Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ererat mbaresuese


Në një varg të Kur’anit është përmendur karakteristika “mbarësuese” e erërave dhe formimi i shiut si rezultat i kësaj:

Ne i lëshojmë erërat mbarësuese e nga qielli lëshojmë shi dhe atë ju japim ta pini…
(Sure El-Hixhr: 22)

Në këtë varg tregohet se faza e parë në formimin e shiut është era. Deri në fillim të shekullit të 20-të, lidhja e vetme e njohur mes erës dhe shiut ishte se era lëvizte retë. Megjithatë, gjetjet meteorologjike të kohëve të fundit kanë treguar rolin “mbarësues” të erës në formimin e shiut.
Ky funksion mbarësues i erës shpjegohet kështu:
Mbi sipërfaqen e detërave dhe oqeaneve, për shkak të veprimit shkumëzues të ujit, formohen flluska të panumërta ajri. Në momentin që këto flluska plasin, në ajër shpërndahen mijëra thërrmija të vogla me diametër sa një të qindtën e milimetrit. Këto thërrmija të njohura si “aerosole” përzihen me pluhurin e sjellë nga toka me anë të erës dhe çohen në shtresat e sipërme të atmosferës. Thërrmijat e mbartura në lartësitë e mëdha nga era vijnë në kontakt me avujt e ujit. Avulli i ujit kondenson rrotull këtyre thërrmijave dhe kthehet në pika uji. Këto pika uji në fillim mblidhen dhe formojnë retë, pastaj bien në Tokë në formë shiu.
Siç shihet, erërat “mbarsin” avujt e ujit të ndodhur në ajër me thërrmijat që ato marrin nga deti dhe ndihmojnë kështu në formimin e reve të shiut.
Nëse erërat nuk do ta kishin këtë veti, nuk do të formoheshin kurrë pikat e ujit lart në atmosferë dhe nuk do të ekzistonte shiu.
Pika më e rëndësishme këtu është se ky rol kyç i erës në formimin e shiut përmendej shekuj më parë në Kur’an në një kohë kur njerëzit dinin shumë pak rreth fenomeneve natyrore…
Një informacion tjetër rreth efektit mbarësues të erërave është roli që ato luajnë në fertilizimin e bimëve. Shumë bimë mbi Tokë sigurojnë mbijetesën e tyre duke shpërndarë polenin me anë të erës. Era merr polenin nga bimët dhe ndihmon në fertilizimin duke mbartur polenin në bimët e tjera të të njëjtit lloj.
Ky efekt i erës tek bimët ishte i panjohur deri para pak kohësh. Megjithatë, kur u kuptua se bimët ndahen në mashkull dhe femër, u kuptua dhe efekti fertilizues i erës. Kur’ani e tregon këtë fakt në vargun: “...Ne kemi lëshuar shi e kemi bërë të mbijnë në të nga të gjitha llojet më të dobishme, në çift.” (Sure Llukman: 10)