Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Koha në Islam

Njeriu jeton në kohë dhe hapësirë si një qenie shoqërore dhe religjioze. Ai dallon prej qenieve tjera për nga aspekti i mendimit dhe besimit. Por, kjo gjë nuk duhet t`i bëj përjashtuese krijesat tjera karshi njeriut. Përkundrazi, njeriu si një qenie religjioze ka marr përsipër edhe përkujdesën për të gjitha krijesat tjera në rruzullin tokësor. Për të realizuar këtë kujdes, në këto kushte të pakujdesisë, ai duhet që të shfrytëzoj kohën si një fenomen të rëndësishëm për jetën e tij në këtë botë, dijen për t`i aplikuar ligjet e Zotit mbi tokë dhe të jetë vetvetja. Po qe se njërin segment prej këtyre e anashkalon, ai nuk ka mundësi që të luaj rrolin e tij si mëkëmbës i Zotit mbi tokë. I rëndësishëm është edhe trajtimi i vetvetes në sy të botës së brendshme shpirtërore të njeriut. Por, mbi të gjitha kujdesi i përgjithshëm është detyra parësore e tij.


-Në kontekstin e kohës

Allahu xh.sh. një sure të tërë ia kushton kohës në Kur`an.
Ai thotë: ”Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm. “
Prof. Sejjid Kutub thotë:” Kjo sure e shkurtër prej tre ajetesh e përmbledh sistemin e plotë për jetën njerëzore, të bazuar mbi pikëpamjen islame. Me disa fjalë është mbuluar e tërë kushtetuta islame dhe Umeti i Islamit, është përshkruar me cilësitë e veta thelbësore. Kjo është elokuenca e Allahut të cilën vetëm Ai është i aftë ta bëjë.”
Allahu xh.sh. në këtë sure betohet në kohën, duke na bërë me dije se koha është jetë për besimtarin. Po qe se koha nuk shfrytëzohet në gjëra të dobishme për shoqërinë dhe vetveten, atëherë ajo është e destinuar që të na mund dhe shkatërroj.
Ditët, momentet, çastet e njeriut në këtë botë janë të numëruara. Ai nuk guxon që ti humb dhe zhvlerësoj ato. Koha është për të ose begati ose ndëshkim. Shumë njerëzve duhet t`ia përcjellim mesazhin e Allahut xh.sh., ndërsa koha është aq e shkurt sa edhe ne çuditemi se sa shpejt kalon.
Nga moskuptimi i mesazheve për shfrytëzimin e kohës, ne nga një pozicion udhëheqës në rruzullin tokësor u shndërruam në mysliman pakicë në shtetet ku shkelen liritë dhe të drejtat tona.
Rreth këtij realiteti gjerë e gjatë shkruan studiuesja Karen Armstrong në librin e saj “ Islami, një histori e shkurtër” ku ndërmjet tjerash thotë:” Në Britani, kërkesat e myslimanëve për shkolla të ndara për fëmijët e tyre shpesh herë kanë shkaktuar urrejtje, edhe pse njerëzit nuk kanë asnjë kritikë për shkollat e specializuara vetëm për hebrenjtë, katolikët ose kvekerët. Sikur myslimanët ti konsideronin si kolonën e pestë çka e përbënë shoqërinë britaneze.”
Dhe kjo pikëpamje për myslimanët është e padrejtë kur e kemi parasysh se rilindja evropiane përfitoi shumë prej dijeve dhe shkencave islame. Por, ne duke mënjanuar rëndësinë e kohës dhe shkencës në jetën tonë të përditshme, i përbuzëm ato vlera, i lamë dhe ngelëm sikur të ishim njerëz nën ndikimin e forcave të ndryshme të huaja. Dhe si rezultat i kësaj edhe përjetuam përbuzjen dhe nënçmimin e shoqërive perëndimore dhe edhe sot e kësaj dite atë përbuzje e kemi në dinjitetin tonë.
Fetyllah Gulen thotë:”Kur hajet e pijet, pasi i fusim në gojë, ia japim trupit, ndiejmë kënaqësi dhe përfitojmë prej tyre. Kështu është edhe koha: në atë masë që i bëjmë tonat sekondat, minutat, ditët dhe javët, e shijojmë kënaqësinë e saj dhe nuk duam që të na ikë. Ndërsa jeta është një dhunti, me shijimin e të cilës s`kemi të ngopur në atë masë sa t`ia ndiejmë shijen dhe gëzimin, në atë masë sa të na premtojë ca gjëra për të sotmen e të ardhmen, kur jetohet në mënyrë të pavetëdijshme e të paqëllimshme, s`është gjë tjetër veçse një barrë e rëndë mbi supet e njeriut...”, po ashtu thotë:” Koha është si telat spiralë të një gjeneratori që zgjatet gjer në pafundësi. Nuk është një vijë e drejtë dhe as e rrafshët: aty ka ngjitje e zbritje. Trupi i vërtetë i kohës është çasti që jetohet.”
Kohën duhet që ta bëjmë tonën, pasi që ajo dhunti mund të na ikë nga duart dhe shpirtrat tanë. Ekziston një dallim esencial midis njerëzve të thjeshtë dhe dijetarëve. Njerëzit e thjeshtë nuk e shfrytëzojnë kohën, ndërsa dijetarët e shfrytëzojnë atë deri në maksimum. Dhe Allahu xh.sh. jep begati në shfrytëzimin e asaj kohe. Ai lëshon mëshirë për njerëzit tjerë nga shfrytëzimi i kohës së dijetarëve. Por, sot ne a i mundësojmë njerëzve të caktuar që ta shfrytëzojnë kohën për të kërkuar dituri të dobishme që do të na shërbejnë neve dhe shoqërisë në përgjithësi? Mendoj se trajtimi ynë ndaj këtyre njerëzve është shumë i padrejtë dhe ne dëmtojmë vetveten duke marr nga koha e tyre.
Thotë Allahu xh.sh. në Kur`an:” All-llahu është Ai që i krijoi qiejt dhe tokën, dhe Ai lëshoi prej së larti ujë (shi), e me të nxjerr fruta si ushqim për ju, dhe për të mirën tuaj u vuri në shërbim anijet, të lundrojnë nëpër det me urdhrin e Tij, e në shërbimin tuaj i vuri edhe lumenjtë. Për ju i nënshtroi diellin dhë hënën që në mënyrë të zakonshme vazhdimisht udhëtojnë. Për ju përshtati edhe natën e ditën. Dhe Ai ju dha gjithë atë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.”

