën e tij të jashtëzakonshme duke qëndruar pranë profetit (a.s) e duke regjistruar thëniet e mësimet e tij mbi fenë. Për katër vjet me radhë, gjatë qëndrimit në Medinë, duke shfrytëzuar faktin se kishte shumë kohë të lirë (ai nuk merrej as me tregti, si mekasit, as me bujqësi, si ensarët) Ebu Hureira (r.a) nuk iu nda profetit (a.s), duke u munduar që të dëgjonte e të përfitonte sa më shumë prej tij.
Ai e donte shumë profetin (a.s) dhe nuk lodhej e nuk mërzitej kurrë duke e dëgjuar atë. Shpesh ai do ta falenderonte Allahun për këtë fat të madh që pati me fjalët: “Lëvduar qoftë Allahu që e udhëzoi Ebu Hureiran për tek Islami! Lëvduar qoftë Allahu që i mësoi Ebu Hureiras Kuranin! Lëvduar qoftë Allahu, që e nderoi Ebu Hureiran me shoqërinë e Muhammedit (a.s)!” Për shkak të dashurisë së tij për dijen dhe shfrytëzimit të pjesës më të madhe të kohës për të qëndruar pranë profetit (a.ss), Ebu Hureiras (r.a) iu desh që të kapërcente vështirësi të mëdha ekonomike. Ai tregon: “Një ditë uria m’u bë aq e tmerrshme, saqë m’u desh të vendos një gur mbi stomak. Më pas u ula anës udhës. Kur pashë Ebu Bekrin, që po kalonte aty pari, i kërkova që të më sqaronte për një varg nga Libri i Allahut. Në fakt, e pyeta vetëm e vetëm që të më ftonte për të ngrënë diçka...”
Krahas përkushtimit për të ruajtur fjalën e Zotit dhe mësimet e profetit (a.s), Ebu Hurejra (r.a) nuk harronte t’i drejtohej shpesh Allahut me lutje e adhurim. Herë ai, herë e shoqja dhe herë e bija e tij luteshin me radhë netëve dhe kjo bënte që nata në shtëpinë e tij të mos kalonte thuajse asnjë çast pa lutje e adhurim ndaj Zotit të Lartësuar. Gjithashtu, kur kërkohej prezenca e tij në luftë për të mbrojtur me shpatë fenë e Allahut, ai nuk ngurronte kurrë dhe asnjëherë nuk ndodhi, që të mos merrte pjesë në ndonjë betejë krahas profetit (a.s).
Pas vdekjes së profetit (a.s), Ebu Hureira (r.a) vazhdoi punën e tij në transmetimin e haditheve të profetit (a.s). Megjithëse të njohur me aftësitë e tij memorizuese, shokët e tij shprehnin shpesh habi e admirim për gjithçka që ai kishte arritur të mësonte në një kohë aq të shkurtër.
Gjatë kalifatit të Omerit (r.a), Omeri e emëroi Ebu Hureiran (r.a) guvernator të Bahreinit. Aty ai u pasurua në një kohë të shpejtë. Omeri (r.a), si një njeri i ndjeshëm e i kujdesshëm, që kërkonte që guvernatorët e emëruar prej tij të jetonin thjeshtë dhe të mos siguronin pasuri të madhe qoftë edhe në rrugë të ligjshme, kur u informua për pasurinë e Ebu Hureiras (r.a), e thirri atë në Medinë dhe i kërkoi sqarime. Ebu Hureira (r.a) sqaroi, se e kishte grumbulluar pasurinë e tij duke u kujdesur për kuajt, si dhe përmes dhuratave. Omeri i kërkoi që ai ta dorëzonte pasurinë e tij në thesarin e shtetit. Ebu Hureira (r.a) bëri si u urdhërua dhe ngriti duart nga qielli e u lut: “O Zot, fale emirin e besimtarëve (Omerin)!” Më vonë Omeri e thirri përsëri Ebu Hureiran (r.a) dhe ia ofroi edhe një herë postin e guvernatorit të Bahreinit, por Ebu Hureira (r.a) nuk pranoi. I pyetur nga Omeri (r.a) për arsyet e refuzimit, ai u përgjigj: “Sepse nuk dua që nderi im të merret nëpër këmbë, që të më merret pasuria e të më goditet kurrizi” Më pas shtoi: “Kam frikë se mos flas pa dije e gjykoj pa urtësi”.
Ebu Hureira (r.a) jetoi një jetë të ndershme, duke ia përkushtuar veten Islamit, duke qenë i sjellshëm e i mirë ndaj së ëmës dhe duke inkurajuar edhe të tjerët që të jenë të sjellshëm ndaj prindërve. Një ditë, kur panë se shëndeti i Ebu Hureiras ishte keqësuar dukshëm, miqtë e tij nisën të luten për shërimin e tij. Mirëpo Ebu Hureira (r.a.) hodhi vështrimin nga qielli e tha: “O Zot! Unë dua të të takoj Ty dhe të lutem që edhe Ti të duash të më takosh mua!” Ai, më pas, ndërroi jetë në vitin 59 H., në moshën shtatëdhjetë e tëtë vjecare. Ai vdiq pasi e plotësoi detyrën dhe dëshirën e tij për të ruajtur e transmetuar mësimet e profetit të dashur (a.s), duke u lënë myslimanëve një pasuri të paçmueshme, bashkë me detyrimin moral për ta ruajtur e trashëguar edhe më tej atë pasuri. Ai mbetet një shembull i jashtëzakonshëm i dashurisë për diturinë e vetëmohimit për të. E ndërsa ne i lutemi Zotit të Lartësuar që ta shpërblejë Ebu Hureiran (r.a) dhe t’i dhurojë atij edhe në jetën e amëshuar miqësinë dhe shoqërinë e profetit (a.s) ashtu sikurse ia kishte dhuruar në këtë botë, në sytë, në buzët e në veshët tanë vazhdon të ndjehet ai refren që tashmë ka mbushur jetën tonë e është bërë kënga, poezia jonë e dashur prej shekujsh:
" 'An Ebi Hureira radijAllahu anhu kal, kale Rasul Allahi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem...."

(Hamzah Kasim, “Nida Magazine”)
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free