Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Jo apatisë dhe luhatjes së humorit

Shumë njerëz gjatë jetës së tyre bien pre e luhatjes së humorit dhe gjendjes shpirtërore. Ata ia dorëzojnë plotësisht të ardhmen e rrjedhës së jetës dhe kushteve. Nëse rezultati është i gëzueshëm, inkurajohet, mbushet me shpresë dhe optimizëm, planifikon dhe punon, e në të kundërt, nëse erërat fryjnë në drejtimin e padëshiruar, heq dorë nga puna, e ardhmja dhe jeta normale. Kjo është një e metë  dhe sjellje që pikaset kryesisht tek dembelët dhe apatikët. Ajo është arratisje drejt të shkuarës, është indiferencë vrasëse e energjive dhe kapaciteteve që mundësojnë ndryshimin, një nga mirësitë e Zotit.

Gjendja shpirtërore në peshoren islame

Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:”Atij i përket gjithkush që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë e nuk ndiejnë lodhje, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë.” (Enbija, 19-20)

Këto janë tiparet dhe cilësitë e melekëve (engjëjve) të cilët nuk dobësohen e ligështohen, nuk demoralizohen dhe luhaten, por gjithmonë madhërojnë Zotin e tyre. Dhikri i tyre është i ngjashëm me frymëmarrjen e njeriut, pra i pandërprerë.

Sakaq, njerëzit ligështohen, luhaten dhe vaken përgjatë rrugëtimit drejt Zotit. Herë të tjera ata i shkelin të drejtat e njëri-tjetrit dhe i kaplon dekurajimi.

Zoti i lartësuar e di se njeriu kaplohet nga dekurajimi dhe humbja e shpresës, prandaj e ka obliguar me rituale dhe adhurime të shumëllojshme. Format me të cilat robi afrohet me Zotin e tij janë të shumta: namaz, përkujtim, shpenzim të pasurisë, meditim, agjërim, nxënie dije, haxh etj... Kjo, me qëllim që nëse i mërzitet njëra prej tyre, të merret me një formë bindjeje dhe ritual tjetër, duke kontribuar kështu në ripërtëritjen e energjive shpirtërore, riaktivizimin e vullnetit dhe vendosmërisë.

Në një hadith, flitet për Handhale ibnu Rebi, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ai vetë tregon:”Ndodhesha tek i dërguari i Zotit a.s, i cili na foli për zjarrin. Pasi u ktheva në shtëpi, fillova të luaj me familje, qesha me fëmijët dhe u angazhova me punët e përditshme. Kjo më shqetësoi dhe menjëherë dola jashtë, ku takova Ebu Bekrin, të cilit i tregova shqetësimin tim. Ai më tha:”Edhe unë veprova njëlloj si ti.” Të dy u nisëm dhe takuam të dërguarin e Zotit a.s, të cilit i thashë:”O i dërguar i Zotit! Handhale është mynafik (hipokrit)!” Profeti a.s pyeti:”Çfarë?!” Unë i tregova çfarë kishte ngjarë dhe Ebu Bekri e pranoi dhe për veten.

Profeti a.s tha:”Merre shtruar o Handhale! Një orë për Zotin dhe një orë për veten. Sikur zemrat ti kishit gjithë kohës ashtu siç i keni kur jeni me mua, do të zbrisnin melekët dhe do u shtrëngonin duart, e t’ju përshëndesnin rrugëve.” (Tirmidhij)

Apatia e shokëve të Profetit a.s

Vetë komuniteti i shokëve të Profetit a.s vuanin ndonjëherë nga problemi i apatisë dhe plogështisë. Transmetohet nga Ebu Dherri, Zoti qoftë i kënaqur me të  se ka thënë:”Një herë e pyeta të dërguarin e Zotit:”Cila është vepra më e mirë?” Ai mu përgjigj:”Besimi në Zotin dhe xhihadi në rrugën e Tij.” Unë e pyeta:”Cili është skllavi më i mirë për ti falur lirinë?” Ai tha:”Më i shtrenjti dhe më i vyeri për pronarin.”

Unë e pyeta:”Po nëse nuk arrij ti bëj dot këta?” Ai u përgjigj:”Ndihmo një të humbur ose një të mefshtë e të pazot.” Unë e pyeta:”O i dërguar i Allahut! Po sikur të më humbasë takati për ndonjë punë të mirë?!”

