Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Teoria e bananes

Kur isha fëmijë, mami më pati dhënë një banane, për ta ngrënë në pushimin e gjatë në shkollë. Unë e futa bananen në xhepin e çantës. Vetëm gjatë pushimit e hapa që ta nxjerr dhe ta ha, siç bënin dhe fëmijët e tjerë. Por... pashë që banania ime e dashur ishte bërë petë në fund të librave. E lashë ashtu siç ishte. Do e nxjerr më vonë nga çanta – thashë me vete. Por, sërish e harrova në çantë për shkak të fundjavës. Të hënën, kur e hapa çantën, pashë që banania kishte zënë myk. E mbylla menjëherë xhepin e çantës dhe nuk i tregova askujt. Banania mbeti sekretim im për tre ditë të tjera. Era e saj nuk durohej, saqë shokët e shoqet pyesnin herë pas here se nga vinte ajo erë e keqe në klasë, gjë e cila më vinte në siklet. Më në fund, vendosa ti jap fund këtij kalvari. E hoqa bananen nga xhepi i çantës dhe e pastrova mirë atë.

Është pikërisht kjo ajo që na ndodh çdo ditë, jo domosdoshmërish me banane. Ne i shtypim dhe ndrydhim ndjenjat tona përballë çdo sprove, sfide apo traume të dhimbshme, që na del në jetë. Kështu, i ruajmë ndjesitë të ndrydhura në xhepin e çantës të pavetëdijes tonë. Nuk i tregojmë askujt për të. Ndjenjat tona fillojnë e myken dhe lëshojnë erë të padurueshme, edhe pse ne orvatemi ta mohojmë, injorojmë, madje edhe mbyllim mirë zinxhirin e kësaj çante. Aroma e këtij testi dhe sprove që e kemi fshehur thellë brenda nesh, bëhet e padurueshme dhe e dhimbshme. Pasi është përhapur në çdo qoshe të xhepit të brendshëm, ajo nxjerr kryet jashtë, duke na shndërruar në persona me çrregullime, të demoralizuar, plot mllef, ndjesi faji etj...

Zgjidhja e vetme e këtij problemi, është konfrontimi me të, të hapësh çantën e brendshme, ta pastrosh nga mbetjet dhe ndjesitë e prishura.

Por si?

Duke qenë transparentë, duke u rrëfyer fillimisht para vetes, mandej edhe para atyre që u kemi besë. Po, tu rrëfejmë se kemi një problem real me veten tonë, brenda saj.

Ndrydhja dhe mohimi, si dhe shtirja para të tjerëve se gjithçka shkon vaj me ne, se e kemi gjithçka nën kontroll... nuk bën dobi, për të mos thënë që e rëndon situatën.

Sado e dhimbshme të jetë nxjerrja e materialeve tona të brendshme, është më e dobishme sesa mbajtja dhe ndrydhja e dhimbjeve tona në qelitë tona të brendshme.

Le ti hapim këto “çanta” dhe le ti pastrojmë nga papastërtitë! Le të lejojmë dritën e diellit të depërtojë në këto pjesë të errëta! Le ta praktikojmë teorinë e pastrimit të çantës nga banania e prishur, edhe me çantën e botës tonë të brendshme! Le të fillojmë së bashku fushatën e pastrimit! Sot është dita e pastrimit të trupit, shpirtit dhe zemrës. Nëse nuk keni një person të besueshëm, të cilit mund ti rrëfeni problemet tuaja, ia rrëfeni ato Zotit -Krijuesit tuaj! Shkarkojeni duke u lutur materialin e ndrydhur ndër vite, ia qani Atij hallin tuaj, i kërkoni tu ndihmojë dhe mbështesë që ta kapërceni këtë sfidë! Zoti u ndihmoftë dhe ua pranoftë lutjet!
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free