Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

C'fare thote mjekesia per abdesin


Abdesi fillon me larjen e duarve, e me anë të tyre pastrohen gjymtyrët e tjera, sepse një fillim i mirë është shëndet, e më pas vazhdon me larjen e gojës duke bërë dhe gargarë. Dihet se goja përmban të gjithë faktorët ndihmues dhe të përshtatshëm që ndikojnë në zhvillimin e mikrobeve të ndryshme e kjo, sepse ajo është gjithmonë e lagësht, dhe me një nxehtësi të përshtatshme për t’u zhvilluar mikrobet nga mbeturinat që kanë mbetur gjatë të ngrënit. E për rrjedhojë kemi shfaqjen e erës së keqe në gojë, si rezultat i fermentimit të ushqimit në të. Dhe është gargara ajo, që kur bëhet me ujë të pastër i pastron mbetjet e ushqimit, për vetë faktin se uji për nga përbërja e tij kimike, nuk lejon zhvillimin e mikrobeve, e kur ne e përdorim atë shpesh sidomos si gargarë, luan një rol mjaft pozitiv në pastërtinë e gojës, ndërsa vetë gargara forcon muskujt e fytyrës, e të nofullës në veçanti.

Më pas vjen radha e pastrimit të hundës, e kjo duke e thithur ujin në fillim, e pastaj duke e nxjerrë.
Një grup studiuesish nga fakulteti i Mjekësisë të Universitetit të Aleksandrisë, në Egjipt, u morën me një kërkim shkencor për të zbuluar lidhjen e abdesit me shkencën nga ana shëndetësore. Ata zbuluan se në përgjithësi tek ata që nuk marrin abdes, brendësia e hundës është në ngjyrë të bardhë në gri (si e thinjur), e yndyrshme, e lëmuar, që tërheq për në brendësi lagështirën dhe petësa si zbokth. Ndërsa vrima e hundës është si një ngjitëse me ngjyrë të errët e që lehtëson rënien e qimeve prej saj, ndërsa qimet e hundës janë të ngjitura me njëra-tjetrën, të pluhurosura dhe si me zbokth. Kurse ata që përdorin abdesin, hundën në brendësi e kanë të shkëlqyer dhe të pastër, pa lagështirë e zbokth edhe qimet i kanë të pastra po ashtu.
Pas vëzhgimeve me anë të mikroskopit, u vu re se mikrobet e hundës tek ata që nuk falen (pra që nuk marrin abdes), janë të shumta dhe e kanë përfshirë të gjithën. Ndërsa tek ata që marrin abdes, u panë shumë pak, për të mos thënë asnjë mikrob. Kjo tregon që të shpëlarit e hundës rregullisht ndikon në shëndet, e kur ajo bëhet tre herë është edhe më e mirë ( siç citohet edhe në traditën profetike).

Pra, në shpëlarjen e parë, pastrohen gjysma e mikrobeve që gjenden në hundë, në të dytën akoma edhe më shumë e kështu e fundit e pastron totalisht. Pasi kalojnë disa orë hunda përsëri kthehet në gjendje të papastër dhe kërkon që të pastrohet… Ky është edhe një prej sekreteve të shpërndarjes kohore të faljes së namazit, që shoqërohet edhe me marrjen e abdesit…
Ndërsa shfryerja e hundës, përbën një ushtrim shumë të dobishëm për muskujt e frymëmarrjes, nxjerrjen e ajrit të mbetur nga mushkëritë, nga fshikëzat e ajrimit dhe nga laringu, ky ajër gjithashtu përmban edhe dioksid karboni, e pastrimi i mushkërive nga ky ajër, bëhet vetëm me anë të një frymënxjerrjeje të fortë dhe vendin e këtij ajri e zë ajri i pastër. Ky proces bën që gjaku nëpërmjet vënëës të kthehet për tek barkushja e djathtë, si dhe ndikon në lëvizjen e shpejtë të gjakut dhe gjithashtu është edhe një nga shkaqet që pengon formimin e trompozave të gjakut si dhe pastron gëlbazën dhe sekrecionet që gjenden në të. Kështu frymëmarrja kthehet në normalitet, muskujt që ndihmojnë frymëmarrjen bëhen më të fortë e elastikë.