-Dija në shërbim të njeriut

Dituria patjetër duhet të jetë në shërbim të njeriut. Po qe se ajo nuk është në shërbim të njeriut, por të tekave dhe dëshirave vetjake të tij, atëherë ajo dije është e destinuar që ta errësoj rrugën e ndriçuar për në Xhennet. Ne nuk mund të kuptojmë asnjë fenomen që ndodh në rruzullin tokësor, duke përfshirë natyrën, qiejt e tokën pa dije. Dhe nëse nuk do të shfrytëzonim dijen ose diturinë ne nuk do të ishim në gjendje që të përfitojmë prej favoreve të panumërta që na dha Allahu i Madhërishëm në tokë. Paramendo vrastarin e djalit të Ademit a.s. Ai i hutuar nga gabimi dhe mëkati i rëndë që bëri, nuk dinte se si të veproj më tutje me vëllai-n e tij që e vrau për të përmbushur kërkesat e egos së tij. Ishte një korb ai që e mësoi se si ta varros vëllai-n e tij të vrarë dhe të mos e lejë përmbi tokë. Në këtë rast korbi u paraqit më i ditur dhe më i mençur se njeriu i cili bëri një gabim të tillë kriminal.
Edhe pse kontesti i kohës dhe rëndësia e saj te dijetarët është e gjerë, megjithatë ata nuk do të ishin dijetar, po qe se nuk do të shfrytëzonin hulumtimin dhe dijen për një qëllim të lartë e fisnik në rruzullin tokësor.
Ruejm in Ahmed el Bagdadij thotë:” Zgjuarsia e një të mençuri qëndron në lehtësimin e rregullave fetare ndaj vëllezërve të tij, brenda kufirit të lejuara dhe në zbatimin e rreptë të tyre nga ana e tij, sepse kur ia lehtëson të tjerëve tregon ndjekjen e dijes, ndërsa kur ia shtrëngon vetes është devotshmëri.”
Thënia e këtij dijetari është më se e nevojshme për t`u aplikuar në ditët tona. Sot shohim shumë pretendues që i thuan vetes dijetar dhe hoxhallarë të mëdhenj dhe që në vend që të lehtësojnë ata vetëm vështirësojnë. Në fakt, thënien e këtij dijetari e kanë kthyer në anën e kundërt, të tjerëve ua rëndojnë ndërsa vetvetes ua lehtësojnë. Sa më shumë që të arrijnë shtrirjen e tyre në shoqëri përmes ligjëratave dhe librave të ndryshëm, ata i shfrytëzojnë të gjitha këto favore për të arritur deri në një nivel të mirë ekonomik, duke ia lehtësuar vetvetes, po edhe në gjëra që janë të ndaluara, ndërsa të tjerëve shohin që t`ia ndalojnë edhe gjërat që janë të lejuara. Shembuj të këtillë në shoqërinë tonë kemi plotë, por këtu nuk është vendi që të përmendim gjëra në mënyrë konkrete.
I gjithë ky shfrenim që po ndodh në shoqërinë tonë moderne, po përshkruhet me logjikën e rindërtimit të botës sonë nën logjikën e sunnetit të Pejgamberit s.a.v.s.
Tarik Ramadan thotë:” Pejgamberi s.a.v.s. dhe shokët e tij kanë pasur përparësi, ngaqë nuk kanë qenë të ndikuar nga shkencat dhe specializimet; ato i ka mësuar direkt Allahu xh.sh., i ka pastruar Shpallja, e cila është shndërruar në vizion dhe botëkuptim për botën dhe në këtë mënyrë është rrumbullakuar pikëpamja vetjake dhe kolektive duke përfshirë shkencën dhe dijen në shërbim të Zotit, Allahut Një.”
D.m.th. logjika e njerëzve që ia lehtësojnë vetes dhe ia vështirësojnë të tjerëve nuk ka bazë tek Pejgamberi s.a.v.s. E dimë fort mirë se Pejgamberi s.a.v.s ishte njeri i pashkolluar, po edhe shumica e shokëve të tij ishin të pashkolluar. Sikur të kishin qenë të shkolluar, me siguri se do të akuzoheshin për vjedhje prej religjioneve tjera ose filozofive të ndryshme.
Por, ato në asnjë moment nuk gjetën formë dhe mënyrë se si t`ia vështirësojnë të tjerëve dhe vetvetes t`ia lehtësojnë.
Ka thënë Pejgamberi s.a.v.s.:” Atij që Allahu ia do të mirën, e udhëzon në njohjen e parimeve të fesë”,
“ Ai i cili e ka marrë rrugën për të kërkuar dituri, atij me të Allahu do t`ia lehtësojë rrugën për në Xhennet”,
“ Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është sikur vlera e Hënës ndaj yjeve të tjera”,
“ Vërtet dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve, vërtet pejgamberët nuk kanë lënë trashëgim ndonjë dinarë as dërhem, por kanë trashëguar dituri. Ai i cili e merr atë e ka marrë me fat të madh”.

