Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Drejtesia Hyjnore

Një ditë, profeti Musa a.s po i lutej dhe përgjërohej Zotit. Në një moment i thotë:”Zoti im, a s’më tregon si e vendos drejtësinë mes njerëzve? Si i jepet e drejta atij që i janë mohuar dhe shkelur të drejtat e tij? Si ndëshkohet zullumqari?”
Zoti i frymëzoi që të shkojë në filan vend, në filan kohë dhe në filan ditë, sepse atje do e shohë të konkretizuar se si i merret e drejta zullumqarit për t’ia kthyer atij që i është marrë.
Në ditën dhe kohën e duhur, Musai a.s gjendej tek vendi i duhur në pritje për ta parë me sytë e tij si ndodh një proces i tillë. Ai u ul dhe shihte me kujdes dhe gjithë vëmendje se çfarë do të ndodhte.
Në një moment vjen një kalorës hijerëndë dhe afrohet tek burimi i ujit për të pirë dhe për tu freskuar. Ai zbriti nga kali i tij, hoqi brezin që mbante të lidhur për mesi dhe që e pengonte për tu përkulur dhe e la mënjanë. Mandej iu afrua burimit të ujit, piu dhe u freskua dhe u ul nën hijen e pemës aty pranë për të marrë një frymë. Mandej, i kërceu kalit të tij dhe u largua me vrap, duke harruar brezin.
Pak më vonë erdhi një djalosh i hipur mbi gomar dhe iu afrua burimit të ujit. Ai zbriti, piu ujë dhe u freskua duke falënderuar Zotin për këtë begati. Para se të largohej sytë i zunë brezin e harruar nga kalorësi. Iu afrua, e mori në dorë dhe e hapi. Zgurdulloi sytë kur pa se ishte i mbushur me monedha floriri dhe gurë të çmuar. E mori dhe u largua.
Pas tij vjen në burrë i moshuar për të shuar etjen dhe për tu freskuar me ujin e burimit. Teksa pinte ujë dhe freskohej, ia beh kalorësi që kishte harruar brezin më parë. Me të mbërritur ai e kërkoi brezin dhe kur nuk e gjeti e pyeti të moshuarin:”Plak! Ku është brezi që lashë pak më parë këtu?”
I moshuari iu përgjigj:”Nuk di gjë zotëri! Nuk kam parë ndonjë brez!”
Kalorësi nxori shpatën dhe pa u menduar gjatë e vrau të moshuarin.
Profeti Musa a.s e ndiqte këtë skenë dhe këto ngjarje me vëmendje. Pasi gjithçka u mbyll me kaq, Musai a.s e pyeti Zotin:”Zoti im! Kalorësi i hyri në hak të moshuarit duke e vrarë padrejtësisht!”
Zoti iu përgjigj:”O Musa! I moshuari që pe, shumë vite më parë pati vrarë padrejtësisht të atin e kalorësit. Kurse djaloshi me gomar që gjeti brezin, i ati i tij pati punuar tek kalorësi njëzet vite dhe ai kurrë nuk ia dha hakun që i takonte! Kështu, kalorësi mori hakun e babait të tij nga i moshuari, kurse djaloshi mori hakun e babait të tij nga kalorësi!”
Morali:
Vëlla dhe motër! Pavarësisht se nuk e dimë në mënyrë të prerë nëse ndodhia më sipër është apo jo e vërtetë, mesazhi që ajo përcjell është kuptimplotë. Një vepër e keqe që vepron është një energji negative e cila çlirohet në univers. Meqë ajo doli nga ty do të lundrojë rreth e rrotull dhe herët apo vonë do të kthehet sërish tek burimi i saj për të ruajtur ekuilibrin që Zoti ka vendosur në gjithësi. Ti je përgjegjës për veprat e tua dhe Zoti e ka bërë ligj që si e mira ashtu dhe e keqja i kthehen sërish vepruesit. Ruaju të bërit keq dhe padrejtësisë ndaj krijesave të Zotit, pasi borxhi të kthehet me të njëjtën monedhë!

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free