Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Urtesia e te moshuarit

Ai ishte një burrë i moshuar dhe kishte kohë që bridhte në fshatrat e Indisë. Kur mbërriti në një fshat të vogël, atë e kishte marrë uria dhe me t’iu afruar kasolles së parë të fshatit, trokiti në derën e saj të drunjtë.
Derën ia hapi vetë i zoti i shtëpisë, të cilit i moshuari i tha:”Pash Zotin se kam kushedi sa ditë që eci në këmbë, mos ke sadopak bukë dhe ujë për të pirë? Po vdes nga etja dhe uria!”
I zoti i kasolles e pa në sy, u hodhi një vështrim të shpejtë dhe rrobave të tij të shqyera dhe të palara dhe i tha:”Ne s’kemi ngrënë për vete, jo më të kemi për ty.” dhe i mbylli derën.
I moshuari iu drejtua një kasolleje tjetër dhe kërkoi diçka për të ngrënë dhe për të pirë, por edhe aty e dëbuan dhe nuk e mikpritën, duke ia përplasur derën në fytyrë. Në kasollen e tretë që trokiti, derën ia hapi një grua. Burri i moshuar dalloi nga jashtë fëmijët e zonjës, të cilët luanin brenda. Menjëherë i kërkoi diçka për të ngrënë, por ajo i tha:”Ne s’kemi as për vete dhe as për fëmijët.”
Nga mimika në fytyrë, i moshuari kuptoi se zonja në fjalë donte ta ndihmojë, por me të vërtetë që nuk kishin gjë për të ngrënë. Ajo dukej se është njeri zemërmirë.
Atëherë i moshuari i tha:”Mirë, por a ke ndonjë tenxhere të madhe të paktën?”
Gruaja iu përgjigj:”Sigurisht që kam.”
I moshuari i tha:”Unë kam një gur magjik në xhep. Nëse e mbush tenxheren me ujë dhe në të hedh këtë gurin, uji shndërrohet menjëherë në supë.”
Gruan e përshkroi një ndjesi dyshimi për fjalët e burrit, megjithatë vendosi t’ia japë tenxheren.
Të dy shkuan në një ambient pas kasolles, aty ku kjo zonjë zakonisht gatuante për familjen dhe menjëherë ndezën zjarrin dhe mbi të, vunë tenxheren me ujë. I moshuari futi dorën në xhep dhe nxori gurin magjik, të cilin e hodhi brenda ujit. Pastaj, mori një lugë druri dhe filloi ta përziejë. Herë pas here, mbushte lugën me ujë dhe bënte sikur e provon. “Ka shije të mirë, por duhet ti shtojmë diçka tjetër. A ke ndonjë karrot në shtëpi?” e pyeti gruan.
Zonja iu përgjigj:”Më duket se i kam tre katër karota, po shkoj ti marr.”
Pasi ia solli, burri i griu dhe i hodhi brenda në tenxhere. Pasi e përzjeu ujin, e provoi, por sërish i tha gruas:”I duhet dhe pak kohë. A ke ndonjë kokërr patate?”
“Jo” iu përgjigj gruaja.
Ndërkohë, fëmijët e kësaj zonje kishin dalë jashtë dhe kishin njoftuar fqinjët për këtë të moshuar të çuditshëm dhe për gurin e tij magjik dhe çudibërës. Kështu, filluan të grumbullohen përreth tij burra e gra, të cilët e ndiqnin plot kureshtje çdo lëvizje të tij, por edhe gurin i cili vërvitej në tenxheren me ujë, në pritje të mrekullisë.
Në një moment, një grua tha:”Unë kam ca patate në shtëpi. Po shkoj ti marr dhe ti sjell.”
Pasi i solli, i moshuari i griu dhe i hodhi në tenxhere, të cilën e përzieu për disa minuta dhe pastaj e provoi shijen e supës. “Akoma i duhet dhe ca kohë. Ndoshta ka nevojë dhe për ndonjë kokërr qepë. Ka ndonjëra nga ju qepë në shtëpi?”
Një zonjë e moshuar ia tha:”Po, kam unë, po shkoj ti sjell.” dhe ashtu bëri. Kështu vazhdoi i moshuari duke përzier supën dhe njerëzit duke sjellë herë pas here nga një asortiment, dikush një spec, dikush piper, dikush kripë, dikush një copë mish...
Më në fund, supa dukej se ishte gati. I moshuari buzëqeshi, e provoi me lugën e tij të drunjtë dhe tha:”Supë shumë e shijshme.” Pastaj, e mbushi sërish lugën dhe ia zgjati zonjash së shtëpisë, e cila e mirëpriti. Pasi e provoi, edhe ajo tha:”Shumë e mirë.”
Pastaj, të gjithë u shtruan përtokë dhe hëngrën nga supa e gatuar nga të gjithë.
Atë ditë, banorët e varfër të këtij fshati indian, morën një mësim shumë të rëndësishëm: Edhe pse të gjithë vuanin nga fukarallëku ekstrem dhe s’kishin bukë për të ngrënë as për veten dhe as për fëmijët e tyre, kur i mblodhën kontributet, u ushqyen të gjithë.