Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Cakmaku

Burri që ishte ulur pranë meje në tren, po bisedonte me djaloshin përballë.
-Cigarja t’i largon mendimet! – i thoshte ai djaloshit. -Ndize një!
I riu nuk e pranoi cigaren që i zgjati burri dhe i tha me mirësjellje:
-Faleminderit, zotëri! Nuk e pi!
-Po ç’është kjo? ! -u hodh burri. -Apo të qorton mami?
 
Këto fjalë bënë të qeshin udhëtarët përreth nesh, ndërsa mua më mërziti jashtë mase. Sytë që pak më parë i kisha mbyllur për të fjetur, i hapa pakëz dhe pashë djaloshin. Me sa dukej ishte një student. Fytyra e tij shumë e pastër u skuq nga fjalët e burrit.
-Me siguri që ti nuk pi edhe qumësht luani! -vazhdoi burri. -Nuk pi, apo jo?!
 
Djaloshi e kishte kuptuar që ai e kishte fjalën për pijet alkoolike. Këtë herë nuk heshti dhe tha:
-Të gjitha pijet alkoolike janë haram (të ndaluara), përfshirë edhe birrën. Pse t’i pi ato, kur ka qindra lloje pijesh njëra më e mirë se tjetra?!
 
Biseda kishte tërhequr vëmendjen e udhëtarëve që ishin aty në këmbë, po aq sa edhe timen. Të gjithë kishin hapur veshët dhe po i dëgjonin.
 
-Po për lotarinë kombëtare, ç’thua? -tha burri. -Ato që japin reklamat në televizion…
-Edhe ato e njëjta gjë janë! -u përgjigj djali. -Domethënë edhe ato janë haram, njësoj si të gjithë llojet e kumarit.
-Ah, na qenke njeri këmbëngulës, ore vëlla! Ky haram, ai haram! Ç’ndryshim ka lotaria kombëtare nga ekipi kombëtar?!
 
Djaloshi prapë preferoi të heshte. Por dukej qartë që u shqetësua. Ndërsa burri, sipas mendjes së tij, e kishte shtrënguar në një qoshe dhe e kishte shkatërruar. Me një pamje prej heroi, i fryu tymit të cigares drejt djalit dhe tha:
-Privoheni nga të gjitha kënaqësitë e botës për shkak të frikës së xhehenemit! A bëhet kjo?!
 
U drejtova nga vendi ku isha mbështetur dhe në çastin që e vështrova burrin, m’u drejtua:
-Si thua ti, more mik? A nuk kam të drejtë? ! A nuk do të digjemi të gjithë, pak apo shumë? Madje kur të jemi të gjithë bashkë, ç’ka për të pasur frikë?!
 
M’u ngritën nervat në kulm. Por prapë u përpoqa të dukem i qetë dhe ia ktheva:
-Qenkeni me të vërtetë njeri i guximshëm! Me gjithë mend nuk keni frikë nga zjarri? !
-Nuk e kam frikë edhe aq! -tha. -A nuk është pak a shumë festë edhe kjo?!
Duke i thënë këto fjalë u ul edhe më thellë në kolltuk dhe u zgjat drejt cigares në qoshe të dritares. E kapa përpara tij çakmakun që ishte afër paketës dhe e ndeza.
-Urdhëroni! -i thashë. -Digjeni!
 
Me shumë krenari nxori nga paketa cigaren dhe teksa po afrohej nga flaka e çakmakut, iu drejtova:
-Jo cigaren, zgjatni gishtin!
-Nuk e kuptova! Pse u dashka të zgjas gishtin? ! -pyeti ai.
-E si mund ta tregoni që nuk keni frikë nga zjarri i xhehenemit, më mirë se kështu?! -i thashë. -Të them të drejtën të gjithë duam ta dimë.
 
Burri s’dinte ç’të thoshte dhe goja që nuk iu mbyll për dy orë rresht, tani pushoi. Pasi u përdrodh një copë herë aty ku ishte, u ngrit në këmbë duke thënë “mbërrita në stacionin ku do të zbres” dhe humbi nga sytë në turmën e njerëzve.
Pasi burri iku, vura re se çakmaku i tij kishte ngelur në dorën time. Djaloshi që kisha përballë, e kishte parë këtë dhe nisi të qeshte.
 
Ia drejtova çakmakun atij duke i thënë:
-Ti nuk pi cigare, po çakmaku le të mbetet te ti. Tashmë e di shumë mirë se ku do ta përdorësh atë.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free