Ai më tha:”Atëherë mos i bëj keq njerëzve, pasi kështu të shkruhet si sadaka për veten tënde.” (Buhari dhe Muslim)

Shohim që i dërguari i Allahut a.s i orientonte dhe udhëzonte njerëzit kur humbisnin vullnetin dhe i kaplonte plogështia, drejt veprave më të lehta dhe të mundshme, thjesht të mos u bënin keq njerëzve. E frenimi i vetes ndaj të bërit keq nuk ka nevojë për ndonjë mund të madh. Në vetvete, ajo është një akt dhe vepër e mirë për të cilën robi shpërblehet. Ky është arti i komunikimit me njerëzit. Mos u bëj si shkop i thatë se thyhesh, por as si limon se shtrydhesh.

Gjendja shpirtërore:

Njeriu përjeton dy gjendje shpirtërore që nuk kanë të tretë: Ose angazhim dhe gatishmëri, ose apati dhe tërheqje dhe secila lipset të njihet mirë për tu trajtuar. Thotë ibnul Kajjim El-xheuzije, Zoti e mëshiroftë:”Zemrat përjetojnë ose pasion ose tërheqje, prandaj i shfrytëzoni për mirë në momentet e pasionit dhe angazhimit dhe i lini në momentet e apatisë dhe plogështisë.”

Prandaj prej nesh lipset që të informohemi mirë mbi menaxhimin dhe kontrollin e veteve tona, me qëllim që të ruajmë ritmin e kontributit dhe angazhimit në rrugë të Zotit. Kështu, në rast:

1 - Gatishmërie për kontribut dhe angazhim, e shfrytëzojmë për vepra të mira dhe vullnetare (nafile). Njerëzit më të fisëm dhe me vullnetin më të fortë, janë ata që kënaqësinë më të madhe e shijojnë tek njohja, dashuria, veprat e mira dhe malli për takimin me Zotin.

2 – Apatie dhe tërheqje, e detyrojmë dhe i imponohemi me adhurimet bazë dhe respektimin e të drejtave. Në momente të tilla, e trajtojmë me delikatesë dhe butësi, me qëllim që të përgatitet për çastet e angazhimit dhe kontributit, duke e motivuar drejt veprave të mira dhe duke ia lidhur kënaqësinë e kësaj bote me kënaqësitë e botës tjetër. Lukmani i thoshte të birit:”O bir, nëse mbushet  barku, e zë gjumi mendjen.”

Trajtimi i apatisë:

Më poshtë, do të sjellim disa këshilla të cilat e ndihmojnë njeriun ta trajtojë apatinë dhe plogështinë kur e mbërthen duke mos iu përgjigjur. Vetë profeti Muhamed a.s kërkonte ndihmën e Zotit nga plogështia dhe apatia. Ai thoshte:”O Zot, më mbro nga mungesa e vullnetit dhe mefshtësia.” Edhe momentet e apatisë dhe plogështisë, besimtari i shfrytëzon për tu afruar më shumë me Zotin. Kjo bëhet duke:

1 – Lexuar jetëshkrimin e figurave dhe kolosëve të Islamit.

2 – Lexuar jetëshkrimin e shokëve të Profetit a.s dhe brezit që erdhën pas tyre, të cilët konsiderohen si gjeneratat më të mira.

3 – Dalë në ambiente të hapura, në natyrë, në ajër të pastër, ose duke u zhvendosur nga një dhomë në një tjetër.

4 – Pirë një lëng, duke ngrënë një vakt të lehtë ose duke biseduar me një mik, qoftë dhe nëpërmjet telefonit.

5 – Lexuar Kuran me zë, ose duke recituar një poezi të lejuar.

6 – Ecur për një kohë, duke u ngjitur në një vend të lartë ose duke ndryshuar vendin ku falesh.

7 – Ndryshuar librin që lexon, ose tematikën.

8 – Merru me apatinë dhe plogështinë, derisa të  triumfosh ndaj tyre. Çdo njeri e njeh më mirë se kushdo tjetër veten e tij, e nëse nuk e njeh dhe bie pre e vesveseve, le të kërkojë ndihmën e një të dituri, ose një miku të sinqertë për ta këshilluar. Vazhdo merru me përmirësimin dhe trajtimin e vetes (nefsit) derisa ta largosh plogështinë, duke iu rikthyer aktivitetit dhe angazhimit. Kështu, ti ruan kohën, madje ke fituar kohë duke mos humbur asgjë.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free