Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Hadithi 3 me 3

Në hadithin kudsij thuhet: “Unë i dua tre njerëz, por tre të tjerë i dua edhe më shumë. I urrej tre njerëz, ndërsa tre të tjerë i urrej edhe më shumë. E dua njeriun e devotshëm, por e dua edhe më shumë atë që është i ri dhe i devotshëm. E dua bujarin, por e dua edhe më shumë atë që është fukara dhe bujar. E dua njeriun e thjeshtë por e dua edhe më shumë atë që është pasanik dhe i thjeshtë. E urrej koprracin, por e urrej edhe më shumë atë që është pasanik dhe koprrac. E urrej mendjemadhin, por e urrej edhe më shumë atë që është fukara dhe mendjemadh. E urrej imoralin, por e urrej edhe më shumë atë që është plak dhe imoral”.

Allahu (xh.sh) i do disa punë dhe i do ata njerëz që i bëjnë ato punë. Zoti i do disa cilësi dhe i do ata njerëz që i kanë ato cilësi. Nga ana tjetër, Zoti i urren disa punë dhe i urren edhe ata njerëz, që i veprojnë ato punë. Zoti i urren disa cilësi dhe i urren edhe ata njerëz që i kanë ato cilësi.

Në këtë hadith shprehet shumë bukur, se kush janë ata njerëz, që Zoti i do dhe kush janë ata, që Zoti i do edhe më shumë. Gjithashtu në hadithin kudsij tregohet, se kush janë ata njerëz, që Zoti i urren dhe kush janë ata, që Zoti i urren edhe më shumë.

Zoti e do njeriun e devotshëm. I devotshëm është ai, i cili mundohet të qëndrojnë gjithmonë në rrugën e Zotit. Është ai që i ruhet haramit dhe kur Zoti e thërret ai përgjigjet: “T`u përgjigja Ty o Zoti im”. Këta janë njerëzit e pastër, njerëzit e sinqertë, qofshin ata të mëdhenj apo të vegjël. Nëse dikush është i devotshëm, por është plak dhe askush nuk rri me të, askush nuk i thotë një fjalë të mirë, ndoshta fëmijët e tij nuk e duan, mos u mashtro se këtë njeri mund ta dojë Zoti. Por një tjetër Zoti e do më shumë. Ai është një i ri i devotshëm. Kur njeriu është i ri, i ngjan enës që vlon mbi zjarr. Atij i vlojnë pasionet dhe dëshirat. Mund t`i shkojë pas të gjitha epsheve të tij. Kur ta shohësh këtë të ri që ka frikë Zotin dhe i ruhet haramit, merr abdes, uji i pikon nga fytyra, fal namazin dhe vendos kokën në sexhde, të jesh i sigurt, se Zoti e do shumë këtë njeri. Zoti krenohet para engjëjve me këtë të ri dhe u thotë atyre: “A nuk çuditeni më këtë djalë të ri, i cili në moshën më të bukur të jetës së tij i ka lënë epshet dhe i përgjigjet fjalës Time?! Ju jeni dëshmitarë se Unë e dua shumë këtë njeri”. Inshallah jemi nga ata të rinj, që i janë përgjigjur Zotit dhe Ai na ka dhënë dashurinë e Tij dhe dashuria e Tij është gjëja më e madhe që mund të ekzistojë.

Zoti e do njeriun bujar. Bujar është ai, që e ka zemrën e madhe. Ndoshta nuk ka shumë para, por kur dikush i qan hallin, ai thotë me vete: “Ah si nuk pata mundësi ta ndihmoj”. Bujar është ai që e di, se në pasurinë e tij ka hak edhe fukarai. Është ai që mundohet ta ndihmojë hallexhiun sa të ketë mundësi. Zoti thotë: “Ti je bujar, por a nuk e di ti, se Unë jam Bujari i bujarëve. Nëse ti jep një, unë ta shpërblej me njëqind fish”. Kush është bujar, ai ka një nga cilësitë e Zotit të gjithësisë. Zoti e do shumë bujarin, por Zoti e do edhe më shumë atë, që është fukara dhe bujar. Ky njeri ka nevojë për vete, por e harron hallin e tij, sepse halli i tjetrit është më i madh se halli i tij. Është ai person, që ndoshta ka vetëm dy, por njërën ia jep tjetrit. Ai ka dhënë gjysmën e pasurisë. Prandaj profeti (a.s) tha: “1 dinar ia kaloi 100 dinarëve”. Shokët e pyetën: “O profet i Zotit! Si ka mundësi që njëshi ta mundë njëqindën”. Profeti (a.s) tha: “Dikush pati vetëm dy dhe dha njërën. Ai llogaritet se ka dhënë gjysmën e pasurisë. Tjetri ka njëmijë dhe dha njëqind”. Nuk kanë rëndësi shifrat dhe sa ke dhënë, por rëndësi ka se çfarë ke dhënë. Ka edhe një lloj tjetër fukarai. Ai me zor ka gjetur vetëm një, por kur sheh se dikush ka hall me të madh, ia jep atij edhe atë që ka. Ky ka shpërblim më të madh se i pari.

