Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Iniciative e studiuar

Iniciativë e studiuar

Nga: Dok. Selman ibn Fehd el Aude

Fluturimet e zogjve njëri pas tjetrit në horizontet e tyre të gjera i çojnë ato nga një vend në tjetrin... sërish rruga e tyre e kthimit tufë-tufë, kush i parë e kush pasues, bëhet për në vendet ku lëvrin fryma e jetës…

Të tillë janë edhe njerëzit… Njëri udhëheqës që e çan rrugën përmes iniciativës, pa u luhatur… eksperienca dhe përvoja i skicojnë atij kodet e rrugës… Dikush tjetër është pasues i zgjuar, ose ushtar i dorëzuar, ose dashamir që fton me mirësi, ose i paaftë që rri e hap sytë… Ose një person që qëndron në anën tjetër të lumit, këtë e zhvlerëson e atë tjetrin e kundërshton... nëse dalin në pah sythat e falimentimit të dikujt, ai bën përpara dhe e shpall me të madhe këtë, kurse nëse ndjen se po lartësohet aroma e fitores, ai fshihet dhe humb nga sytë.

Udhëheqja më e madhe është ta drejtosh veten nga besueshmëria dhe harmonia midis bindjeve personale dhe shtigjeve praktike.

Më e keqja gjë me të cilën sprovohet personi, sidomos udhëheqësi, është standardi i dyfishtë, midis asaj çfarë beson brendazi dhe qëndrimit që mban, midis asaj çfarë duan njerëzit dhe asaj çfarë ai do nga vetja e vet: “A po i urdhëroni (thirrni) njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni? Ndërsa ju e lexoni librin (Tevratin). A nuk po mendoni?!”[1].

Udhëheqësi është personalitet me iniciativë, i cili e lexon shansin nëse i shpallet, qoftë edhe në distancë. Ai e pranon aty për aty dhe me shumë interes sinjalin që i vjen. Ai i përgjigjet me kurajo ofertave serioze të bërjes epokë.

Në zinxhirin e transmetimit të imam Ahmedit, në historinë ku profeti (a.s) ia paraqet Islamin Dhil Xheushi Dababit, duke i thënë atij: “A nuk po hyn në Islam, të jesh nga të parët e kësaj çështje?” Thotë: I thashë: Jo. Më tha: “Përse?” I thashë: Unë kam parë që populli yt është nxehur me ty. Tha: “A të arriti informacioni mbi vrasjen e tyre në Bedër?” Tha: I thashë: Më arriti, por do pres nëse do triumfosh mbi Meken dhe do jetosh atje. Tha: “Ndoshta, po jetove ke për ta parë këtë.” Tha: Pastaj tha: “Bilal, merr një çantë udhëtimi dhe furnizoje atë me hurma!”. Kur ktheva shpinën tha: “Është nga më të mirët kalorës të fisit Benu Amir”. (Dhil Xheusheni) Tha: Për Allahun, isha me familjen time në Gaur kur erdhi një kalorës, të cilit i thashë: Nga je? Më tha: Nga Meka. I thashë: Ç`bëjnë njerëzit atje? Tha: Muhamedi (a.s) triumfoi mbi ta. Tha: Thashë: Ah moj nënë, më mirë të më kishe dështuar. Ah për Allahun, sikur të kisha hyrë në Islam që prej asaj dite e t’i kisha kërkuar të ma hiqte  pështjellimin, do ma kishte hequr”.

Iniciativa përbën sukses për politikanin, kur ai arrin të lexojë kahjen e erës së ndryshimit, të korrektojë busullën, të mësojë se ajo që dje ishte e mundshme, sot nuk është më. Përballet me erërat e ndryshimit, duke pasur për pajim erërat e Zotit të mbrujtura me shi dhe mirësi, pjalmuese të bimëve dhe lajmëtare të shiut. Me to shkon për shtat dhe pro ligjit të tyre sillet, që të mos shndërrohet në “Erë që rrënon çdo send…”[2].

Iniciativa, përbën sukses për revolucionin, që i transformon fatkeqësitë në mirësi, që kundërvëniet dhe problematikat e të tjerëve i bën trampolinë për fitore dhe kapërcime të reja.

Nëse ia drejton përshëndetjen vëllait apo rivalit tënd, edhe pse të ka zemëruar, do të jesh kështu në një pozitë superiore, ku të prêt grada e “mirësisë”, duke qenë se qëndrove mbi veten dhe kapërdive hidhësinë e nënshtrimit dhe armiqësisë; duke qenë se u tregove vlerësues i konstruktit të dashurisë dhe paqes, “Më i miri i tyre është ai, që jep i pari selam”.

