Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Lumturia

Dy burra, me fuqi të barabartë bartin nga një barrë të njëjtë. Njëri prej tyre qahet e ankohet sikur të mbante dy barrë kurse tjetri qesh e këndon sikur të mos kishte gjë mbi supet e tij.

Dy burra të tjerë me karakteristika të përafërta fizike, goditen nga e njëjta sëmundje. Njëri prej tyre plogështohet, frikësohet, përfytyron vdekjen dhe sikur bëhet në anën e sëmundjes kundër vetvetes dhe nuk shpëton dot. Tjetri bëhet durimtar, optimist dhe përfytyron shërimin i cili i vjen me nxitim dhe ky i afrohet në mënyrë të njëjtë.

Dy burra tjerë dënohen me vdekje. Njëri prej tyre humbë durimin, trishtohet aq sa vdes një mijë herë para vdekjes reale kurse tjetri mbledh vetën, i nënshtrohet arsyes dhe nëse nuk e shpëton ndonjë lajkë e tij nuk lejon që iluzioni ta vret para se të vdes realisht.

Bizmarku, njeriu gjakatar e i hekurt, gjeniu  i lutës dhe paqes, nuk mund të qëndronte pa duhan as një minutë. Cigaret kallte njëra pas tjetrës tërë ditën dhe në çastin kur mbeste pa to i turbullohej mendja dhe i keqësohej planifikimi. Një ditë, gjersa ishte në luftë, pa se nuk kishte me vete pos një cigareje. Vendosi ta kallë më vonë, atëherë kur do ishte më ngushtë dhe më i brengosur. Kështu qëndroi një javë të tërë, pa duhan, duke treguar një durim të madh si dhe duke pas shumë shpresa në atë cigare. Kur pa veten në këtë gjendje, braktisi pirjen e duhanit sepse refuzoi që lumturia e tij të jetë peng e një cigareje.

Eruditi dhe historiani mysliman El Hudari, në fund të jetës u kaplua nga iluzioni se kishte gjarpër në zorrët e tij. Shkoi te shumë mjek dhe pyeti shumë njerëz të urtë, mirëpo që të gjithë fshihnin gazin e tyre shkaku i turpit që kishin nga ai. Ata i thoshin se në zorrë mund të paraqitet ndonjë krimb mirëpo nuk mund të banojnë aty gjarpërinjtë. Nuk ju mbush mendja gjersa takoi një mjek të zoti në profesionin e tij, që kishte njohuri të thella edhe në psikologji. Kur dëgjoi hallin e Hidrit i dha të pijë laksativ, e futi në tualet dhe aty i kishte lënë një gjarpër. Kur pa gjarprin, i ndriçoi fytyra, i erdhi fuqia dhe ndjeu shërimin. Doli duke kërcyer nga gëzimi. Më parë kishte hipur mbi disa kodra paragjykimesh që e kishin bërë të gulçonte, klithte e ndiente dhimbje, mirëpo pas këtij rasti nuk ndjeu më dhimbje. Ai nuk u shërua se kishte një gjarpër në bark e i doli por pse kishte në kokën e tij një gjarpër dhe i fluturoi. Ai zgjoi forcën e shpirtit që e kishte pas të fjetur. Njeriu në shpirtin e tij ka fuqi të cilat po të dinim t’i përdornim do të bënin çudira. Këto forca bien në gjumë dhe zgjohen nga frika apo gëzimi. A nuk i ka ndodh ndonjërit prej jush të gdhihet i sëmurë, i plogësht, i pafuqishëm, nuk mund të kthehet në krahun tjetër, sheh një gjarpër që vjen drejt tij dhe nuk ka ndonjërin afër për t’i ndihmuar, e sheh se si kërcen prej shtratit sikur të mos ishte ai i sëmuri? Apo ndonjëri që kthehet pas ikindisë në shtëpi, i lodhur, rraskapitur, nuk dëshiron tjetër veç ulëses për të pushuar dhe duke qenë në këtë gjendje i vjen një telegram se një dashamir sapo do t’i vijë, apo ndonjë ftesë urgjente e ministrit që e thërret tek ai, për t’ia rritur postin, në shpirt do ndjejë një lehtësim, ngopje dhe me vrap do shkojë në stacion apo tek ministri?

Këto fuqi janë burim nga të cilat shpërthen lumturia ashtu siç shpërthen uji i pastër nga shkëmbi, e njerëzit e lënë këtë ujë të pastër dhe kërkojnë zgjidhje nëpër pellgje balte apo ujëra të turbullt!