-Vetvetja në frymën e frymëzimit

Gjerësisht mund të konceptojmë shumëçka. Mund të arrijmë që ti kuptojmë fenomenet e ndryshme natyrore, të ndërtojmë koncepte të ndryshme mbi shoqërinë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, por vetveten të mos e njohim. Sikur të mos kishim referencë vetveten, i gjithë ai mund i harxhuar në perceptimin e të tjerëve është i kot. Perceptimi i brendshëm i vetvetes sonë na bën që të kuptojmë qëllimin e jetesës në këtë botë.
Prof.Sejid Kutub thotë:” Robërimi vetëm ndaj Allahut është shtylla e parë në aciden islame e përfaqësuar në dëshminë ‘Nuk ka Hyjni tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut’ dhe në mësimin e Pejgamberit s.a.v.s. për mënyrën se si duhet ta arrijmë këtë robërim, i cili është shtylla e dytë e përfaqësuar në dëshminë ‘ Muhammedi është rob dhe i dërguar i Allahut’”.
Konceptimi i njeriut ndaj vetvetes duhet që të jetë në kuptimin e robërimit tonë ndaj Allahut xh.sh. Ne nuk guxojmë që të robërojmë vetveten ndaj vetvetes, e as vetveten t`ia japim falas djallit të mallkuar duke rënë nën ndikimet e kurtheve të tij.
Ebu Bekr Shiblij ka thënë:” Kur pastrohet shpirti atëherë nuk shikon të adhuruar tjetër që e meriton adhurimin përveçse Allahun dhe e kupton se krijesa nuk mund të arrijë ta perceptojë Krijuesin Madhështor. Pastrimi i shpirtit arrihet kur ke nën kontroll të gjitha shqisat e tua dhe numëron frymëmarrjet e tua.”
Pastrimi i shpirti ka nevojë për ta përgatitur vetveten për t`ia nënshtruar Allahut xh.sh. Ne nuk guxojmë që të kuptojmë mesazhin e vetëdijes si një gjë që kërkon nga ne nënçmim të kushteve dhe rregullave islame. Në asnjë mënyrë nuk tolerohet parashikimi i vetvetes në botën e trinitetit, ose të idhujtarisë si një njeri që i nënshtrohet koncepteve dhe principeve të tyre.
Besimtari mysliman nuk ndjek rrugën e epsheve të tij. Ai nuk merr shembull Darvinin i cili edhe pse paraqitej në opinion si ndjekës i përpiktë të ideve të Krishterimit, përsëri vepronte kundër religjionit të tij duke mohuar edhe ekzistencën e Zotit. Ne nuk marrim shembull as Marksin i cili qysh në moshë të re punonte në kundërshtim me vetveten.
Myslimani kurdoherë është vetvetja, dhe ashtu duke iu bindur urdhrave të Allahut xh.sh., arrin që ta perceptojë botën.


-Përfundim

Koha, dija dhe vetvetja janë tri koncepte kyçe që lidhen njëra me tjetrën dhe që ekzistojnë në jetën e besimtarit. Nuk bën që të mohohet njëri element në dëm të elementit tjetër, e as elementi tjetër nuk guxon të zhvlerësohet si rezultat të rëndësisë së elementit të tretë. Të tre elementet janë shtylla ideore dhe praktike të jetës së besimtarit të thjeshtë. Pa to ai nuk mund të veprojë në rruzullin tokësor si një thirrës i sinqertë në rrugën e Allahut xh.sh.
Është me rëndësi jetike që këto tre elemente ti aplikojmë në sistemin tonë jetësor.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free