Kur muslimanët ishin në Medine, dikush i erdhi për vizitë profetit (a.s), por ai nuk kishte se çfarë t`i jepte dhe i pyeti shokët e tij: “Kush e pret sonte mikun tim”? Doli njëri dhe tha: “Do ta pres unë o profet i Zotit”. Pastaj ky njeri shkoi në shtëpi dhe pyeti gruan: “A kemi gjë për të ngrënë”? Ajo iu përgjigj: “Vallahi kemi vetëm ushqimin e fëmijëve”.  Burri ia ktheu: “Vëri fëmijët në gjumë”. Kur erdhi koha e darkës, burri i thotë gruas: “Ule dritën e kandilit. Unë e ti do bëjmë sikur hamë, por miku duhet të hajë, se është miku i profetit (a.s). Nuk duhet të turpërohemi përpara këtij miku”. Miku hëngri e u ngop, ndërsa fëmijët, burri dhe gruaja fjetën atë natë pa futur gjë në bark. Të nesërmen në mëngjes pas namazit të sabahut, profeti (a.s) u kthye nga xhemati, filloi të qeshte dhe tha: “Kush është ai që e ka pritur mikun tim mbrëmë”? Personi që kishte pritur mikun, nuk e ngriti dorën herën e parë e as të dytën. Kur profeti vazhdoi të pyeste, ai tha me vete: “Duhet t`i përgjigjem profetit (a.s)” dhe u ngrit e tha: “Unë e kam pritur mikun tënd o profet i Zotit. A thua nuk e kam pritur mirë atë”? Profeti (a.s) ia ktheu: “Mbrëmë Zoti ka qeshur dhe është kënaqur me ty, se veprimin tënd nuk e bëjnë shumë njerëz të tjerë”. Atëherë zbritën ajetet kuranore: “Nga muslimanët ka burra të tillë, që e harrojnë hallin e tyre dhe i japin tjetrit edhe pse kanë më shumë hall për vete”. Zoti e do shumë atë që është fukara dhe bujar. Bujaria e vërtetë është në shpirt. Zoti na bëftë njerëz bujarë, të pasur qofshim apo fukarenj.

Zoti e do atë që është i thjeshtë. I thjeshtë ai njeri, me të cilin kë qejf të rrish e të flasësh. Kur flet, ai flet thjeshtë, ai vishet thjeshtë. Atë njeri ta do zemra. Ai nuk është mendjemadh, ai nuk flet me hile. Atë që ka në shpirt, ta thotë edhe ty. Këtë njeri e do edhe Zoti. Prandaj profeti (a.s) thoshte: “Ai që është i thjeshtë vetëm për hatër të Allahut, atë njeri do ta ngrejë Zoti si me dorë. E kush është mendjemadh, Zoti do t`ia shtypë hundën dhe do ta poshtërojë atje ku nuk ia merr mendja”. Por Zoti e do edhe më shumë atë njeri, që është pasanik dhe i thjeshtë. Pasaniku ka mundësi të shesë mend para të tjerëve dhe ne e dimë se ç`do të thotë, kur njeriu ka  para më dorë. Ai fluturon me krahë dhe fryhet para të tjerëve. Pasuria është sprovë nga Zoti edhe varfëria është sprovë nga Zoti. Por kur e shikon pasanikun, që vazhdon të jetë njeri i thjeshtë, i mban rrobat e thjeshta siç i ka mbajtur dikur dhe ndoshta nuk dallohet nga punëtorët që ai i paguan, dije se këtë njeri e do shumë Zoti. E si të mos jetë besimtari i thjeshtë në çdo situatë, kur e di se çdo të mirë e ka prej Zotit.

Mëshira e Zotit ia kalon zemërimit të Tij. Por megjithatë Zoti përsëri zemërohet. Ai i urren disa njerëz, që kanë disa cilësi dhe mos na bëftë Zoti prej atyre njerëzve. Kur Zoti zemërohet me dikë, Ai nuk e mëshiron atë as në këtë botë e as në botën tjetër.

Zoti e urren koprracin. Koprraci është ai që e ka shpirtin e vogël, e ka zemrën e ngushtë dhe është dorështrënguar. Ai jo vetëm që nuk jep, por i fton edhe të tjerët që të mos japin. Kur njeri bëhet koprrac një herë, dy apo tre herë, atij fillon t`i ngurtësohet zemra. Zoti i thotë: “A mos vallë e fitove me djersën tënde atë pasuri? Unë ta kam dhënë atë. A pse të dhashë Unë pasuri, ti u bëre koprrac dhe dorështrënguar?” Koprraci gjithmonë ankohet. Nëse ti thua një herë “Nuk kam”, ai thotë 100 herë “Nuk kam”. Zoti nuk i do ata njerëz, që dinë vetëm të ankohen e të qahen, sepse vërtet ndoshta nuk e kanë një gjë, por harrojnë të përmendin 99 të tjera që Zoti ua ka dhënë. Kështu ata harrojnë të falenderojnë për të mirat që Zoti u ka dhënë. Vetëm imagjinoni se ç`do të ndodhte, nëse të gjithë njerëzit në botë do të ishin koprracë! Por Zoti urren më shumë atë që është pasanik dhe koprrac. Ai ka të mira sa të duash, por ke frikë t`i kërkosh diçka, sepse ai fillon e qahet më shumë sesa ti.

