Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

MIU DHE KAFSHET E FERMES

Miu, e kishte bërë zakon që të zhbirojë rreth gjithçkaje që ndodh brenda shtëpisë së pronarit të fermës. Një ditë, ai pikasi diçka interesante dhe të rëndësishme për të ardhmen e tij. Ai pa dy bashkëshortët, burrë e grua, të cilët po hapnin në kuti të çuditshme, nga e cila nxorën një çark minjsh.
Menjëherë miu brofi dhe vuri alarmin në të gjithë fermën, duke ulëritur:”O kafshë të gjora! Të gjithë jemi të rrezikuara! Sapo kanë sjellë një çark minjsh në shtëpi!”
Pula, lëshoi një kakarisje dhe iu përgjigj aty për aty:”Dëgjo more miush i gjorë! Nëse kanë sjellë një çark, ky është problemi yt, prandaj mos na shurdho veshët me ankesa ne të tjerët!”
Miu u drejtua ti qajë hallin dashit, duke i thënë:”Kujdes miku im! Një mijë herë kujdes! Në shtëpi kanë sjellë një çark minjsh!”
Dashi buzëqeshi vesh e më vesh dhe i tha:”O frikacak dhe qullac i mjerë! Përse merresh me hajdutllëqe dhe akte të dënueshme, përderisa u frikësohesh pasojave?! Pastaj, çarku, në fund të fundit, është sjellë për ty dhe jo për mua. Prandaj, hajde mbushu tani dhe mos na çaj kokën me këto ankesat dhe frikërat e tua. Un të këshilloj që së pari, të heqësh dorë nga vjedhja e ushqimit dhe brejtja e litarëve dhe dërrasave.”
Miu, u ndje i zhgënjyer, prandaj dhe shpresa e fundit i kishte mbetur tek demi. Vajti gjithë nxitim dhe i qau hallin e çarkut, por dhe ai ia ktheu me ironi:”Shumë faleminderit mi i dashur që më vure në dijeni të kësaj gjëme të madhe që na priska. Që nesër do të kërkoj azil politik në një kopsht zoologjik.”
Atëherë, miu e kuptoi se nuk ia vlente të merrej me kafshët e tjera, thjesht duhej të ballafaqohej vetë me problemin. Ai nuk iu nda hetimit të çdo lëvizjeje të pronarit të fermës, derisa e zbuloi vendin e çarkut të frikshëm. Pas kësaj, zuri të flejë i qetë, pasi u vendos larg vendit të rrezikut.
Një natë, heshtjen dhe qetësinë e theu zhurma e çarkut, i cili mesa duket e kishte zënë prenë e tij. Miu brofi në këmbë dhe u nis drejt çarkut, ku sytë i zunë një gjarpër i cili përdridhej nga dhimbja e dhëmbëzave të çarkut, të cilat e kishin mbërthyer fort tek gjysma e bishtit. Pas pak, ia behu gruaja e pronarit, e cila për shkak të errësirës, mendoi se ishte miu viktima. Ajo u ul të kapë çarkun, por gjarpri nuk ia zgjati dhe i këputi një pickim të fortë, duke i lëshuar dhe helmin e tij të rrezikshëm.
Menjëherë u zgjua i shoqi, i cili me tu siguruar çfarë kishte ngjarë, e çoi të shoqen në urgjencë. Pasi mori shërbimin e duhur, ajo u kthye në shtëpi, e lodhur dhe me temperaturë të lartë. Në raste të tilla, një i sëmurë ka nevojë për lëngje dhe i duhet të konsumojë supë me lëng mishi. I shoqi mori thikën dhe vajti e theri pulën, me të cilën gatoi një supë shumë të shijshme.
Me të dëgjuar farefisi dhe fqinjët, ia behën që herët për të vizituar të sëmurën. Gjithë ata njerëz që erdhën, disa nga larg, u duhej shërbyer edhe me ushqim, prandaj u ther dhe dashi.
Për fat të keq, helmi i gjarprit kishte qenë vdekjeprurës, prandaj dhe e shoqja e pronarit të fermës ndërroi jetë pas disa ditësh. Për ngushëllime erdhën njerëz nga të katër anët e vendit. Për ushqimin e tyre, pronarit iu desh të therë demin e tij të majmë.
Lexues i dashur!
Duhet të dish se i vetmi që mbeti i gjallë nga kafshët e shtëpisë, ishte miu, edhe pse ishte me banim ilegal dhe vidhte ushqime, edhe pse çarku ishte blerë pikërisht për të. Edhe pse ishte kafsha e vetme e cila ndjeu rrezikun që i kanosej personalisht, ai vuri alarmin dhe njoftoi të gjithë kafshët e tjera, të cilave nuk u kanosej ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë nga çarku. Kafshët e tjera e ironizuan miun dhe u tallën me frikën e tij, i cili, në mënyrë instinktive e dinte se viktimat e atij çarku mund të ishin më shumë sesa mund të imagjinohej nga disa.