Ku e gjejnë veten karshi kësaj, ata që fabrikojnë luftën, vrasjen dhe shkatërrimin për myslimanët, jo për tjetër, por vetëm se thanë “Jo”, pas durimit shumëvjeçar.

Puthja e kokës së burrit, urtësia e së cilës qëndron tek kryeneçësia e burrërisë, duke e menduar veten në rangun që i takon, teksa bashkëshortes së tij nuk i sheh të drejtë tjetër veç gulçimin pas tij, heshtjen kundrejt shkarjeve të tij dhe përpikmërinë me zero tolerancë… Rrota e jetës rrotullohet pikërisht kështu, gjatë, shumë gjatë… kalojnë ditët, muajt dhe vitet, dhe  muri i brengave të rënda shpirtërore, ky mur shkatërrimi ngrihet lart e më lart, dhe kapërcimi i tij mund të bëhet vetëm nga një fuqi shpirtërore e jashtëzakonshme, “Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë”[3]; por, jo të gjithë burrat, janë si burri i saj!

Përfitimi i informacioneve të  ndritura për herë të parë po ndjek ritmin. Po kjo vlen edhe për eksperiencën e re, me të cilën po stolisen eksperiencat e jetës… Kjo e ka emrin iniciativë, që ndodh vetëm atëherë kur ngrihemi mbi perceptimin imagjinar të kompletimit dhe kur sjellim ndër mend lëvdatën e bukur, që u bëhet dy të preokupuarve, të cilët kurrë nuk ngopen: nxënësit të dijes dhe nxënësit (kërkuesit) të pasurisë!

Të dytin e njohim mirë, por a nuk duhet të përpiqemi, të jemi në pozitën e të parit?

Një iniciativë e fjalës së re që rrallë vjen në memorie, i bashkëngjitet kapitalit të urtësisë humane, në mënyrë tepër madhështore, kur buron nga profetët e përkrahur me shpalljen.

Perceptuesit e thellë flisnin mbi të drejtën shtegtare përmes shekujve, në stilin e urtësisë së Umerit (r.a), kur thoshte: “Ikim nga (kaderi) caktimi i Allahut për në caktimin e Allahut”.

Ose në modelin e imam Shafiut: “Ai që synon të drejtën dhe gabon, nuk është njëlloj me atë, që synon të kotën dhe e qëllon”.

Spektri i mrekullueshëm i iniciativave që shprehin fjalën tënde, çon në zgjidhjen e një problemi të njohjes… ajo arrin të shpërbëjë rrekjen territoriale midis dy rivalëve.

Duhen shpalosur pretekste dhe shkaqe për shtimin e bukurive të jetës, mbresat dhe përjetimet e saj legjitime, arritjet teknologjike në të, ortakëritë mediatike dhe terrenet e saj apeluese.

Tradita e mirë është shpërblim në vetvete... Çdo njeri, që vendos një traditë, merr shpërblim për çdo veprues që vepron sipas saj. Ngjashëm me këtë themi, që thirrësi që fton në udhëzim, merr shpërblim edhe për ata që e pasojnë. Po kështu është edhe për veprën, jo premtimin, në daç thuaj “veprimin krahas premtimit”. Ndoshta koha nuk mjafton për gjithë sa po ëndërron, ndaj ambiciet e të ardhmes, bashkangjitja të tashmes!

Kur mediton rreth thënies: “Dhe ngutuni (me punë që çojnë) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe në një xhenet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit.”[4], krahas ajetit: “Shpejtoni në çfarë përmes saj fitoni falje prej Zotit tuaj dhe Xhenetin, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiellit dhe e tokës, i përgatitur për ata që i besuan Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është mirësi e Allahut që ia jep kujt të dojë, e Allahu është dhurues i madh”[5], zbulon, se bëhet fjalë për nxitimin, i cili është diçka që ka të bëjë me unin. Uni stimulohet, që të mos mbetet prapa, as të vonohet dhe as të thotë “do të”. Në mesin e selefëve (gjeneratave të para islame) ka pasur nga ata që thoshin: “Vërejtje, kujdes nga “do të”!

Bëhet fjalë për iniciativë dhe garim në lëmin e kohës, jo për nxitim dhe pamaturi. Gara është ajo, që të zbret në mejdan me të tjerët “…E për shpërblim të tillë le të garojnë garuesit (që lakmojnë të mirën)”[6].

Mejdani i jetës dhe metodologjia e saj, pa e ekzagjeruar themi se nxë brenda vetes gjithë aktivistët. Çdo njeri ka rrugën dhe metodën e tij specifike, që nuk këmbehet me atë të të tjerëve. Njeriu të ketë kujdes e të planifikojë, që jeta e tij të mos jetë shkarje për të tjerët dhe barrierë për rrugën e tyre!

