Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Te kuptosh xhihadin

Fragment i marre nga libri " The Creed of Imam al Tahawi", Translated, Introduced and Annoted by Hamza Yusuf,  botime Fons Vitae 2009.

Fjala “xhihad” nënkupton “betejë” apo “përpjekje” në kuptimin më të gjerë, por në kontekstin e “Kredos së Imam Tahavit” ajo nënkupton një përpjekje të armatosur, qoftë për vetëmbrojtje, qoftë sulmuese për zhdukjen e shtypjes. Rrënja trigermëshe e fjalës “xhihad” është xh-h-d, që do të thotë “luftoj, bëj përpjekje”. Ky kuptim është në thelb të konceptit të xhihadit. Sipas El Xhurxhanit (vd. 816/1413) në veprën e tij “Ta’rifat”, xhihadi është “të ftuarit në të vërtetën” (el-da’ua ila el-hakk).[i] Kjo është konfirmuar në pohimin e Profetit (a.s.): “Xhihadi më i madh është t’u thuash të vërtetën njerëzve të padrejtë.”[ii]

Në diskursin islam, ka dy lloje të xhihadit: i vogli dhe i madhi. Xhihadi i vogël kërkon që të ftosh të tjerët në të vërtetën dhe të mbrosh veten nga ata që i kundërvihen kësaj ftese; ai nënkupton, gjithashtu, përdorimin e forcës ushtarake të kontrolluar nga shteti për të lëvizur nga një gjendje e çekuilibrit në një gjendje të harmonisë e të baraspeshës. Xhihadi më i madh është beteja e brendshme me vetveten duke iu kundërvënë orekseve dhe nxitjeve të brendshme derisa të arrihet nënshtrimi ndaj Zotit.

Juristët e përdorin thuajse gjithmonë fjalën “xhihad” duke pasur parasysh betejën e armatosur. Sidoqoftë, forma foljore e fjalës “xhihad” (xhahede) është përdorur në kapitujt e hershëm mekas të Kuranit përpara se Zoti të sanksiononte veprimin ushtarak. Në përdorimin e saj të hershëm, fjala lidhet zakonisht me aspekte të xhihadit të madh që u përmend më sipër. Të kuptuarit e shkallëve të ndryshme të xhihadit ka qenë një prej tipareve më të spikatura të diskursit tradicional ekzegjetik dhe teologjik islam, në kundërshtim me përdorimin monolotik që do të bëhej mbizotërues në qarqet ligjore. Për shembull, duke komentuar vargun: “dhe që ju të përpiqeni (tuxhahiduna) në rrugën e Zotit me pasuritë dhe me jetën tuaj” (Kurani 60:11), teologu dhe ekzegjeti i shquar Fahredin Raziu (vd. 606/1210) pohon sa më poshtë:

“Xhihadi, pas këtyre dy ndarjeve themelore (d.m.th., xhihadi i madh dhe i vogël), është i tri llojeve: një njeri përballë vetvetes, që përfshin nënshtrimin e egos së vet dhe kundërshtimin e saj në epshet e dëshirat e dëmshme; një njeri përballë njerëzve në përgjithësi, që nënkupton të mos lakmosh zotërimet e tyre dhe përfshin të treguarit i dhembshur e i mëshirshëm me ta; dhe së fundi, një njeri përballë botës, që nënkupton trajtimin e saj si një përgatitje për Jetën e Pasosur. Kështu, janë pesë lloje të xhihadit.”[iii]

Sipas tri apo katër shkollave juridike të ligjit sunit (që janë ato malikite, hanefite dhe hanbelite), arsyetimi ligjor për xhihadin e jashtëm apo të vogël është largimi i gjendjes së dhunës dhe jo largimi i mosbesimit. Në veprën e tij “Fetava”, Ibn Tejmija sjell shpjegimin e mëposhtëm:

“Vrasja në ligjin e shenjtë është e lejuar vetëm për një përfitim më të madh, të treguar prej vargut Kuranor, “Përndjekja është më keq se vrasja” (2:217). Pra, vrasja mund të përdoret, nëse është e nevojshme, për të ndalur përndjekjen. Për këtë arsye, ata që nuk luftojnë nuk duhen vrarë në xhihad, sikurse askush tjetër, mosbesimi i të cilit është i kufizuar tek ai vetë. Vetëm kur mosbesimi i tyre ndikon në dëm të të tjerëve është sanksionuar kundërvënia ndaj tyre.”[iv]

Për ta përmbledhur, xhihadi nuk është një luftë e shenjtë; në të vërtetë, lufta, që përbën një term negativ në Kuran, nuk është përshkruar kurrë si e shenjtë as në Kuran dhe as në traditat profetike. Xhidadi është, më saktë, një përpjekje, që nganjëherë përfshin armët, në mbrojtje e ruajtje të së shenjtës. Në formën e tij ushtarake, ai nuk është aq një luftë e drejtë sa ç’është një përgjigje e justifikuar ushtarake ndaj rrethanave të padrejta.

Një prej dijetarëve të sotëm më të shquar të sheriatit, Shejh Abdullah bin Bejja, shkruan sa më poshtë në lidhje me xhihadin:

“Ka tri lloje të xhihadit: të luftosh drejtpërdrejt agresorët, t’u kundërvihesh dhelpërive djallëzore dhe t’i kundërvihesh e egos së brendshme. Dy kuptimet e fundit janë të mbështetura në hadithe të ndryshme, sikurse njëri i transmetuar nga Imam Ahmedi në “Musned” dhe Ebu Davudi në “Sunen”, mbi autoritetin e Fudale b. Ubejdullahut: “Profeti (a.s.) tha: “Luftëtari i vërtetë (muxhahidi) është ai që lufton (xhahede) shpirtin e vet duke iu bindur urdhëresave të Zotit.”[v] Ky është një hadith i fortë (hasen). Sipas një hadithi të dobët (da’if) që transmetohet nga Imam Bejhakiu (vd. 458/1066) mbi autoritetin e Xhabirit (vd. 74/693), Profeti (a.s.) ka thënë në kthimin nga Tebuku (9/630): “Erdhën nga xhihadi i vogël për në xhihadin e madh.”[vi] Dijetarët e interpretojnë xhihadin e madh në kuptimin e përpjekjes kundër tekave e dëshirave të pashëndetshme, si dhe të përmbushjes së detyrimeve të përkushtimit birnor dhe të shërbimit prindëror. Sipas një hadithi të mirënjohur, Profeti (a.s.) i tha një burri që i kërkoi leje të hynte në ushtri: “Lufto duke u shërbyer prindërve të tu (fe fihima fe xhahid).”[vii]

Kuptimi tjetër i xhihadit, si betejë ushtarake, është ai që përdoret më së shumti dhe shënon kundërshtimin ndaj jomyslimanëve të dhunshëm nëpërmjet ekspeditave ushtarake dhe luftës. Ka shumë vargje kuranore dhe hadithe të lidhura me xhihadin dhe me cilësitë, kushtet, parimet e rregullat e tij. Ai ka një histori të gjatë të praktikës mes myslimanëve dhe armiqve të tyre dhe jehona e tyre ende ushton në kohë në ditët tona. Ai është çështje e dhënies dhe e marrjes, e teprimit dhe e lënies pas dore, e përkorjes dhe ekstremeve. Në të vërtetë, sa e sa njerëz i kanë justifikuar agresionin, luftërat e padrejta dhe aspiratat e kësaj bote duke kërkuar xhihad? Sa e sa të tjerë e kanë shpërfillur atë dhe i kanë braktisur përgjegjësitë e tyre qytetare në mbrojtjen e vendeve të myslimanëve nga agresioni i huaj? Sa e sa lëvizje janë zhveshur prej parimeve etike e të virtytshme të xhihadit, kanë përdhosur e njollosur nderin e Islamit dhe u kanë shkaktuar myslimanëve dëme e vështirësi të parrëfyeshme? Sa e sa kritikë të njëanshëm kanë sulmuar Islamin duke mëtuar se xhihadi nuk ka asnjë justifikim dhe se ai thjesht nxit luftë dhe agresion të vazhdueshëm kundër jomyslimanëve të pafajshëm? Shembuj të kësaj janë të bollshëm në shkrimet e orientalistëve.