Zoti e urren mendjemadhin. Mendjemadhi e ka hundën në qiell, ai i shikon vëngër të tjerët, a thua se nuk ia ka nevojën askujt, a thua se universi bën tavaf (rrotullohet) rreth tij. Zoti i poshtëron njerëzit e tillë në këtë botë, kurse në botën tjetër i ringjall në madhësinë e milingonës dhe njerëzit atë ditë i shkelin ata. Por Zoti e urren më shumë atë që është fukara dhe mendjemadh. Fukarai mendjemadh është ai, që nuk di kufijtë e vetes së tij. Është ai që merr para borxh dhe abuzon me këto para. Është ai që në familjen e tij nuk ka bukë për të ngrënë, por nga ana tjetër shkon dhe shkatërron pasurinë, vetëm e vetëm që të tjerët të thonë: “Shikoje filanin, të jep kafe, të jep dreka e darka”. Ky është fukarai mendjemadh. Ky nuk respekton atë që i ka dhënë Zoti, por sikletin më të madh e ka për t`u dukur përpara të tjerëve. Zoti e urren këtë njeri, sepse ai është gënjeshtar. Zoti e do atë njeri që rri në kufijtë e vetes së tij.

Zoti e urren të prishurin, imoralin. Imorali shkel me këmbë nderin e tjetrit, ai nuk le njeri pa përgojuar. Kur flet me të, të skuqet fytyra, sepse përmend disa fjalë, që asnjëherë nuk t`i kanë dëgjuar veshët. Është ai njeri që gjithmonë ka qejf të flasë fjalë të pista. Por Zoti urren dikë tjetër më shumë se këtë. Zoti urren atë që është plak dhe i prishur. Plaku pret nga momenti në moment që t`i vijë meleku i vdekjes. Plakut që i është mbushur koka me thinja dhe kur të të dalin thinjat, të ka ardhur lajmëtari i Zotit. E kur t`i thotë Zoti robit: “Robi Im a nuk të erdhi lajmëtari Im”? Njeriu thotë: “Zoti im nuk mbaj mend të më ketë ardhur ndonjë lajmëtar”. Zoti thotë: “A nuk t`u mbush koka me thinja. E ç`paske kërkuar ti, që të sjell një profet vetëm për ty. Kur të të mbushet koka me thinja, dije se të kam thirrur Unë”. Këtë plak e pret varri dhe në vend që t`i kthehet Zotit e të pendohet për gabimet që ka bërë, ai ka siklet se si e si t`ia kalojë të rinjve në fjalorin e pisët që përdor. Në vend që të përmendë Zotin , ai përmend fjalë të ndyra, në vend që të vrapojë pas punëve të mira, vrapon pas gjynaheve. Zoti e urren këtë njeri. Zoti na ruajt të gjithëve nga cilësitë e këqija, nga punët e këqija.

Imagjinoni atë shoqëri, ku njerëzit janë të devotshëm, bile edhe rinia e tyre është e devotshme. Imagjinoni atë shoqëri, ku njerëzit e tyre janë bujarë, madje fukarenjtë e tyre janë më bujarët. Imagjinoni atë shoqëri, kur të gjithë njerëzit janë të thjeshtë, madje dhe pasanikët e tyre janë të thjeshtë. A nuk ke dëshirë të jetosh në atë shoqëri?! Me të vërtetë është xhenet në tokë.

Por në krahun tjetër imagjinoni të jeni pjesë e një shoqërie, ku njerëzit janë koprracë, madje pasanikët e tyre janë më koprracët. Imagjinoni të jetoni në një shoqëri, ku njerëzit janë mendjemëdhenj, madje fukarenjtë janë edhe më mendjemëdhenj. Imagjinoni një shoqëri, kur njerëzit janë të prishur, madje të vjetrit, burra apo gra qofshin, janë edhe më të prishur. Kjo është sprovë e madhe dhe Zoti mos na bëftë të jetojmë në këtë shoqëri.

E lus Zotin e gjithësisë me cilësitë e Tij më të larta, me emrat e Tij më të bukur, me mëshirën e Tij që ka përfshirë çdo gjë, që t`i falë gjynahet tona, t`i rregullojë veset tona, të na e tregojë të mirën siç është ajo dhe të na japë forcë ta ndjekim atë, të na e tregojë rrugën e keqe siç është ajo dhe të na japë forcë t`i largohemi asaj. Zoti na bëftë njerëz të thjeshtë, të pastër, bujarë, që e jetojnë jetën me nder, shpirtin e japin me besim dhe ringjallen me besimtarët, me dëshmorët, me profetët. E lus Zotin të na ruajë ne, familjet tona dhe fëmijët tanë nga të gjitha punët dhe veset e këqija. Allahu na udhëzoftë në rrugën e drejtë dhe na bëftë prej banorëve të xhenetit.

        A M I N

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free