Çdo ditë ka punën e saj. Nëse nuk je i aftë të bësh punën e ditës, nesër do jesh edhe më i paaftë të kryesh punën e dy ditëve!

Nëse tenton të bësh një të keqe, prit!

Por bëje të mirën, nëse atë ta bësh tenton!

Nëse intuita mbi dy gjëra do hezitojë,

tek më e dëlira dhe më e bukura le të anojë!

 

Bëhet fjalë për një vendim të studiuar mirë, që kapërcen lëshimin e të frikësuarit, zakonin e të luhaturit, dyshimin tek rezultati, panikun nga qortimet dhe akuzat, për në kozmosin e novacionit dhe punës nismëtare, mbi bazamentin e garimit, këmbënguljes dhe konsolidimit!

Mision i veçantë për persona të veçantë

“Dy burra, prej atyre (prijësve) që Allahu i kishte pajisur me bindje dhe ia kishin frikën Atij, thanë: ‘Hyni tek ta nga dera, e kur t'u hyni nga ajo, atëherë ju jeni ngadhënjyesit. Dhe vetëm Allahut mbështetjuni, nëse jeni besimtarë”[7].

Dy burra, vetëm!

Edhe shtimi i një fjale të re në fjalorin tënd, fjale të bukur dhe me nivel, brilante kur lëshohet, që bart një domethënie të thellë, fjalë që nuk e ke pasur në zakonin tënd dhe që njerëzit nuk e kanë dëgjuar prej teje, duket ashiqare se është një iniciativë e mirë që ka nevojë t’i tubosh forcat dhe ta konsolidosh objektivin.

Njerëzit që të rrethojnë shikojnë dhe çuditen, ose edhe kritikojnë. Kjo është një barrierë e madhe shoqërore. Kemi të bëjmë me atmosfera, që nuk i stimulojnë iniciativat. Ndërkaq ne vetë e teprojmë duke fryrë presupozimet e kota. Shpesh biem pre e kërcënimit për mosmarrjen parasysh të pasojave drastike, derisa kjo bëhet trajta e preferuar, që rrjedh përmes veprimeve tona të zakonshmeve, duke mos shtuar dhe duke mos rinovuar gjë nga aktiviteti ynë, për t’u shndërruar guximi në kërkim të së vërtetës, në guxim për të refuzuar dhe për t’u privuar.

Kur të posedosh dallimin midis ngutjes, papjekurisë dhe midis iniciativës së arsyeshme, ke fituar të drejtën të jehosh me poetin dhe vjershën e tij:

Nëse ai vendos, zellin midis dy syve të tij e shikon.

Nga kujtesa pasojat i fshin një herë e përgjithmonë.

Veç vetes, mendimi i askujt nuk e finalizon.

Vetëm shpatë ngrehurin për shok e dëshiron.

Mangësinë time me brofje kam për ta ndrequr.

Vendimin hyjnor kah vetja duke tërhequr.

Syrit tim pirgu i duket i vogël kur shikoj,

Se do të arrij atë që prej kohësh synoj.

 

Në moshën e vegjëlisë mësonim në shkollë, teksa kur rritemi duhet që e gjithë jeta jonë të bëhet shkollë, ku të tërë njerëzit janë mësues, prej të cilëve ne nxëmë pa u lodhur. Nxënia vjen prej tyre, vjen kur ata na tregojnë mbi sukseset e tyre dhe sesi ata arritën t’i mënjanojnë dështimet e tyre.

Mësimi i vështirë prej të cilit dole i pacënuar, është pikërisht sekreti i suksesit ku arrite paskëtaj, i cili të pajisi me sa e sa përvoja.

Nuk ka sukses pa përvojë, as përvojë pa sprovë, dhe as sprovim pa dështim.

Pasuria është segment i iniciativës, është homologu i kohës dhe përpjekjes. Ji prej atyre, që kursejnë nga racioni i tyre për të përmbushur projektet e tyre.

Eksperiencat më kanë mësuar, se projektet për të cilat të mëdhenjtë shpenzojnë me grushte, mbarojnë me sfida dhe interesa të ngushta personale. Ndërsa kur mblidhet një numër i vogël njerëzish, jo me shumë kontribute, por me përpjekje rigoroze, atëherë projektet e tyre realizojnë vepra madhështore, të cilat spikasin dhe i rezistojnë kohës. Paraja është për t’u marrë në konsideratë, por më e rëndësishme se ajo, janë energjitë e larta shpirtërore të atyre, që kanë flijuar veten për të qenë vaji i kandilit.