Por e vërteta është se xhihadi nuk është kurrsesi sinonim i veprimit ushtarak. Më saktë, ai ka një konotacion shumë më të gjerë që i referohet mbrojtjes së të vërtetës dhe një ftese për tek e vërteta përmes fjalës; dhe ky është kuptimi i vargut në kapitullin “Dalluesi” (Furkan) të Kuranit: “E luftoni kundër tyre me të (ve xhahidhum bihi xhihaden kebiren).” (25:52) Përemri “të” i referohet Kuranit Lavdiplotë; kështu, ky varg u urdhëron myslimanëve që të përdorin provat dhe argumentet kuranore për t’iu kundërvënë atyre që kundërshtojnë besimin. Është e qartë se recitimi i Kuranit nuk kërkon kurrfarë përdorimi armësh apo operacionesh ushtarake. Për këtë arsye, jo çdo xhihad përfshin ushtrinë. Sikurse edhe jo çdo veprim ushtarak prej myslimanëve konsiderohet xhihad.

Ibn Halduni, në veprën e tij “Mukaddime”, i ndan luftrat në katër lloje, të mbështetura në arsyetimet mbi të cilat ato zhvilloheshin. Ai shkruan:

“Luftërat gjithmonë kanë ndodhur në botë që kur Zoti e krijoi atë. Zanafilla e luftës është dëshira e disa njerëzve të caktuar për të marrë revansh ndaj të tjerëve, teksa secila palë mbështetet prej njerëzve që ushqejnë një frymë të përbashkët. Pasi ata e kanë nxitur mjaftueshëm njëri-tjetrin për këtë qëllim, palët përballen me njëra-tjetrën, njëra duke kërkuar epërsi dhe tjetra duke u mbrojtur e kështu, lind lufta. Kjo është diçka e natyrshme mes qenieve njerëzore. Asnjë komb e asnjë brezni nuk janë të çliruar prej saj. Arsye për revansh janë, si rregull, ose xhelozia e smira, ose pushtimi e armiqësia, ose zelli në emër të Zotit e të fesë, ose zelli në emër të autoritetit sovran dhe përpjekja për të mbajtur qeverisjen. Lloji i parë i luftës zakonisht ndodh mes fiseve fqinje dhe familjeve në konkurrencë. Lloji i dytë, që është një luftë e agresionit dhe e armiqësisë, zakonisht ndodh mes kombeve të egra në zona më pak të qytetëruara... Njerëz të tillë e sigurojnë jetesën e tyre duke u hequr të tjerëve zotërimet e tyre. Ata shpallin luftë kundër gjithkujt që mbron pasurinë e vet kundër tyre. Ata nuk kanë asnjë dëshirë për rang apo autoritet, por vetëm t’u marrin të tjerëve pasuritë në zotërim. Lloji i tretë (i luftës) është fetar dhe ligji i shenjtë i referohet asaj si “xhihad”. Lloji i katërt është një luftë në mbrojtje të sovranit kundër atyre që kundërshtojnë t’i binden shtetit.”

Këto janë katër llojet e luftërave. Dy të parat janë të padrejta, ndërsa të dytat janë të drejta. Lufta në Islam kuptohet si mbrojtjes dhe nuk bëhet kurrë për të shtrënguar njerëzit që të hyjnë në fe.[viii]

Ibn Tejmija ka thënë: “Lufta islame është gjithmonë mbrojtëse, sepse baza e marrëdhënies me jomyslimanët është bashkekzistenca paqësore (Musaleme); nëse meditohet thellë mbi shkaqet e ekspeditave ushtarake të Profetit (a.s.), do të vërehet se të gjitha ato ishin të këtij lloji.”[ix]