Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Unë dua të bëhem Kalif, po ti ?

Ngjarja të cilën do u tregojmë në rreshtat në vazhdim, ka ndodhur në Andaluzi, gjatë dinastisë omejade.

Ajo flet për tre të rinj, të cilët punonin si hamallë. Secili prej tyre kishte një gomar, me të cilin transportonin mallrat e udhëtarëve nga porti në destinacionin e tyre. Një natë, pas një pune të lodhshme, tre të rinjtë ishin shtrirë për të pushuar, pasi kishin ngrënë darkë. Njëri prej tyre, Muhamed ibnu Ebi Amir, u thotë shokëve të tij:”Në të ardhmen, dua të bëhem kalif i myslimanëve. Prandaj, më kërkoni çfarë të doni që tani.”


Njëri prej tyre i thotë:”Ti je hamall shumë i mirë, por për kalif nuk bën pesë lek.”

Por Muhamed insistoi dhe u tha:”Supozoni se tashmë jam kalif, çfarë do të donit t’ju jap?”

Ai u zhyt thellë në ëndrrat me sy hapur, saqë filloi ta imagjinojë veten vërtet kalif të myslimanëve. Ai e shihte veten në fronin e kalifit, të rrethuar nga këshilltarë e roje, urdhëronte që fukarenjtë të ndihmoheshin me ndihma nga shteti etj...

Njëri nga shokët, ia ndërpreu mendimet duke i thënë:”Mirë, unë dua kopshte plot lule.”

Muhamedi:”Po tjetër, çfarë dëshiron?”

Hamalli:”Dua një stallë me kuaj.”

Muhamedi:”Po tjetër, çfarë dëshiron?”

Hamalli:”Njëqind skllave.”

Muhamedi:”Po tjetër?”

Shoku:”Njëqind mijë dinarë floriri.”

Muhamedi:”Po tjetër?”

Shoku:”Më mjaftojnë këto o Prijës i Besimtarëve.”

Mandej, Muhamedi iu drejtua shokut tjetër:”Po ti, çfarë dëshiron të jap kur të bëhem kalif?”

Ai ia ktheu:”Miku im! Ti je një copë hamalli, asgjë më shumë dhe një hamall nuk mund të bëhet kalif.”

Muhamedi i tha:”Supozo se unë jam kalifi i myslimanëve në këto çaste! Çfarë do të doje të jap?”

Miku i tij i tha:”Është më kollaj të përplaset qielli për toke, sesa të bëhesh ti kalif.”

Muhamed i tha:”Lëri këto, por kërko diçka, çfarëdo qoftë.”

Shoku i tij, i tha:”Epo mirë. Nëse ti bëhesh kalif i myslimanëve, më hip mbi një gomar nga e prapa dhe më shëtit rrugëve të qytetit, ku tellalli të thërrasë:”Ky është një horr, një delenxhi dhe i pafytyrë. Askush të mos i flasë, përndryshe hyn në burg.”

Me kaq, biseda u mbyll dhe të tre i zuri gjumi. Të nesërmen në mëngjes herët, Muhamed ibnu Ebi Amir, fali sabahun dhe u ul duke menduar. Është e vërtetë që një i ri që punon hamall, nuk mund të bëhet kalif i myslimanëve. Një person që nuk i zhvillon kapacitetet dhe aftësitë e tij për realizimin e objektivit, nuk do të bëjë asnjë hap para.

Ai u mendua gjatë mbi hapin e parë drejt objektivit të synuar. Ai mendoi se si hap të parë, duhej të shiste gomarin dhe ashtu bëri.

Gomari që duhet të shesim neve sot për të realizuar objektivat tona, është të heqim dorë nga bindjet dhe obsesionet negative, të tilla si; Unë nuk mundem, unë s’vlej asnjë grosh, nuk jam i aftë etj... Këto bindje duhen ndërruar menjëherë me; Edhe unë mund të kontribuoj në ndërtimin e shoqërisë, mund të lë diçka të mirë pas...

Muhamed ibnu Ebi Amir i hyri punës për të realizuar objektivin e tij. Ai vendosi të shërbejë në polici, ku la përshtypje të mira tek eprorët dhe kolegët e vet. Kështu, filloi të ngjitej në detyrë dhe të bëjë karrierë derisa arriti të sigurojë postin e kreut të policisë së kalifatit islam në Andaluzi.

Me vdekjen e kalifit omejad, fronin e kalifit e merrte i biri, Hisham El-muejed bil-lah, i cili ishte vetëm dhjetë vjeç. Por a do të mundej ky fëmijë të menaxhojë kalifatin?

Elita politike u pajtuan që ti caktojnë tre kujdestarë, të cilët i zgjodhën jashtë rrethit familjar të omejadëve, me qëllim që të shmangin çdo mundësi komploti.

Tek tre personat që do të kujdeseshin për mbarëvajtjen e kalifatit, derisa të rritej kalifi, ishte dhe Muhamed ibnu Ebi Amir, i cili më pas e mban krejt i vetëm këtë post. Duke shfrytëzuar moshën e vogël të kalifit, ai nxori një sërë dekretesh si; Ndaloi takimet me kalifin veçse me lejen e tij, si dhe transferoi administratën e kalifatit në pallatet e tij.