Më pas vjen larja e duarve deri tek bërryli. E këto janë gjymtyrët që përdoren më shumë, si në të ngrënë, të pirë, të takimit dhe të prekjes e të kryerjes së punëve të ndryshme…
Është mjaft e domosdoshme që duart të jenë të pastra. Kur uji prek lëkurën në ato vende, ai ndikon në qarkullimin e gjakut, si dhe nuk lejon kontraktimin e venave të gjakut apo edhe zgjerimin e tyre në bazë të temperaturës së ujit dhe kohës që ai rri në të (gjymtyrë), në kontraktimin e muskujve etj…Por më pas kthehemi përsëri në mbulimin e tyre (gjymtyrëve) me anë të rrobave të prodhuara nga fije sintetike që edhe këto janë të prodhuara nga përbërës si vajra e bojra të ndryshme, gjëra që mund t’i japin lëkurës alergji apo forma të tjera të dëmshme për të. Sepse nga kontakti i tyre (rrobave) me lëkurën e thatë krijohen ngarkesa elektrike e këto shtrihen pastaj në të gjithë sipërfaqen e trupit e më pas ndodh shkëndija elektrike, që shkakton dëme në trupin e njeriut, e shkenca vazhdon të merret me kërkimin e këtij fenomeni dhe është uji ai që e shpëton trupin nga kjo gjë…

Jepi mes’h (fshij me dorë) kokës: kjo është baza e tretë tek abdesi. Kjo lëvizje, pra, duke fshirë kokën me duar, ndikon tek muskujt e sipërm të trupit, por ndikimi më i madh bie tek muskujt nga balli tek zverku (qafa) ku hyjnë edhe muskujt sipërfaqësor të kafkës. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë për këtë:

“Fërkojeni (fshijeni) me duar kokën vajtje – ardhje, duke filluar nga balli apo nga pjesa e përparme e kokës deri tek qafa, pastaj kthehesh nga qafa për tek pjesa e përparme e kokës“.

Ky fërkim dhe kjo lagështirë e lehtë nuk lejon kontraktimin e këtyre muskujve dhe gjithashtu largon edhe dhembjen e kokës që shkaktojnë kontraktimet e saj. Një tjetër dobi e abdesit për njeriun është, se kur ai është i mërzitur apo i hidhëruar, ai duhet ta fërkojë kokën me duar të njoma, pra t’i japë mes’h e jo ta lajë atë plotësisht. Sipas traditës profetike, larja e fytyrës dhe e gjymtyrëve të tjera përsëriten tri herë, ndërsa në rastin e kokës, bëhet vetëm një herë. Dhe kjo sepse dhembja e kokës shkaktohet nga ngjeshja e gjakut në tru dhe ky akumulim çon në presionin e palcës kurrizore e për rrjedhojë shkakton deri në paraliza të ndryshme… Dhe vjen ky fërkim i lehtë i kokës me duar të njoma, duke liruar kontraktimin e muskujve të kafkës dhe qarkullimin normal të gjakut e për rrjedhojë edhe lehtësimin e dhembjes së kokës si nervore apo edhe e zakonshme.

Më tej vijojmë me pastrimin e veshëve (brenda e jashtë), në mënyrë që të largohet papastërtia e mbledhur aty, e cila mund të shkaktojë infeksione të ndryshme.

Abdesi përfundon me larjen e këmbëve deri tek njyjet. Dhe kjo tregon edhe njëherë mbi rëndësinë që Islami i jep pastërtisë. Këmbët janë të predispozuara të kenë më shumë mikrobe, se prekin gjithmonë tokën, apo janë në këpucë, e djersa dhe pluhurat shkaktojnë infeksione të ndryshme të lëkurës, e në mes gishtave në veçanti. Larja e tyre pesë herë në ditë, duke i fërkuar mirë, bën që të evitojë papastërtitë që mblidhen në to. Një tjetër dobi e larjes së këmbëve është sepse vë në lëvizje muskujt e këmbëve, e të kofshës në veçanti, si dhe normalizon qarkullimin e gjakut në vena, forcon kyçet, gjunjët, etj…

E pra, zbulimet mjekësore nuk janë të vetmet që ndikojnë tek një musliman për të marrë vazhdimisht abdesin, por është përkushtimi shpirtëror e zbatimi i fesë që ka një ndikim të madh. Përfitimi më i madh është se për çdo musliman të devotshëm e të sinqertë në këtë devotshëri, por që është edhe me abdes, falen e luten për të meleqtë, deri sa atij t’i prishet ky abdes. Dhe është vetë profeti ynë (a.s.) që thotë:

“Çelësi i Xhennetit është namazi dhe çelësi i namazit është abdesi”, apo në një thënie tjetër ai (a.s.) është shprehur: “Kur muslimani merr abdes, gjatë larjes së fytyrës i largohen bashkë me ujin e abdesit që rrjedh edhe çdo gabim që ka bërë me sy. Gjatë larjes së krahëve, çdo gjynah i vogël i bërë me duar derdhet bashkë me pikat e ujit. Kështu ai e plotëson abdesin e vet i pastruar prej gjynaheve të vogla.”

Kështu, ne gjithmonë duhet të kujtojmë, se abdesi është arma e besimtarit, pastërtia është kushti i imanit dhe se Allahu i Lartësuar i do ata që janë pendues dhe të pastër.

“O ju që keni besuar! Allahu nuk dëshiron t’ju shkaktojë vështirësi, por t’ju bëjë që të jeni të pastër dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij për ju…”
(Kur’an, 5:6)

“Dijeni se Allahu i do edhe ata që pendohen edhe ata që pastrohen…”
(Kur’an, 2:222)


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free