Lexues të nderuar: ju jeni ta pasur, mirëpo ju nuk e dini vlerën e pasurisë që posedoni, prandaj e hidhni atë duke e nënçmuar. Ndonjëri prej jush goditet me dhimbje në kokë apo stomak, apo i dhemb dhëmbi dhe e sheh krejt dynjanë të zezë; e përse kur ishte i shëndoshë nuk e shikonte atë të bardhë e ndriçuar?

Privohet nga ushqimi, pastaj dëshiron që një kafshatë buke apo një copë mishi ta përtyp, lakmon ata që mund të hanë pa problem; e përse nuk ia dinte kënaqësinë para se të sëmurej? Pse nuk ua dini vlerën begative përpos kur i humbni ato?

Pse plaku qanë për rininë e tij e i riu nuk qesh për fëmijërinë e tij? Pse nuk e shohim lumturinë përpos kur ajo largohet prej nesh dhe nuk e shohim përpos të zhytur në errësirën e së kaluarës apo në mjegullimet e së ardhmes? Çdonjëri qan për të kaluarën e tij, përmallohet për të, e përse të mos mendojmë në të tashmen para se të bëhet e kaluar?

Zotërinj dhe zonja: ne konsiderojmë se pasuri është vetëm malli, e ç‘është malli? A nuk e dini tregimin e mbretit të sëmurë të cilit i servoheshin ushqimet më të mira mirëpo nuk mundej të hante. Pasi hodhi një shikim në dritare pa një kopshtar duke ngrënë bukë të zezë me ullinj të zinj, fustë një kafshatë në gojë, tjetrën e merrte me dorë, të tretën e merrte me shikim, dhe mbreti dëshiroi që të ndiente kënaqësinë e tij dhe të ishte kopshtar. E përse nuk e vlerësoni shëndetin? A nuk ka shëndeti vlerë? Cili prej jush dëshiron që ta jep syrin e tij për njëqind mijë dollar? A nuk e dini rastin e njeriut i cili humbi në shkretëtirë dhe gati se nuk vdiq nga uria e etja. Kur pa burimin e ujit dhe pranë tij një shakull, piu ujë nga burimi dhe hapi shakullin me shpresë së do gjejë hurma apo bukë të thatë. Pasi shikoi, u dëshpërua shumë dhe u alivanos sepse ishte përplot flori kurse atij i nevojitej ushqim.

Tjetri që kërkoi nga Allahu që çdo gjë që do prek t’ia shndërrojë Allahu në flori. Preku një gur dhe ai u shndërrua në flori. Gati sa nuk u çmend prej gëzimit, për shkak se lutja i ishte pranuar. Shpejtoi për në shtëpi me eufori. Deshi të hajë diçka dhe posa preku bukën dhe ajo u shndërrua në flori kurse ai mbeti i uritur. Iu afrua e bija dhe ai e përqafoi dhe u shndërrua në flori. U ndal dhe filloi me qarje të lus Allahun t’ia kthejë vajzën, ushqimin dhe ta largojë floririn prej tij .

Rothshildi hyri në depon e pasurisë së tij dhe iu përplas dera përmbi. Ra i vdekur në një det me flori.

Zotërinj: pse kërkoni flori kur ju keni shumë prej tij? A nuk është shikimi prej floriri, shëndeti, koha? E përse nuk përfitojmë nga koha jonë? Pse nuk ia dimë vlerën jetës?

Një njeri tregon: akëcila revistë më ngarkoi me një shkrim në muaj dhe unë vazhdoja të zvarris detyrën. Koha kalonte. Ditët bëheshin si orë, orët si minuta dhe nuk i ndjeja. As që përfitoja diçka. Sikur të ishin sanduqe të mëdha e të zbrazëta. Gjersa u afrua termini dhe nuk mbeti pos një dite, fillova të shfrytëzojë kohën dhe kështu minutët u shndërruan në orë, orët në ditë sikur të ishte një kuti e vogël përplot margaritarë. Përfitova nga çdo sekondë gjersa shumicën e tekstit e shënova në stacion duke pritur tramvajin në një kallaballëk njerëzish. Një çast u bë për mua më i bereqetshëm se tërë ato ditë që më kaluan. Ndjeva një keqardhje dhe thash më vete: sikur të mendoja për ndonjë temë për ta shkruar çdoherë që pres tramvajin do përfitoja shumë ngase çdo ditë së paku një orë më kalon duke pritur.

Miku im i nderuar, prof. Behxhet Bejtari disa vite ka udhëtuar rregullisht prej Damaskut në Bejrut. Në tren relaksohej duke lexuar librin “Kavaid tahdith” të imam Kasimiut. Më vonë u botua libri me recensimin e tij. Dijetari Ibën Abidin vazhdimisht lexonte, madje edhe kur ngrihej për të marrë avdes apo për të ngrënë porosite dikë për t’i lexuar dhe kështu shkroi librin “El Hashije”

Serhasiu diktoi librin “El Mebsut” duke qenë i burgosur në një gropë. Një prej librave më madhështor në dynja.