Ai organizoi ushtrinë myslimane dhe i zgjeroi territoret si asnjëherë më parë. Ka ngritur mbi pesëdhjetë flamuj lufte dhe asnjërën prej tyre nuk e ka humbur. Në çdo luftë, ai merrte pjesë personalisht, saqë më shumë qëndronte në udhëtime e luftëra, sesa në pallatin e tij madhështor.

Një ditë, pasi kishin kaluar mbi tridhjetë vite nga shitja e gomarit dhe tashmë ishte kalifi i myslimanëve i rrethuar nga dijetarë e princër, atij i kujtohen dy shokët e tij hamallë. Menjëherë dërgon ushtarët e tij dhe u thotë:”Do të shkoni në filan vend, ku do të gjeni dy hamallë me këto tipare. Do mi sillni menjëherë këtu.”

Ushtarët i gjetën dy hamallët në vendin e përshkruar nga kalifi. Ishin po ata dy persona që kishin qenë edhe më parë, e njëjta punë, të njëjtat fytyra, të njëjtat aftësi dhe e njëjta logjikë hamalli. Ushtarët u thanë prerazi:”Prijësi i Besimtarëve u kërkon të paraqiteni tek ai menjëherë.”

Dy hamallët u përgjigjën me një gojë:”Prijësi i Besimtarëve?! Po çfarë kemi bërë?! Ne jemi të pafajshëm, s’kemi bërë asgjë të keqe.”

Ushtarët i morën dhe i dërguan në pallatin e kalifit. Me të hyrë në sallën ku qëndronte kalifi, e njohën dhe i thanë njëri-tjetrit:”Qenka Muhamedi!”

Muhamed ibnu Ebi Amir, i cili tashmë njihej si Haxhib Mensur, u tha:”A më njohët?”

Të dy u përgjigjën njëzëri:”Po o Prijës i Besimtarëve.”

Mandej, Haxhib Mensur i drejtohet të pranishmëve dhe u thotë:”Para tridhjetë vitesh e kusur, unë dhe këta të dy punonim hamallë. Një natë, pasi ishim lodhur po bisedonim dhe në një moment u thashë:”Nëse bëhem Kalif i myslimanëve, çfarë do të donit prej meje?” Mandej, duke iu drejtuar njërit prej tyre, e pyeti:”Çfarë kërkove ti asokohe?”

Miku iu përgjigj:”Të kërkova kopshte plot lule.”

Haxhib Mensur:”Po tjetër?”

Hamalli:”Një stallë me kuaj.”

Haxhib Mensur:”Po tjetër?”

Hamalli:”Njëqind skllave.”

Haxhib Mensur:”Po tjetër.

Hamalli:”Njëqind mijë dinarë floriri.”

Haxhib Mensur:”Po tjetër?”

Hamalli:”Kaq ishin o Prijës i Besimtarëve.”

Haxhib Mensur:”Veç kësaj, do të kesh një rrogë dhe ke të drejtë të vish tek unë kur të duash.”

Mandej, Haxhib Mensur iu drejtua hamallit tjetër dhe e pyeti:”Po ti, çfarë kërkove atë natë?”

Hamalli:”Më fal o Prijës i Besimtarëve!”

Haxhib Mensur:”Jo për Zotin, do u tregosh të gjithëve se çfarë kërkove nëse bëhem kalif.”

Hamalli:”Për hir të miqësisë o Prijës i Besimtarëve!”

Haxhib Mensur:”Jo, duhet tu tregosh çfarë doje.”

Hamalli:”I kërkova që nëse bëhet kalif, të më hipë nga e prapa mbi një gomar dhe tellalli nga pas të thërrasë ndër njerëz:”Ky është një horr, një delenxhi dhe i pafytyrë. Askush të mos i flasë, përndryshe hyn në burg.”

Haxhib Mensur, iu drejtua ushtarëve të tij dhe u tha:”Merreni dhe veproni ashtu siç deshi, me qëllim që të ndërgjegjësohet se Zoti është i plotfuqishëm për gjithçka!”



I dashur vëlla! E dashur motër! A mendoni se edhe ju mund ti realizoni ëndrrat tuaja? A besoni se Zoti është i plotfuqishëm për gjithçka?



Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith kudsij, se Zoti thotë:”Unë jam tek pritshmëria e robit tim, prandaj le të presë ai prej Meje ç’të dojë...”

Nëse pret dhe beson se Zoti do të përkrahë dhe ndihmojë në rrugën e realizimit të ëndrrave, dije se ashtu do të ndodhë.

Vëlla i nderuar! Motër e nderuar! Lexojeni këtë thënie dhe vendoseni në dhomën tuaj, me qëllim që të mos e harroni kurrë:

Thotë Ibnul Kajjim:”Zoti nuk e humbet mundin e dikujt që përpiqet dhe nuk ia humbet kurrë shpresat!”
Në një thënie tjetër, Ibnul Kajjim thotë:”Nëse një njeri qëndron përballë një mali, me nijetin për ta zhvendosur, do e zhvendosë.”


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free