Unë habitem me ata që ankohen se nuk kanë kohë. Po a nuk e humb kohën diçka pos gafletit dhe kaosit. Shikoni sa lexon nxënësi natën e provimit. Mendoj se sikur të lexonin ashtu, jo për çdo natë por një herë në javë do bëheshin dijetarët e dynjasë. Shikoni ata që kanë shkruar me qindra libra sikur Ibën Xheuzi, Taberiu, Sujutiu, Xhahidhi ose mendoni për një libër vetëm, për shembull “lisanul arab” dhe shikoni a ka durim ndonjëri prej jush ta lexojë të tërin, apo ta përshkruajë të tërin e të mos flasim për përpilim?

Truri i njeriut a nuk është pasuri? Njeriu a nuk ka pasuri? A nuk ka çmim? E pse vuajmë nga çmenduria dhe nuk lumturohemi me mendje? Pse nuk i mundësojmë trurit që të punojë sepse sikur të punonte do sillte gjëra të habitshme?

Nuk po përmend filozofët dhe shpikësit por po përmend diçka të afërt me ju, e lehtë. Keni dëgjuar për tregimin e Buhariut kur e testuan me njëqind hadithe duke përzier tekstet dhe zinxhirët e transmetimit. Ai e zgjodhi duke kthyer secilin hadith te zinxhiri i tij, pa bërë asnjë gabim.

Shafiu kur shkroi ligjëratën e Malikut me pështymë në dorën e tij pastaj e përsëriti nga memoria, kur Muarriu dëgjoi dy ermen duke debatuar me gjuhën e tyre dhe kur ata dy kërkuan dëshminë e tij për atë që kanë thënë ai ua përsërit fjalët në gjuhën e tyre edhe pse nuk e kuptonte atë, kur Esmaiu dhe Hamadi memorizonin poezi dhe tregime, kur Ahmedi dhe Ibën Meini transmetonin me mijëra hadithe, vërtet do habiteni. Sikur të mendonit do vërenit se edhe ju i keni ato mundësi, mirëpo ju nuk e bëni.

Shikoni sa emra të njerëzve dini përmendësh, sa emra vendesh, revistash, gazetash, këngësh, restorantesh, shikoni sa tregime dini dhe sa gjëra kalojnë nëpër tru çdo ditë qofshin ato gjëra që lexohen, shikohen apo dëgjohen, sikur në vend të gjitha këtyre vendohet dije e dobishme do bëheshit sikur ata dijetarë që përmenda më lartë.

Njoh një kamerier në Damask qe njëzet vjet, quhet Hilmi, merr porositë e qindra njerëzve për pijet e tyre dhe të gjithëve ua dërgon atë që kanë kërkuar pa gabuar askund dhe pa regjistruar.

Zotërinj: shëndeti, koha dhe mendja, të gjitha këto janë pasuri dhe që të gjitha janë shkaqe të lumturisë për ata që dëshirojnë të jenë të lumtur. Çështja kryesore është imani. Imani e ngop të uriturin, e pasuron të varfrin, ngushëllon të pikëlluarin, forcon të dobëtin, e bën bujar koprracin, njeriun e socializon dhe e bën të suksesshëm.

Duhet të shikosh atë që është poshtë teje sepse ajo që e ke gjendjen e vështirë sigurisht që je më mirë se mijëra njerëz që janë në gjendje edhe më të vështirë se e jotja. Ti ke jetë më të mirë se Abdulmelik ibën Mervani e Harun Reshidi të cilët kanë sunduar botën.

Abdulmelikut i dhembte një dhëmballë dhe nuk mund të flinte sepse nuk kishte mjek për t’ia mjekuar kurse ti sapo të dhemb dhëmbi, mjekun e ke afër.

Harun Reshidi natën përdorte qirinj dhe kafshë për të udhëtuar kurse ti përdor rrymën dhe veturën. Ata udhëtonin me muaj prej Damasku në Meke kurse ti udhëton për një kohë shumë të shkurtër.

Të nderuar lexues: ju jeni të lumtur mirëpo nuk e dini. Jeni të lumtur nëse ua dini vlerën begative që i posedoni, jeni të lumtur nëse e njihni fuqinë që e posedoni, jeni të lumtur nëse lumturinë e kërkoni te ju e jo përreth jush, jeni të lumtur nëse mendimet e juaja janë gjithmonë me Allahun, falënderoni për çdo begati, duroni për çdo fatkeqësi dhe kështu shpresoni në të dy rastet dhe fitoni në të dy jetët.